top of page

Myrvete & Begzad Baliu: KRYETEMA E SINTEZAVE SHKENCORE PËR VEPRËN E NAIM FRASHËRIT

  • Feb 22
  • 10 min read

 

 

Myrvete & Begzad Baliu

KRYETEMA E SINTEZAVE SHKENCORE PËR VEPRËN E NAIM FRASHËRIT

Arti i Naimit (Përgatiti: Mehmet Gëzhilli. Përkujdesja shkencore: Akad. Gjovalin Shkurtaj,   Enciklopedia naimiane II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2024, f. 906.

Kohë më parë doli nga shtypi vëllimi i tretë i kolanës Enciklopedia naimiane, me studime për artin e Naim Frashërit. Pasi ka parë dritën vëllimi Naim Frashëri në librin dhe në shtypin botëror e të huaj (2021) dhe vëllimi me studime Gjuha e Naimit (2022), tashi së fundi u kurorëzua vëllimi Arti i Naimit (2025).

Në këtë vëllim janë përfshirë rreth njëqind autorë me mbi njëqind e pesëdhjetë njësi studimore, të cilat në një mënyrë a një tjetër flasin për artin e veprës së Naim Frashërit, në të vërtetë, më shumë se kaq, për artin e gjuhës së tij, artin e komunikimit të tij me bashkëkohësit, për artin letrar dhe artin estetik, për artin e ligjërimit dhe stilin e të thënit  të botëkuptimit të tij për jetën dhe të tjerët, për Shqipërinë, shqiptarët dhe universin. Për artin e tij në këtë vëllim kanë shkruar historianë të letërsisë, kritikë të letërsisë, biografë, historianë, gjuhëtarë, shkrimtarë, artistë të fjalës e të mendimit gjatë gjithë shekullit XX. Janë të paktë shkrimtarët në letërsinë shqipe për të cilët është shkruar pa pushim, pa ndërprerje, pa përjashtim dhe në mënyrë unike. Janë disa shkrimtarë, sikur është bie fjala Gjergj Fishta, për të cilët  një periudhë është shkruar shumë e në ndonjë tjetër nuk është shkruar fare sepse ishin përjashtuar nga sistemi politik; janë disa shkrimtarë, si pjesa më e madhe e shkrimtarëve të realizmit socialist, për të cilët në një periudhë kohore është shkruar duke u vlerësuar lart kryesisht për temat, motivet dhe mesazhet politike, por në një periudhë tjetër nuk janë vlerësuar gjithanshëm, si dhe më në fund ka shkrimtarë, si bie fjala Ismail Kadare, për të cilin njëkohësisht është shkruar me konsideratë dhe me sugjerime; por janë të paktë, shumë të paktë shkrimtarët, si Naim Frashëri për të cilin është shkruar gjithnjë dhe gjithkund me konsideratë të pafundme për jetën dhe për veprën e tij. Të këtillë janë edhe autorët e teksteve të përfshira në këtë vëllim dhe të këtilla janë vlerësimet për veprën letrare të Naim Frashërit në shkrimet e tyre.

Vepra hapet me një ese të shkrimtarit e studiuesit Moikom Zeqo, i cili trajton një përmasë tjetër universale të Naim Frashërit, si profet i kombit dhe i veprës së tij, i cili ju flet të gjitha kohëve dhe të gjithë popujve. Intelektuali Zeqo portretin e Naim Frashërit dhe komunikimin e tij e ndërton mbi katër përbërës, të cilët ai i quan “katër elementët e kozmogonisë së filozofëve të lashtë”: idenë e njeriut shqiptar (homo albanicus); idenë e gjuhës letrare; idenë e universit shqiptar dhe idenë e madhe të miqësisë së popujve. Në kronologjinë e studimit më shumë se 100-vjeçare të personalitetit dhe veprës së Naim Frashërit, këto katër dimensione kanë qenë objekt i vlerësimit të të gjitha kohëve: në kontekst të krijimit të identitetit kombëtar; në kontekst të rolit të gjuhës, përtej besimeve fetare dhe bindjeve politike për krijimin e identitetit të shqiptarëve; në kontekst të paraqitjes së universit mitik e historik, gjeografik e etnokulturor, guhësor e përmbajtjesor; në kontekst të miqësisë me fqinjët në prag të pavarësisë së tyre nga Perandoria Osmane etj.

Studimet e vëllimit Arti i Naimit hapen me një fragment nga studimi i parë monografik i Mit’hat Frashërit për Naim Frashërin, pa të cilin vështirë është të shkruhet një studim serioz për veprën dhe sidomos për jetën e tij. Të kësaj natyre janë edhe tekstet e studiuesve, të cilët me artin e veprës letrare të Naim Frashërit merren duke shkruar në kontekstin enciklopedik, biografik a përgjithësues të veprës së tij. Fjala është për tekstet e Kostaq Cipos, Milo Duçit, Zoi Xoxës, Eqrem Çabejt, Faik Konicës, Namik Resulit, Nebil Çikës, Koçi Petritit etj., të cilat janë shkruar kryesisht gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Gjysma e dytë e shekullit XX shënon një shkallë dhe një përmasë tjetër të botimit, leximit e studimit të veprës së Naim Frashërit, prandaj thellësia e përmasa e trajtimit të veprës së tij sjell rezultate të tjera, sikur janë ato të studiuesve kulminantë të tij: Dhimitër S. Shuteriqit me monografinë për jetën dhe veprën e Naim Frashërit (1980), Rexhep Qosjes me monografinë për poetikën e veprës së Naim Frashërit (1985), Françesko Altimarit me botimin filologjik të Bagëti e Bujqësisë(1995), Jorgo Bulos me monografinë për tipologjinë e lirikës së Naim Frashërit (1999) etj. Fjala është për monografitë e papërsëritshme deri më tash për Naim Frashërin, qoftë për tërësinë e njohjes së jetës dhe veprës së tij (Shuteriqi), qoftë për thellësinë shumëdimensionale të sintezës së poetikës së veprës së tij (Qosja), qoftë për metodën bashkëkohore të botimit të veprës së tij (Altimari), qoftë për tipologjinë shumëdimensionale të lirikës së tij (Jorgo Bulo) etj.

Karakteristikë e kërkimit të artit, në të vërtetë të poetikës në veprën e Naim Frashërit është se kërkime të këtilla kanë bërë edhe gazetarët e intelektualët si: Nebil Çika, Selahudin Toto; gjuhëtarët, që më parë se sa të merreshin me projektet e tyre në fushë të filologjisë, u morën me përmasën kombëtare, historike, filologjike e artistike të veprës së tij etj. Të tillë ishin sintaksologu Kostaq Cipo, etimologu e historiani i gjuhës Eqerem Çabej, historiani i gjuhës Namik Resuli; biografi i parë i Asdrenit, Dhimitër Fullani, intelektuali, editori e kryepolemisti Faik Konica; satiristi e përkthyesi Nonda Bulka; dramaturgu Et’hem Haxhiademi, romansierët e realizmit socialist Sterio Spasse e  Shefqet Musaraj; bardi i bektashizmit dhe martiri i demokracisë Baba Ali Tomori; historiani i periudhës mesjetare Injac Zamputi; politikani e intelektuali Abaz Ermenji; kryestudiuesi i Ndre Mjedës Mark Gurakuqi; shkrimtarët e sipërm të gjysmës së dytë të shekullit XX, Ismail Kadare e Dritëro Agolli; studiuesi i folklorit e letërsisë bashkëkohore Anton Nikë Berisha; autori i parë i Abetares dhe teksteve shkollore elementare në Prishtinën e pasluftës së dytë botërore Tajar Hatipi; pedagogu e studiuesi themeltar i jetës dhe veprës së Migjenit në Shkup, Petro Janura; profesorët e përkushtuar të eposit Demush Shala e Qemal Haxhihasani; historianët e letërsisë e kritikët: Agim Vinca, Razi Brahimi, Adriatik Kallulli, Ali Aliu, Floresha Dado, Sabri Hamiti, Ali Xhiku, Dalan Shapllo, publicistët e shkrimtarët Ramiz Kelmendi e Mehmet Kraja; dramaturgu Fadil Kraja e romansierët Murat Isaku e Zejnullah Rrahmani; studiuesi i letërsisë së bejtexhinjve e ligjëruesi universitar Mahmud Hysa; studiuesit e letërsisë bashkëkohore Shaban Sinani e Sali Bashota; studiuesi i marrëdhënieve letrare e kulturore shqiptaro-rumune Luan Topçiu; profesorët universitarë të Vlorës Bardhosh Gaçe e Petrit Qejvani; përkthyesja dhe studiuesja e letërsisë së Rilindjes  Kombëtare Klara Kodra e studiueset e një brezi më të ri: Mimoza Hysa, Rovena Vata Mikeli; akademikët Vasil S. Tole e Arian Leka; poetja Natasha Lako e studiuesi i editimit të veprës së Naim Frashërit në Lindjen e Largët Abdulla Rexhepi etj. Përgjithësisht, pjesa më e madhe e studiuesve përfaqësohen me nga një tekst, ndërsa një numër tjetër, si: Rexhep Qosja, Jorgo Bulo, Ali Aliu, Ali Xhiku, Mahmut Hysa, Sabri Hamiti, Klara Kodra etj., me më shumë se tri tekste. 

Në studimet monografike, në esetë, në tekstet me karakter enciklopedik, në trajtesat, në hulumtimet krahasuese etj., autorët e tyre e kanë parë artin e Naim Frashërit në raport me artin e krijuesve më të hershëm prej të cilëve është ndikuar, në raport me artin e shkrimtarëve bashkëkohës, në raport me temat e mëdha rajonale dhe universale, në raport me gjinitë dhe llojet e tjera letrare dhe në raport me gjuhët e tjera.

Le të theksojmë këtu shembujt krahasues, afrues, kundërshtues dhe komplementarë ndërmjet Konicës e Naimit, Naimit, Prometheut e Homerit, vendit të tij në literaturën shqiptare, shenjtërinë e emrit të tij, përmasën mendonjëse (intelektuale) të tij, kultin e tij; natyrën shqiptare, dashurinë, perceptimin estetik, raportet me Lasgush Poradecin, Fishtën, Çajupin, folklorin, Rumiun, përkthimet e Vexhi Buharasë, raportet me poezinë persiane, vendin e tij në kritikën letrare, yllësinë poetike të tij, polemikat e tij në letrat shqipe, veçoritë romantike të poezisë së tij, përbërësit autentikë të shkollës së romantizmit shqiptar, kultin e flijimit në poezinë e tij, strukturën e vargut të tij, parimet kryesore të artit të tij, raportet tematike dhe strukturën ritmike ndërmjet poezisë së Naim Frashërit dhe Ndre Mjedës, intertekstualitetin e poezisë së tij, figurat mitike, historike, letrare e gjuhësore, reflektimin, kryqëzimet dhe ndërndikimet e tij ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, atdhetarinë e tij, komplementaritetin e poezisë së tij me letërsinë popullore, praninë e elementeve kozmogonikë në krijimtarinë poetike dhe jopoetike të tij, afritë tematike e mitike me Uollt Uitman, afrinë me poezinë perse etj.

Duke shkruar për të gjitha temat, autorët e teksteve, me theks të veçantë studiuesit, kanë shkruar për artin e krijimtarisë letre të tij, sikur e kanë theksuar autorët e periudhës së parë dhe poetikën e krijimtarisë, sikur e kanë konceptuar autorët e periudhës së dytë, kryesisht nga specialistët e teorisë së letërsisë dhe historianët e letërsisë së shkollës së strukturalizmit. Duke shkruar për krijimtarinë letrare të Naim Frashërit, studiuesit kanë theksuar përbërësin themelor të veprës së tij: “magjinë e artit naimian (Dalan Shapllo); të lartësuarit e artit të tij (Namik Resuli); “të çfaqurit ndjenjave me fjalë (...) si një pasqyrë e artit të tij në fushën e vjershërisë” (Baba Ali Tomori); për “krijimin e artit, si një punë të vështirë dhe madje si një nderë e artit” (Injac Zamputi); “pikëpamjen e artit” (Shefqet Musaraj);  “rregulat e artit” (Nonda Bulka); për “konfliktin ndërmjet jetës dhe artit” (Petro Janura); për “efektin e artit të tij” (Dhimitër S. Shuteriqi); për “misionin e artit dhe të artistit” (Jorgo Bulo); për “majat, kulmet, fuqinë, gjuhën dhe ndikimin e artit” (Ali Aliu); për “mjeshtërinë e artit” (Shaban Sinani); për “famën tejkohore të artit, për atdhetarizmin e artit të tij” (Sali Bashota) etj.

Duke shkruar për dy nga poezitë antologjike të Naim Frashërit Fyelli dhe Fjalët e qiririt, studiuesi i poezisë shqipe Profesor Agim Vinca, ka bërë njëkohësisht edhe një sintezë të pikëpamjeve të Naim Frashërit për artin letrar, përkatësisht konceptet e tij për poetikën, mbase jo si nocion po si përmbajtje dhe përbërës estetik i krijimtarisë letrare. “Derisa në të parën (Fyelli), në frymën e përgjithshme të romantizmit, për artin poetik flitet si për diçka me karakter hyjnor, në të dytën (Fjalët e qiririt), shfaqet ideja e misionit mesianist të poetit si prijës i popullit dhe si tribun. Dhe, derisa në të parën poeti identifikohet me fyellin, imanencë e të cilit është zëri, në të dytën njësohet plotësisht me qiririn, që ka si pandan dritën”, shkruan Profesor Agim Vinca.

Grupi i studiuesve të cilët shkruajnë për poetikën e veprës letrare të Naim Frashërit, është më i madh, ndërsa çështjet e krijimtarisë letrare me të cilat merren janë më të mëdha, qoftë brenda teksteve të tij letrare, estetike, etike, didaktike, publicistike, historike e gjuhësore me të cilat merret, qoftë në kontekst të krahasimit të tyre me autorë e vepra letrare të kohës së tij dhe ndikimit të tyre më tej.

Deri sa për artin e Naimit, përkatësisht poetikën e veprës letrare të tij, kanë shkruar shkrimtarë, publicistë, bashkëkohës, studiues, filozofë, artistë të të gjitha përvojave e drejtimeve shkollore e teorike dhe në artikujt, esetë, trajtesat e studimet e tyre kanë identifikuar disa përbërës të artit të tij, apo sintezën e disa prej tyre, studiuesi Dhimitër S. Shuteriqi në monografinë e tij, atë e ka trajtuar si sintezë qendrore të veprës letrare të tij, ndërsa studiuesi tjetër Jorgo Bulo, tipologjinë e artit përkatësisht poetikës të tij e ka bërë gjerësisht e thellësish në monografinë e tij për lirikën e Naim Frashërit.

Përtej të parëve dhe të dytëve, sintezën e madhe shkencore të artit letrar të Naim Frashërit, përkatësisht poetikës së veprës së tij e ka bërë Profesor Rexhep Qosja. Sinteza e tij është bërë mbështetur në shkollën e strukturalizmit, e kjo do të thotë në rrafshin diakronik e sinkronik të saj. Në këto studime dhe sidomos në sintezat e mëdha të saj, analiza e veprave të tij është parë në rrafshin e makrostrukturës dhe mikrostrukturës, të cilat bashkërisht përbëjnë sintezën e poetikës së tij. Disa nga studimet e tij të mëparshme, sinteza e madhe e “Historisë së letërsisë shqipe” (Romantizmi I, II, III), me theks të veçantë I dhe III, si dhe kryevepra “Porosia e madhe” (Poetika e veprës së Naim Frashërit), përfaqësojnë nivelin më të lartë të strukturës së poetikës së romantizmit në përgjithësi dhe poetikës së veprës së Jeronim De Radës e veprës së Naim Frashërit në veçanti.

Me nocionin e poetikës dhe të togfjalëshave të krijuar me të, në sintezat e Profesor Qosjes për poetikën e Naim Frashërit mbulohen jo vetëm përbërësit estetikë, përkatësisht disa prej tyre, sikur veprojnë pothuajse të gjithë paraardhësit e tij, po edhe poetika e gjuhës, e ligjërimit, e krahasimit, e temave, e formave poetike, e thënieve poetike, e habisë poetike, e motiveve poetike, e veçantive poetike, e letrave poetike, e strukturës së mjetit poetik, e subjektit poetik, e procedimit poetik, e realizmit poetik, e prirjeve poetike, e prozave poetike, e poezisë poetike, e utopizmit poetik, e gjuhës poetike nocionore, e formave filozofiko-poetike, e parimeve të gjuhës poetike, e formave të lira të gjuhës poetike, e praktikave poetike, e teksteve poetike, e fjalës poetike dhe retorikës konkrete, e strukturës poetike, e mjeteve gjuhësore poetike, e poetikës universale, e reagimeve poetike, e unit poetik, e përfytyrimit poetik, e poetikës së figuracionit, e njësisë së poetikës romantike, e iluzionit poetik, e konfiguracionit poetik, e modelit poetik, e fjalorit poetik, e nëntekstit poetik etj. Si e tillë sinteza e artit poetik, përkatësisht poetikës së veprës letrare të Naim Frashërit, nuk e mbulon vetëm krijimtarinë letrare po edhe atë historike, didaktike, gjuhësore, historike dhe madje jetësore.

Autorët e tjerë ndërkaq merren me një apo më shumë veçori të tjera të poetikës së tij, por jo në korpusin thellësisht universal të veprës së Naimit. Në këtë rrjedhë do parë studimin për “shijet estetike të popullit dhe poetikën e tij” (Haxhihasani); diskutimin për “gjuhën popullore dhe poetikën  e folklorit në veprën e Naim Frashërit” (Jorg Bulo); vlerësimet për “dallimet në poetikën e Naim Frashërit dhe të periudhave apo të brezave të kohës së tij” (Sabri Hamiti); pikëpamjet krahasuese për ndjenjat e ndërtuara në poetikën letrare të Naimit, të përbëra nga akti i frymëzimit, akti i krijimit, zgjedhja e motivit, liria e krijimit, gjuha e figurshme ose metaforike (Mahmut Hysa) etj. Koncepteve të Naim Frashërit për poetikën, të cilën më parë e kishte theksuar Profesor Vinca, ju është kthyer edhe njëherë Profesor Luan Topçiu, kur vuri re se “Naim Frashëri është i pari poet shqiptar që ndjen nevojën e ndërtimeve epiko-lirike, të poemës me frymë epopeje që të figuralizojë në mënyrë simbolike gjenezat e mëdha, dhe në të njëjtën kohë, është ai që do të shtrojë për herë të parë parimet e pyetjet mbi poetikën.

Në këtë rrjedhë studiuesja Klara Kodra ka shkruar për tri kode në poezinë e Naim Frashërit, që në të vërtetë janë tre çelësa të zbërthimit dhe hyrjen në shpirtin e tij, në atë “vizion të jetës” që përcakton poetikën e tij (Kodra), ndërsa po kaq sinjifikative duket përcaktimi i poetikës së Naimit “si poetikë e reales” (Mimoza Hysa) dhe këta përbërës identifikohen edhe më përafërt dhe shfaqen si paradigmë e poetikës së tij, në pikëpamjet e Llanajt: “Bukuria, dashuria dhe perëndia përbëjnë në filozofinë dhe në poetikën naimiane një trinitet të pandarë. Ky konceptim e ka burimin tek mistika sufiste”. (Arjan Llanaj)

Parë në tërësinë e tij, ky vëllim përplotëson një dimension shumë të rëndësishëm, përkatësisht boshtin kryesor të kërkimeve në poetikën e veprës së Naim Frashërit, krahas atij për gjuhën dhe filozofinë e formimit kombëtar.

Prishtinë, janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page