Mihallaq Qilleri: FANTAZIA E KURT BREGUT
- 52 minutes ago
- 22 min read

Përfund derës kishin hedhur diçka si letër të bardhë dhe nga që drita e korridorit ishte e fikur ai nuk nguroi ta shtynte me këmbë. Letra, apo diçka e përafërt, erdhi e zuri vend përfund një vazoje me lule, gjethet e së cilës mbuluan gjithçka. Vetëm pasi hëngri darkë, Kurtit, atë gjë e mjegullt, - gati-gati, një vizë drithëruese që u përvijua në trurin e tij, - e detyroi ta kërkonte diku aty afër derës së apartamentit me një kureshtje që sa vinte e rritej. Fillimisht pat besuar se do të ishte ndonjë lajmërim qiraje, apo pagesë uji, por më pas e kuptoi se e bardha ishte diçka më e plotë, më e rëndë, të cilën indiferenca e çastit, apo lodhja e asaj dite e kishte bërë ta shtynte me këmbë, dhe se tani duhej ta kërkonte patjetër. Nuk u përpoq shumë për ta gjetur. Ishte një zarf i gjatë, me një PAR AVION të qartë dhe ai që nuk priste letër nga jashtë shtetit, të paktën ato ditë, u drithërua. Pas një çasti ai do të provonte një ndjenjë shtypje të tillë sa t’i binte letra nga duart. Nuk donte ta merrte më. Pale të guxonte ta lexonte. Ai ishte i bindur se atje brenda fshihej diçka aq e tmerrshme sa me siguri do të fshinte me një të rënë të lapsit, njëzetë e pesë vjet të jetës së tij, njëzetë e pesë vjet të mbushura me një ëndërr të stërgjatur, një ëndërr që dukej e pafund të cilën ai do ta merrte me vete në varr. Ishte 60 vjeç. Një burrë tepër i mbajtur, me flokë ende të dendura, me fare pak thinja, edhe ato kryesisht mbi tëmtha, me tipare aq të rregullta sa mund të thoshje se, kur pat qenë i ri duhej të ketë qenë një mashkull i bukur. Por deri atë ditë kjo dukje nuk kishte pasur shumë rëndësi në jetën e tij. Ndryshe nga shumë të tjerë, Kurt Bregu, mendonte se fati është përcaktues i paskrupullt të cilin nuk mund ta korrigjoj askush.
Njëzetë e pesë vjet më parë ai ishte një njeri si gjithë të tjerët. Ndoshta ky përcaktim nuk do t’i shkonte shumë sikur të mos qe pozita e tij disi e veçantë. Përveç roleve të mëdha në teatër, po spikaste dalëngadalë edhe në kinematografi. Falë pamjes së tij dhe zërit të mrekullueshëm, - një zë i trashë, i plotë, kumbues, melodios - Kurti kërkohej shpesh nga regjisorët e filmave. Kur thamë se ai ishte si gjithë të tjerët e dinim se kishte një shtëpi të zakonshme, një grua, dy fëmijë dhe një rrogë nëpunësi. Përpos pushimeve të gjata që i jepeshin si aktor, siguronte nga simpatitë në qytetin ku banonte, thuajse përvit një kabinë, fletë kampi, apo ndonjë dhomë të thjeshtë nëpër plazhet e vendit. Atje, përveç se njerëzit e e respektonin për interpretimet e tij, trupi i gjatë, i plotë, me një pamje gjithsesi imponuese, pa asnjë ngrefosje, me një thjeshtësi që u dhuron natyra vetëm shpirtrave fisnikë, disi naivë, të cilët në asnjë rast nuk e dinë se ç'vlera njerëzore mbartin, Kurti nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e grave. Sidomos mbrëmjeve në plazhin e Durrësit, në shëtitjet masive pas perëndimit të diellit, e shoqja, një grua dy vjet më e madhe se ai, por me një vlerë fëmijërore që gratë i bën aq të tejdukshme, e ndjente veten keq nga vështrimet që nguleshin tek i shoq. Ndërkohë ai ecte në krahë të saj duke u marrë më tepër me fëmijëtë dhe gati-gati nuk vinte re se ç'ndodhte rreth tij. Vet Kurtin kjo marrëzi njerëzore e organizuar nuk e shqetësonte aspak, madje nuk donte as ta vinte re. Po të mos ishte këmbëngulja e të shoqes për të lënë të gjitha punët dhe të nxitonte të vishej sa më bukur që të ishte e mundur, e të ishte e pranishme në ritualin e mbrëmjes, ai do të preferonte më shumë të hynte për ndonjë orë akoma në ujërat e errëta të detit të cilat në mbrëmje ngarkoheshin çuditërisht me magjinë e misterit për shkak të fshirjes së horizonteve dhe blu-së drithëruese.
Kishin dy ditë që gjendeshin aty. Qenë sistemuar në një ndërtesë kaba, të tej vjetruar, poshtë së cilës gjendeshin restoranti dhe disa kthina të tjera që quheshin dyqane. Sipër, nëpër një korridor të gjerë me dërrasa të vjetra të palara kurrë ashtu siç duhej, hapeshin tetë dyer, të cilat për ironi quheshin tetë vila, ku strehoheshin për pesëmbëdhjetë ditë tetë familje. Ditët e para pushuesit e shikonin njeri-tjetrin me dyshim, gratë përpiqeshin të tregonin kulturën e familjes përmes mënyrës se si i sistemonin këto kthina të vjetra, me mbulesat që u hidhnin përsipër krevateve portativë, rrobave të plazhit që vishnin, doemos edhe ushqimeve që blinin. Gjithçka ishte e racionuar. Detyra më e vështirë e burrave gjatë atyre pushimeve ishin radhët e gjata të mëngjesit për qumësht, por edhe për një kile mish në tri ditë. . . Në krah të familjes Bregu kishte zënë vend një femër e re të cilën ditën e parë e vizituan disa gra, por edhe burra përgjithësisht të moshuar të cilët pinë kafe në mbrëmje në verandën e përbashkët që shikonte nga deti. Ata ngjanin si një familje borgjezësh të mbaruar, të veshur me gjithfarë kostumesh të vjetra në mes të korrikut, që gjerbnin kafen gjithë delikatesë, ndërsa gruaja e re u shërbente me kujdes. Malvina Bregu do të thoshte atë darkë se u kishte rënë fati të pushonin me një tufë pleqsh dhe shoqëritë që ziheshin plazheve atë vit do të qenë më të pakta. Pleqtë qëndruan në vernadë deri vonë kur familja Bregu u kthye nga Durrësi ku pat shkuar për të blerë ca sende të domosdoshme. Nata kaloi e qetë. Në mëngjes nga "vila" fqinje nuk dëgjohej asnjë zë. Si rregull, pleqtë duhej të zgjoheshin herët, por Kurti nuk hasi asnjë prej tyre kur u kthye nga dyqani i qumështit. Vetëm rreth orës dymbëdhjetë kur Malvina erdhi nga deti për t'i hedhur një sy gjellës në tenxheren me presion hasi në prag të derës gruan e re e cila, pasi kishte larë mirë e mirë dhomën e saj, tani po pastronte diçka nga korridori i përbashkët. Atë kohë që u dha Malvina, ajo po lante dërrasat e vjetra para dhomës së Bregajve. Ky gjest e kënaqi gruan e aktorit dhe nuk nguroi ta falënderonte e ta përshëndeste.
Fqinja la punën për një çast.
- Janë shumë pis, -tha gruaja e re duke drejtuar shtatin.
Malvina pa një fytyrë aq fisnike, aq të bardhë sa të qe larë gjithë jetën me qumësht. Vetëm sytë e zinj, vetullat e trasha, të pa hequra, siç mund të bënin gratë e moshës së saj, i spikatnin aq qartë sa të qenë vizatuar me karbon në të bardhë. Një gjoks i përhedhur zbulohej nga e çara e thellë e bluzës edhe kështu transparente. Tiparet e saj Malvinës iu dukën tani tepër të njohura e të afërta dhe gati-gati do ta pyeste se ku mund të ishin parë, sikur të mos u përmbahej disa rregullave të cilat ajo i përdorte në jetë si mburojë krenarie. Shihej qartë se zonja e re nuk binte aspak më poshtë se shtresa e saj dhe këtë ishte e bindur se do ta mësonte shpejt.
- Keni ardhur me prindërit? - pyeti menjëherë Malvina.
- Jo, - tha gruaja, - vetëm. Pleqtë që patë mbrëmë ishin ca njerëz të mi që jetojnë në Durrës. - Tani trupin e kishte drejtuar plotësisht dhe gruaja e aktorit vuri re se tjetra ishte pak më e gjatë dhe të imponohej edhe me shtatin. - Jam vetëm.
Dy fjalët e fundit tronditën diçka tepër të thellë te Malvina, por nuk e dha veten. Një grua e vetme në plazh për të nuk ishte krejt e zakonshme, sidomos kur femra të tilla aq të bukura janë gati të rrëmbejnë zemra. Ajo nuk guxoi ta pyeste në se ishte e martuar apo jo, sepse edhe tjera sikur e kishte përfunduar takimin e parë. Një ndjenjë e çuditshme, gati-gati e pa përcaktuar e mundoi gjatë gjithë rrugës që bëri deri në vendin ku i shoqi kishte ngritur çadrën e luante me fëmijët. Për disa minuta rresht ajo thuajse do të mbetej e përhumbur në një mishmash mendimesh të pa formë duke parë herë pas here nga i shoqi i cili, nga që nuk e dinte se ç'po ndodhte me Malvinën, vazhdonte të thellonte gropën në rërë duke u përpjekur të gjente nivelin e ujit e pastaj të niste ndërtimin e kalasë me të bijtë. . .
Në mbrëmjen e po asaj dite, diçka midis orës dhjetë e njëmbëdhjetë, kur Malvina kishte mbetur buzë detit me një mikeshën e saj, të cilën e takonte pas vitesh, Kurti kishte rehatuar fëmijët dhe doli në verandën e përbashkët për të parë përse po vonohej e shoqja. Mjedisi aty kishte diçka nga nata, megjithë ndriçimin e një shtylle neoni atje poshtë. Njeriu nuk dukej, ndërsa dritaret e dhomave ndiheshin të plota. Vetiu ai kishte kthyer kokën nga dritarja e gjitones së re dhe për një çast ngriu. Gruaja e panjohur ishte shtrirë në krevatin e vetëm thuajse lakuriq. Ajo që tronditi gjithë qenien e atij burri të ri ishte një shtat i mrekullueshëm, krejt i bardhë, gjoksi aq i plotë e i fortë, këmbët e drejta si të një adoleshenteje dhe reja e zezë e flokëve që mbulonte fragmente nga të gjitha këto. Kurti pati një ndjesi mbytëse atë kohë dhe, sikur të kishte kryer ndonjë vjedhje, u largua me shpejtësi deri te buza e verandës. E shoqja vazhdonte të bisedonte ngeshëm me të njohurën e saj, ndonëse lëvizjet buzë detit ishin tepër të rralla. Ai po mbytej nga një dallgë fantazie që e detyronte herë pas here të kthente tinëz kokën dhe të mundohej të shihte edhe një herë atë magji ëndërrore. Mirëpo buza e verandës ishte tepër larg për të parë në dhomën e gruas së panjohur. Pastaj perdet aty ku rrinte nuk e linin të shikonte asgjë. Befas u fik edhe drita. Ai mendoi me trishtim se ajo dëshironte të flinte dhe ndjesia e vetmisë së saj, një dramë që gjithë sesi nisi të përvijohej në trurin e tij të ndezur, e pushtuan të tërin. E shoqja vazhdonte të bisedonte ngeshëm atje poshtë duke i dhënë një mundësi tjetër për të trilluar skena të trishtuara tradhtie bashkëshortore, vdekje të papritura dhe pastaj një roman dashurie diku në një vend ekzotik. Frynte një fllad nate që i sillte kënaqësi dhe bulkthat të gërvishtnin errësirën. Befas, ai ndjeu një palë hapa të lehtë pas tij dhe kur ende nuk kishte mundur të kthente kokën, dikush e përshëndeti.
- Mirëmbrëma!
Kurt Bregu u drodh. Nuk mund të kishte zë më të ëmbël në këtë botë.
-Mirëmbrëma! -tha edhe ai tepër i tronditur.
-E pata të vështirë të flija, - tha gruaja e re, tiparet e të cilës tani ishin tepër të patheksuara e të mbuluara me copa nate. -Edhe juve nuk u zë gjumi?
-Zakonisht nuk fle aq shpejt, - tha ai me atë zë të plotë, të ngrohtë, që megjithatë kishte diçka nga nata. - Në të vërtetë pres gruan. Siç e shikoni, - ai tregoi me dorë diku poshtë, - ka nisur ngeshëm bisedën me një shoqen e saj të vjetër të cilën kishte vite pa e parë dhe nuk po tundet..
Diçka si një zagushi e papritur e pushtoi krejt trupin e Kurtit. Ajo ishte tani aq afër tij, aq afër sa mund të ndjeje frymën e saj, madje të shikoje se si i lëvizte poshtë e lartë gjoksi i përhedhur duke trazuar vegimet e natës. Kjo lëvizje ishte aq e padukshme sa nuk do të mund të dallohej sikur gruaja e re të mos kishte veshur një farë bluze mëndafshi të kuq. Copa, nën ritmin e frymëmarrjes së rëndë, thyente drithërimet e dritës së vakët të neonit që përpëlitej afër detit dhe Kurti e shikonte tani si një organizëm të gjallë të pluskonte si të ishte vet zemra e saj.
-Dhe ju kini frikë se mos u humbet gruaja, - guiti lehtë ajo - Më ndjeni, -shtoi menjëherë.- Fola kështu se ju njoh. .
- Më njihni?
- Sigurisht. Nga rolet tuaja. . E dini, shpesh kisha menduar se nuk duhej të ishit aq serioz sa dukeni. U pashë që dje. . Më pëlqen që jeni shumë familjar. .
-Po ju kush jeni?
- O, një këngëtare e vogël në një trupë gjysmë profesioniste! - nënqeshi lehtë ajo. -Natyrisht jo aq e njohur sa të dini edhe emrin tim. Por me që u gjendëm komshinj, po u them se më quajnë Diana.. . Diana Griba. . - Ajo heshti një hop dhe vuri re se ai uli kokën.
- Nuk ju thotë gjë emri im, me siguri. . Këtë egoizëm jam munduar ta shtyp vazhdimisht megjthëse më pëlqejnë njerëzit e shquar.
-Nuk di ç'të them për të gjitha këto, - tha ai me shprehjen e një tuhafi. -Lavdia është dhimbje, -shtoi me një frazë jo aq të qartë. Dalloi se e shoqja atje poshtë sapo ishte ndarë me bashkëbiseduesen dhe po çapitej me vështirësi në rërën e trashë të plazhit drejt shtëpisë. Nuk ishte i sigurt nëse duhej të ndahej me gruan e bukur pikërisht atë çast. Një drojë e befasishme e detyroi të përkulej te hekurat e verandës dhe të thërriste me një zë jo aq të zakonshëm - U ktheve, Malvi. . .?
-Natën e mirë! - tha menjëherë pas kësaj Diana.
Ajo lëvizi me shpejtësi drejt cepit të verandës dhe silueta e saj thuajse u shua. Ky gjest e lehtësoi aq shumë Kurtin sa nuk do të dinte se si ta falenderonte këngëtaren. Jo se druhej nga e shoqja. . Në përgjithësi Malvina nuk ishte xheloze, ose të paktën kishte pushuar të ishte e tillë vitet e fundit. Por kjo njohje natën, vetëm, me një grua që depërtoi tek ai si hije, pas një skene që do të mbetej shumë gjatë në fantazinë e tij, i sillte vetiu drojën e një adoleshenti. Diçka e tillë, fëmijërore ishte zgjuar nga kushedi se ç'thellësi dhe e bënte moralin një dogmë. Në skenë ai kishte pushtuar me aq pasion kushedi se sa aktore të bukura, sepse deri atë kohë atij i jepeshin role dashnorësh të zjarrtë për shkak të bukurisë trupore dhe se nga që mbahej ende mjaftë mirë, ndonëse po u afrohej të tridhjetë e pesave. Këto shpërthime skenike i bënin shumë gra ta dëshironin aktorin e njohur, kurse në jetë ai ishte krejt, krejt ndryshe. I përmbajtur deri në indiferentizëm, ai zgjonte te gratë në fillim një kureshtje të ethshme, e cila më pas krijonte gati-gati në antipati për shkak të shpërfilljes së tij. Në teatër ai ishte një nga ata tipa të rrallë aktorësh që nuk banalizoheshin kurrë, që skenën e konsideronin si zyrën më serioze sikur aty të thureshin fijet më të rëndësishme të jetës njerëzore. Vet Malvinën, të shoqen, ai e kishte njohur rastësisht, kishte lajmëruar prindërit për këtë martesë serioze dhe i kishte lënë ata të merreshin me ceremonitë e rastit. Me gjithë profesionin e saj të mësueses së letërsisë Malvina kishte një ide të vakët për teatrin. Ajo herë e quante atë thjeshtë "theatër", herë besonte se aty bëhej thjeshtë gallatë. Të gjitha këto Kurtin e shqetësonin mjaft, por me gjithë leksionet e tij për artin, tanimë ishte pajtuar me nënën e dy fëmijëve të tij siç mësohemi me një gastrit në stomak që nuk e shërojmë dot.
Atë natë, natën e dytë në plazhin e Durrësit, ai fjeti shumë pak dhe e gjithë kjo për shkak të asaj fantazie të shfrenuar që sundoi trurin e tij nga pamja lakuriqe e trupit të Diana Gribës. Pastaj ai intimitet i afrimit të saj pranë kangjellave të verandës, psherëtimat e detit të zi atje poshtë, ankthi i kthimit të Malvinës dhe dëshira e papërmbajtur që ato çaste të mos mbaronin kurrë. Mirëpo, ajo që ndodhi atë natë nuk do të përsëritej më. Të nesërmen Diana e ngriti çadrën e saj të diellit dhjetë metra larg tyre, midis u vendos një çift i panjohur dhe me gjithë përshëndetjet plotë kortezi që këmbenin gratë gjatë ditës, këngëtarja përgjithësisht u kujdes të merrte rrezet e nevojshme të diellit, shkuli shpejt çadrën e saj, u zhduk për gjithë mesditën, ndërsa para perëndimit të diellit, u duk të dilte në rërë kur të gjithë të tjerët po iknin. La një peshqir të varur nën telat e çadrës dhe u humbi nëpër det. Nga veranda ku i vrojtonte të gjitha këto, duke pirë kafenë e mbas ditës, Kurti ndjeu një dëshirë të papërmbajtur fëmijërore ta ndiqte pas në det, nga që edhe ai ishte rob i ujërave të thella. Kjo mungesë droje e gruas së bukur e bëri edhe një herë për vete. Ai vendosi ta priste derisa ajo të dilte nga ujërat, t'i thoshte se ndonjë ditë mund të notonin bashkë deri shumë larg, por nga që edhe kjo frazë mund të përbënte një herezi, hoqi dorë nga ky mendim. Perëndoi dielli, një diell i stërmadh, i portokalltë që më tepër u shkri në horizont më, se sa e përpiu rrotullimi i tokës. Po shuheshin hijet e ditës dhe atë nisi ta stërmundonte një ankth i çuditshëm. Diana nuk po dukej. Çadra e saj e vetmuar në rërën e djersitur, peshqiri i varur, i harruar si në një varrezë, shpërfillja e botës për këto sende të mbetura jetime aty, indiferenca e së shoqes për të gjitha këto, -Malvina as e dinte se çadra atje poshtë ishte e fqinjës së saj, - nisën ta gërryenin për përbrenda. Ai u ngrit disa herë nga karrigia e tij, shkonte deri në skajin më të largët të verandës, mundohej të shquante diçka nëpër det, kthehej, por atje sundonte po ajo blu misterioze, e trashë, e pamëshirshme e cila mund të përpinte edhe trupa njerëzorë. Për herë të parë ai i tha së shoqes se mund të ishin kujdesur të siguronin një dylbi për ato pushime, sepse do të vrojtonin vaporët që hynin e dilnin në port, por edhe detin në tërësi. Kjo puna e dylbive as që ishte diskutuar ndonjëherë dhe Malvina që nuk po kuptonte asgjë nga monologu i të shoq preferoi të gjerbte kafenë me zhurmë e të heshtte. Pastaj ajo hyri brenda të përgatitej për shëtitjen e darkës dhe ai për herë të parë, pas shumë vitesh që vinin në plazh, mendoi se mund të sajonte një gënjeshtër dhe t'i shmangej marrëzisë njerëzore të mbrëmjes.
Vërtetë, në dhomën e vetme ku Malvina vishej, ai rrëmoi në valixhen e madhe dhe nxori s'andejmi fletët e një drame. Nisi të thoshte me zë të lartë se ishte i pari rol që nuk e kuptonte si duhej dhe se drama ishte e shkruar jo aq për nivelin e spektatorit të qytetit të tyre. Kësisoj ai parashikonte që tani jo shumë shfaqje, megjithëse në vjeshtë teatri i shënonte rekord shikuesish, për shkak të ardhjes së studentëve. Po i thoshte të gjitha këto pa vënë re që Malvina kishte bërë edhe tualetin dhe priste që ai të vishej.
- E di që sonte nuk kam asnjë dëshirë të dalë?! , - tha ai me një zë si prej të sëmuri. - Merr fëmijët dhe shko. . Unë po ngulem në verandë dhe po lexoj. Si thua?
- Po ne e lamë të takohemi me Gretën! , -nisi të kundërshtonte ajo-Na presin!
- Shkojmë nesër, -nisi të dilte ai nga dhoma me dramën në dorë.
- Si të duash! ! - nxitoi edhe ajo pakëz e nervozuar - Sinqerisht nuk po të kuptoj fare sonte. . . .
Kurt Bregu nxitoi si fëmijë për në verandë dhe menjëherë përfshiu me shikimin e tij të mprehtë syprinën e detit. Përsëri ajo ngjyrë e patrazuar, po ajo heshtje drithëruese, po ai peshqir i varur si në varrezë në telat e çadrës së saj të harruar. Kjo ishte shenjë e sigurt se ajo nuk kishte dalë ende nga ujët. Një alarm i çuditshëm i drithëroi trupin. Po sikur. . . Po sikur të qe mbytur, -tha me dëshpërim dhe ndjeu se pëllëmbët e duarve do t'i dhimbnin nga që i shtrëngoi fort pas parmakëve të betonta të verandës. Deti vazhdonte të psherëtinte lehtë me ca valëza përtace, me gjithë një fllad që lëkundte peshqirin e saj përfund çadrës. Kurti vuri re të shoqen që nisi të çapitej bregut drejt ''Ilirisë'' ku me sa dukej e kishte kabinën familja e mikes së saj. Kur e pa të largohej shumë, veshi me shpejtësi rrobat e plazhit dhe doli në rërë. Gati-gati po errej. Endej tokës një dritë mëshire sa për të ngushëlluar të marrët. Te çadra e saj ai hoqi pantallonat e shkurtra, i hodhi dosido nën të dhe nisi të çante detin. Uji ishte i ngrohtë, me gjithë ankthin e tij për humbjen e gruas së re. Notonte dhe ngrinte shtatin për të parë horizontet. Vështirë se mund të shikoje më shumë se disa dhjetëra metra përpara. Uji nisi të nxihej gjithmonë e më shumë.
Kur kishte kaluar bregun e dytë, siç quhen cekëtinat e shelfit detar, Kurti pa edhe një herë nga plazhi. Po, çadra e saj vazhdonte të ishte aty. Rrëshqiti më përpara. Befas, një vijë e shkumuar ndriti para syve të tij të lagur dhe ai ndjeu se diçka kishte atje. Shtoi shpejtësinë dhe gjithmonë e më shumë po besonte se ai ishte një trup njeriu. Vetëm se dukej të afrohej drejt tij tepër ngadalë. Kjo të bënte të dyshoje. Ose njeriu ishte i dërrmuar nga lodhja dhe mezi notonte, ose e shtynin thjeshtë dallgët. . E ngriti trupin më pranë syprinës së ujit dhe u dha krahëve. Ishte një nga ato çaste kur notarin e vërtetë e pushton jo vetëm ankthi për të panjohurën, por edhe kënaqësia që të jep kontakti i trupit me atë ujë magjik, sa blu i thellë, po aq i ngrohtë, lehtësia me të cilën mendja njerëzore e kthen gjininë në peshk duke provuar edhe një herë se stërorigjina e tij i takon detit. .
Nuk duhej të ishte më shumë se njëzetë metra larg kur pa trupin e tendosur të Diana Gribës të lartësohej mbi ujë dhe të shikonte gjysmë e frikësuar njeriun që i qe afruar aq befasisht. Ai e pa që ishte mirë, që sytë e saj qenë të hapur e të qartë dhe vetiu ndaloi. E pushtoi një zagushi e papritur. Po tani, ç'shpjegime duhej të jepte? Ç'kërkonte aq thellë dhe në atë orë vetmie kur njeriu ka të drejtë të zbrazi vetëm marrëzitë e veta? Mos vallë e gjithë kjo ishte një ndjekje rrugaçësh duke përfituar nga thellësia e detit, heshtjes që mbretëronte aty dhe natës që po afrohej me shpejtësi? Një farë shpjegimi duhej dhënë. . Në fund të fundit ajo që kishte bërë ai ishte krejt njerëzore. Frika se mos asaj i kishte ndodhur gjë. E pakuptueshmja këtu ishte se Kurti nuk kishte dhënë alarmin, siç mund të bëhej në të tilla raste. Por dhimbja e tij kishte mbetur e fshehur me një rrënjë amoraliteti diku në thellësi të qenies. Nuk kishte më asnjë dyshim se ai e dëshironte atë grua, ose së paku e ndjente domosdoshmërinë e pranisë së saj.
Por nga të gjitha këto ai gënjeu pa pikë turpi kur tha se i pëlqenin edhe atij ujërat e errëta në prag të natës dhe ngrohtësia e detit. Ajo heshti një sekondë, krejt e pasigurt për praninë e atij mashkulli thuajse lakuriq aq afër saj, dhe befas tha shumë shkoqur.
-Besoj se çadrën time nuk e kishte shkulur njeri. . .
- Jo, - tha ai krejt fëmijërisht duke rënë në grackën e saj - Aty,. . aty është. . Edhe peshqiri. .
Ata tani ishin fare pranë duke u ekuilibruar me lëvizjet e këmbëve të cilat ngjanin tepër të shëmtuara për shkak të thyerjes që pësonin nga uji. Megjithatë ai e vuri re mirë atë lëkurë të përkryer, të mëndafshtë, gjoksin e saj të mrekullueshëm dhe sytë, sytë e mëdhenj, gjithë ankth e frikë, gjithë kureshtje e pështjellim, ai lëmim i sedefi i fytyrës pasi flokët e dendura tani ishin lagur krejt e qenë lëpirë pas kokës. Kjo afërsi, ky intimitet pa skaj, ajo drojë e saj që i thërrmonte krenarinë e detyroi Kurtin të thoshte shkoqur.
- Në të vërtetë pata frikë se mos u kishte ndodhur gjë. .
- Faleminderit! - ia ktheu ajo gjithë pështjellim dhe këtë ai e ndjeu si mosbesim.
Ai që priste më shumë shpërblim nga ky heroizëm, thuajse nuk donte të fliste më dhe, papritur, nisi të notonte fuqishëm drejt thellësive. Diana e ndjeu gjithë zhgënjimin e tij dhe i erdhi keq që u soll aq ftohtë. Por i pëlqeu edhe largimi i tij kapriços, si i një fëmije të përkëdhelur. Pati dëshirë t'i thoshte të kthehej, pati dëshirë të shprehte edhe ajo frikën se mos nata që po binte duhej ta bënte më të kujdesshëm, por nuk tha asgjë. U rrotullua drejt bregut dhe nisi të notonte ngeshëm, ngadalë, nga që mendimet për atë njeri po e lodhnin më tepër.
Kur Kurt Bregu doli në breg pa se xhiroja e mbrëmjes ishte në kulmin e vet, por u habit së tepërmi kur dalloi pas turmës çadrën e vetmuar të Diana Gribës, veç pa peshqirin e varur. Gjeti nën të pantallonat e tij të shkurtra dhe gjithsesi e kuptoi se çadra qe lënë aty për shkak të atyre pantallonave. Me sa dukej, Diana nuk donte t'i merrte me vete edhe ato për shkak të dyshimeve që mund t’i ngjallte Malvinës. Dridhej nga një i ftohtë i pakuptueshëm. Kishte nevojë të fshinte trupin, por e përballoi gjithë këtë situatë duke bërë disa ushtrime gjimnastikore dhe pastaj shkuli me shpejtësi çadrën, e mbështolli dosido dhe u nis për në ndërtesën e përbashkët ku shpresonte të mos përballej me gruan e bukur.
Asgjë e veçantë nuk ndodhi më në ato dymbëdhjetë ditë që mbetën nga pushimet e atij viti. Vërtetë që Malvina e Diana u bënë shoqe, këngëtarja u miqësua shumë me fëmijtë, sidomos me të birin, që ishte edhe më i vogëli, u ndanë duke këmbyer adresat e njëri-tjetrit, u dërguan kartolinat për Vitin e Ri që erdhi, ndërsa Kurt Bregu do t'i tregonte një ditë mikut të tij më të mirë, Eduard Sulprespës, se në jetën e tij nuk kishte njohur kurrë grua më të bukur se Diana Griba dhe se e dashuronte atë marrëzisht.
Sulprespa nga ana e tij donte të dinte në se këngëtarja ndjente dhe ajo diçka për Kurtin dhe, atë çast, pa u menduar shumë, aktori tha se edhe ajo kishte shprehur diçka të tillë. . Kjo gënjeshtër do të bëhej në gjithë muajt e vitet e ardhshme e gjithë mrekullia e dashurisë së tij të fantazuar. Kryesisht në bisedat me Eduardin, ai do të sajonte gjithëfarë takimesh, skenash seksi, të përshkruara këto me ngrohtësinë e trupit të Diana Bregut, të pasionit të saj të veçantë, të dëshirave të saj për të mos e harruar kurrë, të fjalëve të magjishme që ajo i thoshte kur takoheshin, të vezullimeve meteorike të syve të saj të jashtëzakonshëm, të mrekullisë që të zgjonte prekja e gjoksit të saj të praruar, të kulturës së Dianës për teatrin, për letërsinë në përgjithësi dhe malli me të cilin aktori i priste këto takime. Me Sulprespën ai donte të tregohej një tip i përmbajtur dhe të gjitha këto ngjarje i tregonte butë, me një interpretim jo aq dramatik, madje duke përdorur edhe ndonjë banalitet që nuk ishte në karakterin e tij. Kur rastiste të shkonte në qytetin ku banonte Diana, ai vërtetë mundohej ta takonte, ajo e priste me zemërgjerësi në shtëpinë e saj, ishte krejt e sigurtë për ndjenjën e tij, por gjithsesi jeta e saj as kishte pritur aktorin, as e pat ëndërruar ndonjë herë atë. Thjesht, ajo besonte se ai ishte njeri i zoti në talentin e vet, padyshim edhe një mashkull i bukur, por që nuk kishte zgjuar tek ajo asgjë fizike. Donte ta takonte, të bisedonte, herë-herë edhe ta pyeste për ndonjë shqetësim që kishte. Por nga që të gjitha këto ngjarje ndodhnin aq rrallë, një apo dy herë në vit, ajo kishte ndërtuar jetën e saj me një mënyrë, të cilën nuk donte ta mësonte askush. Diana i fliste Kurtit në përgjithësi për jetën e saj të punës, sidomos tani që talenti po i spikaste gjithmonë e më tepër, ndërsa interpretimet në festivalet e këngëve në radiotelevizin ishin bërë diçka zakonshme. Diana pat fituar ndërkohë tri çmime dhe këngët e saj transmetoheshin shpesh në radio e televizion. Bënte përshtypje bukuria e saj, por edhe një finesë interpretuese, gati-gati aktoreske që të detyronte ta admiroje. Kure shihte në televizion Kurti mrekullohej aq shumë, sa të nesërmen, para provave në teatër, do të diskutonte ndonja gjysmë ore me Sulprespën për ngjarjen e mbrëmjes së kaluar.
Kështu kaluan shumë vite. Në vitin 1991, diku në dhjetor, një lajm tronditi gjithë qënien e tij. Diana Griba kishte mundur të ikte në Amerikë, pasi atje kishte pasur një të afërmin të saj. Kurti do të përjetonte përhumjen më të madhe. Diçka e jashtëzakonëshme do të fshihej, siç dukej përgjithmonë, nga jeta e tij, diçka aq turbulluese e intriguese sa ai e kuptoi nga dhimbja që ndjeu se Diana ishte bërë pjesë e shpirtit të tij.
Gjithë kjo sajesë dramatike në të vërtetë ishte pjesë e mangësive të jetës së tij. Ai do të kishte dashur që Malvina të ishte një qenie si Diana, një qenie e ëndërruar, vërtetë, por me një pushtet magjik mbi jetën e tij. Nga që kjo nuk ishte e mundur, ai e ushqeu veten për gjithë ato vite me një dashuri të ëndërruar, siç nuk e kishte ndjerë kurrë, një dashuri për të cilën kishte pasur aq shumë nevojë. Nuk mund të themi se Kurti nuk kishte flertuar ndonjë grua. Por dashuria e tij e fantasuar me Diana Gribën kishte mbushur jetën e më pastajme. Ai duhej të përpiqej të rivendoste një lidhje me të, qoftë edhe përmes një telefoni apo kartoline për Vitin e Ri, siç i kishte dërguar fshehurazi gjithë ato vite, sepse Malvina e kishte harruar miqësinë e dikurshme dhe qe bërë më shumë xheloze për të shoq, - dhe vërtetë këtë e kishte arritur vetëm tri vjetë pas ikjes së saj. Në shtyp pat lexuar për një koncert të këngëtares në një komunitet shqiptarësh në Amerikë dhe kjo e pat enthuziazmuar si dikur. Si dikur kishte nisur të ripërtëritej edhe fantazia e tij, t'i thoshte përsëri Sulprespës se ajo i kishte dërguar një letër tepër intime përmes së cilës e ftonte të shkonte në kontinentin e largët, qoftë edhe si turist. . Natyrisht, shtonte po vet Kurti, kjo do të ishte një ide e mrekullueshme, sepse Diana nuk kishte ndërmend të martohej dhe ai do të ishte i lirë të bashkëjetonte ca kohë me të. . Këtu ai ngazëllehej si fëmijë dhe me të vërtetë e detyronte të gjorin Sulprespë të zhytej në ca ëndërrime edhe për vete. . Gjithmonë pas këtyre bisedave ai do të shtonte në koefidencë se Kurti kishte qenë njeri me fat që e dashuronte një grua e tillë si Diana Griba dhe e shikonte mikun e tij si të kishte fituar një pasuri të tërë.
Në vitin 1994 aktori i njohur mbeti krejtësisht vetëm. Teatri tani ishte kthyer në një kafene ku njerëzit mezi prisnin të vinte dita për të marrë rrogën, -një rrogë që nuk dilte as të blerë zarzavatet e muajit, - dhe zhurma rreth reformave të mundshme sa shkonin e shuheshin. Dita e punës shtyhej lokaleve të pafund që, gjithsesi, fitonin shumë më tepër se një artist si Kurt Bregu. Në këto rrethana, e shoqja, kishte guxuar të nisej për në Greqi dhe më pas të merrte edhe fëmijët të cilët tani ishin rritur. Kurti besonte se në vendin e huaj nuk do t'i jepte njeri punë për shkak të moshës, por edhe se ai nuk pat ditur të bënte asgjë në jetë përveç artit të tij. . Në vetminë e apartamentit, mbushur me mobilje të vjetruara, jetonte ende me dashurinë imagjinare të Diana Gribës. Vetëm se trishtohej pak nga që Sulprespa kishte lënë edhe ai teatrin e Shqipërinë dhe thoshnin se punonte diku si bojaxhi në Athinë. Kurti nisi të shkruante kujtime. Nëpër ato faqe nuk kishte asnjë kufi të qartë midis të vërtetave e fantazisë, por gjithsesi ishte një raport teorik i dëshirave njerëzore dhe e asgjësimit të tyre po nga vet kjo qenie. Në perëndim të jetës ai mundesh tani të shihte qartë se ç'i kishte munguar më shumë nga jeta bashkëshortore dhe besonte se të gjitha tradhtitë, pabesitë, gërr-mëret e pafund që i pinë lëngun jetës dhe e lënë atë të venitur, rrjedhin jo aq nga ndryshimi i karaktereve se sa nga pamundësia për të qenë krejtësisht të lirë. . .
Fati është përcaktues i paskrupullt i jetës njerëzore dhe atë mbrëmje ai e besoi se një goditje e re kishte arritur pikërisht nga këto skuta të mistershme. Ky zarf i ardhur nga aq larg, - në të vërtetë nga brenda vetes së tij -, i digjte tani gjithë qenien dhe detyronte të mos bënte asnjë hap më tej se korridori. Ndezi dritën. Emri tij, adresa, pastaj një shkrim të cilin ai mendonte se e njihte, por gjithsesi nuk ishte ai, duhej ta paralajmëronte për diçka të tmerrshme. Ose Diana Griba e qortonte për gënjeshtrat e tij të pafund në ato njëzetë e pesë vjetë, gënjeshtra që patën cenuar rëndë jetën, moralin dhe dinjitetin e saj, dhe për këtë ajo akuzonte pikërisht Kurt Bregun, ose, për mrekulli të fatit të paskrupullt, ajo i dërgonte pikërisht atë ftesë të ëndërruar për në Amerikë dhe propozimin për bashkëjetesë me të. Në të dy rastet ai ndihej i braktisur. Akuza e dërrmonte përfundimisht ëndrrën e tij të fantazuar dhe e detyronte të hiqte dorë nga ajo, e dyta i zgjonte të vërtetën për të cilën ai as që ishte i zoti të lëvizte majën e gishtit. Kjo humnerë, e cila shihej më qartë se kurrë brenda atij zarfi të çuditshëm, fshinte me një të rënë të lapsit një mënyrë jetese thuajse të stampuar në të gjitha genet e tij dhe i ndryshonte të gjitha rrjedhat e të menduarit. Kur e dimë se mendimi është tortura, apo gëzimi, atëherë merret me mend se çfarë synonte të përmbyste ajo letër. Tanimë Diana Griba i ngjau disi cinike me tendencën e saj për t'i lënduar këtë mënyrë jetese, vendimet e së cilës merreshin pa pyetur njeri. Në gjashtëdhjetë vjeç kjo ishte ndërhyrja më brutale në shpërbërjen e asaj bote, atij universi vlerash të gënjeshtra me të cilat njerëzimi synon drejt të vërtetave të dhimbshme. .
U përkul, mori edhe një herë zarfin në duar dhe me shpejtësi nisi ta griste. Ky veprim i tendosi gjithë qenien. Synimi ishte që madhësia e copave të ishte e tillë sa askush nuk do të mundesh më ta ribashkonte atë të vërtetë torturuese e cila shpesh kish vlerën e krimit. Po aq nxitimthi i hodhi copat në vaskën prej porcelani të nevojtores dhe zbrazi mbi to ujin që përdorim ndaj jashtëqitjeve.








Comments