Myslim Balla, mësuesi me derën e mbyllur 'politikisht' të shkollës
- 30 minutes ago
- 5 min read

Myslim Balla, mësuesi me derën e mbyllur 'politikisht' të shkollës
Disa histori ndoshta nuk kanë titujt e bujshëm të gazetave dhe as tribunat ku ngrihen zërat, por krijojnë dhimbje. Fillojnë në heshtje, në një klasë, pranë një dërrase të zezë, në një fshat malor ku mësuesi bëhet shumë më tepër se një profesionist, bëhet kujtesë, udhërrëfyes dhe një nga shtyllat e jetës së komunitetit. Një histori të tillë më solli në vëmendje zotin Myslim Balla, mësues në Sebisht, i cili më shkroi me një thjeshtësi që, pikërisht për këtë arsye, të bën të ndalesh. “Heqja është komplet politike. Jam Myslim Balla. Mësues në Sebisht. Mbi 35 vite në arsim. Vitin shkollor që kaloi i pushuar nga puna. Pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025.”
Fjalët e tij janë të drejtpërdrejta. Nuk kërkojnë zbukurim. Në pak rreshta ai vendos përballë njëra-tjetrës dy realitete, më shumë se tri dekada në arsim dhe një largim nga puna që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me politikën. Kjo është pjesa që kërkon jo vetëm vëmendje, por edhe përgjegjësi në trajtim. Sepse një pretendim i tillë nuk duhet as të përdoret si slogan politik, as të hidhet mënjanë si një ankesë personale. Duhet dëgjuar, shqyrtuar dhe vendosur përballë fakteve.
Sebishti është një fshat malor i zonës së Gollobordës, pjesë e njësisë administrative Stëblevë, në Bashkinë e Librazhdit. Në vende të tilla, shkolla nuk është thjesht një institucion arsimor. Ajo është një pikë gravitacionale e jetës së komunitetit. Mësuesi nuk është vetëm ai që hyn në klasë dhe jep një orë mësimi. Ai është njeriu që njeh familjet, fëmijët, rrugët, dimrat e gjatë dhe vështirësitë që shoqërojnë jetën e një komuniteti larg qendrave urbane.
Dhe pikërisht këtu merr kuptim rrëfimi i Myslim Ballës.
Ai thotë se ka dhënë Matematikë, por pasioni i tij i vërtetë ka qenë letërsia. Që në klasën e tetë, tregon se ka lexuar autorët shqiptarë e botërorë, Kadarenë, Dritëro Agollin, Dhimitër Shuteriqin dhe shumë të tjerë. Është një detaj që mund të duket i vogël, por në fakt tregon diçka thelbësore, mësuesi i mirë nuk kufizohet brenda lëndës që jep. Matematika mund t'i mësojë nxënësit të kërkojnë rregullin, logjikën dhe saktësinë, letërsia mund t'i mësojë të kërkojnë njeriun, ndjenjën, dilemën dhe pyetjen. Kur këto dy botë takohen te një mësues, klasa mund të bëhet një hapësirë shumë më e gjerë se programi mësimor.
Myslim Balla më dërgoi edhe fotografi të asaj që ai e quan “modelimi dhe performanca e shkollës”. Në rrëfimin e tij shfaqet një përpjekje për ta kthyer shkollën nga një vend ku thjesht zhvillohet mësimi, në një mjedis ku nxënësi merr pjesë, krijon, bashkëpunon dhe shfaq atë që di të bëjë. Ai kujton edhe një vlerësim që, sipas tij, ka marrë nga Ardian Tane, ish-zv-rektor i Universitetit të Elbasanit dhe profesor i Gjuhë-Letërsisë. “Unë shkruaj bukur se jam mësues gjuhe, por jo kështu si ti”, i është thënë, sipas rrëfimit të tij. Pastaj vjen një tjetër kujtim që Alla e konsideron të rëndësishëm. Takimi me Prof. Dr. Myqerem Tafajn, ish-ministër i Arsimit dhe figurë e njohur e botës akademike shqiptare. Kur, sipas Allës, Tafaj pa mënyrën e organizimit dhe performancën e shkollës, reagimi i tij lidhej me një model që kishte parë në Danimarkë.
Nëse këto vlerësime janë shprehur ashtu siç i kujton mësuesi, ato nuk janë thjesht komplimente personale. Ato ngrenë një pyetje më të madhe: çfarë ndodh me një model të mirë shkollimi kur mësuesi që e ka ndërtuar atë largohet?
Kjo është pyetja që duhet të na interesojë.
Sepse arsimi nuk mund të matet vetëm me emërimet, largimet, listat dhe procedurat administrative. Arsimi matet edhe me atë që mbetet në një shkollë pasi mësuesi ka dalë nga dera. A mbetet një kulturë pune? A mbetet një mënyrë e re të menduari? A mbetet dëshira e nxënësit për të lexuar? A mbetet një model komunikimi? A mbetet një shkollë më e gjallë? Myslim Balla thotë se pas më shumë se 35 vitesh punë, dera iu mbyll. Ai e lidh këtë mbyllje me politikën dhe me periudhën pas zgjedhjeve të 11 majit 2025. Kjo është akuza e tij dhe, si e tillë, meriton të dëgjohet, por edhe të verifikohet përmes dokumenteve, procedurave dhe përgjegjësive institucionale. Sepse një shtet serioz nuk duhet të trembet nga pyetja: Pse u largua një mësues pas më shumë se tri dekadash?

Dhe një shoqëri serioze nuk duhet të kënaqet vetëm me përgjigjen: “Kështu është politika.” Nëse largimi ka qenë i ligjshëm, duhet të shpjegohet qartë dhe me transparencë. Nëse ka pasur shkelje procedurash, ato duhet të hetohen. Nëse ka pasur ndikim politik, kjo është edhe më serioze, sepse shkolla duhet të jetë një nga hapësirat e fundit ku politika nuk duhet të vendosë se kush ka të drejtë të edukojë fëmijët. Mësuesi mund të ketë bindje politike. Por klasa nuk duhet të ketë parti. Kjo është vijëndarja që një shoqëri demokratike duhet ta mbrojë.
Në rrëfimin e Myslim Ballës më bëri përshtypje edhe mënyra se si ai flet për vendin e tij. Ai e përmend Trebishtin me krenari, që para 90-ës ka qenë një zonë administrative me Sebishtin e tij, si një vend që, sipas tij, ka njerëz jashtëzakonisht inteligjentë, “nga Vermoshi në Konispol”. Mund të jetë një hiperbolë e bukur e dashurisë për vendlindjen, por pas saj qëndron një e vërtetë më e thjeshtë, komunitetet e vogla kanë nevojë për njerëz që besojnë tek aftësitë e tyre.
Dhe mësuesi është pikërisht një prej këtyre njerëzve.
Ndoshta ky është edhe paradoksi më i madh i kësaj historie. Një njeri që për më shumë se 35 vjet ka qëndruar në një zonë malore, duke dhënë Matematikë, duke ushqyer pasionin për letërsinë dhe duke u përpjekur të ndërtojë një model shkolle, sot e sheh veten jashtë saj. Nuk është vetëm historia e një vendi pune. Është historia e marrëdhënies mes mësuesit dhe institucionit, mes meritës dhe politikës, mes shkollës dhe komunitetit.
Dhe këtu duhet të jemi të kujdesshëm: nuk është e drejtë që një histori individuale të shndërrohet menjëherë në një verdikt. Por është po aq e padrejtë që një histori e tillë të heshtet vetëm sepse prek politikën. Mësuesi duhet të gjykohet për punën e tij, për përgatitjen, për etikën, për rezultatet dhe për marrëdhënien me nxënësit, jo për afërsinë apo largësinë e tij me pushtetin e radhës.
Në fund të fundit, dera e shkollës nuk duhet të jetë derë partie. Ajo duhet të jetë dera ku hyjnë fëmijët për të kërkuar dije. Dhe nëse një mësues ka punuar për dekada për ta mbajtur atë derë hapur, atëherë para se t'ia mbyllim atij, duhet të pyesim veten se çfarë po mbyllim bashkë me të. Ndoshta një vend pune. Ndoshta një kapitull profesional. Por, në rastin më të keq, mund të jemi duke mbyllur edhe një pjesë të asaj shkolle që dikur dikush e kishte menduar si një model.
Myslim Balla nuk kërkon vetëm të flasë për veten. Ai kërkon që puna e tij të shihet. Dhe kur një mësues thotë “më pushuan nga puna për arsye politike”, përgjigjja më demokratike nuk është as heshtja, as brohoritja. Është verifikimi. Është transparenca. Është drejtësia. Sepse një shkollë e mirë mund të ndërtohet në një fshat të vogël. Por një arsim i mirëfilltë ndërtohet vetëm atëherë kur dera e shkollës hapet për dijen dhe mbyllet për politikën.








Comments