top of page

Mjek e drejtues i përkryer


Erion Thëngjilli - mjek e drejtues i përkryer

Në këto kohëra të çartura, ashtu si plot gjëra me vlerë, shumë fjalë të urta e kanë humbur kuptimin zanafillor ose janë zëvendësuar me të tjera, jo rrallë me të kundërtën e tyre. Kështu, vendin e proverbës: «Dardha nën dardhë bje», mjerisht e ka zënë : «Nga trëndafili del ferrë». Por në rastin konkret mund të thuhet me plot gojën që vërtet «Dardha nën dardhë bje». Fjala është për Erion Thëngjillin, mjek që ka bërë emër për nivelin e lartë profesional, për ndjekjen hap pas hapi dhe zbatimin në praktikë të të rejave të shkencës, por edhe për sjelljen e kulturuar, për fjalën e ngrohtë, e cila është kryeilaç në kurimin e pacientëve. Këta të fundit venë në dukje në mënyrë të veçantë vëmendjen me të cilën i dëgjon gjatë përshkrimit të hallit që kanë dhe efektshmërinë maksimale që kanë recetat e tij. Aftësitë e mjekut Erion Thëngjilli spikatin gjithanësisht edhe si drejtues e organizator, në menaxhimin me sukses të problemeve të panumurta e të ndërlikuara me të cilat përballet spitali i Pogradecit. «Pesha» e dorës dhe e mendjes së Erionit u ndje qysh në ditët e para të caktimit të tij si drejtor i kësaj qëndre të rëndësishme shëndetsore dhe fjala e urtë «Një fshat që duket s’do kallauz» e ka ruajtur të plotë vlerën zanafillore. Disiplina, gatishmëria e personelit mjekësor për t’iu përgjigjur me cilësi në kohë rekord të sëmurëve, pastërtia e pavioneve dhe e tërë mjediseve, janë vetëm disa tregues që shpjegojnë përse të gjithë banorët e Rrethit të Pogradecit, por edhe të huaj, që kanë kaluar pushimet verore apo që kanë ardhur për vizitë në qytet, shprehen me respekt plotësisht të merituar për mënyrën si janë pritur e trajtuar sa herë që kanë pasur ndonjë problem shëndeti. Por le t’i kthehemi sërish fjalës së urtë «Dardha nën dardhë bje». Erioni është biri i Qirjako Thëngjillit, një nga inxhinierët më të zot e më të talentuar të minierave, i cili, deri në fund të jetës u shqua për kontributin e madh dhe për shpirt sakrifice në gjeometrizimin e punimeve të nëntokës. I matur e fjalëpak, i dashur me shokët dhe kërkues ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetes, rrezatoi kurdoherë mirësi dhe fitoi zemrën e gjithkujt që e njohu në punë e në jetë. E pra, Erioni ka trashëguar dhe çon më tej virtytet e të atit. Ai nuk mjaftohet vetëm me kryerjen e përpiktë e me ndërgjegje të lartë të detyrës së ngarkuar në rrafsh shtetëror, por, si aktivist i dalluar shoqëror, është kurdoherë i gatshëm të ndihmojë cilindo që i drejtohet, jo vetëm për probleme shëndetsore, por të çdo natyre qoftë.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page