top of page

MOSHA A SHTATËZANISË

Updated: Dec 28, 2019


Shefqete Gosalci

Shefqete GOSALCI

NDJENJË

Hënë e grisur e leckosur

Me shikon nga qielli për karshi

Durimi im per ty ka sosur

Ndaj do te nisem e do te vij

Edhe pse rruga eshte e gjatë

E male fusha ka në mes

Ky malli im shemb dhe kalatë

Ndaj pa të parë ty s’ po mund të vdes

Ti je per mua fill i zjarrtë

Prej rrezesh malli i gatuar

Prandaj te unë nuk ka kurrë natë

Jam mengjes i pambaruar

Drejt teje vij e shkoj përhera

S’ka gjë qe ti nuk e ndjen dot

Me emrin tënd shemb çdo humnerë

Mbështjell me urë tërë këtë botë

Te dua them dhe buzëqesh

Dhe ti diçka më pëshpërite

Kjo urë që zgjatet midis nesh

Është dashuri mbi dashuritë.

FOLE MBI DALLGË

E piva kafenë e mëngjesit edhe sot

Po dita nuk do të ulet ballë meje

Pardje ma qëlluan kot me kot ca idiotë

Ata që edhe diellin e kthejnë kalë beteje

E ju luta një pëllumbi të vinte tek unë

Por ai me nje qiell pa adresë fluturoi

Se dje nga parajsa me dhunë e përzunë

E barot të shkrirë i hodhën në gojë

Tashmë e kuptoi që kam hyrë në  një botë

Që e imja s’u bë asnjëherë

Këtu ku absurdi ushqehet me lot

E çastet e lume miklojnë ne humnerë

Ç’ të bëjë me ty dashuria ime

Mbi dallgë kam ngritur fole

Edhe shpirti m’u arratis nga ky burg i mishtë

Mbi shtat qielli mbi re

He fol ç’ të bëjë me ty dashuria ime

Kjo kohë të gjitha dashuritë m’i vret

Dhe pse me kushtoi nje mal me flijime

Unë duart si ngre asnjëherë përpjetë.

MEDALJONI

Mbaj varur ne qafë

Medaljonin e zbrazur

Deshiroj te jem tokë

Gjithcka nga unë të mbij

Mes mallit e zjarrit

Lumi të bëjë  shtrat

Të freskoj trimin gjoksbaladë

Që është vetëm i imi dhe i Lirisë

Toka i ankohet nënëlokës

Për lindje dhe vdekje të mëdha

Gjaku ngjyros manushaqet

Shqip t’u vie era stinëve

Dashuria smirën përzen

Ç’ të merr s ‘të kthen

Mbi gjokse hedhim valle

Dëgjoj ritualin e zemres

Nën medaljon

Përlotet dheu

E guri buzëdridhur lëkundet.

PREMIERË

Flasim me vetëtima e rrahje

E njëjta melodi nga e njëjta violinë

Dhe i njëjti refren

Në të njëjtën guackë

I njëjti margaritar

Dhe fat

Heshtja ulet këmbëkryq

Në sheshine miljona shkeljeve

Djalli fajtor vetëvritet

Me shishen e  verës

Derdhet verë e mykur e shekullit të kaluar

Nata grimos fytyrën me hithra

Me nostalgjinë në roje

E agun dëshmitar

Lakuriq thejmë gotat e kristalit

Natës i shfaqim premierë.

HIMN 

…erdhi ora çast

Tri ditë dashuruam

Në mbreterinë e ëngjujve

Në një karneval lulesh e fotografish

Të pashlyera

Fshehur pas flokëve të gjata

U bëra nuse malli im

Ma humbe gjumin dhe mëndjen

Ma more zemrën dhe dhimbjen

E ëndrrën qëndise në gjergjefin e hënës

Shikimi mugulloi heshtjen

Me gërshetën dhe erën e blirit

Mbi mykun e gurëve

Nën qiellin e hirtë

Dashuruam pa thënë asnjë fjalë

Xixëllonjat vallëzuan gjatë me yje

Spiranca me mbante në prill

Me ty në krahëror

Me dëshirën hyjnore

Tek himni dashuror.

MOSHA A SHTATËZANISË

Nënës sime Gjyles që lindi 11 femijë, dhe te tjerave si Ty

Hapin e moshuar

Ballin rrudha plot

Zemrën lot

Harxhohemi pranë e pranë

Fjalët gëlltisin njëra – tjetrën

Dhe bien në rrjetë

Ndihem guralec bri bjeshke

Unë pjella jote e të gjitha stinëve

Bletë me hoje të mbushura

Me Ty pranë – Nanë

Ndihem si lapsi mbi fletë

Herë abetare, herë numratore

E shkollës – jetë

Erë buke e ftoi te vij

Pranë arkës ngjyrë shekulli

Ngjyen mallin eshkë

Me gjuhën e sertë

E duart damarefryra flasin për ngjyrat

E njëmbëdhjetë luleve që mban në duar

Në prëhër, në krah, në gji

Ku merr forcë Oj e uruar?

Jetën ta njomi trekëndëshi

Djep, magje, bunar

Mundimin ta di veç kova dhe litari i ngrirë

Të tjerët le të heshtin

Hyjneshë në fronin e gëzimit

Zemrën e pjestove në emra

Në zëra e ditëlindje

Në orët e bardha të dashurisë

Je vetë dashuria

Po jetën ku e ke?.

PASQYRA

Shekulli i ri vetullngrysur

Ruan mbi kështjellë

Fidanen e vitit 1878

Krijesa të mejmura fshehur

Nën rrënjën katrore te formules 1244

Hanë pjesën e trurit

Mbetur ne Prizren e Prishtinë

Tirana pasuron menynë

– e sharjeve ndaj vetëvetes

Mitrovica melodi e këputur

Çamëria ai lot

Sicilia këmbë djepi rrëzuar

Satanet t’i nxorën fëmijet nga gjiri

Thyen pasqyrën arbërore

Si ngjyra keputur ylberit

Shkupi me kollë Migjeni

-han thonjët deri ne mish

E Zara i bie një kitareje të vjetër

Shkruan poezi per vete

-dhe varkën e shpuar

Tivari shkund pelerinën

-e mykur nga mjegullat

Pranverë e prerë në Qershor

E Vjena flokëthinjur operon

– nje hartë të vjetër

Pastaj fshehurazi shikohet në pasqyrë

Pas operimit plastik të fytyrës

Durimit i mungon semafori

Ballkani lëndon ëngjëllin e vet

Rrena e enjtur përkund

-mohimin asht e lëkurë

Kujdes- mos nënshkruani fatin

Me doreza.

KAFSHIMI I PLAGËS

Te luta Kosovë shumë herë

Të ta puthja faqen e zhuritur

Të ta fshija së paku një lot

Të pashë ëndërr me stoli

Nuse në Çamëri

Ti kërkova duart, të majtën ma dhe

Se të djathtën dhe gishtin e di ku i ke

Dhe sytë e ylbertë tek ëndrrat i sheh

Desha të të puth Atdhe, s’ më le

S kishe kohë as atëhere, as sot

Desha kokën në gjoks të ta ve

Jo m’u përgjigje -digjesh

Cilën pjesë të JO- së sate nuk po e kuptoj

Në arenën e heshtjes vetëm unë

e Ti Kosovë

Mbeten të paputhura

Mes nesh flamuri e plaga

Dua të ta puth ballin e përndritur

Tek hëna zë pusi

Dua të ta bëj një djalë

Prap njëjtë më përgjigjesh

Vitet mi dekorove me pritje

E vargun me ty

S ‘ pajtohem Kosovë, s’ është viti ’81

S’e dëgjoj as Solomonin

Do te bëhem Rozafë, buzeçara ime e skuqur

Dashuria dhe plaga ime e kafshuar

Djepi, kafshata dhe unaza ime e ngjyer në diell

Kalo Kosovë mbi mua

Njomi buzët në murin tim të lagur.

ÇMALLU

Kujtesa me delikatesë ndez llullën

Lëshon spirancën në kryeqytetin e harrimit…

Ndez një tym me kullën

Viti sylidhur ua nënshkruan stinëve

Pasaportat e reja me vulë temperature e afat uji

Pranverën e dënon me vdekje për vonesën

E verës ja pren vetëm thonjtë

Të mos e pengojë diellin

Pastaj i uron vetes ditëlindjen zero

Me një borzilok në dorë

Ec zbathur nëpër netë gushti me xixëllonja

Si vajzë në takimin  e parë

Shekullit ia ngre veshët për shurdhëri

Dhe një flakareshë fytyrës për papastërti

Dhe hapat e gjumit për humbjen e ditarit

Ja jep dryrin e një arke të vjetër

Me je ftua brenda

E merr ne prehër dhe ja lëmon flokët

E ushqen me gji, fara kungulli dhe vaj ulliri

E mbështjell me pelena malli

E ja flet njeë fjalë në vesh

Konstandin përgjërou Zotit e kujtesës

Merre me vete edhe Zanën

E nise nga fillimi çmalljen.

I SHKRUJ SHPIRTIT TË SHPIRTIT ME SHPIRTE

Shpiti im kristal i fshehur

N’ oqeanin e pikëllimit

Gjymtyrë e këputur Atdheut

Nga gërshërët e pushtimit

Shpirti im kristal i thyer

Nga çekani i tundimit

Paloi vitet e durimit

Si monedha në arkë t’ kursimit

Shpirti im kristal i thyer

Rënë nga duart e skulptorit

Shpirtrat n’ xixellonja kthyer

I bëjnë dritë dhe meteorit

Edhe Zoti do ta shkruajë

Në ditarin e njerëzimit

Si lufttoi në jetë një shpirt

Ta gjejë rrugën e gëzimit

Shpirti im ushtar i ditës

Rrethuar me terre

Në t’u dashtë për dritërimin

Ta fal – merre, merre.

PUTHJE LOTËSH

Edhe kur s’ju njoha

Ju dëshirova

Ju dashurova

Ju ënderrova si në përrallë

Ju pikturova agimeve vesore

Me ngjyra shpirti

E kur u takuam

Edhe lotët na u puthën.

NËNTORËT DHE NËNTORËT

Nje shekull qielli qau

Nën të toka gjëmoi

Dhe ndodhi kurorëzimi

Një Nëntor në Vlorë

Qielli e toka vunë kurorë

Me unazë dielli

Me sep të një ylli hëna solli ftesën- urdhëresën

Ju mund të bashkoheni

Pasi të keni dhënë jetën

E vdekje jeta ndodhi

E madhe mal

Yllësia zgjodhi Hyjnitë

Ne fronin  e ndritimit

Gjaku përflaku qiellin

Fundnëntorin e acartë ngrohu diellin

Mbushi djepat

Shqipen e strehoi në flamur

Për të tjerët varret s’ patën vend

Jeta na mbet në duar- dhuratë

Të vritemi disa herë në ditë

Të akuzohemi, të fyhemi, të përbuzemi

Prap në Nëntore

Djepin ta përkundim thatë

Me orë të ndalur.


#Shefqete #GOSALCI

36 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page