Ramazan HUSHI: Vlera e lëkurës
- 52m
- 6 min read

Hibrid M. iu bë para ca kohësh një fiksim i tmerrshëm: sikur do të vdiste pa i mbushur të pesëdhjetat! Kjo profeci iu shfaq atij në një ëndërr të frikshme një natë kur kish ngrënë darkë më tepër se herët e tjera, shumë më tepër: një tenxhere plot me makarona, shoqëruar me tri bërxolla derri të stërmëdha, që ai i kishte shumë qejf! Burrë me grua, pa fëmijë, kishte mbetur Hibrid M. e nuk e vriste mendjen të ruante para. Ai ia bënte yzmetin barkut e hante ç’i shkonte ndërmend. Dhe hante derrçe. Do të vdiste, ç’të bënte tjetër? Do t’ia bënte qejfin barkut deri në minutën e fundit të jetës! Njerëzit, kur vdesin, i varrosin thellë nën tokë, e lenë aty trupin e tij të kalbet, ta hanë krimbat. Krimbat! Bah, edhe trupin tim do ta hanë krimbat, mendoi ai i tmerruar atë ditë të kobshme kur iu shfaq vdekja në ëndërr. Këtë trup, për të cilin kam bërë gjithçka në jetë! Dhe menjëherë një ndjenjë e tërbuar zhelozie, cinizmi sikur e kafshoi fort në zemër! Solli ndërmend të gjithë organet e tij të brendshme nëpër trup: trutë, zemrën, mushkëritë, stomakun, mëlçinë, veshkat, gjuhën, sytë, seksin dhe zilia e çmendur ia paralizoi një çast mendimet. Shtrydhi e shtrydhi trutë Hibrid M. e, pasi e shoshiti gjatë situatën në të cilën ndodhej, si njeri praktik që ishte, e vendosi: do t’i shiste të gjithë organet e tij të trupit! Po, po, do t’i shiste! Duke vepruar në këtë mënyrë, ai do të kishte dy përfitime: i pari, organet e tij nuk do t’ia përdhosnin krimbat e mijtë, dhe, i dyti, do të merrte me këtë rast një dorë të mirë parash! Dhe kjo nuk ishte gjë e vogël!
Një të thënë e një të bërë! Ai shkoi shpejt në kryeqytet dhe e mbajti frymën në spitalin qendror. Aty e futën në një zyrë, ku e priti një doktor flokëthinjur, barkmadh, me syza e me përparëse të bardhë. I tha atij qetësisht për vendimin që kishte marrë, pyeti për çmimet e çdo organi dhe në fund firmosi marrëveshjen: pas vdekjes trupi i tij nuk do të varrosej si gjithë të tjerët, por do të vihej menjëherë në dispozicion të spitalit shtetëror, në mënyrë që studentët dhe pedagogët e tyre, ta përdornin në punët praktike që kishin në program. Mori edhe paratë në dorë dhe kjo e bëri ta harronte vdekjen. Oh, ishte një shumë e kënaqshme! Si nuk vepronin të gjithë njerëzit ashtu?! Futi gjithë qejf paratë në xhep Hibrid M. e i hodhi një sy kalimthi listës, ku qenë shënuar me shkrim të dukshëm organet që i kishin blerë: zemra, trutë, mushkëritë, stomaku...Të gjitha. Ah, jo, po lëkura, përse nuk figuronte në listë? Këtë pyetje ia bëri edhe doktorit përballë:
-Po lëkurën, doktor, përse nuk e keni futur në listë? E shes edhe atë...
-Ah, më vjen keq,- iu përgjegj doktori me njerëzi.- Pse, a e shet edhe lëkurën ti?
-Po, e shes..si jo!
-Por puna është se...lëkura nuk është në listën tonë të organeve që u blejmë njerëzve...
-S’ka gjë,- nguli këmbë Hibrid M.- Merreni lëkurën time.. Jua jap fare lirë...
Doktori po e shikonte në sy me keqardhje. Ai po mendonte që tjetri me siguri,ose ishte me probleme psiqike, që kishte ardhë deri në atë derexhe, ose kishte mbetur për bukën e gojës! Buzëqeshi hidhur e i tha:
-Jo, më vjen keq, vërtet, por nuk e blejmë dot lëkurën tënde...Por të jap një mendim...Atë mund t’ia shesësh ndonjë arixhiu..Ata me lëkura kafshësh bëjnë daulle...ndoshta...
Bobooo, daulle! Jo, jo! Nuk do ta shiste kurrë lëkurën e tij, që të tjerët ta bënin daulle...! Dhe të ta bëjnë lëkurën daulle nuk është një shprehje popullore, siç thuhet, përshembull: “M’u bë koka daulle.”
Doli shpejt prej aty, me xhepin plot, por jo i qetë. Po lëkurën, ku ta shes lëkurën, po pyeste veten. Duke ecur ngadalë, iu kujtua një përrallë e vjetër, që fliste për një kurnac, i cili e torturonte keq familjen e tij me këtë ves dhe për këtë krenohej kudo, se ishte kurnaci më i madh në botë!.. Një herë e shoqja i tha se kishte dëgjuar për një tjetër kurnac, i cili ia kalonte atij e që jetonte në filan vend! Menjëherë shkoi kurnaci ynë atje e pyeti për shtëpinë e tij. Vuri re që tek porta e tij prisnin e përcillnin plot njerëz. Kur ai deshi të sqarohej, e morën shpejt për krahësh, e futën brenda në oborr dhe e ulën në një tryezë, të shtruar plot e përplot! Atëhere ai pyeti atë që kishte në krah: “-More, a është shtëpia e atij kurnacit të madh kjo apo jo?- Po, qe përgjigjja.- Po për të thonë se është kurnaci më i madh në botë, kurse..-Ah, ishte, tashti nuk është më...- Po mirë, kjo dasmë kaq e madhe kështu ç’është?- Këtë dasmë e bën e shoqja, nga gëzimi që i vdiq i shoqi dhe ka shpëtuar nga torturat e atij kurnaci, sepse ai vetëm bukë e gjizë vinte në sofër, ndonse kishte një hale me para! Vdiq ai, por shpëtoi e shoqja, bashkë me kalamajtë e shkretë.. E shikon atë daullen e madhe që kërcet atje përballë?- Po, e shoh.- Hë, për inat, gruaja ia ropi atij lëkurën sapo vdiq e ia dhuroi një arixhiu e ky bëri me atë lëkurë këtë daulle...”
Eh, të kërceu përpjetë kurrnaci kurnaci ynë aq fort, sikur t’i kishin vënë zjarr poshtë bythës! U kthye shpejt në shtëpinë e vet, thirri të shoqen e i tha: “Grua, do të bëjmë një darkë të madhe nesër e do të ftojmë të gjithë njerëzit e tu e të mitë dhe do ta tundim..” Dhe kështu shpëtoi lëkurën!
...Hibrid M.ecte kuturu e s’dinte ku e çonin këmbët. Ajo daullja me lëkurën e kurnacit i dilte çdo çast përpara syve e s’po e lejonte të shihte njerëzit, rrugën. I trembur, u ndal diku e u ul në një stol. Mori frymë thellë. Zërat njerëzorë dhe aromat e luleve që vinin nga lulishtja aty mbrapa tij, sikur e qetësuan disi. Po unë nuk jam kurnac, i tha vetes. Thjesht, dua ta shes lëkurën për të njëjtën arsye që shita dhe organet e tjera të trupit tim! Sepse më vjen keq ta hanë krimbat. Sepse e kam ruajtur gjithë jetën këtë lëkurë. Dhe Hibrid M. kujtoi aty që disa herë i kishte lënë të tjerët në baltë për të shpëtuar lëkurën e vet. Pa kishte bërë edhe paudhësi të tjera dhe për të gjitha këto s’e kishte vrarë ndërgjegjja aspak. Por në fakt e kishte pësuar lëkura, sepse njerëzit pikërisht aty e sulmonin, e shanin: “E di unë sa të vlen lëkura ty!..”, “T’u bë lëkura si shollë opinge nga të sharat..”, “Eh, sa ka provuar ajo lëkura jote..”, “Ti të fut plumba nën lëkurë..”, “ Ti je si ujku, që ngjyrën e lëkurës e ndërron, por zakonin s’e harron..”, “Je frikacak e të dhimbset shumë lëkura..” Kurse një herë dikush në punë e kishte quajtur intrigant: “Po të ha lëkura, ë? Mos e kruaj shumë me mua, se do të ta rrjep atë lëkurë!” Dhe shumë ditë pas atij kërcënimi të ndyrë, Hibrid M. i bëhej vazhdimisht sikur i kruhej lëkura në kurriz dhe çonte dorën aty herë pas here instinktivisht. Ajo kruarje e frikshme nuk i qe ndarë në gjithë vitet më pas!
Të shoqen e njihte mirë. E kalonin jetën në harmoni bashkë. Tashti...kishte edhe raste kur... Por ajo e donte. Ai kishte besim, që pas vdekjes së tij, ajo nuk do t’ia bënte lëkurën daulle, si tek ajo përralla..Por të gjithë ata njerëz që ia kishin sharë mbarë e mbrapsht lëkurën, mezi prisnin, me siguri, që ai të vdiste e ta ripnin, që me lëkurën e tij të bënin një daulle të madhe, sa një bark buallice! Oh, oh, rënkoi thellë Hibrid M. dhe dora i shkoi vetiu te kurrizi dhe kruajti lëkurën e vet.
Në ditët që rrodhën, atij, nga frika e tmerrshme e vdekjes dhe nga lemeria e daulles, iu pakësua oreksi e u dobësua shumë. Shkonte e rrinte shpesh përpara pasqyrës i zhveshur e niste të përkëdhelte lëkurën e tij të dashur, të bardhë, të butë, që mezi ia mbulonte shëmtinë e kockave. Ah, moj lëkura ime e dashur, e mirë, psherëtinte me dhimbje Hibrid M, nuk do të të lë kurrë të të hanë krimbat! S’të lë kurrë! Do të të shes se s’bën! Do ta gjej patjetër një mënyrë për të shpëtuar ty edhe pas vdekjes time!
Dhe vërtet, ashtu ndodhi: ai e shiti shumë shpejt dhe shumë lirë lëkurën e tij: u bë spiun!








