Janaq Pani: KA NDODHUR DIKUR...
- 52 minutes ago
- 7 min read

Rrëfenjë në Vargje
" E kam të vështirë, o mik , të gënjej
po është e vërtetë çka tani rrëfej,
ti më mbaj vesh mirë,
ky rast s'të vjen më,
në s'e shtyn në xhep
dhe andej s'nxjerr gë.
Ma rrëfyen dhe mua kur isha i ri,
hem si të vërtetë, hem si histori..."
Kapelën e zbardhur nga vitet që vanë
mbi ballë çapkënçe e vuri mënjanë
pa nisi rrëfimin me nge xhaxha Gori
nga hundët vjell tymin si oxhak vapori...
Rrëfenja e parë
1
Një mëngjes për rrugë u vunë
për qytet larg, dy fshatarë,
sekush për hall e për punë
ta arrijnë sa më parë.
Që të dy me hap sorkadhi
po e shkelin monopatin,
në qytetin zhurmëmadh
ikin të provojnë fatin.
E pa emër mos t'i lemë,
se këtë të drejtë e kemi,
njerin do ta thirrim Demkë,
Kolë tjetrit do i themi.
2
Udha na i bëri bashkë,
e do udha shoqërinë,
Demka mbart në sup një trastë
tjetri - veç në xhep shaminë.
Supi i Demkës u këput
torba plot qe me ushqime,
ndaj meraku si krimb iu fut:
"Do hajë Kola nga trasta ime!"
Ra qyqari në gjynah
iu bë zemra sa e zogut,
i ik fjala dhe ia tha
çka mendonte edhe shokut.
Kola në gaz vuri buzën
dhe ia ktheu me shakara:
"Ec o mik, vazhdojmë udhën,
bukën unë e nis përpara!"
3
Ecën pa këmbyer fjalë
rruga nuk kish të mbaruar,
mbrëmja, plafin dalngadalë
po e shtronte pa kuptuar.
Ja dhe yjet s'ia përtuan
mbushën qiellin me fenerë,
ndaj me vete Demka bluan
ku do gjejë një vend të flerë.
Në një guvë a ndonjë shpellë
vetëm sa të shtyjë kokën,
se për bukë e për gjellë
gjer në grykë plot kish torbën.
Po dhe Kola nuk ndihet qetë
dhe për larg e nis mendimin:
"Çfarë do bëj në qytet
për ta zbutur pak mjerimin."
Pesë gojë rrit në shtëpi
porsi zogjth në çerdhe rrinë,
presin nga duart e tij,
e aty gjen lumturinë.
4
Ec e ecë, i nxorri udha
bri një fshati plot lezete,
në çast Kolës iu zgjidh gjuha:
" Kam një mik, më pret t'i vete!"
Kështu tha e ndoqi vahun
gjer te shtëpia e parë,
dhe si mik i zgjati krahun
Demkës që hiq torbën zvarrë.
Porta u hap dykanatash
e na i pritën si s'ka më mirë,
nuk e ndjenë si shkoi nata
gjer u nisën në të gdhirë.
Kola paskish miq me besë
sonte mikut i qeshi nuri,
se ka pritur e do presë
për miq s'ligështohet burri.
Po dhe Demka ec menduar
i sëmboi diçka thellë,
Kola sofrën e gjen shtruar,
korr atë që vetë ka mbjellë.
Nuk e deshi Demka veten
sot iu duk vetja pa vlerë,
se, të themi të vërtetën
nuk i shkel asnjë në derë...
5
Rruga zgjatet e na zgjatet,
se kjo rrugë nuk ka të sosur,
s'vuri dorë Demka në strajcë
që të dy ndihen të ngopur.
Supi i Demkës zuri kallo
si një kalë që e vret barra,
më shkon Kola si në ballo
dhe e gjen bukën përpara.
Mjaft, o bir, fjalën e zgjata,
dhe më tej njëlloj i pritën,
do të dish ç'u bë me strajcën?
ç'mbante brënda gjithë u mykën...
HYRJE PËR RRËFENJËN E DYTË
Plaku luajti vendit e këmbët i shpiu
me një sy shqiponje një çast më përfshiu,
me ngucat çibukun e shtrëngon në gojë
e nis më flet shtruar:
"O bir, je pa përvojë!
Në mos ardhtë e mira, po mbajte vesh plakun,
e keqja, të paktën, nuk ta gjen konakun,
i varfër nuk ndihet kush s'ka pasuri,
varfëri e shpirtit lëçitet në sy...
dhe duhani i sertë kërkon arën kserë,
s'thonë vetëm librat mendime me vlerë...
si ngjarjet na ndodhën,
do të dish më tej?
Sa të ndez çibukun e prapë do të rrëfej..."
Rrëfenja e Dytë
1
"Ja vendosa sot , o bir
që me fund t'i zbraz hejbetë,
do bëj keq....
apo bëj mirë
në kandar peshoji vetë.
Pakogjë do ketë mbetur
vaji në kandilin tim,
ndaj nis rrëfej si i etur
shpirti të më gjejë dëfrim.
Ka një fund dhe historia...
të dy miqtë në rrugë i lamë,
sekush për hallet e tija
desh t'arrinte kasabanë.
Rruga zgjatet si litar
sa në diell e sa në hije,
për qejf zogjtë këngëtarë
pleksin zërat në korie.
Ndjehen sikur i këndojnë
miqësisë mes të dyve
edhe lodhjen u largojnë
që bën ferk te drita e syve.
E gjatë rruga të mos duket
muhabeti bëhet okë,
si një pemë që lidh frutet
thaanë u bënë miq për kokë.
2
Ecën kështi s'di se sa
zemrën plot ndjenin të dy,
miqësia brirë s'ka
kush e prek shijen ta di.
Të arrinin nuk ish e thënë
vendin për ku janë nisur,
lumi i madh ku bën një mëngë
tjetër rend u kish kurdisur.
Në mes dallgësh sa një mal
një fatkeq po jep e merr,
vdekjes dot s'i thotë ndal
ndaj dhe fundin pret me tmerr.
Të dy miqtë nuk nguruan
vetëtimthi u vunë në garë
përmbi dallgë çanë e shkuan
kush ta ndihë sa më parë.
Hoqën shumë e u përpoqën,
tërhiq njeri e tjetri mbaj.
nga thonjët vdekjes ia hoqën
e në breg dolën pastaj.
3
E në breg të tre qëndruan,
duke u parë me dashuri
miqësisht u përqafuan,
veç të ishim dhe ne aty.
Po gëzimi u rrit si deti
plot tallaze në stuhi,
tha fatkeqi: "Unë jam mbreti,
sot ju jini miqtë e mi!
Fati u ka prurë këtu
për t'i vënët punët mbarë
e sot për mua të dy ju
jini ëngjëjt shpëtimtarë.
Po unë mbreti nuk e ha thatë,
ndaj, o njerëz mendohuni mirë
e të nesërmen në pallat
eni e çfaqni çdo dëshirë.
Fjalën unë di ta mbaj
nder më bëtë që të dy,
borxhin kurrë dot nuk e laj
as si mbret, as si njeri..."
Në një gojë të dy i thanë:
"Qofsh lëvduar mbreti ynë!"
e miqësisht në sy u panë
siç e sheh njeriu - njerinë.
Pauzë për të ndjekur
rrëfimin
Si e mbush çibukun dhe e thith me nge
te sytë një mjegull i rri se perde,
siguria e tij mahnitur më ngjeth
e një dritë hyjniu rrezaton përreth,
S'di se çdo të falja
veç ta shoh një herë,
që buzën në gaz
pa mundim ta verë.
Te çdo rrudhë koha një mendim ka endë
dhe vitet mbi supe endën një legjendë,
ma lëçit mendimin si ta kem të shkruar:
"Hë, si thua, bir,-më flet shtruar-shtruar,
brazdën që e nisëm
ta nxjerrim në anë?
Të mësosh më tej ç'bënë miqtë tanë..."
4
Pa e hapur dielli synë
që të dy në këmbë i gjeti
dhe arritën me një frymë
atje ku i ftoi mbreti.
Në çivitë portë e madhe
ngjante si një zonjë e lashtë,
u thanë se do hyjnë me rradhë
tjetri do të presë jashtë.
I pari Kola kalon portën
dhe uron: Më priftë fati,
o mik Demkë, të gjithë kohën
nuk arrita të dal nga fshati.
Tek ngjit shkallët e pallatit
dum i jep se ç'të kërkojë,
te shtëpia larg në fshat
presin prej tij shumë gojë.
Ndak kur mbretit iu qas afër
me një përdëllim i thotë;
"Madhëri , si rob i varfër,
nder më bën, më fal një lopë!"
Ia kthen mbreti: "Mos u ngut!
Për më shumë ke nevojë!"
e miqësisht dorën mbi sup
ia hedh ndrojtjen t'i largojë.
"Qofsh lëvduar madhëri!
tjetër urim s'thotë goja,
tërë natën nuk mbylla sy
lopë dhe në gjumë kërkoja.
Mos ma kij , o Mbret merakun,
s'më bën zemra për më shumë,
veç të mund t'u mbush çanakun
vogëlushët presin nga unë...."
Një çast mbreti mbet pa gojë,
humbi mbreti në mendime:
"S'di i varfëri ç'të kërkojë
kur shkon jetën me thërrime."
Ndaj sot mbreti ra në hall,
e i flet Kolës përballë:
"Lopën, mik, e pçaç hallall,
më të mirën zgjidh në stallë!"
Iku Kola e gjurmë la
nderin që lartëson njerin...
"Këta njerëz, - mbreti tha,
mbajnë në këmbë mbretërinë!"
Zbriti Kola me vrap zogu
si të kishte krahët e erës,
e sihariqin ia tha shokut
që e prit te prag i derës.
Edhe një pauzë për të
ndjekur rrëfimin
Mushkëritë e plakut si oxhak i zënë
u kollitën gjatë e ofshanë rëndë,
" Kjo jetë, o bir, është si parmëndë
po s'dite ta ngasësh, t'i bën babë e mëmë!
Më të mirë se veten mikun shko e kërkoje,
i keqi kafshatën ta rrëmben prej goje,
unë që zgjat fjalën sot këtu me tija
do kem mbi kurriz plot halle të mia,
ndaj jetën e ngre si zemra ta do
e te fjalëbukurit kurrë mos beso...
5
Porta përsëri kërciti
e hapin Demka e hedh nxituar,
shkallët dy nga dy i ngjiti
pranë mbretit për të shkuar.
E pret mbreti pas zakonit
pranë e fton si mik me besë,
edhe vetë zbret prej fronit
për dëshirat ta pyesë.
Demka mendon i dyzuar
e një dëshirë e mundon,
syrin me një tis mbuluar
si një mjegull përmbi hon.
S'merr guxim nga t'ia fillojë...
"Folë, o mik!- Mbreti e cyt,
Demkës pështyma në gojë
po i thahet e gati e mbyt.
Se pandehu kaq të vështirë
këtë çast që shumë u zgjat,
për ta shprehur sot një dëshirë
te sovrani në pallat.
"Folë, o mik!- e nguti mbreti,-
dje në dallgë ishe më trim,
tani fjala ku të mbeti
e ta shprehësh nuk ke guxim?"
Iu zgjidh gjuha më në fund,
e flet Demka: "Madhëri,,,
(jo, nuk është ndjerë kund
çfarë nxori nga gojë e tij.)
I del zëri si nga një gropë,
i bërë baltë n[ fytyrë:
"Kolës mos ia jepni lopën!
E nuk kam tjetër dëshirë!"
Për një çast u shtang sovrani
si dikush ta kish goditur:
"Shpirtin tënd, njeri, shejtanit
nga ky çast sot ia ka shitur...."
Me keqardhje tjetrin e pa
E habia ia veshi synë,
"Këto monstra, - mbreti tha
do më nxjerin themelinë...!"
Në vend të mbylljes së rrëfenjës
Murrëtyer sytë e plakut porsi deti në tallaz
Në çast e ndryshuan ngjyrën, pa u mbushën tërë gaz,
përmbi supe më hodhi krahun, si një degë që pret të thahet,
shtymë hapat të dy tok, e fort te unë sot po mbahet,
sup më sup me njeritjetrin, japim e marrim të dy
ai optimizmin tim, e unë mençurinë e tij...








Comments