top of page

MOTRA E SHOKUT


-tregim- NGA PANAJOT BOLI

Më kish ftuar motra për drekë. Për të lezetuar muhabetin kishin ftuatr edhe komshien me burrin e saj. Shkonin mirë. Na hahet muhabeti më kishte thënë motra. Dolëm të njohur. Me vëllanë e saj kishim qënë shok klase dhe kishim shoqëri të mirë. Nuk e dija që kishte motrën komshie me motrën time në atë qytezë. Domethenë ajo ishte motra e Elës që kisha unë nxënëse në maturë. Bile, Ela, më tha motra rrinte këtu, te byrazerja. Pas ritualit të përshëndetjes, Jana, vajti me motrën në guzhinë dhe çoç çuçurisnin. Dëgjohej herë pas herë ndonjë tingëllimë pjate. Sigurisht së bashku përgatisnin drekën dhe ndonjë meze. Ndërsa dhëndri me burrin e komshies po flisnin për një defekt në makinën e tij, se tjetri ishte një mekanik i zoti. Isha rehatuar në kolltukun e lekurtë dhe ndiqja një dokumentar në televizor. Për një moment vjen Jana me një mbulesë në dorë për të shtruar tavolinën -Po ju, e latë tjetrin vetëm dhe bëni muhabet..- u bëri verejtje. Unë buzëqesha për të treguar se nuk u mërzita, përkundrazi... Ata kapën gotat e verës dhe i trokitëm ndërsa Fati, burri i Janës tha i turpëruar -Ke të drejtë, u harruam pas një muhabeti për makinën e Vasit. Edhe ajo duke qeshur mori gotën e trokiti me ne dhe iku prapë në guzhinë. Andej vinin herë-herë copëza muhabetesh mes tingëllimash pjatash e gotash. Në një moment dëgjova motrën që i pëshperiti komshijes duke ulur zërin... “Thuaj vetë, është më mirë” Nuk e mora vesh për kë e kishte: për dhëndrin tim , për Fatin, apo për mua? -Do të presim shumë akoma – thirri i paduruar burri i motrës sime. -Ja... erdhëm ...gati -foli motra duke sjellë pjatat e para e ndjekur nga Jana, motrën e Elës dhe të shokut tim. Mos vallë kjo drekë ishte e stisur? S’e besoja, se motra ime më njihte mirë dhe nuk do t’i pelqente të ftohej me mua. Ndofta diçka luhej me Elën? Dyshimet filluan të më brenin. Para një jave e kisha vlerësuar. Nuk më kish pëlqyer përgjigjja. I dhashë shans edhe me pyetje të tjera ndihmëse. Nuk mund t’i vija notë të mirë. Më vriste ndergjegjja.Si mund të bësh diferencime? Disa nga shoqet e saj e dinin që vëllanë e saj e kisha shok. Mos vallë ajo ushqente ndonjë shpresë te kjo njohje? Më dilnin para shikimet e shokut. Ai asnjëherë s’më kishte thënë gjë për Elën, paçka se e dinte që unë i jipja mësim... Ishte i çiltër dhe i dashur me mua. Edhe atëhere kur ishim shok klase nuk më kërkonte t’i jipja një detyrë të gatshme. Kur e shikoja që sikletosej i afrohesha ta ndihmoja. Ai ngrinte dorën e më thoshte “Ja prit edhe pak .. ‘ dhe nga stërmundimi djersitej. Papritur hidhej përpjetë dhe më thoshte “Toke, ja e zgjidha” dhe më godiste fort pëllëmbën. Në letërsi më konkuronte denjësisht , sidomos në ese-të. Tani kishte fituar një pozitë të mirë në një institucion.Kur u ulën të gjithë, ishte motra që mori gotën e para dhe tha gëzuar. Atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe gazmore. Sigurisht që edhe vera bënte punën e saj. Por në një moment pati një ngrirje. Kur dhëndri me komshiun u futën përsëri në problemet e ndërmarjes ( se punonin bashkë) motra gjeti rastin dhe pyeti -Si se more dhe Elën? Tjetra uli pak kokën si e penduar dhe pa nga unë me një buzëqeshje të lehtë -Ja, i vinte turp nga profesori ... - Do të vazhdoj të lartën? -Duhet edhe mesatare... Përpiqet... E kuptova ku rrihte çekani. Ndofta ajo, fjalët e motrës aty në guzhinë, kishte të bënte me mua. Unë luajta rolin e indiferentit. Të dyja u vunë në siklet. Heshtën për pak dhe me bisht të syrit shikuan nga unë -Që do një çikë inkurajim, e do... se ankth kanë, apo jo profesor? - pyeti Jana dhe duke marrë guxim duke qeshur shtoi: -Po të dojë vëllai yt-iu drejtua motrës- dhe ngriti gotën duke më parë më ëmbëlsi e trokiti me mua. Mua më ngriu dora te gota. Nuk fola. Afrova gotën te buza , por nuk më kaloi asnjë pikë poshtë. Motra ime e pashë që fshehtas i ra me beryl, se rrinin pranë njera tjetrës ‘E prishe fare tani. Duhet t’ia thoshe me lezet’ Kur pa nga unë që s’ reagova dhe u përskuqa në fytyrë, edhe asaj i kaloi një hije trishtimi dhe nuk e hapi më gojën. Burrat të cilët vunë re heshtjen që pasoi, pyetën: - Po ju u mërzitët ? Ja mbaruam edhe ne me tonat – dhe nisën të bëjnë shaka për ta gjallëruar prapë trapezin. Të dyja gratë filluan të qeshin, por ato ishin buzeqeshje të ftohta. Sikur u dilnin me zor. Ishte thyer diçka në këtë drekë. Bënë sikur e harruan atë që thanë dhe filluan të më ngacmojnë. Po unë s’e kisha mendjen atje. Vetëtimthi më erdhi episodi me profesor Sadetin ...Atë pasdite profesor Sadeti kishte shërbimin në Universitet. E kishin me grafik. Më porositi bashkë me Zanën, të mirrnim edhe materjalet e numrit të ri të gazetës së murit “ Gjuha jonë” dhe së bashku me të t’i faqosnim. Mirëpo dy shkrime duheshin shtypur dhe ai njihte një gazetar që kishte makinë shkrimi. E mori në telefon dhe na nisi te zyra e mikut. Zana, shoqja ime, para se të vinte në degën tonë, kishte punuar daktilografiste në një institucion. Ndaj e kishin edhe anëtare të rrethit, megjithse unë kohët e fundit kisha kaluar edhe në rrethin e gjuhëtareve, me insistimin e profesorit. Kishte shkëmbyer ca fjalë me kolegët e lëtërsisë. Përfundimisht asnjë s’u tërhoq dhe unë duhet të mirrja pjesë në të dyja rrethet, atë letrar dhe të gjuhës. Me Zanën u kthyem shpejt dhe profesori pasi i kontrolloi edhe njeherë, na tha t’i afishonim me kujdes.Nuk u sigurua pa i parë edhe njëherë vetë. -Ju falemnderit. Keni bërë punë të mirë. Ti Zana shko, kurse ti, -m’u drejtua mua- hajde të diskutojmë ca materjale. “Rasti i mirë ky, të hap edhe bisedën për atë shokun tim që vazhdonte me korespodencë në degën tonë” -thashë me vete Me të isha njohur rastësisht. Kishte mbaruar pedagogjike dhe çuditërisht kish zënë një vend në zyrat e arsimit. Kisha lexuar edhe nja dy shkrime të tij në gazetat lokale. Krijova një përshtypje të mirë. Papritur një ditë pas disa viteve e gjeta në shkallët e Universitetit. Hapi krahët dhe më përqafoi sikur ishim vëllëzër e shkuar vëllëzërve. U habita pak për përzëmërsinë e tepruar. Por nuk ia vura re. Kur takohesh shumë larg vendlindjes tënde, me një njeri të njohur, të duket sikur takon një vëlla. Kështu e justifikova. -Ç’ne këtëj ti Teli,- e pyeta me kureshtje. Ai më terhoqi te lokali përballë dhe pasi u ulëm, më shpjegoi shumë shkurt. -E lashë zyrën. Mora një nismë të punoj vullnetar tre vjet si arsimtar këtu në veri. Një ditë do të më detyronin ta bëja. Pse të mos mirrja vetë inisiativën e të fitoj edhe kredibilitet? Pastaj u regjistrova me korrespodencë në fakultetin tënd. Nuk të tha profesor Selimi? Ata kanë konsiderata dhe repekt të veçantë për ty. Kjo do të më ndihmojë edhe mua –përfundoi duke qeshur -Ti je i zoti. Po , do të ndihmoj me mataterjale ndihmese...nuk e diskutoj Ai prapë duke qeshur shtoi -Një fjalë e mirë te profesorët e tu mjafton. Heshta. Ai nxitoi të marrë birrën e dytë megjithë kundërshtimin tim. -E shikon? Mali me malin nuk takohet, njeriu me njerinë po Shikon si e sjell fati Ai sa herë vinte nga rrethi ku shërbente, tani më çonte në Turizëm. -Ti je student, unë jam me rrogë- e justikonte kur unë mundohesha të paguaja. Në ato momente ndihesha në siklet të madh. Miqësia jonë u shtua, diskutonim, pinim kafe, dhe kujtonim vendlindjen. Pale që Teli më nxori të afërt më të te një lidhje me fisin tim... Një ditë më takoi i mërzitur. Duke rufitur kafen me tha me kokën ulur -Më preu profesor Sadeti...radhën e parë... do ta jap prapë , por kam frikë - Kadareja ka thenë se gramatika historike është pilaf me gozhda.- i thashë që t’i ngrija moralin -Profesor Sadeti të vlërëson shumë . Më foli shumë me respekt për ty. Thuaj një fjalë... E pashë i habitur. Kaq hapur? Ai kishte punuar në një institucion dhe nuk i falej. U stërmundova ta kapërcej një lëmsh. I pëshpërita me mundim -Nuk mundem.. E kam të vështirë Nuk e priste . U çua në këmbë dhe më pyeti gati me lutje -Po të isha unë, nuk do ta bëja për ty? Iku. Unë zvarrita këmbët deri në dhomë dhe u shtriva pa hequr kepucët. Një valë e nxehtë më kaploi kokën,.... Tani profesorin e kisha përballë në kthinën e vogël të shërbimit. E kundrova njëherë këtë profesor të nderuar “Nuk duhet të hap një muhabet të tillë” -vendosa. Por fytyra e Telit më shikonte si një i përvuajtur dhe fjalët e tij më çirrnin timpanin e veshit “Po të isha, nuk do ta bëja për ty?” Orari i profesorit mbaroi dhe nuk e përfunduam atë diskutim për një materjal shkencor. Ma dha ta marr me vete që ta studjoj me kujdes. Dhe të gjenim një rast një herë tjetër Më tërhoqi për në lokal për një salep. Ishte e pamundur t’i kundërshtoje atij. Tani ambjenti ishte më miqësor dhe lamë anën akademike. Si hija e Makbethit më doli prapë fytyra e Telit “Po të isha unë....” Nuk e mendova më gjatë . I fola. Ai më pa me një shikim zhbirues gati gati të çuditshme. Pasoi një heshtje. Pastaj ngriti dorën dhe i ra tavolinës. Nja tre klientë te tavolina përballë, kthyen kokën. -Po do që të bëhesh një mësues fisnik, këtë s’do ta bësh kurrë. Kurrë... Ngriva si statujë. Salepi ngeli i paprekur. Ai më hodhi dorën në sup, si një prind i dhembshur më tërhoqi pranë vetes. -Mos u mërzit. Thuaj shokut të punojë.. vetëm kështu del faqebardhë. Ai ka mundësi..dhe nuk i mungojnë aftësitë. E pashë, nuk ishte djalë i keq dhe jo pa njohuri. Rrugës për në konvikt ecja si i dehur. Kur ngjitja shkallët, u betova... Tani si atë natë me profesorin , një valë e nxehtë më kaploi kokën. Jana duke ikur më dha dorën e turpëruar dhe diç murmuriti... Para se të mbyllte dërën bashkë me burrin e saj, thirra: -Prit pak. Dola në korridor. Ajo më shikonte pak e habitur. -A mundet Ela, ta ndihmojë jashtë orës së mësimit. Ja, do të vijë te motra ime, Ju pini kafet dhe ne i përvishemi një sistemim lënde. Bësoj kështu do të arrijë rezultate të mira në provim -Me gjithë mend? – më pyeti dhe u çel në fytyrë. Edhe motra që na ndiqte u gëzua shumë ...Nga tetori mora një kartolinë të çuditshme. E dërgonte Ela. “Ngjita shkallët e universitetit. Në hapin tim buzëqeshja jote më jep forcë. Falemnderit shumë profesor!” Prapa kartolinës një tufë lulesh.

48 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page