top of page

MUZA POETIKE E SHPIRTIT….


MUZA POETIKE E SHPIRTIT….

- Në brigjet e liqenit të Prespës edhe fjala ritmike e poezisë bëhet këngë e jetës dhe hymn i dashurisë. Nëpër kohë këtu ka jehonë ëndrrash dhe mistere të çuditshme. Dhe çdo “gjurmë” flet me muzën e shpirtit, me shpirtin e shkronjave duke “gdhendur” skulpturën shpirtërore në një mozaik të bukur me frymën e shenjtë të jetës, që ka aromë natyre e ngrohtësi njerëzore !...

SPASSE THANASI

NJË NATË ME MARINËN NË PRESPË

Prespë !

Mes malesh sykaltër

Si një këngë me flatër

Magji bukurie dhe hyjnie…

Me brigjet e thepisura

Në mes të ujit, dy ishuj

Ngjyrë hiri nëpër valë…

Fshati i vogël GORICË nën kodër

Si një zog finosh…

Liqeni,

Bukuritë janë enigma

Aty pështjellimin gjeni.

Në Mal të Thatë

Fluturon shqiponja

Liqeni si një sy

Hapet nëpër kohëra…

Bregu i liqenit !....

Me napë të hollë ngjyrë floriri

Plot shkëmbinj, guva e shpella

Siluetë harqesh pafund…

Si ruazat e gjerdanëve të nuseve

Me flakë shpirti e xixëllima ndjenjash

Në atë heshtje të thellë të natyrës

Flakë e argjendtë varur në qiell…

Bregu i liqenit !...

Valët si kumte shekujsh

Në thellësi të ujrave

Oshëtima e Kasandrës

Profecia e verdhë e ishullit

Ledhaton me sy kurora mrekullie

Ravijizim ngjyra – ngjyra

Rreth e qark maleve…

Pranë Vakëfit

Shpella e pëllumbave një gjerdan i artë

Me qendisma shenjtori

Klithma të ndryshme mbytur në mjegull

Ia shton rrezatimin natyrës…

Një shpirtë pellazg në muzën e Iliriadës

Vështrimin mbi qiellin e pafund

Mbushur me xixëllonja si një sy të habitur

Derdhur plot shkëlqim

Deri në agim…

Dy yje në qiell

Kujtojnë dy sytë e Marinës

Gërshetat e saj derdhur si valë

Buzëqeshjen e ndrojtur rrëzë shkëmbit si nositi…

Bri i artë mbi sipërfaqen e ujrave

Ndez një dritë tjetër si petë floriri

Një brez i bardhë puhie

Në majat e Ivanit e Malit të Thatë

Nuk ia ndan sytë kurmit të Marinës

Larpë qiellore në korin e erës

Këngë mjellmash në zgjimin e ditës…

Dielli lind në majat e maleve

Lind një petë tjetër e artë

Lart në qiell briri i zbehtë i hënës

Mbërthyer si tokëz e argjendtë

Lan pasqyrimin e ujrave….


PRESPË !

Bukuritë i ke radhitur

Si një vajzë e re

Mes peshqve nëpër ujërat e liqenit

Mes luleve nëpër livadhe

Mes mahnitjes natyrore

Me pëllumba e thëllëza malore…

Këtu dashuria fle nën alga

Legjenda e gojëdhëna psherëtijnë

Të vaditura nga vesa pranverore

Mahnitja dhe magjia vetë….

Marina psherëtin

Flegrat e dëshirës

Guacka pasioni nën hënë.

Në mes të liqenit

Një ishull me emrin GOLEMGRAD

Si anije përrallore i afrohet bregut

Përshëndet çdo udhëtar që me sy prek liqenin…

Edhe MALIGRADI mbushur me ngjyra magjepsëse

Gërshetat e Marinës derdh si diamante

Imazhin rrezatues të diellit

Zbraz në shpirtin tonë si parajsë…

Pastaj KODRA E BELIT

Tjetër bukuri formon

Në breg të liqenit,

Ka lezet të kundrosh këndshëm…

E hijshme,

Piktoreske,

Afër bregut shijon qiellin

Një sy magjepsës me vështrime hyjnore….

SHKËMBI I SHËNUAR buzë rrugës

Shpërndan tiparet e një gruaje

Djepin e fëmijës ngarkuar në shpinë

Një mozaik mistik, që frymëzon ndjenjën !....

Mali dhe Liqeni

Përqafuar fort në një dashuri

Përzier me ritmet qetësuese

Në një parajsë paqeje në shpirtë

Këngë e zogjve cicërues…

I qetë si një pasqyrë

Liqeni mbretëron

Marina zgjohet nga ëndrra

Turbullim të këndshëm zgjon

Nyje bukurish romanike krijon

Në pasqyrë të kthjellët që qiellit dritëplot !...

Këtu ka legjenda mbi natyrën

Shumë gojëdhëna mbi liqenin

Bukuri formojnë lulet mbi ujërat

Shpirtrat e njerëzve humbasin në shekuj !....

Horizonti i hapur i liqenit

Pastaj mbi to mallet e larta

Një panoramë mrekullie më vete !....

Këtu bukuria gjithmonë kërkon të josh

Jetën e gjallëron

Thyen heshtjen e legjendave mijëvjeçare

Si në fillimet e një ëndrre…


Nga gjumi im u zgjua MARINA

Dhe më fali një natë të magjishme

Në varkën e vjetër të Poseidonit…

Eja Marina !

Cunam ta bëjmë natën tonë

Vera është e ëmbël Marina

Nuk të deh

Dashuria po, Marina

Nën këmbët e tua si perla

Teuta iu dha Cezarit

Liqeni lëshon lot

Për hirin tënd !...


Eja Marina !

Zjarr ta bëjmë shtratin e dënesës

Me yje të mbushim sytë tanë

Që po digjen nga vështrimi i ndjenjave…

Eja Marina, të shkrumbohemi nga puthjet e ëmbla

Në këto vise shkëmbore me verën e Khajamit

Këtu Aleksandri i madh dehu ushtrinë

Me gotat e verës derdhur brigjeve….


Eja Marina !

Të vdesim në poret e lëkurës së peshqve

Të rilindim në pluskimin e dallgëve

Cfarë ishte dje ëndërr, Marina

Nesër do të jetë shkumbë e bardhë

Në qelqin e dëshirës së liqenit !....



BUZË LIQENIT

Fryn puhi e lehtë në Mal të Thatë

Bregu u mbush me diej të artë

Yje me flokë varur në qiell

Është dielli i zgjimit apo trill ?!...


Pulëbardhat vozisin si lundra të fildishta

Pelenë e purpurtë me fije të mëndafshta

Nëpër brigje të heshtura

Mallet flasin gjuhë perëndish…


Tokë e qiell hapësirë idili

Flokënajë e erës dehet si ajri

Xixëllonjat, me krahë trilli

Ndizen e shuhen në muzgun e ri…


Zaje të bardha

Ndrisin ujërate liqenit

Të largët si një ëndërr

Një qiell i përmbysur

Më thotë : “ Me ujërat jam dhëndër !”


E bukura e liqenit

Symëdhenjë me ngjyrën e të kaltrit

Gërshetat e artë e fjongo të kuqe

nishan të zi në faqe…


Legjenda e shekujve përhapet

Në një shpellë të shkëmbit hijerëndë

Ujëdhesa në mes hap krahët e zgjatet

Valët ia kthejnë bregut me këngë !...


Në majën e shkëmbit

Oshëtijnë në kor zogjtë e korbit

Shushurima e valëve ndjell bukurinë

Poeti më lirë këndon dashurinë !...



MOS JE VETË, LOT PERËNDIE ?!....

Liqen, drithmë bukurie

Më ve thellë në mendime

Mos je vetë, lot perëndie

I derdhur mbi tokën time.


Ndjej kënaqësi, mbushem me ëndrra

Në këto brigje, si gjerdan i artë

Më mmahnisin veç kristalet e bardha

Në këtë hapësirë ujrash me bukuri të rrallë…


Me këngën e zogjve e të bilbilit

Pasqyrë e ndjenjave fantastike të liqenit

Përzihet thellë kjo dashuri e kjelltësi

Kjo pamje e brishtë, perlë e mrekulli !...


Liqen, këngë dashurie

Shpesh më fut në ëndërrime

Mos je vetë “oaz” nëpër kaltrime

Fshehur në mister mbi veten time !...


HAPЁSIRЁ FLORIRI NЁ BREG….

Napё e hollё ngjyrё floriri

Hapet nёpёr breg

Nё thellёsitё e ujrave

Oshёtima ngrihet mbi valё….

Nga shpella e pёllumbave

Rrezaton si yje gjerdan i artё

Qielli i pafund

Vёshtrimin tret mbi ujёrat

Mbushur me xixёllonja si sy tё habitur

Derdhur plot shkёlqim

Deri nё agim…

Dielli lind nё majat e maleve

Lind njё petё tjetёr e artё

Lart nё qiell briri i zbehtё i hёnёs

Mbёrthyer si tokёz e argjendtё

Lan pasqyrimin e ujrave…

Peshqit me flatra ёngjejsh

Breri nё rrjetёn e ёndrrёs…


TALLAZITJE PARA SHTËPISË SË VJETËR ….

Kujtimi im per shtëpinë e vjetër

Vazhdon të rrjedh me me dritë

të kristaltë ëndrrash

Me jehonë lirike nëpër natë me yje

Muzgje të kaltërta e veshin

atë me fjollë dashurie !....


Shtëpinë e vjetër te prindërve

E futa në poezi

Pamja e saj mbetet rrëfimi i një të kaluare

Aty ishin sytë e sertë të gjyshërve…

Në fytyrën e asaj shtëpie

Gjithmonë buzëqeshja e Nënës

Kur më priste në prag e më përcillte te porta

Malli në largësi u bë zjarr në shpirtë !...


Në shtëpinë tonë të vjetër

Janë ruajtur ëndrrat e mia fëminore

Nga shkolla e parë fillore në kodër

Deri te ikja larg mes udhësh pafund

kujtim i rrallë mbi liqenin e ëndrrës !...


KUJTIMI PER SHTEPINE E VJETER

Kujtimi im per shtëpinë e vjetër

Vazhdon të rrjedh me jehona lirike

Në fshatin tim me netë yjesh

Me muzgje të kaltërta e fjollë dashurie !....


Shtëpinë e vjetër te prindërve

E futa në poezi

Pamja e saj më zgjon rrëfimin e të kaluarës

Aty ishin sytë e sertë të gjyshërve

Në fytyrën e asaj shtëpie

Gjithmonë buzëqeshja e Nënës

Kur më priste në prag e më përcillte te porta!...


Në shtëpinë tonë të vjetër

Janë ruajtur ëndrrat e mia fëminore

Pasqyrë e shpirtit me bekimin e Nënës

Stoli e rrallë mbi liqenin e ëndrrës !...



KUJTIMIT I SHTOJ DRITЁ….

- Prindёrve tё mi

Mё dhuruat dashuri

Sa liqeni bregut valё

Dritё ju patёn sytё e mi

Sa ju kisha pranё tё gjallё…


Tё munduar, por tё mirё

Bukur “gjurmёn” e latё pas

Porsi vesё mbi trёndafilё

Qё s’humbet veç nё njё cast…


Tani qё s’ju kam nё jetё

Thellё nё zemёr ju kam vёnё

Tё mё bёni mua shenjt

Porsi veten patёt berё…


Ju shoh juve

Kur çel njё lot

Edhe zemrёn ma zhurit

Si njё amanet pa mort

Qё t’i shtoj kujtimit dritё !..


SPASSE THANASI

( Poezi nga Cikli “ Muza poetike e shpirtit”)

35 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page