Llesh NDOJ: GJURMË NË KUJTESËN E KOMBIT (1)

Llesh NDOJ: GJURMË NË KUJTESËN E KOMBIT (1)
- Rreth librit të studjuesit Vlash Prendi: “Gjurmëve të Gjeçovit në Laç - Sebaste” -
At Shtjefën Gjeçov Kryeziu është njëra ndër figurat më të ndritura të kombit shqiptar, i shquar në radhë të parë për veprimtarinë e tij patriotike, arësye për të cilën edhe u vra nga serbët.
Ai u lind në Janievë, më 12 korrik 1873 dhe vdiq në Zimaj të Hasit, komuna Prizrenit, më 14/10/1929, i vrarë pabesisht nga regjimi serb i kohës. Në Janievë familja e tij kishte mbërritur pasi u shpërngul nga fshati Kryezi në rrethin e Pukës, por mendohet se origjina më e hershme e tyre ishte Oroshi i Mirditës. Në Kryezi, mjëra nga lagjet e tij mban emrin Orosh. Ai mendohet se i përket fisit të Gjeçit në Bulshar të Oroshit e, besoj se kjo është arësyeja së ai ka mbajtur dy mbiemra: Gjeçovi, në përkujtim të fisit të origjinës, dhe Kryeziu si patronim i fshatit nga ku familja u shpërngul në Janievë. Emri i tij i lindjes është Mëhill, i biri i Mat Gjeç Kryeziut dhe Maries, por në përkëdheli emri i mbeti emri Hilë.
At Shtjefën Gjeçovi ka shërbyer në shumë vende në viset shqiptare, mes të cilave edhe në Troshan, Rubik, Pejë, Shkodër, Vlorë, Bosnie, Zarë, Gjakovë, Laç të Kurbinit e në Gomsiqe (aty ku mblodhi e kodifikoi Kanunin e Maleve), për ta përmbyllur shërbimin e tij tokësorë në Zym të Hasit, më 14 tetor 1929. Zymi kurrë nuk e harroi kontributin e tij shumëplanësh dhe vazhdon ta nderoje atë. Aty Ai ka një shtatore të madhe, krahas Bogdanit, ka një pllakat përkujtimorë të abetares së parë, e vitit 1900, i ka të shenjuara kudo gjurmët e tij, aty ku ka banuar, ku ka ushtruar aktivitetin si klerik e si mësues. Edhe vendi i vrasjes së tij është një vend pelegrinazhi të përvitshëm të vendasve, ku së fundi, muranën e gurëve, si veprohet sipas traditës e ka zëvendësuar një gur memorial, shumë i bukur. Atje, në Karashëngjergj, tek kisha e Shënepremtes, ka edhe eshtrat, në një varr të posaçëm (kapelan) bashkë me ato të At Luigj Palaj. At Shtjefni, në Zym, vazhdon të ruhet ende në kujtesën e vendasve, e kjo kujtesë përsërit veten, duke sjellë çdo viti nga një risi, përmes veprimtarisë “Takimet e Gjeçovit”, themeluar në vitin 1971 nga Frrok Kristaj, ku këtë vit u zhvillua edicioni i 55-të jubilar. Të bën përshtypje se si në një fshat relativisht të vogël e pa burime ekonomike, gjenden kaq shumë gjëra që flasin për historinë tonë, si shtatorja e Skënderbeut (një shtatore krejt e veçantë), shtatoret e At Shtjefën Gjeçovit e Pjetër Bogdanit, pllakat përkujtimore e abetares shqipe të vitit 1900, pllakata kudo ku ka gjurmë historie shqiptare, e mblidhen rregullisht aq shumë njerëz për t’i nderuar e përkujtuar. Edhe studjuesi ynë kurbinas, Vlash Prendi, ka kontribuar për sa sipër, me botimin e tij dedikuar veprimtarisë së Shtjefën Gjeçovit në Laç-Sebaste të Kurbinit (1899-1905). Në Laç ai shërbeu në kishën e Shën Mëhillit. Rastësi ky përkim me emrin e origjinës, zgjedhje, apo?!
Kombi dhe ideja kombëtare asht mbajtë gjithnjë gjallë prej klerit katolik tue fillue nga Gjon Buzuku, siç tregojnë dokumentet, imzot Pjetër Budi, imzot Bogdani, imzot Kazazi etj, që në kohën e Turqisë dhe robnisë, kur shqiptarët filluan me e lanë besimin katolik - kristian e u banë myslimanë. “Klerikët katolikë, tue mbajtë gjuhën, kanë mbajtë kombin, kanë mbajtë edhe fenë…”, kështu asht’ shpreh At Zef Pllumi, në takimin që ka patur me Shën Terezen gjatë vizitës së saj në Shqipëri më 17 gusht 1992, e unë e them me bindje se kush hedh dritë rreth veprimatrisë atdhetare të klerit katolik shqiptar, ka lënë gjurmë të arta në kujtesën e kombit. Njëri ndër këta njerëz është, pa mëdyshje, edhe studjuesi kurbinas, i nderuari Vlash Prendi. Ai i është referuar disa herë prelatëve të fesë katolike në shkrimet e tij studimore, me vëmendje të posaçme sidomos për Papa Albanin, apo Clementin e XI-të shqiptar, e papët e tjerë po shqiptarë që kanë kryesuar Vatikanin në disa periudha kohore, duke lënë gjurmë me veprimtarinë e tyr,; ka shkruar për dom Shtjefën Kurtin, po ashtu, e së fundmi edhe pët At Shtjefën Gjeçovin. Kësaj figure të madhe të shqiptarisë i ka kushtuar vëmendje të posaçme edhe sepse ai e ka zhvilluar një pjesë qënësore të veprimtarisë së tij si klerik, arsimtar, krijues e atdhetar, në Laç – Sebaste, vendlindja e autorit. Në librin “Gjurmë në histori” (SHB “Hieronimus” Klinë, 2021), ai e ridimensionon për lexuesin e zakonshëm figurën e tij, duke e shpalosur atë në të gjitha dimensionet e saj. Mirëpo Vlashi nuk u ndal me kaq në studimet e tij për këtë figurën, por shkroi edhe një libër të plotë kushtuar veprimtarisë së tij në Laç - Sebaste të Kurbinit, të titulluar “Gjurmëve të Gjeçovit në Laç - Sebaste”. ( Botimet “Emal” Tiranë, 2023)
Më së shumti ne (lexuesit e zakonshëm) e kemi njohur Gjeçovin si autorin e Kanunit të Maleve apo siç njihet rëndom Kanunit të Lek Dukagjinit, kësaj Kushtetute shqiptare që rregulloi jetën e malësorëve atëherë kur s’kishte shtet shqiptarë, dhe përveç qarqeve të ngushta të studiuesve e biografëve të tij, pakkush e ka njoft atë edhe si mësues, si studjues, si mbledhës i gojëdhanave, përrallave, folklorit e mbi të tjerat, si krijues i mirëfilltë, dramaturg dhe poet. Ai, thekson autori, mund të quhet edhe themeluesi i dramës shqiptare dhe na sjell në studim disa nga dramat e tij, subjektet e të cilave i ka marrë nga treva e Kurbinit e aktiviteti i Tij atje, si “Dashuria e atdheut”, kushtuar Gjergj Kastriotit (Skënderbeu), “Kushtrimi ose Marka Kuli Kryeqitës” dhe “Tradhëti gjakësore, ose Vrasja e Marka Kulit” e plot të tjera.
Ja vlen të bëj këtu një parantezë lidhur me shprehjen e lartpërmendur “Kushtetuta shqiptare”, për Kanunin e Maleve, apo Kanunin e Lek Dukagjinit. Frrok Kristaj në një dokumentar kushtuar Gjeçovit, mes të tjerash thekson se dikur Mirdita ka funksionuar si “Republikë” (krahinë e mëvetësishme) dhe sqaron se ajo është njohur si e tillë nga 6 shtete. Kjo “Republikë” apo Krahinë, kishte synim që të kishte edhe Kushtetutën e saj, e për këtë kishte vendosur të mbante Kanunin e Lek Dukagjinit. Interesant ky konstatim i Frrok Kristaj, që të bën të mendosh se edhe përcaktimi kanunor se Dera e Gjomarkut është themeli i Kanusë, ka baza reale.
Tani le të vazhdojmë me At Shtjefnin e librin e Vlashit.
At Shtjefni vjen në këtë libër si një poet i mirëfilltë, ku autori shpalos disa prej poezive të tij të bukura, të tilla si Thana, Qyqes, Dashtnia e atdheut, Beja e Shqyptarit etj. Ndoshta disa nga poezitë e tij janë poezitë më të veçanta në shqip, për faktin se ato gjenden të shkruara në formën e dialogjeve, të cilat nuk i gjejmë në veprat e autorëve të tjerë. Është me shumë rëndësi cilësimi nga autori i këtij studimi, se motivi patriotik e atdhetar e përshkruan të gjithë veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit, qoftë si klerik, si mësues, si krijues e si studiues. Interesante janë të dhënat e paraqitura në libër mbi pasionin e Tij për arkeologjinë, gjë që e rreshton atë ndër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, ku autori sjell të dhëna e fakte të panjohura, por të gjithëpranuara.
Po sjell për ju pak vargje nga poezía e tij “Dashtnia e Atdheut”, që flasin për shpirtin atdhetar të kësaj figure shumëdimensionale.
Gjith sa jam – e gjith çka kam
Ti Shqypni m’i dhe ti
M’ty, o mam – unë jam m’kam,
E qysh n’vocri – m’rujte n’gji.
Tatë m’je – e mamë m’je
Ti m’ke n’gji – dashme Shqypni
M’ty kam le – n’prehe ti m’ke…
Nga studimi i kësaj vepre të mirërealizuar, mund të sjellim për auditorin disa risi të punës së autorit Vlash Prendi, si:
Autori sjell të plota e në gjuhën e shkruar prej At Shtjefnit, shumë materiale origjinale të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë. Materialet autentike, të plota e ashtu siç janë shkruar prej autorit të tyre, janë vlerë e shtuar e këtij studimi;
Vlash Prendi, duke konkluduar rreth materialeve të At Gjeçovit, nxjerr në pah në mënyrë të natyrshme e të argumentuar tiparet e veprimtarisë së tij të gjithanshme, duke evidentuar gjithnjë aspektin patriotik e atdhetar të saj, gjë që e plotëson më së miri njohjen e plotë të figurës shumëdimensionale të At Shtjefën Gjeçovit;
Materiali i autorit Vlash Prendi sjell në çdo rast edhe një fjalor shpjegues të termave të përdorur prej Gjeçovit, duke përbërë kështu një prurje të rëndësishme gjuhësore, në mos me vlera përdorimi, me vlera të rëndësishme studimore. Materialet origjinale të At Shtjefnit që i përkasin periudhës kur ai shërbeu në Kurbin, vitet 1899 - 1905, dallohen lehtësisht nga njëfarë ndarje e tyre, sa i takon të shkruarit në dy periudha: atë para vitit 1908 dhe atë pas vitit 1908 (kur i shkroi ose i rishkroi ato në periudhën që shërbente në Gjakovë), gjë që lidhet me alfabetin shqip të miratuar në Kongresin e Manastirit. Shkrimet e periudhës së parë përdorin një alfabet të ndryshëm nga ai i periudhës së dytë, me shkronja të përbëra, por gjithnjë pa shkronjat “ë”, “ç”, “q”, “gj” etj., gjë nuk konstatohet në shkrimet e mëvonshme prej tij ose sekretarit të tij. Mikrofjalori shpjegues i autorit Vlash Prendi, përveçse i bën të kuptueshme këto terma, është kontribut i rëndësishëm gjuhësor, ku dihet se dialekti geg thuajse mungon në gjuhën standarte shqipe.
Libri i autorit Vlash Prendi sjell një kronologji të plotë të aktivitetit të At Shtjefnit, qoftë si klerik, po ashtu edhe si krijues e studiues. Aty gjejmë të gjitha vendet ku ai ka shërbyer dhe të gjitha veprat e shkruara prej tij, shkruar në mënyrë kronologjike, gjë që na lejon të krijojmë një njohje më të plotë për personazhin e librit e aktivitetin e tij të shumëanshëm.
Mirëpo as kjo vepër nuk është fundi i punës së këtij studiuesi pë At Gjeçovin. Ai, me një përkushtim të pashoq e me një punë të palodhur studiuese nëpër arkiva, ai nxori edhe tri dramat e Gjeçovit, shkruar në origjinal, dhe i botoi ato, tashmë edhe me ndihmën bujare të prof. dr. Anton Nikë Berishës e qeverisë kosovare, duke kontribuar më tej në shpalosjen e aktivitetit të kësaj figure dritëdhënëse kombëtare.
Organizimi prej 55 vitesh i veprimtarisë “Takimet e Gjeçovit” me epiqendër vendlindjen e tij, Zymin e Hasit, komuna Prizrenit, sigurisht që është një aktivitet për t’u përshëndetur, për t’u përkrahur e për të kontribuar secili sa mundet, ndërsa organizatorët e tij për t’u falenderuar për nderin e madh që i bëjnë historisë sonë. Profesor Frrok Kristaj, si gjithnjë i palodhur në krye të kësaj pune, meriton respektin e çdo shqiptari. Edhe studjuesi ynë, profesori Vlash Prendi, gjithashtu meriton vëmendjen e lexuesve dhe të institucioneve për punën e bërë.
Zym i Hasit, 30 tetor 2026








Comments