top of page

MONUMENTET SI KUJTESË HISTORIKE


Mihal GJERGJI


Para dy vjetësh vizitova panteonin e Napolon Bonopartit në Paris. Në një moment m’u sos durimi dhe ju drejtova njërit prej punonjësve të sigurisë, të cilët bënin kontroll të imtësishëm:

- Perandori ka vdekur, përse kjo përkujdesje e shtuar?

-Për francezët është i gjallë, ndërsa për shtetas të huaj ndoshta ka vdekur...

Më befasoi reagimi i tij. Në një bisedë me një historiani tonin, i cili ka bërë objekt studimi Ali Pashë Tepelenën për vite të tëra, e pyeta pikërisht për këtë të fundit, përse s’është ndërtuar një monument madhështor për sundimtarin e Epirit? Kokën ja mban Stambolli, trupin Janina, ndërsa jona eshte vetëm dhimbja. Bashkëbiseduesi ngriti supet si i zënë në faj dhe s’kuptova ç’belbëzoi. I kujtova një gjykim të Idriz Seferit, këtij prijësi të shquar të revoltave antiosmane, pjesmarrës në Lidhjen e Prizrenit:

“Tradhtari kurrë të mos lindë, po u lind mos u rritë, po u rritë kurrë mos u shtoftë, veç u faroftë.”

- S’kam fuqi, më tha studiuesi i historisë, askush s’na dëgjon... Në fakt, të gjithë jemi fajtorë, sepse heshtim. Luftëtarët e shquar duhet të ndjehen si në shtëpinë e tyre, në çdo pëllëmbë të këtij dheu, sepse e kanë mbrujtur me gjak. Madje, monumentet e tyre s’duhet të vendosen mes shkurreve apo në periferi, por në hyrje të institucioneve shtetërore apo rezidencave qeveritare, atje ku kalojnë diplomatët e huaj. Ali Pasha t’i zgjojë nga ëndrra e frikshme: Shqipëria është shkëputur qysh para një shekulli nga Porta e Lartë; Selam Musai t’u kujtojë se ky vend eshte i shqiptarëve, jo i pushtetarëve dhe s’mund ta zotërojë as fqinji jugor, as ata që hodhëm në det në 1920-ën; Idriz Seferi t’u sjellë në vëmëndje Programin e Rilindasve tanë dhe gjakun e martirëve.

HEROI TEPELENAS

Lindur e rritur në Krahinën e Lopsit. Nën këmbë rrjedh Vjosa e rrëmbyer, mbi krye lartësohet mali i bukur i Këndrevicës. Në rininë e tij jetonte si luftëtar. Është i pari profesion i shqiptarit që s’mësohet në shkollë. Tashmë jeton në kujtesën tonë dhe në panteonin e lavdisë, qendron mes të gjallëve. Është njëri nga heronjtë legjendarë. Atëherë Shqipërinë e Jugut e shkrumboi greku me urët e zjarrit. Edhe ky ishte krah luftëtarëve të tjerë. Morën plagë, por s’u përgjunjën. Gjylet me zinxhirë hidheshin në lartësinë e kodrave të Bezhanit. S’ua dimë emrat të vrarëve, as vendet e varrit.

Më shumë se 500 trima nga Labëria u përgjakën për të mbrojtur Janinën e bukur. Atdhetaria mëkohet në djep tok me qumështin e gjirit. Vite më vonë, Mbretëria e Italisë e pushtoi vendin tonë. Ishte 1920-ta, viti i Kongresit të Lushnjës. Luftëtari ishte në ballin e rezistencës, sipër kodrave me ullishta në qytetin bregdetar të Vlorës. Përreth ishin trima nga të gjitha krahinat; Lumi i Vlorës, Bregdeti, Kurveleshi, Lopsi, Buzi etj. Pikërisht aty e hodhi sharkun sipër telave me gjemba. U bë legjendë dhe u fut në këngët e atij rrebeshi popullor:

“Shqipëtarët po luftojnë

Me një mbret dyzet’ milionë”

I ka mbuluar harresa emrat e tjerë të luftëtarëve të kësaj epopeje; në Kotë, në Kaninë, Drashovicë etj. Kronikat popullore kanë bërë aq sa kanë mundur. Kanan Mazja s’mundet të tregojë, sepse ia pishi bukurinë predha e pushtuesit. Me emërin e Shqipërisë në gojë mbylli sytë biri i Shkozës heroike. Heroit tepelenas i kanë ngritur një shtatore, prandaj e shikoj jo thjeshtë dhe vetëm si një identitet njerëzor, por si modelin sublim të popullit që guxoi të përballet me vdekjen për të këputur vargonjtë e robërisë. Është i bekuar ai që di të ndahet me botën para se ajo të ndahet me të, e çuditërisht, mungesa e tij të jetojë përsëri mes të gjallëve.

Askush s’ka bërë analiza shteruese për ndryshimin mes pushtuesve të huaj dhe okupatorëve të brendshëm. Këta të fundit i përndjekin të gjallët pa mëshirë, ndërsa të vdekurve u ngrejnë monumente. Mos vallë për t’i nderuar? S’mund të besoj tek nderimi i atyre që s’e njohin nderin. Po përse atëherë? Për të joshur turmat, sepse joshja është një lloj pushtimi i butë, një rrënim paqësor i mureve të qëndresës. Një përfitim dyshues përherë zëvëndëson fyerjen.

Unë e kam derdhur pjesën time të gjakut qyshkur, më shumë se të tjerët. E them këtë duke flakur modestinë. Ata lumenj gjaku u derdhën për Atdheun, jo për pushtetin; të djeshmin, të sotshmin apo të nesërmin. I kam pirë kupat e zhgënjimit në rininë time. Çdo 5 Maj na jepnin një tollon mishi, të cilin e gatuanim për shokët kryesorë të udhëheqjes, që bënin vizita në familjet e dëshmorëve. Një hipokrizi neveritëse. Kur trokisja në dyert e Komitetit të Partisë apo atij Ekzekutiv, ato dyer nuk hapeshin për ne.

Janë po ata njerëz, me fytyra të vrerosura nga urrejtja, që nxitojnë të vendosin kurora. A thua se u dhimbsen të rënët më shumë se sa njerëzve të gjakut, tashmë të shpërfillur nga këta sundimtarë!

Mungesa e lirisë është dhimbja më e madhe shpirtërore, e pikërisht kjo dhimbje e shndrron njeriun në statujë. Selam Musai është me ne dhe mes nesh, sot e përherë, sepse ka fituar pavdekësinë. Atij dhe gjithë martirëve u përulem me nderim të thellë dhe fjalë zemre: Paqe mbi Ju!

GJITHMONË TË KRYQËZUAR

Lavdia e historisë franceze mban emërin e Napoleonit. Një ndër lavditë shqiptare, më e vona, mban emërin e Gjergj Kastriotit. I pari, në moshën 25 vjeçare u bë gjeneral, iu besuan legjionet franceze, pastaj Perandoria. Ndërsa Gjergji, në moshën 25 vjeçare u titullua "Iskander" (Aleksandër), ndër strategët e shquar të fushëbetejave osmane, më vonë Mbret i Arbërisë. Perandori francez bëri pushime, ndërsa Gjergji çliroi shqiptarët nga prangat osmane. Por ne, ende s'kemi ngritur një tempull nderimi për mbretin tonë emërshquar. Shpatën dhe përkrenaren i mban muzeu i Vjenës. Eshtrat ja çvarrosën jeniçerët. Besonin te shenjtëria e tyre dhe i përdorën si hajmali. Historia dhe bëmat e Kryezotit tonë bëjnë gjumin shekullor në arkivat e Raguzës, Venedikut e Stambollit. Hero lind, nuk bëhesh. I tillë ishte Gjergji. Napoleoni ka një varr, ndërsa bashkëkohēsi i tij, luani i Epirit, Ali Pashë Tepelena ka dy varre. Vdekja e tij nderet mes dy kontinentesh; Ballkanit evropian dhe Turqisë aziatike... Ata bënë histori, ndërsa ne e shkruajmë atë sipas gjykimeve tona. I adhuroj këto figura të ndritshme, edhe Parisin hijerëndë, por vitet që mbaj në shpinë, më kujtojnë se, njerka e botës s'të bëhet nënë, edhe kur nëna jote të bëhet njerkë. Çdo njeri duhet të jetojë fatin e tij. Dhe çdo popull.

74 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page