top of page

Minush Hoxha: URANI DHE I URUARI NË GALLATËN E URIMIT


Pas hamendjes nëse të shkonte apo jo në një përurim publik të një ish-shoku të dikurshëm, tashmë personalitet publik i nderuar dhe, sipas kritereve mediokre, krijues i pranuar, në veten e tij ndodhi një gravitacion i lehtë nga pëlqimi për të marrë pjesë. Para se të nisej, mendoi se të uruarit nuk do t’i afroheshin menjëherë dhe në grupe të dendura; ndaj, duke vlerësuar se kishte kohë, nisi të përgatiste me shumë kujdes fjalën e urimit. Me aq kujdes, sepse ai , Urani , sikur ia kishin përcaktuar emrin që në lindje, dhe krijimet e tij ishin të një trajte e lartësie që vetë i kishte ndërtuar sipas imponimit të rrethit mediokër; pra, ose kishin vetëm dukjen e vlerës, ose nëse kishin vlerë, ajo ishte e papërfillshme. Megjithatë, falë të kaluarës familjare, kryefamiljari kishte perceptuar saktë kohën dhe trendin politik, dëshirat dhe nevojat e mjedisit, si dhe gjendjet e mospajtueshmërisë që fshiheshin “nën rrogoz” e mund të shndërroheshin në armiqësi. Ai dinte t’i fashiste shpërthimet.

Ndiqte seksionin shkencor të kohës dhe ia doli të arrinte deri te titulli i çmuar akademik. Në vazhdim hyri edhe në procesin e mësimdhënies, me një dhunti të rrallë manipulimi për interes personal. Kishte jo vetëm dukjen, por edhe sjelljen që mjedisi , sipas normës mediokre , e pranonte; ndaj, pranim-avancimi i tij nga mjedise autoritare e profesionale-shkencore ishte pothuaj i sigurt. Kur kësaj i shtohej ndonjë sesion profesional nga jashtë, ku merrte pjesë me disiplinë dhe përkushtim, prania e tij si autoritet konsiderohej e padiskutueshme. Tashmë kishte grumbulluar përvojë dhe njohuri elementare; duke vlerësuar momentin, mundësitë dhe arritjet e botës digjitale, përpiloi tekstin , madje më shumë se një , nga fusha shkencore për të cilën instancat kompetente e kishin thirrur akademikisht. Me kalimin e kohës, teksti bazë që tashmë qarkullonte, kërkonte risi dhe përditësim. Ai e ndiente dhe e shihte këtë sa herë që e shfletonte. Por, largësia me risitë shkencore e kishte lënë pas, ndaj rrezikonte komprometimin e figurës dhe statusit të tij. Megjithatë, rrethi dhe dëgjuesit e ligjëratave qenë larg njohurive; ata nuk bënin as vërejtje, as kritika, as sugjerime. Kolegët, nga ana e tyre, ishin të të njëjtit “fabrikim” mendësie , po aq të mbetur pas. Nuk ishte vetëm. Ishte pjesë e një qarku më të gjerë personash që dallonin pak nga njëri-tjetri, vetëm në nuanca mezi të vërejtshme. Meqë kishin të njëjtin objektiv , ngritjen dhe qëndrimin në orbitën më të lartë shoqërore, natyrisht për të gjetur burime të bollshme financiare , përkraheshin me përkushtim. Publiku i kishte certifikuar si dijetarë, mësimdhënës, ndikues në pushtetin lokal e më lart; kishin mbërritur përfitime të shumta dhe bënin jetë pothuaj parrajsore. Me pasuri të paluajtshme , shtëpi luksoze, apartamente, vila ,, me mobilim bashkëkohor, me vetura të shtrenjta, me fëmijë të vendosur në mjedise autoritative, me studime brenda dhe jashtë vendit, ata mbanin në dorë pushtetin real dhe mundësinë për të shtyrë interesat e tyre pa kufizim.

Kur nisi rrugës, Uruari formuloi në vete edhe urimin, duke lënë hapësirë për ndonjë ndryshim fjalësh. E përfytyronte kështu: “I nderuar z. Uran, të uroj ditëlindjen dhe jubileun e avancimit, si edhe të gjitha arritjet në karrierën tënde. Këtë ma kërkon rregulli i mirësjelljes, por edhe kënaqësia që ndjej nga suksesi yt. Di historinë tënde, ecejaken tënde, prirjet adaptive, kuptimin e kohës dhe zhdërvjelltësinë për të arritur publicitetin. Di gjithçka. Di prestigjin dhe ovacionet që të bën familja dhe mjedisi. Por, nuk e di nëse je i vetëdijshëm sa e barazvlefshme është vepra jote me gjithë këtë pompozitet. Ka një ekuilibër midis gëzimit euforik dhe kreativitetit , midis veprës dhe lavdisë. Po të lë këtë pyetje për sot dhe për vitet që vijnë. Unë jam një njeri i skajshëm, i papërfillshëm; ndoshta është më e këndshme të dremitësh në mirëqenien që ke, sesa të kërkosh ekuivalencë mes punës dhe lavdisë. Në fund, ti je ‘modus-vivendi’ i mediokrit: mjaft i vogël për të mos bërë gjëra të mëdha, por mjaft i fuqishëm për t’i prishur ato.’’

Kur mbërriti në vendin e ceremonisë , një gala mbrëmje me pije, ushqim, gra të bukura, muzikë të qetë , gjithçka dukej siç i takon një kremtimi. Urani, me kravatë flutur të kuqe, përshëndeste mysafirët me buzëqeshje. Uruesi, duke kërkuar falje me gjeste që kalonte jashtë radhës, arriti pranë tij. Pasi e prezantuan, ai e tha fjalën e vet , qetë, pa ngritur zërin. Drejt fundit, pjesëmarrësit u irrituan; veçanërisht ata të sojit të Uranit, që e morën si fyerje personale. Edhe vetë Urani u duk i lënduar: e pa si mungesë lojaliteti dhe pandershmëri “shkencore”. Por përplasja do ta komprometonte tubimin. Uruesi, pasi ngriti gotën, tha: “Urime Uranit, gëzuar të gjithëve!” , dhe, duke kërkuar ndjesë, doli me hapa të shpejtë. Te dera e priti një i afërt i Uranit me dy kolegë: “Ke bërë një provokim turpi! Do marrësh përgjigjen e merituar. Ik! Nuk je për këtu.” Uruesi, i papërgatitur për një reagim të tillë, u largua pa u kthyer.

Epilogu:

I uruari nuk u trondit kurrë nga pyetja e urimit dhe vazhdoi jetën si më parë. Ndërsa uruesit i ngritën gracka, mohime, keqpërdorime, kërcënime. Pothuaj u përjashtua nga mjedisi. Pas një kohe, vdiq nga hemorragjia cerebrale; korteksi i tij, thuajse i pakujtueshëm, mbeti metaforë e vogëlsisë që nuk u përmend më.

7.1.26

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page