top of page

Monografi për shkrimtarin e studiuesin Astrit Bishqemi


Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi

Monografi për shkrimtarin e studiuesin Astrit Bishqemi


Aleko LIKAJ, shkrimtar e publicist

1.

Ka dekada që Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi ka bërë emër si krijues dhe studiues i letërsisë për fëmijë e të rinj. Dhe ja, kohët e fundit për të janë botuar dy monografi, të cilat hedhin dritë dhe vlerësojnë veprën e tij. Autorët e tyre janë studiues, të cilët edhe vetë, si protagonisti që marrin në analizë, janë pedagogë të lëndës së letërsisë për fëmijë e të rinj: Prof. Dr. #Faik Shkodra – në Kosovë, dhe Dr. #Rudina Alimerko – në Universitetin e Vlorës.

I pari, siç duhet, niset nga mendësia popullore se për të njohur cilësinë dhe gradacionin e një voze me raki, nuk është nevoja ta pish të gjithë atë; mjafton vetëm një gotë. Dhe studiuesi Shkodra për të vlerësuar punën e kolegut Bishqemi është përqëndruar vetëm në analizën e një vepre të tij, në përmbledhjen me studime “Vlera të anatemuara”. Një libër sudimor për një një libër studimor.

Ndryshe nga ai vepron studiuesja Alimerko; ajo merr në studim gjithë veprën e kolegut Bishqemi, vepër që përfshin plot nëntëdhjetë e gjashtë libra, që kanë mbi mbulesë emrin e Bishqemit, si autor apo bashkautor. Pikërisht, kësaj radhe, në këtë shkrim dëshirojmë të përqëndrohemi posaçërisht me këtë monografi.

2.

Qysh në fillim vlerësojmë se Rudina Alimerko e sjell krijuesin e studiuesin e shquar të letërsisë për fëmijë e të rinj Astrit Bishqemi në një biobibliografi dinjitoze, që vërtet të lë mbresa. Autorja ka mundur që të hedhë vështrim të plotë pothuajse në të gjithë krijimtarinë mbi pesëdhjetëvjeçare të Bishqemit, duke i bërë analizë të thellë produktit tekstor të shkrimtarit dhe studiuesit elbasanas, duke qëmtuar në të ide e mesazhe të planit artistik e pedagogjik, si dhe në vlerat që përcjell e gjithë vepra e tij, sidomos për formimin kulturor të brezit tonë të ri.

Pedagogia Alimerko, një studiuese e re e plot pasion, ndalet në krijimtarinë e gjerë e shumëplanëshe të shkrimtarit, që fillon me libra artistikë të profilit fantastiko-shkencor, si: Gjoksshkëmbi(1972), Gëzofi i Tokësetj. dhe vazhdon pastaj me serinë e vëllimeve me tregime, novela e romane, si dhe me atë të botës së përrallave, nëpërmjet një analize shkencore, duke mos kursyer tek-tuk dhe ndonjë kritikë që ka të bëjë ndofta me retushime të mëtejshme të saj.

Ajo ndalet kryesisht te gjuha e pasur e autorit me të cilën komunikon me lexuesin e gjerë, duke nënvizuar faktin se ajo gjuhë është figurative dhe e thjeshtë përt t’u kuptuar. Më tej Alimerko thekson se subjektet e krijimeve vijnë natyrshëm e krejtësisht të besueshëm, plot lëng jetësor në prozën për fëmijë e të rinj të shkrimtarit Astrit Bishqemi, i cili, si vëzhgues i kujdesshëm, ndjek me vëmendje kohën tonë, zhvillimet e dukuritë shoqërore dhe në një shtrirje të gjerë kohore. Studiuesja vëren se autori ka larmi formash të rrëfimit që e bëjnë tërheqëse prozën e Bishqemit së bashku me gjetjet e shumta kompozicionale. Befasia si element artistik ndërthuret bukur e me humor me aventurën fëminore tërë dinamizëm.

Të njëjtën gjë, sipas studiueses, e ndesh edhe në fushën e dramaturgjisë për fëmijë të këtij autori, pjesë të cilat kanë parë dritën e skenës. Janë krijime që kanë përcjellë e zgjuar me shumë sukses botën e bukur të fëmijëve në vitet ’60 të shekullit të kaluar e këtej. Në analizën e pedagoges vlonjate kjo fushë zë vend të veçantë dhe autorja zbulon anë të veçanta e problemore të letërsisë artistike të kësaj moshe.

Rudina Alimerko mendon dhe pohon se Astrit Bishqemi i përket tipologjisë dhe formatit të krijuesve bazamentalë të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, duke e përligjur, vlerësuar e analizuar në librin e saj një pjesë të mirë të tregimeve, novelave, romaneve e përrallave në hapsirën e më shumë se pesë dekadave të fundit, duke e renditur autorin ndër krijuesit më në zë të kësaj fushe.

Por figura e plotë e Bishqemit për Alimerkon nuk mund që të shkëputet e nuk mund të jetë e plotë pa pasqyruar edhe kontributin e madh që ai ka dhënë dhe jep në studimin dhe historiografinë e kësaj letërsie të brezit të ri. Shumica e këtyre studimeve tani janë pjesë e lëndëve mësimore të studentëve në auditoret e universiteteve tona, në degët e mësuesisë, të ciklit të ulët e të fakultetit gjuhë-letërsi, duke theksuar faktin se ato kanë në thelb një mendim të fuqishëm shkencor. Kështu, ajo evidenton tekstet: Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë(1997), Letërsia botërore për fëmijë(1999), Historia e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj(që ka njohur disa botime), Vlera të anatemuara(gjurmime e studime), Autorë e tekste letrare, probleme e vlera(2007), leksikoni Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj(1986-2017), Bibliografi e kritikës letrare për fëmijëe të rinj (2017) etj., duke i konsideruar kontribut të madh e me shumë vlera në fushën e mendimit të përparuar intelektual e pedagogjik.

Studiuesja vlonjate ka mundur që të përmbledhë e të sjellë një pasqyrë të plotë në librin e saj monografik, si edhe një dorë vëzhgimesh e vështrimesh të shumë krijuesve e studiuesve të tjerë shqiptarë, por edhe të pedagogëve e studiuesve nga të gjitha trevat shqiptare, gjë që e bëjnë edhe më të plotë figurën dhe veprën e Astrit Bishqemit, duke i dhënë dritë e vendin e merituar autorit në këtë fushë.

Është për t’u vlerësuar puna plot pasion e sensi i saj i vëzhgimit si një studiuese e re, që premton në të ardhmen, se i ka shumë të zhvilluar syrin dhe nuhatjen për të hyrë e zbuluar vlera e risi, sidomos në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, lëndë që jep tashmë prej shumë vitesh kjo pedagoge në qytetin e Vlorës.

Sipas Rudinës, Astrit Bishqemi e ka ngritur konstelacionin e tij figurativ në qiellin e letërsisë për brezin e ri. Vepra të tilla studimore në përgjithësi na mungojnë dhe ia vlen që në qendrat e edukimit e të formimit kudo në universitet tona të nxiten e të inkurajohen studentë, të përgatiten që të militojnë në një të ardhme të shpejtë.

3.

Ku qëndron më thekshëm merita e Dr. Alimerkos, sipas nesh, në këtë monografi?

Ajo e ndërton tekstin e saj biobibliologjik në një formë kompozicionale të re, interesante e të vlershme.

Së pari, hedh dritë mbi jetën e protagonistit që merr në analizë, duke shfrytëzuar tre vektorë: VVikipedinë, intervistat e dhëna nga vetë Prof. #Bishqemi, si dhe njohjen personale e bisedat që ka bërë me këtë personalitet të kulturës sonë shqiptare.

Kreu II dhe III i monografisë i kushtohet veprës së krijuesit e studiuesit, na prezantohen gjithë botimet që ka bërë Bishqemi: librat artistikë e studimorë, tekstet mësimore të shkollës nëntëvjeçare e të lartë, në të cilat është autor ose bashkautor, si dhe një për një krijimet artistike dhe artikujt studimorë a publicistikë që ka botuar në rrjedhë të kohës në organe të ndryshme. Gjithashtu, evidentohen pothuajse shtershëm artikujt e studimet që kanë bërë të tjerët, pra hidhet dritë në faktin se si e ka vlerësuar dhe e ka përcjellë kritika letrare atë vepër. Për të realizuar gjithë këtë “inventarizim” (që përfshin 96 libra e tekste mësimore, 244 krjime artistike, 312 artikuj studimorë, 134 artikuj publicistikë dhe 190 shkrime recensinale e studimore të kritikës sonë letrare që ka përcjellë veprën e Bishqemit), është e kuptueshme dhe e arsyeshme informacioni e ndihma që mund të ketë marrë studiuesja nga vetë protagonisti.

Në kreun IV tani del në pah më mirë puna e studiueses Rudina Alimerko. Ajo bën një klasifikim të dy paneleve kryesore: atë krijuese dhe atë studiuese, si dhe në shkrime përgjithësuese për veprën e Bishqemit. Madje, krijimtarinë e mirfilltë artistike të tij e ndan në atë fantastiko-shkencore, në krijimtarinë tjetër letrare, si dhe në krijimet skenike etj. Në këto ndarje sistemon edhe artikujt e studimet e kritikës sonë letrare.

Dhe jo vetëm kaq. Studiuesja na e thotë edhe mendimin e saj personal, duke u ngritur mbi gjithë atë mori artikujsh, recensionesh e studimesh. Këtë e realizon me ndihmën e të ashtuquajturave parashtresa, që shoqërojnë si hyrje krerët e ndryshëm të monografisë. Kësisoj, fjala e studiueses zë peshë të rëndësishme në këtë botim, duke përfshirë rreth 12-13 artikuj analizues e vlerësues.

Monografia mbyllet me një shtojcë, ku na renditet kontributi i krijuesit e studiuesit Bishqemi ndër vite, si dhe fotot e disa syprinave të librave të tij. Së fundmi, shënojmë edhe faktin se në monografi studiuesja, për ta njohur lexuesin edhe më mirë me protagonistin, veç vlerësimeve të kritikës sonë, ka përfshirë edhe dy-tri intervista të dhëna nga vetë A. Bishqemi. Siç duket, këtë praktikë e ka përvetësuar nga monografi të tjera bashkëkohore simotra, bie fjala, ajo e Dr. #Labinot Berishës “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut”- Prishtinë 2018 e ndonjë tjetër.

Pa dyshim, biobibliografia monografike e Dr. Rudina Alimerkos “Astrit Bishqemi - krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj” (2019)është një vepër që lë gjurmë në këtë fushë dhe ia vlen që t’i shprehim autores së saj gjithë përgëzimet e vlerësimet tona.


91 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page