top of page

Miranda Goleci: "Kujtesë për vazhdimësi", një mision që na bashkon

  • 3 hours ago
  • 2 min read

Një falenderim për Elbasanin, autorët dhe miqtë tanë...

***

Fundjavën e kaluar (2-3 maj 2026), qyteti i Elbasanit u shndërrua në një qendër të gjallë të kulturës dhe fjalës shqipe përmes aktivitetit “Margaritarët e Fjalës”, një festë që bashkoi krijues, studiues, botues dhe dashamirës të librit në një atmosferë frymëzuese dhe plot vlera.

Kjo veprimtari solli në vëmendje rëndësinë e gjuhës shqipe, të librit dhe të kujtesës sonë kombëtare, duke ndërthurur në mënyrë të bukur promovimet letrare, diskutimet kulturore dhe elementët artistikë. Për ne si shtëpi botuese, ishte një kënaqësi e veçantë të ishim pjesë e këtij aktiviteti dhe të prezantonim botimet tona përpara një publiku kaq të interesuar dhe të përkushtuar ndaj kulturës.


Veprimtaritë tona nisën të shtunën në mesditë, ku në mjediset përpara Muzeut Etnografik u prezantua libri "Kali s'po donte" i publicistit Frrok Çupi. Në këtë veprimtari, redaktori i librit Ben Andoni dhe gazetari Aleksandër Çipa vlerësuan esetë e këtij libri, si një histori të politikës shqiptare, një zbërthim përmes alegorisë të antropologjisë sonë.

Në mbrëmje, në mjediset e Teatrit Skampa shtëpia jonë botuese, së bashku me shtëpinë botuese "Jozef", me drejtues mikun tonë, z. Aurel Kaçulini, që prej vitesh kemi mbështetur misionin "Kujtesë për Vazhdimësi", prezantuam disa nga botimet e anëtarëve të misionit si dhe botime të tjera të posaçme në mbështetje të shkollave shqipe në Greqi, Itali, SHBA etj. Në qendër të stendës sonë ishin botimet e përgatitura nga Iliriana Sulkuqi, antologjive të vogla poetike të mbi 40 poetëve shqiptarë, nga më të njohurit,  të cilët janë dhuruar për shkollat shqipe në diasporë.

Të dielën u prezantuan edhe dy librat e tjerë, "Margarita Xhepa: Mikja dhe zëri i poetëve", një antologji e përgatitur nga Iliriana Sulkuqi, ku përfshihen kujtime, vlerësime dhe shënime për aktoren e madhe nga më shumë se 60 poetë, shkrimtarë dhe studiues. Kopje e parë e librit iu dhurua të birit, aktorit Ndriçim Xhepa, si shenjë falënderimi për kontributin e madh të Margaritës në misionin "Kujtesë për Vazhdimësi".

Një botim tjetër i prezantuar në fundjavë ishte edhe libri "Iliriana Sulkuqi dhe lirika e saj", një vështrim kritik mbi poezinë lirike të Ilirianës nga studiuesja Emi Krosi.

Poetja Sulkuqi u nderua me titullin Qytetare e Nderit e Qarkut të Elbasanit dhe me këtë rast u mbajt edhe veprimtaria "Margaritarët e fjalës".


Në mbyllje të veprimtarive shprehim mirënjohjen tonë për organizatorët  për këtë nismë të vyer, si dhe falënderojmë Bashkinë dhe Qarkun Elbasan për mbështetjen institucionale. Një falënderim i veçantë shkon për shoqatën ResEgnatia me drejtues Xhimi Vilën, si dhe Misionin “Kujtesë në Vazhdimësi”, veçmas për Blendi Gremin, Petrit Hodajn, Anila Çotën, Artur Gunin, Fatbardh Markun, Alida Feçin, Zina Zdravën, Yllka Mërkurin dhe gjithë anëtarët e Misionit, të cilët na përkrahin në çdo hap, sidomos për frymëzuesen Iliriana Sulkuqi, për përkushtimin e tyre ndaj nesh dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.

Gjithashtu, falënderojmë Bibliotekën e qytetit për mikpritjen dhe Teatrin “Skampa” për hapësirën dhe atmosferën artistike që i dhanë kësaj ngjarjeje një dimension të plotë kulturor.

“Margaritarët e Fjalës” dëshmoi edhe një herë se Elbasani mbetet një vatër e rëndësishme e kulturës shqiptare, ku tradita dhe krijimtaria bashkëkohore takohen natyrshëm. Ne mbetemi të angazhuar të vazhdojmë kontributin tonë modest në këtë mision, me shpresën për bashkëpunime të mëtejshme të suksesshme.

Ju falënderojmë të gjithëve për këtë përvojë të bukur dhe frymëzuese.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page