Murtez Asllani: VARFANJAKU
- 11 hours ago
- 2 min read

Poezia “Varfanjaku” e poetit Muntaz Asllani është nga ato poezi të thjeshta në varg, por shumë të mëdha në të vërtetën që përcjellin. Pa zbukurime të panevojshme, pa metafora të stërholluara, poeti zgjedh fjalën e drejtpërdrejtë për të sjellë para nesh një realitet që dhemb: urinë e fëmijës, dorën e zgjatur për lëmoshë, mungesën e punës dhe heshtjen e një shoqërie që shpesh kalon pranë dhimbjes së tjetrit pa e dëgjuar. Forca e kësaj poezie qëndron pikërisht te sinqeriteti. “Bukë e gojës” nuk është këtu thjesht një shprehje poetike, por një nevojë njerëzore, një e drejtë themelore që për shumë familje ende mbetet e vështirë për t’u siguruar. Pyetja “deri kur kështu?” është ndoshta vargu më i fortë i poezisë, sepse nuk i drejtohet vetëm poetit apo një individi, por ndërgjegjes së të gjithëve.
Dhe megjithëse poezia lind nga dhimbja, Muntaz Asllani nuk e mbyll atë në dëshpërim. Në fund mbetet optimizmi, forca dhe shpresa për ditë më të mira. Kjo e bën “Varfanjaku” jo vetëm një poezi për varfërinë, por një thirrje të ndershme për dinjitet, punë dhe një jetë më të mirë. Urime poetit për këtë varg të thjeshtë, njerëzor dhe të sinqertë, që nuk kërkon të impresionojë, por të prekë ndërgjegjen. (F. Terziu)
Varfanjaku
E hidhur shumë
është varfëria,
kur për bukë
qajnë fëmija.
Në rrugë del
lëmoshë kërkon,
por askush
nuk e dëgjon.
Ecin njerëzit
edhe mendojnë
në varfëri
si të jetojnë.
Nuk ka punë
për t’punuar
varfërinë e skajshme
për ta larguar.
Në atdheun tim
ka shumë varfëri
deri kur kështu
pyet secili njeri!
Bukë e gojës
t’sigurohet
është vështirë
sa nuk mendohet.
Opitimizmi edhe forca
na mban gjallë edhe ca ditë,
do t’vijnë ditët më të mira
do t’shuhen varfëritë!
Nuk e di si t’kalojmë
kështu me vuajtje e varfëri,
puna dhe t’mirat na mungojnë
çdo të tretës shtëpi.








Comments