top of page

Miradije Zymberi Avdullahi: KASOLLJA  E VJETËR

  • Jun 14, 2025
  • 2 min read

KASOLLJA  E VJETËR

 

Humba rrugën në mes të kujtimeve, 

shpresat si ëndrrat - u arratisën, 

kasollja e vjetër në listën e dëshpërimeve 

i përcjell si shtegtarët kur nisen! 

 

Drithëron shpirti - shijojmë natyrën, 

ngritemi deri te retë e bardha të qiellit, 

u falemi hyjnive që na dhanë pasqyrën 

të shikojmë në vargje rrezet e diellit! 

 

Rri e pres, të kthehemi sërish aty, 

ku më fliste frymëzimi për mall e dashuri, 

me zërin e kanarinës të këndoj për ty, 

Kosovë o mall i ngritur në përjetësi! 

 

Për Kasollen e vjetër akoma kam mall 

edhe pse e zëvendësuan me pallat të ri! 

Në damarë pakuptueshëm diçka më kall

vitet ikin pa e kuptuar, e paqtofsh lirinë ti!

 

Atje tek ty të gjithë do të kthehemi 

do të mbushim sheshin e Prishtinës 

nga këngët e vallet do të dehemi 

të plas hasmi si akulli i ngricës!


RETH AUTORES:


Miradije Zymberi Avdullahi është lindur më 31 tetor të vitit 1965 në Kapit të Medvegjës, aty ku pushtuesi po mundohej të shuaj gjuhë e kulturë me anë të dhunës së hekurt,vështirë ishte të shkolloheshin vashat shqiptare. Po prindërit e Miradijes si atdhetarë që ishin, si dashamirë të arsimit u shpërngulën në Fushë Kosovë, ku Miradija kreu pesë vjet të shkollës fillore, pastaj në Prishtinë kreu shkollën e mesme  dhe vazhdoi studimet. Miradija filloi të merret me shkrime qysh si fëmijë në bankat shkollore. Ajo shkruan poezi dhe publicistikë, shkrimet e saj i hasim në shumë gazeta dhe revista, si dhe në faqet shqiptare në internet.

Miradije Zymberi Avdullahi kishte disa përmbledhje poetike që po i ruante me kujdesë për të i hedhur në dritën e botimit, por në kohët e pakohë iu konfiskuan. Ajo nuk u ndal për asnjë çast, ka filluar me të madhe punën e saj në poezi dhe po hapëron tejet bukurnë fushën e poezisë. Si shumë krijues të tjerë edhe zonja Miradije vepron dhe krijon në mërgim. Ajo ka tema mjaft të begatshme nga mërgimi, për vendlindjen, mallin, atdheun, kombin, njerëzit e dashur të vendlindjes, shkollën... e kjo është e shprehur më së miri në vëllimin e saj të parë poetik "Shtigjeve të heshtjes". /Përgatitur nga Shaban Cakolli/

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page