Bujar Qesja: Historia e rrallë e Lutfi Shehut dhe ruses Lilia Pavllovna
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 11 min read

Dashuria që historia nuk e lejoi të jetonte
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Kur historia ndau atë që zemra bashkoi
Ka histori që nuk kërkojnë të shkruhen, por kërkojnë të rrëfehen me shpirt. Histori që nuk të lënë rehat, që kthehen si kujtime të vonshme, si zëra që vijnë nga larg dhe të thonë, mos më harro. Drama e Lutfi Njazi Shehut dhe ruses Lilia Pavllovna, është nga ato rrëfime, që nuk i përkasin vetëm dy individëve, por një epoke të tërë, një kohe të egër, ku njeriu i vogël, u gjend i shtypur mes ingranazheve të mëdha të historisë.
Jo thjeshtë histori dashurie e parealizuar. Është historia, e një jete të jetuar me ndershmëri, e një dashurie të sakrifikuar pa u mohuar, e një fati që u nda në dy rrjedha paralele, por që kurrë nuk u shkëput nga burimi i përbashkët. Është dramë njerëzore e pastër, ku nuk ka tradhti, por vetëm humbje të diktuara. Nuk ka fajtorë konkretë, por një goditje e pamëshirshme që urdhëroi ndarjen.
Ky rrëfim nuk është sentimental. Është i vërtetë. Është i ashpër. Është rrëfim për një brez të tërë, që u nda nga kufij ideologjikë, për gra që mbetën të huaja pa faj dhe për burra që mbijetuan, duke mbajtur në heshtje plagët e tyre. Është histori për atë krim të madh të shekullit 20-të. Prishjen e marrëdhënieve, jo si akte diplomatike, por si thikë e futur në mishin e dashurive njerëzore.
Në këtë ngjarje, tre qytete nuk janë thjeshtë pika në hartë. Leskoviku, Riga dhe Durrësi. Secili prej tyre, simbolizon një dimension të ndryshëm shpirtëror. Leskoviku rrënjët dhe plagët e kaluarës. Riga ëndrra, rinia dhe ndjenja që sfidojnë kohën. Durrësi provat e jetës, përgjegjësia dhe detyrat që shpesh thyejnë zemrat. Përmes këtyre vendeve, rrjedh historia e dy njerëzve që u dashuruan, u ndanë dhe mbijetuan duke ruajtur nderin dhe dinjitetin.
Janë dukuri, që ecin paralel me fatin e kombeve, me përplasjet e ideologjive, me cënimet e dhunshme të kufijve dhe me lotët e pashlyer të njerëzve të zakonshëm. Ajo çka ndodhi ndërmjet shqiptarit Lutfi Njazi Shehut dhe ruses Lilia Pavllovna, është ajo dramë njerëzore, e gdhendur në gurin e shekullit të 20-të, aty ku individi shpesh u bë peng i historisë, e dashuria viktimë e saj.
Në këtë ndodhi të pazakontë, nuk ka heronj të përkryer dhe as fajtorë të vetëm. Ka njerëz që u deshën, që u ndanë pa dashur, që mbijetuan, që ndërtuan jetë të tjera, por që kurrë nuk e zbehën kujtimin e asaj, që mund të kishte qenë. Lutfi dhe Lilia janë dy emra, që koha i ndau, por që memoria i ribashkoi.
Leskoviku rrënjët që nuk shkulen
Leskoviku ishte një trevë e vogël, por me histori të madhe dhe të dhimbshme. Ishte vend ku kujtesa kolektive, mbahej gjallë përmes rrëfimeve të pleqve, përmes plagëve të trashëguara dhe përmes emrave që nuk harroheshin. Pikërisht aty, më 7 mars 1937, lindi Lutfi Njazi Shehu.
Një fëmijëri e ngacmuar nga rrëfimet për masakrat e viteve 1913–1914, për shpërnguljet gjatë luftërave italo-greke dhe Luftës së Dytë Botërore. Familja Shehu u detyrua të shpërngulet disa herë, duke mbajtur me vete vetëm nderin dhe kujtesën. Kjo e bëri Lutfiun të rritej herët, të kuptonte se jeta nuk dhuron asgjë falas.
Familja Shehu, nuk ishte familje e zakonshme. Mbante mbi vete peshën e traditës dhe të shpirtit të Leskovikut. Gjyshi i tij, Lutfi Abdulhadi Shehu, i formuar në Janinë dhe Stamboll, ishte baba i Teqesë së Leskovikut. Ky Baba mbeti figurë shpirtërore, udhërrëfyese dhe qytetare. Arrestimi nga andartët grekë, burgosja në Janinë dhe djegia e Teqesë më 25 shkurt 1914, nuk ishin vetëm akte dhune, por përpjekje për të shkatërruar identitetin. Por identiteti i vërtetë nuk digjet.
Babai, Njazi Shehu, ishte veprimtar i çështjes kombëtare. Pjesëmarrës në ngjarje vendimtare të historisë shqiptare, kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Durrës më 15 qershor 1914, në krah të kolonel Tomsonit. I angazhuar edhe në jetën politike dhe teknike të vendit si telegrafist dhe teknik linjash. Gjithashtu delegat i Leskovikut në Kongresin e Durrësit, së bashku me Vangjel Tashon. Familje që historia nuk e kaloi anash.
Si një detyrim ndaj vendlindjes, njerëzve të mirë dhe të mënçur të saj, Lutfi Shehu botoi librin prej 400 faqesh “Historiku i krahinës dhe qytetit të Leskovikut. Gjeneza e familjes halvetiane bektashiane Lutfi Abdulahdi Shehut e pasardhësve”, Kujtime dhe mbresa.
Shkolla “Skëndërbej” formimi i një karakteri
Në moshën 12-të vjeçare, Lutfiu la Leskovikun për të frekuentuar shkollën ushtarake “Skënderbej”. Ishte një ndarje e hershme, por e domosdoshme, që do ta formësonte përjetë. Aty, përveç disiplinës ushtarake, zbuloi tjetër botë, artin. Mësoi kitarën dhe drejtoi korin, orkestrën, baletin, shpirtin e lirë brenda uniformës së rreptë. Tregoi, se njeriu mund të jetë njëkohësisht ushtar dhe artist.
Shkolla “Skënderbej”, ishte një botë e ashpër dhe njëkohësisht formuese. Disiplina e hekurt, por aty mësohej përgjegjësia, sakrifica dhe ndjenja e detyrës. Mes kësaj bote ushtarake, Lutfiu ruajti një shpirt të ndjeshëm. Shumë miqësor dhe shoqëror. Ushtarak, artistik, mik i të gjithëve.
Pas Shkollës së Bashkuar të Oficerëve dhe Fakultetit të Artilerisë Tokësore, shërbeu në artilerinë bregdetare në Durrës. Deti, qyteti, uniforma. Gjithçka dukej e paracaktuar, për një karrierë të gjatë ushtarake. Por fati kishte përgatitur kthesë tjetër.
Riga dimri që solli pranverën
Në qershor 1956, Lutfiu u dërgua për studime të larta, në Akademinë Ushtarake “Flamuri i Kuq” në Riga të Letonisë, atëhere pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ishte largim nga Atdheu, por edhe hapje ndaj botës. Riga është qytet i ftohtë, me rrugë të gjata, ndërtesa të heshtura dhe dimër të ashpër. Qytet i ftohtë në klimë, por jo në ndjenja.
Aty njohu vajzën moskovite Lilian. Lilia Pavllovna, një gjimnaziste ruse, e re, e bukur, e ndjeshme, me një histori personale të shënuar nga lufta. Takimi i tyre ishte i natyrshëm, i paplanifikuar. Dashuria lindi si dritë në një botë të ngrirë.
I ati, Pavel, i vrarë nga gjermanët. Vëllai Aleksandër, pilot në Sahalin. Nëna Ana Ivanovna dhe motra Nilla, shtylla të familjes. Gjermanët e kishin internuar familjen e saj nga Podolski i Moskës në Laipcig . Dhe pas rënies së nazizmit, qeveria e atëhershme e Bashkimit Sovjetik, i sisemoi në Riga të Letonisë.
U dashuruan pa menduar pasojat. Ishte dashuri rinore, e pastër, e guximshme. Dashuri që besonte, se politika nuk mund ta shkatërronte jetën private. Dashuria e tyre lindi natyrshëm, me lulekuqe në buzë. Lindja e Edmondit, më 18 mars 1959, ishte kulmi i kësaj lumturie. Një fëmijë që bashkoi dy botë, dy kultura, dy histori, që do të bëhej më vonë simbol i lidhjes dhe i ndarjes njëkohësisht.
Kthimi në Shqipëri dhe ndarja e madhe
Në vitin 1960-të, Lutfiu u kthye në Shqipëri dhe u emërua komandant baterie në Kepin e Rodonit, nën komandën e Xhafer Matukës. Falë ndërhyrjes së Sokrat Plakës, Lilia dhe Edmondi arritën të vinin në Durrës. Familja e re jetoi për një kohë të shkurtër, një lumturi të thjeshtë njerëzore. U strehuan pranë familjes së njohur të Petraq Titanit, duke krijuar miqësi që do të mbetesh përjetë. Sokoli, Irma, Dodona dhe nëna e tyre Vita, u bënë strehë për familjen e re shqiptare sovjetike.

Por fati nuk ndalet. Lilia sëmuret papritur. Vizitë urgjentë mjeksore, tek gjinekologu i famshëm për kohën Ilir Gjylbegu. Doktori u shqetësua për shendetin e gruas së re dhe i sygjeroi që mjekimi të bëhej në Bashkimin Sovjetik, pasi Shqipëria nuk i kishte kushtet.
Pavllovna niset urgjent në Riga dhe aty mjekohet, duke i shpëtuar një problematike jetësore. Dhe më pas drejt Moskës, për të marrë rrugëkalimin për në Shqipëri. Lutfiu i priste me padurim. E kishte marrë malli. Por e liga ishte krijuar dhe tingëlloi fatale për çiftin Shehu.
Lilia grua e re, nënë e një fëmije dyvjeçar, e lodhur nga sëmundja, por me shpresën se do të kthehej në familjen e saj në Durrës. Konsulli shqiptar në Moskë, me shumë takt dhe humanizëm të rrallë, i tha ruses se “rikthimi në Shqipëri është aventurë e rrezikshme. Të dy shtetet janë duke ndërprerë marrdhëniet diplomatike. Merru këtu me rritjen e djalit dhe profesionin. Shqiptari atje, të jetë më i lirë të vendosë për të ardhmen e tij”. Ishte ndoshta hera e vetme, kur shteti u ndal një hap para se të shkatërronte gjithçka.
Telefonata e ndarjes mes ngashërimash, ishte akti më tragjik i kësaj drame. Telegrafisti durrsak Petrit Dedja, ishte dëshmitar se çfarë po ndodhte. Telefonata mes tyre ishte nga ato momente, që njeriu i mban mend gjithë jetën. Lot, heshtje, fjalë të pakta, por të rënda si gurë. Ata u ndanë jo sepse u shuan ndjenjat, por sepse u detyruan të mbijetojnë. Ishte një ndarje pa urrejtje, pa mallkime, vetëm me dhimbje.
Ndarjet më të dhimbshme nuk bëjnë zhurmë. Ajo që ngjau ndërmjet Lutfiut dhe Lilias nuk ndodhi në një shesh, as në një stacion treni, por në një zyrë konsullore në Moskë, aty ku politika vishet me fytyrë njerëzore vetëm për një çast.
Kur shteti hyri në shtëpi dhe dashuria mbeti jashtë
Dashuria e Lutfiut dhe Lilias, nuk u përplas menjëherë me urrejtjen. Fillimisht me diçka më të ftohtë, më tinëzare, më shkatërrimtare. Nuk ishte një urdhër i shkruar, as një ndalim i drejtpërdrejtë. Ishte një atmosferë. Një frymë e rëndë që hynte në shtëpi pa trokitur, që ulej në tryezë pa u ftuar, që dëgjonte pa u dukur.
Në Shqipërinë e atyre viteve, familja nuk ishte më vetëm e tillë. Ishte dosje, ishte pyetje, ishte origjinë. Gruaja sovjetike, nuk shihej si grua e re që kishte lënë gjithçka për dashuri, por si rrezik potencial, si hije e një bote që tashmë po shpallej armike. Dhe burri shqiptar, sado korrekt, sado i ndershëm, sado i përkushtuar, mbetej gjithmonë nën provë.
Lutfiu e ndjeu këtë ngadalë, si një çarje që fillon si vijë e hollë dhe pastaj thellohet. Fillimisht në punë. Pastaj në heshtjet e shokëve. Më pas në mënyrën si përmendej emri i Lilias, gjithmonë me një pauzë të vogël para dhe pas. Vakumi që krijohej, ishte forma më e rafinuar e përjashtimit.
Në shtëpi, Lilia e ndiente dramën ndryshe. Jo me dokumente, por me vetmi. Me mungesën e shoqeve. Me vështrimet që rrëshqisnin. Me faktin se gjuha e saj, dikur urë dashurie, po kthehej në mur. Ishte grua, nënë, bashkëshorte, por mbi të gjitha ishte e huaj, në një vend që kishte dashur ta quante shtëpi.
Këtu fillon drama e vërtetë. Jo ndarja fizike, por çarja emocionale. Dashuria nuk u shua, por u lodh. U detyrua të mbajë peshë që nuk i takonte. Të justifikojë gjëra që nuk i kishte bërë. Të paguajë fatura politike, për të cilat nuk kishte firmosur.
Dhe shteti, pa hyrë zyrtarisht në shtëpi, kishte hyrë tashmë në prishjen e një lidhje hyjnore.
Jetë të ndryshme, mall i përbashkët
Lilia ndërtoi jetën e saj në Letoni. U martua me inxhinjerin Anatoli Mihajlloviçin. Kushtet e Lilias ishin befasuese. I vendosi dy kërkesa Anatolit: të mos ndryshonte mbiemrin Shehu dhe të mos kishin fëmijë, gjë që u pranua nga inxhinjeri.
Edmond Shehu u rrit, u formua si inxhinier, krijoi familjen e tij, u bë baba dhe më pas gjysh. Vajza e tij, Liliana, bashkshorti Aleksej dhe mbesa Anxhelika, jetojnë në Amsterdam, një qytet tjetër europian, larg nga dramat e Luftës së Ftohtë.
Lutfiu, më 15 maj 1962, u martua me Helena Miljan, një grua e urtë dhe fisnike, që e kuptoi të shkuarën dhe nuk e mohoi atë. Shehu ndërtoi jetën pa u përkulur. Me Helena Miljan, krijoi një familje të fortë. Tre djemtë e tij të hijshëm si hëna e plotë Adriani, Florenci dhe Ervisi u rritën në Durrës, duke ndërtuar jetët e tyre me punë dhe ndershmëri.
Humbja e Helenës në vitin 2021, ishte tjetër plagë e thellë për Lutfiun. Pas një jete të jetuar me përkushtim dhe fisnikëri, krijoi boshllëk të madh për familjen. Edhe bashkëshorti i Lilias u nda nga jeta. Koha, me drejtësinë e saj të ftohtë, i barazoi fatet.
Askush nuk kishte tradhtuar
Kur në vitin 1991 Lutfiu shkoi në Riga, gjithçka ishte ndryshe. Nuk kishte më frikë, as survejim, as heshtje të detyruar. Takimi me Lilian ishte i mbushur me emocione të përmbajtura, me shikime që flisnin më shumë se fjalët. Nuk ishte takim i dy të dashuruarve, që kërkonin të kthenin kohën pas, por i dy njerëzve që donin të siguroheshin, se ajo që kishin jetuar kishte qenë e vërtetë.
Rikthimet nuk janë kurrë triumfale. Ato janë të qeta, të përmbajtura, pothuajse të druajtura. Lutfiu u rikthye në Riga, jo për të kërkuar atë që kishte humbur, por për t’u përballur me atë që kishte mbetur brenda tij. Ishte një udhëtim i vonë, por i domosdoshëm. Një udhëtim jo drejt një gruaje, por drejt një kapitulli të pambyllur.
Riga nuk ishte më qyteti i dimrave të rinisë. Ishte i ndryshuar, ashtu si edhe ata vetë. Takimi me Lilian pati heshtje të gjata, shikime që ndaleshin në detaje të vogla, zëra të ulët. Ata flisnin për jetën, për fëmijët, për vitet që kishin kaluar pa njëri tjetrin.
Askush nuk kishte tradhtuar. Askush nuk kishte fituar mbi tjetrin. Të dy kishin mbijetuar. Me ngarkesë shpirtërore, ishte takimi me djalin Edmondin. Ishin ndarë kur Mondi, sapo kishte shkelur në dy vite jetë. Dhe tani pas 31 vitesh. Oh kraharor si nuk u çave! Si mbete o zemër pa luajtur vendit!
Kur Lilia erdhi në Durrës dhe më pas në Leskovik në vitet 1993, gjithçka kishte një tjetër ngarkesë. Nuk erdhi si e huaj, por si pjesë e një historie të lënë pezull. Takimi me miqtë e vjetër, me familjen Titani, me rrugët e qytetit dhe me rrënjët e Lutfiut në Leskovik, ishte një udhëtim pajtimi. Pa vendin që i kishte marrë dashurinë, por edhe vendin që e kishte respektuar. Në një shekull të dhunshëm, ata mbijetuan duke mos urryer. Dhe kjo është fitorja më e madhe.
Lidhja e Lutfi Shehut dhe Lilia Pavllovna, është dëshmi se dashuria e vërtetë nuk mbytet, por ndryshon formë. Bëhet kujtim, respekt, urë mes brezave. Është histori për roman, por mbi të gjitha është histori për njeriun. Dhe shkrimtari i njohur Shpendi Topollaj, mbi këtë temë, botoi romanin “Lotët e Zambakut”.
Kur koha flet dhe dashuria nuk hesht
Prishja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, u shoqërua edhe me plagë shpirtërore. Ishte tërmet i heshtur njerëzor, që rrëzoi ura, ndau familje, shkatërroi dashuri dhe coptoi zemra. Në vitet e Enver Hoxhës, shumë gra sovjetike të martuara me burra shqiptarë u gjendën të braktisura, të shpallura të huaja, të dyshimta, të dënuara nga historia pa pasur asnjë faj personal. Shumë burra shqiptarë mbetën me jetën e thyer në dysh, të detyruar të zgjedhin mes ndjenjës dhe mbijetesës.
Historia e Lutfi Njazi Shehut dhe Lilias Pavllovna, është nga ato raste të rralla ku tragjedia u ndal një hap para humnerës së plotë. Ajo e dinte çfarë do të thoshte humbja e dhunshme, ndarja e detyruar, jetesa me kujtimin. Ndoshta për këtë arsye, e përballoi ndarjen me Lutfiun me një dinjitet të rrallë, pa mallkime, pa urrejtje, duke zgjedhur të jetojë dhe të rrisë djalin me ndershmëri.
Familjet e tyre komunikojnë, respektohen, flasin për njëra tjetrën pa hije. Edhe Helena, sa ishte gjallë, e kishte pranuar këtë histori jo si kërcënim, por si pjesë të së vërtetës njerëzore. Vitet kaluan siç kalojnë zakonisht vitet e mëdha, pa zhurmë, por me pasoja. Familje të tjera u krijuan. Fëmijë të tjerë erdhën në jetë. Gëzime të tjera u ndanë. Por e kaluara mbeti po aty, e pa cënuar.
Lutfiu është gjysh. Ka nipër e mbesa, që mbajnë në vete pa e ditur, historinë e një dashurie që i parapriu atyre. I sheh dhe ndien atë ndjesinë e dyfishtë, që vetëm njerëzit e jetuar e njohin. Gëzimin për vazhdimësinë dhe mallin, për atë që nuk u realizua kurrë plotësisht. Fëmijët e tij janë dëshmia, se jeta ecën përpara dhe nuk korrigjon gjithmonë padrejtësitë e historisë.
Lilia, nga ana e saj, mbetet grua e një epoke të thyer. Dashuria me Lutfiun ishte për të jo thjesht ndjenjë, por ringritje, një besim se historia mund të shërohej përmes njeriut. Kur ajo dashuri u copëtua nga politika, plagët e vjetra u hapën sërish jo me britmë, por me heshtje të thellë.
Kjo është forca e vërtetë e kësaj historie. Nuk ka urrejtje, por plagosje. Nuk ka fitimtarë, por vetëm njerëz që mbijetuan. Dashuria e Lutfiut dhe Lilias nuk u shndërrua në bashkëjetesë, por u kthye në respekt, kujtim dhe qendresë. Ndërtuan jetë të tjera, por nuk shkelën mbi të kaluarën. Kjo është forma më e lartë e ndershmërisë njerëzore.
Kur vitet kanë kaluar, kur familjet janë rritur, kur nipërit dhe mbesat jetojnë në një botë tjetër, kjo histori mbetet dëshmi, se njeriu mund të dalë i pastër edhe nga tragjeditë më të mëdha. Ajo që mbetet nuk është dhimbja, por mënyra se si e përballuam atë. Dhe Lutfi Shehu e Lilia Pavllovna e përballuan jetën pa u gjunjëzuar, pa e tradhtuar as dashurinë, as veten.









Comments