top of page

Fatmir Terziu: Shqiptarët tashmë pjesë e ligjshme integruese në Evropë

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Shqiptarët tashmë pjesë e ligjshme integruese në Evropë

 

Në rrugët e qyteteve evropiane, prej vitesh ecin histori suksesi që nuk bëjnë zhurmë, por ndërtojnë ura. Njëra prej tyre vjen nga Llojani dhe sot troket fuqishëm në zemrën politike të Zvicrës. Zgjedhjet e 8 marsit në Zürich nuk janë vetëm një proces demokratik i radhës, ato janë një provë e pjekurisë së një shoqërie që e ka kuptuar se integrimi nuk është slogan, por meritë.

Pas 17 vitesh, Zürichu pritet të ketë një kryetar të ri, pasi kryetarja aktuale nuk rikandidohet. Në këtë garë, sipas gazetarit Enver Robelli, dy kandidatë kanë shanse reale për të marrë drejtimin e metropolit zviceran, Përparim Avdili nga Partia Liberale (FDP) dhe Raphael Golta nga Partia Socialdemokrate, ky i fundit i konsideruar favorit nga anketat.

Por pesha e vërtetë e kësaj gare shkon përtej numrave dhe parashikimeve. Kandidimi i Përparim Avdilit, një shqiptar me origjinë nga Llojani, është dëshmi se diaspora shqiptare nuk është më thjesht pjesë e tregut të punës, por një faktor i respektuar i jetës publike dhe politike evropiane. Ai nuk përfaqëson vetëm një individ apo një parti; ai përfaqëson një brez që ka ditur të integrohet pa u shpërbërë, të kontribuojë pa humbur identitetin.

Në një Evropë që shpesh lëkundet mes frikës dhe shpresës, ky realitet flet qartë: integrimi i shqiptarëve është tashmë një proces i ligjshëm, i fituar me punë, dije dhe besim. Fakti që një shqiptar konkurron seriozisht për kryetar të Zürichut tregon se demokracitë e konsoliduara dinë të vlerësojnë qytetarin, jo prejardhjen.

Pavarësisht se kush do të fitojë më 8 mars, një fitore tashmë është shënuar. Ajo i përket idesë se Evropa nuk është një klub i mbyllur, por një hapësirë ku kush kontribuon, përfaqëson dhe respekton rregullat, mund të arrijë majat. Dhe në këtë rrugëtim, shqiptarët nuk janë më në prag  janë brenda, me dinjitet dhe përgjegjësi.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page