![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_d01ff1bac53244398814f183cf1e3d96~mv2.jpg/v1/fill/w_322,h_430,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_d01ff1bac53244398814f183cf1e3d96~mv2.jpg)
Moda dhe krijimtaria
Fatmir Terziu
Në një bisedë me shkrimtarë dhe artistë të rrinj në 15 maj 1988 shkrimtari Ernesto Roque Sabato deklaronte se „Moda udhëheq veshjet, jo krijimtarinë“. Ernesto Roque Sabato (1911-2011) ishte një shkrimtar dhe eseist argjentinas. Ai gjithashtu spikati si fizikan dhe piktor. Vepra e tij letrare u inkuadrua në tema rreth qenies njerëzore dhe ekzistencës së tij. Nga ana tjetër, ai gjithashtu iu përkushtua për një kohë kryerjes së kërkimeve në fushën e shkencës, deri në një vendim të tij të pakthyeshëm. Vendimi i tij për t'u larguar nga fizika për t'iu përkushtuar letrave e bëri atë një nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë. Sabato filloi të fitonte popullaritet në 1945 me veprën: „Një dhe universi“, një nga librat më të mirë të tij. Libri ishte me përmbajtje filozofike. Nga ai moment e tutje, suksesi ishte i shpejtë. I shpejtë sa kapja në thelbin e tij ishte ndonjëherë e pamundur. E pamundësia i mbeti kohës. Koha nisi ta trajtonte pikërisht sipas vetë arsyeve të kohës për kohërat.
Në thelbin e tij dhe të mendimit të tij ai shihte dakordësi me krijimtarinë në ligjësinë e kohës se e dinte që moda qëndron mbi marrëzinë. Dhe për këtë gjithnjë Arti qëndron mbi ligjin. Ndaj ndoshta shkonte më përtej hapësirës, kohës dhe vendit të kapte mendimin e Tjetrit. Mendimi ishte larg, por lexohej ndjeshëm dhe afër… Kishte mirëkuptim në atë që shkruhej. Kishte arsyetim në atë që thuhej. „Moda është e përkohshme. Arti është i përjetshëm. Në të vërtetë çfarë është në të vërtetë moda? Një modë është thjesht një formë e shëmtuar, kaq absolutisht e padurueshme, saqë duhet ta ndryshojmë atë çdo gjashtë muaj! Është mjaft e qartë, që nëse do të ishte e bukur dhe racionale, ne nuk do të ndryshonim asgjë që kombinonte këto dy cilësi të rralla. Dhe kudo që veshja ka qenë e tillë, ajo ka mbetur e pandryshuar në ligj dhe parim për shumë qindra vjet.“ Ky është një fragment që u botua në New York Tribune, 19 Prill 1885 dhe është marrë nga „Filozofia e Veshjes“, shkruar nga Oscar Wilde.
Por duke lexuar të dy emrat e mëdhenj, Sabato dhe Wilde, shohim dhe ndjejmë se si moda, ashtu edhe letërsia zënë një fetish për fantazinë brenda mendjeve të njerëzve dhe ato kryqëzohen për të informuar njëri-tjetrin në mënyra, që ne nuk ndalemi t’i mendojmë shpesh. Literatura i ka dhënë botës së modës disa nga ikonat e saj më të qëndrueshme, të tilla si Anna Karenina, Holly Golightly, Gigi, Jane Eyre, Orlando, Miss Havisham… këta ikonoklastë u krijuan së pari me një stilolaps, megjithatë ata vazhdojnë të katalizojnë frymëzimin për shumë dizajnerë, stilistë dhe lexues.
Më tutje, përtej këtyre dy emrave, duhet kujtuar se Virginia Woolf, ishte një shkrimtare dhe vetë një ikonë mode. Ajo krijoi ikona, dhe me të vërtetë u bë një ikonë. Woolf ishte shumë delikate dhe e ndjeshme për të mirën e saj. Ajo ishte e shënuar me melankoli kronike, por ajo kapi të gjithë personazhet e saj me një saktësi të brendshme. Këta janë personazhe që janë brendësuar, dhe në shumë raste kopjuar çiltër, nga shkrimtarë të panumërt pas kësaj. Në veprën e saj klasike të vitit 1925 „Zonja Dalloway“, Woolf shkruan: "Gjëra të kota siç duken, rrobat kanë, thonë ata, zyra më të rëndësishme, sesa thjesht ajo që ne i kemi krijuar për të na ngrohur".
Timo Merkuri
Një shkrim interesant i nevojshme per t'u lexuar nga gjithe krijuesit. Faleminderit Fatmir Terziu