top of page

Miti që të shpie tek majat Çela


Zija Çela

Miti që të shpie tek majat Çela

Dr Fatmir Terziu 


Në vend të hyrjes


Prej kohësh bota e krijimtarisë jeton edhe në fushën e letrave me mitin që gatoi teorikisht Roland Barthes. “Mitin e sotëm”, të cilin ai e shpjegoi si ‘një përputhje perfekte me etimologjinë’, duke theksuar se ‘miti është një lloj i të folurit’, tashmë ne e kuptojmë si një mundësi që na lejon të perceptojmë se pikërisht miti nuk është më një objekt, koncept, apo një ide, por është një lloj i kuptimit, një formë. (Barthes; 1989:109). Dhe ky lloj kuptimi për ‘mitin e sotëm’është një pasuri e plotë teorike që na bën të lexojmë romanin “Sos një buzëqeshje” të Zija Çelës, jo duke fluturuar, apo në fluturim, por duke e lexuar si një mit dhe shënuar pikërisht atë lidhje teorike që ushqen mitin me fuqinë e gjërave, jo thjesht të fjalës. E ndeshim këtë edhe në librin e tij “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, ku fuqishëm kuptohet se miti nuk është i përcaktuar nga objekti i mesazhit të tij, por nga mënyra në të cilën ai e zhvillon këtë mesazh. Dhe ashtu si teoria e Barthes edhe shkrimtari shqiptar, Çela, na jep të kuptojmë nëpërmjet veprave të tij se qyshkur miti është një lloj i shprehjes, ‘gjithçka mund të jetë mit, me kusht që të jetë përcjellë nga një ligjëratë” (Barthes; po aty). Këtu është ajo që dallon veprën e këtij shkrimtari. Këtu është ajo që vjen dhe shënon mitin.

‘Sos’ apo e papërsëritshmja...

Duke lexuar “Sos një buzëqeshje” shohim dhe pikëtakojmë pohimin e Rudi Bodinakut për martesën e dytë. Dasma është një dasëm. Po, dhe padiskutim. Por një dasëm e interpretuar nga Zija Çela, është jo thjesht një dasëm. Ajo është një dasëm ‘e dekoruar’ me fuqinë më të arrirë të humorit, lidhjeve dhe zgjidhjeve të detajit artistik, është një dasëm e adaptuar si një tip i domosdoshëm komunikimi, e ngarkuar me stil, revolta, imazhe, e thënë shkurt një lloj i përdorimit social që është stiluar si një çështje perfekte ‘e ditës së fundit të beqarisë’(Çela; fq. 5). Kjo dasëm mitike e dalë nga pena e Zija Çelës, duket e papërsëritshme në llojin e vet. Është një formë emergjence që vjen me tërë fuqinë shprehëse të gjuhës. Është një dasëm që sipas Gilbert Phelps, tek “Një guidë e shkurtër tek bota e romanit”, lexohet si një lidhje kuptimplote midis mitit dhe vetë romanit. Por, sipas babait të strukturalizmit, Claude Levi Strauss, ajo shikohet si ‘freski dhe origjinalitet’në koncept dhe mesazh.

Miti i letërsisë ‘pure’                                        

E gjithë kjo freski është miti i letërsisë ‘pure’ që të shpie tek majat letrare Çela. E gjithë kjo mëvetësi, veçanti dhe origjinalitet tipik konvergohet nga diskursi, që vjen përpos mitit pa limit të veprës që enkas zgjon vëmendjen bashkëkohore të analizës, kritikës, zbërthimit dhe derivimit për më tej. Kjo vepër kërkon studim të detajuar. Kërkon vendin në majën e saj. Si pjesë  e së tërës shkrimtari kundron mes gjithë nuancave të ngjyrimit emocional. Herë me gojën e tjetrit, herë me të shprehurën e vetë karakterit, herë me populloren e plakës dhe herë me filozofinë e plakut që nxjerr nga sepeti i gjuhës së tij atë ornament gjuhësor të kashtisur me të shkuarën e njolltë mes frazave të shqipes, “vabjun bin nefethi”, duke na soditur kështu një udhëtim imagjinar mes dhe nëpërmjet gjuhës në vend, kohë dhe hapësirë. Kështu modernja dhe përditësia bëhen një ndërthurje logjike për të udhëtuar në vite dhe për të stacionuar filozofinë e duhur si një aritje që kurë më parë s’është lexuar në letrat shqipe, madje edhe tentuar të jetë e tillë. Duke qëndruar në këtë pikë sërish është me vend të themi se jo vetëm emrat që gatuan pena e autorit, por edhe lidhjet mes tyre nuk janë thjesht për të thënë ‘autor i guxuar’, se ai ka qenë me kohë i tillë, por një shkrimtar i larguar shumë nga nivelet e tejvlerësuar të mëparshme, një penë që shihet në majën e saj të veçantë.

Përshkallëzimi figurativ dhe melodiciteti

Dhe këtu nuk është vetëm përshkallëzimi figurativ, që rimon por edhe vetë emrat janë në rimë të tillë vallëzuese nën ritëm e përcjellje melodike rreth formësimit ushtak të buzëve që përcjellin në mënyrë sublime emra si Jari Kaçinari, Kakari, Balbona, Ali Qimja, E bija e Licës, ura e Kalipiçit, Koli Rudha, Lica, Lisimak Kateshi, Bakusha, Çuçurusha, Tita, Haxhiduni, Helshani, Biffi (me dy f) dhe lulja Kukurek etj. Vetë këto lidhje përditësie dhe rrethuese të ambientit që në gjuhën e ‘plakut’ tipik të Çelës ndriçohen vetëm me ‘dritën e korentit’ janë ornamente që i jepen lexuesit për të lexuar, mësuar, mbajtur mend e përcjellë më tej si elementë tërësor dhe të kompletuar. Është  një përjetim domethënës që lidhet me ‘mitin si sistem semiologjikal’ e që në teorinë e Saussurekuotohet si një emërtim i tejnjohur për studiuesit; semiologji (Barthes, 1989:111). Por, duke patur parasysh këta dy filozofë bashkëkohorë, ku referimi është problem i kuptimit, vepra e Çelës bëhet akoma më e kuptueshme duke e lexuar dhe kuptuar atë mbi bazën e psikoanalizës, strukturalizmit, psikologjisë eidetike, disa llojeve të reja të kritikës letrare, për të cilat tërësia krijuese e Çelës na përcjell shembujt e parë të domosdoshëm të signifikimit. Dhe të kuotosh, apo përkufizosh signifikancën duke lexuar Zija Çelën, është të kesh burim tek semiologjia. Unë nuk dua të them se semiologjia mund të përllogarisë për të gjitha llojet e kërkimit në të lexuar në mënyrë të barabartë, por në romanin “Sos një buzëqeshje” të Zija Çelës, këto përllogaritje kanë llogari të ndryshme.

Vlerat dhe miti

Përllogaritje të tilla të shpien në mënyrë graduale nëpërmjet mitit tek zbulimi i vlerave. Janë vlera që vijnë nëpërmjet fjalisë tipike, përthyerjes së saj, elegancës në të lexuar, por edhe strukturimit dhe menusë që mbart. Mes kësaj fjalie dhe menuje të plotë lexohen fatet dhe kusuret e karaktereve, fiksohen vendimet dhe lidhjet mes tërësisë, kapërcehen probleme dhe paraqiten problematika. Kapitulli i shtatë karakterizohet tërësisht i tillë. Shtëpia e Rauf Vilës dhe tërësia që lidhet me të është një model që kuptohet, jo në aspektin gjeografik të konceptit, as edhe me ndërhyrjen fine të dy emrave Harley Davidson, apo Harry Potter, por me antagonizmin tipik që vjen si filozofi më vete kur lexon me temp të ndjeshëm gjithë këtë brengnajë njerëzore. Kjo brengnajë njerëzore vjen si një marëdhënie që unifikon konceptin e mitit me kuptimin e tij esencial në ‘marrëdhëniet me deformimin’ (Barthes; 122). Këtu gjendet përsëri një analogji formale e komplekse e sistemit semiologjik, siç ndeshet edhe ai i psikoanalizës. Ashtu siç manifeston Frojdinë teorinë e tij, këtu vjen qartë se kuptimi i sjelljes është deformuar nga koncepti. Natyrisht, ky shtrembërim është i mundur vetëm për shkak të formës së mitit që shkrimtari Zija Çela e ka tashmë të përbërë semiologjikisht dhe filozofikisht të gërshetuar me një kuptim gjuhësor domethënës.

Duke përfunduar

Është ky gërshetim final, i pagjetur në letrat shqipe. Është miti që gatuan Çela. Këtu është e veçantadhe e pakapshmjae këtij shkrimtari me vlera botërore, këtu duhet parë lidhja e tij me letrat dhe majat e tyre në letërsinë bashkëkohore. Nëse kjo veçori kuptohet qartë, po aq edhe klasifikohet, natyrshëm emrat përreth Zija Çelës, kanë gjeografi tjetër, kanë vend dhe kënd tjetër. Jemi në këtë stad. Jemi në majën e autorit shqiptar që ka lënë në duart e lexuesit vepra të tilla si “Gjaku im i errët”, “Oborri i një tirani të fshehtë”, “Las Varrezas” etj., dhe natyrshëm e ndjejmë lartësinë e tij.


29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page