Myrteza Mara: MONUMENT DASHURIE
- 2h
- 1 min read

Mik për udhë të dashurisë kërkova shpirtin binjak,
Që të rronte dhe të vdiste tok me mua nëpër flakë;
Ëndërrova, frymën pezull, të digjesha nga ai zjarrë,
Të ma prushëronte zemrën, të më bënte pak të marrë.
Ajo zbriti, tok me diellin, ylli i fatit tim të shkruar,
Unë në gjunjë, sytë nga qielli, ikonë-dielli i praruar;
Kam dashur dhe do të dua, dashurinë si oqean,
Ç’ka se varka velëzbardhur nuk vozit si më parë.
Le të mbytem, të humbas, veç të jemi në lundrim,
Në u dashtë një varkë me vela, ti e di, ke shpirtin tim;
Me sy puthim buzët e bregut, tok me valët dëshmitare,
Nuk shuhet etj’e përndezur, ajo vlon sa shtatë vullkane.
Brezat do të shikojnë gjurmët tona përgjatë detit,
“Këtu, dikur, dy “të çmendur”, mbollën zjarr prej poeti!”;
Mbollëm lutjet, psherëtimat, mbi pemën e blertë të shpirtit,
Ndaj i shtuan gazit të jetës dhe një stinë të pestë të vitit.
Rend jehona e poezisë, përhap këngët që nuk treten,
Çdo këngë shpirti e poetit monument do të mbetet.









Comments