top of page

MUSA VYSHKA: TEK UNË

ree

MUSA VYSHKA

28 qershor 1942 - 14 dhjetor 2023

          M U Z A

Mbaroi stina e poezisë

Dhe muza plakë qau dhe iku...

Dhe e trishtuar prej mërzisë,

Me frymn’ e fundit zjarrin fiku.

 

Dhe erë e ditë rrjedhin kot,

Nuk zbret në letër asnjë varg,

Një metaforë qau me lot

Për një simbol që iku larg.

 

Mbaroi... dhe s’di ku ta vë kokën,

I mundur nga ky gjumë i vdekur,

S’kam qejf që t’ia fshij vdekjes lotët

Në brazda rimash tingujtretur.

 

Por shkoni! Thoni muzës plakë

Që ka dhe ca për të kënduar...

Të vijë e të vdesim bashkë

Jo veç e veç të zemëruar...

2008

          TEK UNË

Tek unë rrojnë djalli dhe poeti,

Ditën në paqe, natën n’armiqësi

Kur djalli shpirtin ma trazon si deti,

Poeti prapë e vë në qetësi.

 

Tek unë rron stuhia me dremitjen,

Tallazi me prarimet gjithë dritë,

Kur djalli del, ma zhyt me dhimbje dhimbjen,

Poeti del e ma mbulon me dritë...

 

Tek unë rrojnë djalli dhe poeti

Veçse, kur turpi është mat i rëndë,

Djalli mbyll derën, struket, qan i shkreti,

Poeti ngrihet... hop. E vdes në këmbë.

 

          SHKUMBINIT

Më vjen një valë në përjetësi,

Kërcen gurë mbi gurë si kumuri.

Herë ma prish gjumin, herë në gjumë më vë

Herë më puth e herë lart më ngrë.

 

Dhe unë e di që është vala jote

Që më ndjek pas në vite, stina e mote.

Dhe unë e di që vala jote s’flen

Më ndjek kudo e në çdo vend më gjen.

 

Më ndjek me gurgullima e mallëngjime

Nga djepi gjer në fund të jetës sime.

Tiranë, shkurt 2016

          ODE PËR MIQTË E MI

 

Tek miqtë me kolltuqe s’shkoj të ulem

E para tyre kurrë në gjunjë s’bie.

Por si s’u bëra mbarë të çoj lule

Tek varri i Gani Bicit në Lenie?

 

Në Rajcë më ka ftuar Mehmet Hoxha

Kiço më pret në Tushemisht përditë,

Por  ç’dreqin kam që s’më del koha kurrë

Të shtroj edhe t’a ndaj dhimbjen me miqtë!?

 

Në Shpat e Myzeqe kam lënë çelur

Ca dyer ... që më presin ditë e natë...

O miq! Do vij tek ju, gjallë apo vdekur

Do vij si Kostandini në baladë...

1999

             PROMETHEU

 

Mos thurni lajka më për mua,

Ju, poetucët e mjerimit!

Zhelanet vargje nuk i dua

Si renegatë të frymëzimit.

 

S’i dua vargjet – terr e natë

Që, po t’i shtrydhësh, vjellin lotë.

Që me ca klithma refugjatë.

Frenojnë himnin tonë në botë.

 

Mos nxini letra më për mua,

Ju, dredharakë të agimit!

Mjeranet vargje nuk i dua

Që fshehin veten pas trishtimit

 

Dhe s’vijnë këtu, tek vatra e zbrazur

Ta ndrisin dhimbjen tonë me shpresë,

Por bredhin botës këmbëzbathur,

Harrojnë komb e shpirt e besë.

 

Mos thurni përralla më për mua

Ju që dhe nga një fllad lëkundi

Në krahun tim përjetë dua

Ata, që dhimbja dot s’i mundi.

 

Se mes mendimesh perëndive

Zjarrin e shenjtë ua kam marrë,

Jo për t’u ndritur tradhëtive

Por për t’iu djegur ju në zjarre...

---------------------------------

Falenderoj Eriona Kita Vyshka që më vuri në dispozicion librin e poetit Musa Vyshka "Poezi të zgjedhura" 2019. Kolec P. Traboini

_____________________

  Pantheon Books

WORLD POETICA

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page