top of page

MIRENJOHJE DR. ALI MIHALIT


Dr Ali Mihali

MIZA NË TRU

MIRENJOHJE DR. ALI MIHALIT

 NGA TREGIMET E LUAN ÇIPIT PËR MJEKËT E VLORËS

Ndodhinë e mëposhtme e kam dëgjuar para 50 vjetësh, nga shoku im i rinisë, që nuk rron më, Refit Hoxha, një burrë serioz, 5 vjeç më i madh nga unë dhe gjithnjë mësuesi im, njeri me gjuhë të ëmbël dhe me kulturë, që dallohej nga një kujtesë e pazakontë.

“Kam pasur mik dhe mjek familjar në qytetin e Vlorës, të famshmin doktor Ali Mihali”.  Kështu  nisi të rrëfente Refiti, në një mbrëmje, të mbledhur për të pirë raki, në verandën e Hotelit Turistik të Skelës, “Dom Marku” buzë detit Adriatik, kur dielli sa kish perënduar, duke na lënë të kënaqur, në imazhin e një bukurie të rrallë.

I shkëputur pak nga rrëfenja dua të shtoj se për doktor Ali Mihalin, mjaftë popullor, të aftë e të sjellshëm, tregojnë ndodhi çudibërëse. Ai ishte modeli i mjekut të vërtetë human, që, si rrallë tjetërkush, shpesh vizitonte dhe pa para, madje “gratis” shënonte edhe te receta, porosi për farmacistin e lidhur me të. “E njoh këtë pacient të varfër e të mirë,  që s’ka të më paguaj, se s’ka as të ushqejë me bukë familjen e tij të  madhe, me fëmijë të pa rritur. Kam se ku i marr parat, për ato që  po i lë atij”, thoshte shpesh.

Tani, të kthehemi te rrëfenja: Doktor Aliu më ka treguar vet një rast interesant, na rrëfeu Refit Hoxha:

Në fshatin Kaninë jetonte, Sulo Agai, në mes të pasurive të shumta me  mijëra ullinj, 50 hektar tokë buke e  disa tufa me bagëti të imta.  Ai gëzonte shëndet të mirë, ishte ende në moshë të re  dhe bënte një jetë aktive, lëvizte gjithë ditën majë kalit, për të administruar pronat dhe për t’i dhënë udhëzime e këshilla qehajait dhe argatëve tij të shumtë. Kishte shoqëri të mirë në shokët e sërës së vet dhe dilte shpesh për gjahun e thëllëzave, lepujve e derrave, sipas zezonit përkatës. Në mbrëmjet me tre shokë të tij të afërt nga paria e vendit, ulej e luante kumar, sipas qejfit, pa e tepruar, apo kthente ndonjë gotë raki me meze të zgjedhur. Ishte gaztor, qejfli, shakaxhi dhe këndonte bukur labçe. Ishte hovarda dhe qeraste e paguante, deri jashtë radhe.

Sulon e njihja nga afër personalisht, shpjegon dr. Aliu, se kishte shume fëmijë dhe më merrte   hera herës në shtëpi me makinën e tij, për t’i vizituar dhe mjekuar ata. Paguante mirë dhe gjithnjë më shumë nga sa i kërkoja. E shikoja se interesohej për çdo gjë, jashtë mundësisë së tij konceptuese, deri në hollësi dhe ngulte këmbë edhe për gjërat e vogla e të pa rëndësishme, duke paraqitur ndonjëherë sintomat e një maniaku debil.

Sidoqoftë, deri ne moshën 50 vjeçare mbahej mirë me shëndet, pa pasur nevojë mjekimi për asgjë. Po, pikërisht, ditën e festimit në shoqëri të 50 vjetorit, u sos  dhe rregullshmëria e Sulo Agait. E sjellin te unë në klinikë për vizitë katër nga shokët e tij të ngushtë. Ata shumë të shqetësuar dhe Suloja, si i dal mendsh, që bërtiste pa pushuar dhe përsëriste urdhrin: “Hiqmani mizën nga trutë, hiqmani shpejt mizën”

E diagnostikova shpejt dhe e mora vesh fatkeqësinë që i kishte rënë në pjesë, këtij burri aq të mirë.

Mblodha veten dhe e qetësova: Ke shumë të drejtë, një mizë e madhe, si mizë kali të ka hyrë në tru. Mos u mërzit se je me fat. Kam një shok në Bari të Italisë, doktor, kirurg me famë, që ta heq fare lehte dhe pa narkozë.  Ai, ka pasur disa raste të tjera si kjo, me “mizë në tru”.

Duket se vendimi im i shpejt e befasoj dhe diç bëri efekt. Këtej e pas, Sulo Agai, nuk përsëriti më britmën refren “Hiqmani mizën nga trutë”, po u ul  e më pyeti:

-Po mirë o doktor, po nga u fut kjo palo mizë në trurin tim?

Ç’ti thosha? Po, Zoti më ndihmoi dhe iu përgjigja shpejt, duke e paraqitur veten, kinse, si fare të qetë:

-Nga veshi, o Sulo vëllai, nga do të hynte tjetër!?

Sulo Agai, atë ditë fatkeqe, u kthye më i qetë në shtëpi dhe vetëm pas ca kohe u kujtua prapë për mizën, që i dukej se po fillonte “t’i lëvizte sërish ngadalë krahët”.

Unë, ndërkohë isha lidhur në telefon me shokun tim kirurg ne Bari të Italisë, duke i shpjeguar se  pacienti në fjalë është  pasanik Shqipërie, po si shumë të tjerë këtu, italishten e di mirë, megjithëse është pa shkollë dhe pa njohuritë minimale mjekësore.

U nis me anije Sulo Agai, se në “Kohën e Zogut”, kalimi i kufirit italian ishte pa formalitete dhe të nesërmen u gjend i befasuar, para një salle kirurgjikale gjigante, me shtratin dhe pajisjet  të përgatitura dhe midis një numri të madh personeli veshur allasoj.

Dr. Karlua, miku im kirurg, me bisturi në dore i tha Sulo Agait, duke i folur  italisht në emër dhe  me ngrohtësi: Ai që të ka dërguar te unë është miku im më i mirë dhe diagnoza e dërguar është perfektë. Me mjetet që kemi, operacioni ynë, do jetë si një pickim blete.

Ndërkohë aparaturat e lidhura në trupin e Sulo Agait filluan të punonin dhe të zhurmonin, të parapërgatitura për më shumë zhurmë se zakonisht. (Kjo ishte edhe si psiko-anestezi).

Një prerje e hollë bisturie në ballë dhe urdhri i kryekirurgut: “I zgjidhni sytë”.

Sulua, si i zgjuar nga hipnoza, zgurdulloi sytë dhe e pa me kënaqësi dhe i çliruar plotësisht, direkt para shtratit të tij dr. Karlon, që në dorën e djathtë kishte bisturinë e përgjakur dhe me dy gishtat e dorës së majtë, mbante të kapur një mizë bajagi të madhe, edhe ajo e përgjakur, që  ishte e gjallë dhe që rrihte pa pushim krahët e kuq.

Sulo Agai edhe hovardar nga natyra, e pagoi me të tepërt në monedha ari, doktorin e famshëm dhe, pasi mori garancinë e plot të tij, u kthye me gjithë shpurën që e shoqëronte për Shqipëri,  ngarkuar me të tjera dhurata të çmuara, për doktor Aliun, për shokë e për miq.

Kaluan pesë vjet, tregon dr. Aliu, siç thotë Refiti, dhe Sulo Agai erdhi te unë për një vizitë të zakonshme. Kur e pyes për mizën ai e kujtoi historinë e saj si të shkuar të largët dhe bile e shau  direkt atë mizë, tani të ngordhur në Itali.

 Unë, pa e menduar thellë si mjek me përvojë, duke bërë një gabim të pafalshëm, i shpjegoj se ai, atje në Itali, ishte “një operacion i provokuar”, sepse asnjë lloj mize nuk ishte futur në trurin tënd, po kjo lloj mize në tru, ishte fiksimi yt. Ne, u morëm vesh me njëri tjetrin dhe të hoqëm fiksimin.

Atëherë, unë e pash Sulo Again, menjëherë të shpërfytyruar, që nisi të qëlloi kokën e vet me grushte dhe që u thye pa pritur në gjunjë e tha: “Po, po, ç’më gjeti! Pse dreqin, o doktor, nuk mi mbylle, qoftë dhe me pambuk ata vesh? Miza u fut prapë në tru...”

Nga Libri me autor #Luan #Çipi: ‘’RRËFENJA DHE TREGIME’’ #ali #mihali

39 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page