“Monumenti i Dijes” - libri monumental për Universitetin Bujqësor të Tiranës
Monumenti i Dijes" është libri i tretë që i kushtohet tempullit të dijës në Kodër Kamëz, Universitetit Bujqësor, ku me mijëra studentë u diplomuan duke u bërë specialistë të aftë, drejtues te zotë, profesorë, shkencëtarë, gazetarë, artistë e biznesmenë të devotshëm. Ai pason dy librat e tjerë shkruar 20 vitet e fundit "Universiteti i Blertë" me autorë Hulusi Hako dhe Spasse Thanasi, botuar në vitin 2001 me rastin e 50 vjetorit të tij dhe librin "Rrekëzat e Kujtimeve" botuar në vitin 2011 nga autorët Spasse Thanasi dhe Rexhep Çullhaj, me rastin e 60 vjetorit të këtij universiteti. Libri “Monumenti i Dijes në Kodër Kamëz”, me autorë Spasse Thanasi dhe Prof. Gani Moka botuar këtë vit, është dhurata më e bukur që i bëhej këtij universiteti dhe mijëra studentëve dhe pedagogëve në këtë 70 -vjetor të jetës së tij.
70 VJET HISTORI E KRIJIMIT TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS ( 1 9 5 1 - 2 0 2 1)
Pavarësisht nga mosha, të gjithë ish- pedagogë e studentë, tregojnë një ambjent që i ka ekzaltuar vazhdimisht , një kohë që i ka përfshirë në vorbulla të rëndësishme të jetës, një përshtypje e mall që i flladit sa herë kujtohen vitet studentore në Fakultet, në atë kënd të gjelbëruar të Kodër-Kamzës ku UNIVERSITETI BUJQËSOR mbetet një tempull në zhvillim i dijes profesionale e shkencore….
Koha e “gjurmëve të mbetura” nga brezat e dijes është si një univers që sjell mbi supe vitet që shkuan, dashurinë e takimeve të paharruara, udhëza drite që sollën ndryshime epokale në jetën universitare dhe i dhanë dritë gjithë Shqipërisë !...
Mblidhemi si dikur, agronomë, ekonomistë, veterinierë, inxhinjerë pyjesh e zooteknikë,të gjithë mbuluar me thinjat e bukura të moshës që i bëjnë hije dhe atë “nurin” e hijshëm të humorit mbjellë si grurë në fytyrat buzëgaz. Cdo përvjetor ngjallë emocione të vecanta dhe të paharrueshme. Në këto udhë jubilare Universiteti ynë duket si një “monument drite” në Tempullin e Dijes, një trashëgimi e pasur e mësimdhënis në auditore dhe profesionit shkencor në parcelat eksperimentale. Kremtimi dhe kujtimi me madhështi i 70-vjetorit me histori e thesare të shenjta të diturisë kombëtare, është tashmë një traditë e bukur dhe emrat e pedagogëve të shquar, që nuk rrojnë më, janë gdhendur me shkronja të arta si kujtim i përjetshëm i brezave studentorë…Me kalimin e viteve e dekadave, ky “monument” madhështor me emrin “UNIVERSITETI BUJQËSOR”, merr pamjen e një peizazhi të blertë në Kodër-Kamëz të Tiranës që i jep dritë dhe shkencë bujqësore gjithë Shqipërisë. Në librin panoramik bujqësor “ Bimët dhe Shqiptarët” Prof.Dr. Lufter Xhuveli thotë se : “ Historia e Universitetit Bujqësor është e lidhur ngushtë me historinë e vecantë të formimit e zhvillimit të bimëve bujqësore në hapësirë dhe kohë. Ky sfond i gjallë i bimëve bujqësore, si ushqim i njerëzimit, ka sjell ndryshime e përsosje në shkencën aplikative bujqësore dhe mban “vulën” e punës e dijes së njerëzve të shquar”.
Duke mos harruar vitet studentore si “stuhi të dijes” bashkë me shokët e shoqet nga të gjitha fshatrat, qytetet e zonat e Shqipërisë (nga Veriu në Jug), me dëshirën e mirë për të lënë dicka të vyer për “gjurmët” në Universitet dhe në jetë, vazhduam iniciativën tonë për të shkruar librin tjetër memorial : “ MONUMENTI I DIJES në Kodër – Kamëz” ku mund të gjeni hulumtime, pershkrime, fotografi e shumë dashuri për njeri-tjetrin.
Ky libër , me mirazhin diellor në sy, ngroh zemrën e gjithësecilit me mesazhin e bukur të dijes dhe atmosferën ngazëllyese të shpirtit për të folur bukur, me sens lirie dhe grimcëza malli…
GJITHNJË I BUKUR E I BARDHË !....
Rrënjët e dijes, themelet e Universitetit
Qyteza studentore në Kodër- Kamëz,
një tempull i vërtetë diturie
Që merr jetë nga fusha dhe mali
me ëndrrën e dashurisë rrit brezat
Këtu rrëke kujtimesh rrjedhin
Si oqean “dehen” dëshirat….
Qyteti ynë që rrezaton dritë
Në lindjen tënde ruajte ëndrrat
Ruajte dashurinë e moshës
Shpresat e arta i nise për udhë!...
Shkëlqimi i jubileut të 70-të
Rrugëtimin celi prej dekadash
Stoli “qendisi” plot buzëqeshje
Më e madhja botë, bota e dijes
Nga pragu yt lëshon yje !....
Vizita e mesazhe të shumëfishta
Sjell për të gjithë ky jubile i madh
Lartësohet “metamorfoza” e dijes
Si drita hyjnore që ngjall Perëndia !....
Udhëtojmë kohrave që nga “pagëzimi i parë”
Me kohën studentore në “pagëzimin e brezave”
Sjellim aq shumë kujtime në kodrinën e gjelbëruar
Nderojmë “Monumentin e Dijes”
Gjithnjë të bukur e të bardhë si jeta !....
Për të gjithë ata studentë që për 70 vite kaluan nëpër bankat e auditorëve, në laboratorët dhe njësitë eksperimentale do të ruhej përjetë në kujtesë ajo bukuri mahnitëse e këtij tempulli të dijes i shtrirë në kodrat e buta gjithë gjelbërim me aromë agrumesh e trëndafilash. Është kjo dashuri monumentale e brezave të dijes e kthyer në histori, poezi dhe këngë për këtë monument të dijes.
Në çdo fletë të librit, fjalë dhe fotografi harmonizohet natyrshëm ajo ndjesi, ai mall i pashuar, për të gjithë studentët e pedagogët ndër vite dhe veçanërisht për ata që në një farë mënyre këtu apo kudo që jetuan dhe punuan lanë gjurmë. Nuk janë pak, jane me mijëra. Ekonomistë, agronome, inxhinierë pyjorë, mjekë veterinerë dhe zooteknikë , që duke startuar nga këtu , do të punonin në çdo skaj të Atdheut duke derdhur djersë dhe lënë “gjurmë”.Falë këtyrë specialistëve , ekonomia shqiptare do të transformohej në një ekonomi të zhvilluar dhe modern, duke thyer rekorde te prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Falë specialistëve të aftë dhe të kualifikuar shumë prej të cilëve në nivel shkencëtarësh do të ngriheshin edhe Institute të rëndësishme si ai i IKV, I MISRIT dhe ORIZIT, I PERIMEVE DHE PATATEVE, INSTITUTI FORAGJER etj që jo vetëm do futnin kultivarë të rinj hibridë dhe të kryqëzuar, por do të rrisnin prodhimin disa herë…
Vëmendja dhe kujdesi për të mos harruar askënd që la gjurmë në hapësirën e gjelbërt shqiptare qoftë në fushë, pyje apo stalla beri qe libri te ndahej në disa kapituj dhe duket se është një “zgjedhje me kujdes”, tamam si e një lulishtari ku din të mbjellë atë lulen e bukur që jo vetëm të shfaqë bukuri, por dhe të aromatizojë mjedisin.
Që në kapitullin e parë, të titulluar "Histori e mrekullueshme e Universitetit, që nisi jetën nga një qelizë e vogël..." vërehet qartë ecuria ndër vite për 70 -të me radhë duke kujtuar gjithë respekt e mirënjohje ish pedagogë e studentë që Universitetin Bujqësor benë të mbetet tempull i dijes në zhvillimin e dijes profesionale e shkencore."Koha e e gjurmëve të mbetura nga brezat e dijes është si një univers që sjell mbi supe vitet që shkuan, dashurinë e takimeve të pa harruara do të shkruante autori, udhëza drite që sollën ndryshime epokale në jetën universitare dhe i dhanë dritë gjithë Shqipërisë". Janë të shumtë personazhet e librit, e pamundur ti përmendësh të gjithë ata me emra. Janë të shumtë, se dhe jeta e këtij universiteti është jo e vogël, por shtatë dekada.Edhe në kapitujt pasues, përmes “mozaikëve të kujtesës”, do të ndjehet tingëllimi i zërit me flladin e viteve. Faqja e Rektoratit dhe Senatit Akademik do të zërë një kapitull të veçantë, mbase në shenjë mirënjohje e respekti si kapitulli: “Drejtimi i Universitetit Bujqësor”. Po kështu një vènd të rëndësishëm zënë kapitujt “Agronomi, Bimët, Libri”, mbase një triptik specifik kushtuar kuadrove të bujqësisë , që transformuan natyrën ,duke e shndërruar në monumente natyrore nga fushat e hijeshuara nga drithërat, kulturat industriale e foragjeret, deri te brezaret e agrumeve, plantacionet e vreshtave, ullinjve, fiqve, mollëve, kumbullave etj ,duke krijuar një brez të gjelbër Jug Veri nëpër kodrat e bukura që në shumicën e tyre të taracuara, duke marrë një pamje piktoreske. Një vend të veçantë autorët i kushtojnë kapitullit “Pedagogu Njeriu i Shenjte i Dijes”, duke veçuar njerëz e individualitete pedagogjike e shkencore që meritojnë respekt e mirënjohje…
Ishin pikërisht këta pedagogë që ishin edhe si prindër, që kurrë nuk i fyen studentët e tyre, përkundrazi u dhuronin dashuri. Mbase ata e dinin se studentët që do dilnin nga këtu do të ishin "të persekutuarit e profesionit", për faktin se jetën e tyre do e kalonin arave, pyjeve, stallave, larg familjes dhe aktivitetin e punës e kishin "në shtëpi pa çati", qe do të thoshte se ishe edhe në mëshirë të kushteve atmosferike natyrore dhe përballe rrezikut "si sabotator"nëse nuk realizoje detyrën.Duke shfletuar me kujdes fletët e librit, të duket sikur hap dritaret dhe prej aty shikon gjithë kënaqësi hapësirën sa të rrok syri. Në çdo fletë do shohësh një pjesë qielli kujtese, që lanë jo vetëm pedagogët dhe shkencëtarët, por dhe njerëzit e letrave, letrarët e gazetarët. Nga këtu, nga ajo redaksi e vogël e gazettes “Studenti i Bujqësisë”, që hapi dyert për qindra krijues të rinj, do të nisnin ngjitjen e shkallëve poetët e ardhshëm, shkrimtarët dhe gazetarët. Do të ishin pikërisht ata, që si vëllezërit e tyre shkencëtarë do të gdhendnin emrat e tyre kopertinave të librave, faqeve të gazetave, mikrofoneve të radiove dhe ekraneve të televizioneve. Falë këtyre krijuesve do të vlerësohej puna e çdo specialisti në çdo fushë të jetës. Falë tyre do të botoheshin edhe kjo kolanë librash për "Universitetin e Gjelbër"" siç është edhe ky libër, si dhurata më e bukur dhe më e çmuar që mund të dhurohej në një përvjetor të rëndësishëm si ky.
"Vitet do të kalojnë, dekadat do të rrjedhin, shekujt do të vulosin histori të shumta. Universiteti Bujqësor do të festojë edhe 500 vjetorin e tij. Prandaj dhe historia e shkruar që në embrionin e tij, në ecjen e vrullshme të zhvillimit dhe evolimit si një universitet vlerash mbarëkombëtare dhe me përqasje shkencore në nivel evropian do të jetë një kronikë e vlefshme e brezave të dijes, një tempull i madh zhvillimi e përsosje. Hapat e mëdhenj e të sigurt të këtij gjigandi diturie do të vijojnë në breza të tjerë studentësh, në vetëdijen e një armate pedagogësh e profesorati që do vijojë mësimdhënien dhe karrierën shkencore universitare për shkencën bujqësore. Ne jemi të vetëdijshëm se gjithmonë këto botime do të jenë një referencë e shëndoshë dhe dalluese e të gjithë përshkrimeve dhe studimeve mbi vitet e jetës universitare dhe historinë e Universitetit Bujqësor…Universiteti Bujqësor ndrin si një “monument” me vlerë kombëtare, plot dritë jete dhe frymëmarrje të përsosur !...
Comments