top of page

Mos hesht


Mos hesht


Shpesh hesht të takoj vetveten,

Por kjo heshtje më mbyt,

Ndoshta kjo heshtje edhe në tretje,

Më e vështirë se një kockë në fyt...


Heshtja kapak mbi humnerë...

U lodha me heshtjen, paqen kërkoj,

Nga dreqin mu bëre ferrë,

Pa fjalë,

në një qoshe e dyzuar qëndroj.


Mos hesht,

Më shkulmon diçka përbrenda,

Mos bluaj pa zë,

Sa herë thërras kur fryma shterr...

Mos hesht!

Ky zë pa zë më vjen skëterrë,

Kjo heshtje, sot vetminë e tjerr...


Kjo heshtje distancë...në këtë botë,

Jam kthyer në heshtje dhe vetë,

S'di ta përshkruaj, a është revoltë?!

A është një heshtje si paqe e qetë?!

U mësova të hesht, madje edhe të besoj,

Por zëri i brisht,

më ngulet ndër tëmtha, më ngërthen,

Mos hesht!

Zgjohu, jo hapsirë boshe,

Ky zë ngulçues sa vjen e më bren...


Jo gjithmonë heshtja është e kotë...

Njëmijë përgjigje mundem ti gjej,

Por seç më gërryen kjo heshtje sot,

Fjalët më humbën, shpirti im vrer!


Mos hesht,

Bëhu bishë ta përplasësh atë derë,

Ta thuash me zë të lartë e të fortë,

S'di pse përmbahem edhe k'të herë,

Vërtet nuk po e deshifroj dot...!


Gj. Sh.

Qershor 2023

30 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page