„Mjeshtri i Mundjes Klasike“ shqiptare


Hasan Tafaj

Një ndalesë tek Hasan Tafaj, „Mjeshtri i Mundjes Klasike“ shqiptare


Prof Dr Fatmir Terziu


Mundja! Një nga vlerat më tradicionale, më të sinqerta, më burrërore, që i shkon përshtat një rrugëtimi të largët. Një rrugëtim i trashëguar brez pas brezi. Një udhëtim i pastër, i ndjeshëm, sa optimist, aq dhe festiv. Optimist se kërkon gjithnjë përkushtim dhe angazhim burrëror dhe festiv se gjithnjë në kohët moderne shkoi përshtat me dasmat, me gëzimet më të bukura që ndohnin në familjet e një zone mjaft të ndjeshme e të lidhur në shekuj me këtë sport. Duke rrjedhur nga një familje, ku mundja ishte sporti i babait, anagazhimi dhe përkushtimi i tij rinor në këtë sport, natyrshëm e ndjej më shumë se kushdo të them disa fjalë dhe për udhën, po aq dhe për disa që e ngritën lart këtë sport në vite. Im atë, Dail Terziu, një nga mundësit e kohës së tij rinore, natyrisht bëri emër tek brezi i tij, ngriti emocione tek mjaft dashamirës, por na edukoi dhe ne të katër djemtë e tij me një dashuri për sportin e bukur të mundjes, por dhe për ata që e ushtruan dhe e ngritën lart këtë sport. E të gjithë pjesëmarrësve në këtë sport natyrisht, si pjesëmarrës në sportin më të vjetër dhe më të praktikuar gjerësisht edhe në programin e Lojërave Olimpike Antike, mundësit në një zonë të traditës, sikurse ishte dhe mbetet Golloborda, morën nivele të mëdha vëmendjeje dhe lavdërimi, disipline dhe disiplinimi sportiv. Me shumicën dërrmuese të tifozëve që ka gjasa të kishin kaluar nëpër „shkollat tradicionale“ të mundjes vetë, ishte ekuivalenti antik i futbollit të ditëve moderne.

Kështu mund të flitet me madhështi edhe për Mjeshtrin e këtij sporti burrëror, një figurë e dashur e viteve tetëdhjetë në mundjen klasike, Hasan Tafaj. Ai natyrshëm ka ngritur jo pak herë lart emrin e sportit të lashtë të kësaj zone, por dhe emrin e Klubit sportiv „Labinoti“ të Elbasanit, ku ai u angazhua dhe dha maksimumin e mundshëm duke fituar tituj e kupa.


Thuhet që në lashtësi mundja ishte e lidhur natyrshëm me fuqinë, forcën e një burri përballë një tjetri, mundësitë dhe aftësitë e fitores në bazë të disa rregullave, e kështu të gjitha këto kanë qenë një disiplinë e fuqishme, që lartësuan dhe forcuan mjaft këtë emër, si mjaft të tjerë të shkëlqyer në këtë lloj sporti. I renditur mes më të mirëve, i vlerësuar dhe nga më të mirët, ot Hasan Tafaj është një figurë që na fal respekt, krenari, dashuri për atë që mund të bëj e të lërë njeriu për brezat, si simbiolika më e bukur dhe më e përkushtuar e dashurisë për jetën.

Mundja, që zhvillohej në sy të qindra të tjerëve, natyrisht kërkonte që nga dalja në skenë si sport burrëror, që një mundës të hidhte tjetrin në tokë tri herë. Në të kundërt, mundja mbaronte vetëm kur një njeri ishte aq i rraskapitur, rezistenca e mëtejshme ishte e pamundur. Humbja në këtë rast sinjalizohej nga ngritja e një dore me një ose dy gishta të zgjatur. Dhe këtë kurrë nuk e gjeti dashamirësi i sportit të mundjes tek Hasan Tafaj, që kurrë nuk e bëri një veprim të tillë, por gjithnjë e pa tek kundërshtari i tij i sportit, tek ai që gjithnjë shihte humbjen pos një ndeshjeje të mundjes me Hasan Tafajn.

Kështu ky sport ishte një shfaqje e vërtetë e karakterit, këmbënguljes, qëndrueshmërisë dhe optimizmit burrëror. Pavarësisht nga spikatja e fuqisë, teknika dhe dinakëria e mundësit mjeshtër, Hasan Tafaj, kanë luajtur gjithmonë një rol vendimtar në mundje.

295 views0 comments

Shkrimet e fundit