Vjen një lajm i gëzuar. Është nisur nga Korfuzi dhe në portin e Vlorës ka zbritur Tafil Buzi. Ai duhet të pritet me të gjitha nderet që meritojnë trimat e këtyre përmasave, por edhe duhet të ruhet. Serasqerët kërkojnë ta shpien të lidhur para sulltanit. Kokën e tij e duan në tepsi. Ai nuk trembet në këtë përballje, por s’duhet ta lerë në mes misionin e tij: kryengritjen popullore. ”Doli Tafili nga deti/ duall’ e prin’ vilajeti/ vilajeti mir’ e prinë:/ therën desh dhe e gostinë/ nga do ta shkojmë Tafilë?/ mes për mes Labërisë...» Në Labëri ndjehet i sigurt dhe i mbrojtur, sepse janë kapedanët e tjerë që s’e kanë rreshtur luftën kundër hordhive osmane; Hodo Aliu nga Nivica, Zenel Gjoleka nga Kuçi, Çobo Golemi, Xhelil Bega nga Lekdushi që ne e njohim me emërin Çelo Picari, etj. Bëmat e këtyre trimave janë gdhendur në epikën historike, janë maja të një lartësie. ”Çelua, këllëçkaftani/ u ngre vate te Sulltani.../Seç u zu hundë për hundë/ Tha Sulltani:-ç’dreq o punë/ nuk e lë të lirë ”hajdunë”/ se ngrë vënd’ e më prish punë.../Ndaj në Konj’ syrgjyn e shpunë”. Le ti largohemi disa çaste gjykimit popullor dhe të shikojmë se kush është Tafil Buzi në kronikat e diplomatëve të huaj që kryenin misionet e tyre në gadishullin tonë. Konsulli francez në Janinë, Ëzhen Puzhad, i cili ishte dhëndërr në familjen Gjika, (ishte martuar me Maria Gjika, të bijën e princit të njohur rumun, Konstantin Gjika, të familjes së famshme Gjika, me origjinë shqiptare nga Labova e Gjirokastrës. Maria ishte vajza e xhaxhait te Elena Gjikes). Pikerisht Ëzhen Puzhad është impresionuar nga Zylyftar Poda dhe Tafil Buzi, dy prijës të shquar, gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX.…Pas kryengritjeve, Tafili ishte arratisur në Kretë, tek Mustafa Pasha, dhe ai shqiptar, të mbrojtur njëkohësisht nga Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, aktualisht Vezir i madh. Por më pas, Porta e Lartë i kishte kërkuar të mbidhte luftëtarë dhe të krijonte një trupë për ta çuar të luftonte në Mesopotami. Gjatë kohës që ishte në Janinë, që të grumbullonte luftëtarë të shumtë, ai u sëmur rëndë, por një mjek italian atje e shpëtoi. Pashai dhe funksionarët e tjerë turq uronin që ai të vdiste dhe i lanë të kuptonte mjekut që ta linte të vdiste dhe se kështu do u bënte një shërbim të madh, por mjeku nuk pranoi. Sapo u shërua ai mblodhi ushtrinë e tij dhe bëri një hyrje solemne në Janinë në krye të 2.500 burrave të armatosur në oborrin e madh të sarajit. Tafili ishte mbi kale i rrethuar nga 12 palikarë në këmbë, me pushkët e tyre të gjata në sup dhe duart kush në shalën e kalit e kush tek frerët. Këndonin këngën e Tafilit që tregonte për bëmat e tij e ku të gjithë bashkë bënin refrenin: “Tafil beo, Tafil beo… Bej Tafil!” Para tij ecnin bufonët me flokët e tyre të gjata, zbukuruar me bishta dhelpre dhe çakalli. Disa ditë pas ardhjes time në Janinë ai më dërgoi fjalë që të takoheshim tek saraji i pashait dhe ku unë ti flisja pashait për kurajon dhe përkushtimin që kishte ndaj sulltanit. Pranova dhe kur ai erdhi para Osman pashës hoqi këpucët, por nuk u ul. Ishte një burrë shtatvogël dhe me sy jeshilë, me një hundë të gjatë dhe dhëmbë të mprehtë e të mëdhenj, çka jepte imazhin e një njeriu të zot për të gjithë trimëritë dhe dhunat. E mbajta fjalën dhe i fola pashait për mikun tim të ri. Osman pasha dukej se më aprovonte në ato që thoja, duke shtuar se shqiptarët ishin më besnikët ndaj sulltanit. Kur Tafili shkoi, pashai më tha: - Çfarë banditi e hajduti. Ah, sikur të vritej atje larg nga kurdët!... Megjithatë, Tafili për mua ishte një njeri interesant, pavarësisht nga thëniet e pashait. Ai vinte shpesh në konsullatë të kalonte ndonjë darkë apo të pinte çaj, duke më treguar historitë e tij. “Unë jam mësuar me jetën europiane, më tha ai një ditë kur e kisha në tavolinë. - Një herë kam qenë në Korfuz në shtëpinë e bukur të kontit Augustin Capodistria dhe di shumë mirë të ha me pirun”. Dhe duke thënë kështu, ai kapi një krah pule, i nguli pirunin dhe e futi në gojë… Marrëdhëniet e mia me bejlerët shqiptarë ishin të shpeshta dhe mes tyre isha mjaft popullor, madje kur vinin të takonin pashain, menjëherë ktheheshin tek unë të më bënin vizitë….” Në Janinë konsulli Ëzhen Puzhad u njoh dhe me dy bejlerë shqiptarë të qytetit, Naim bej dhe Fejzullah bej, siç shkruan ai në librin e tij “Të krishterë dhe turq”, të cilët ishin të fisnikërisë së Gjirokastrës, fermerë që kujdeseshin dhe për doganat e qytetit. “Ishin njerëz të butë, të zgjuar dhe të këndshëm në marrëdhëniet me të tjerët, - shkruan ai. - Shqiptarët kanë shumë simpati për europianët dhe për francezët në veçanti. Zakonet e tyre janë më të mira dhe të rregullta se të turqve; mbajnë vetëm një grua, nuk kanë skllave dhe nuk e njohin vesin e turqve (pederastinë)…Shqiptarët i shohin turqit me përbuzje dhe i quajnë “halldupë”, pra barbarë. Nuk është feja, por privilegjet që kanë nga turqit që i mban shqiptarët të lidhur me ta.
I nderuar Mihal,
Ju përshëndes për artikullin tuaj, kushtuar Tafil Buzit. Titulli i artikullit është varg i këngës së famshme, e cila më kujton vitet e pararinisë (adoleshencës) sime në vendlindje, në Smokthinë. Asokohe, kënga kushtuar Tafil Buzit, këndohej nëpër dasma dhe gëzime të familjeve smokthinjote, me refrenin “Tafiloooo, Tafil palla”:
Doli Tafili nga deti,
Duall’ e prin’ vilajeti,
Vilajeti mir’ e prinë:
Therën desh dhe e gostinë.
Nga do ta shkojmë Tafilë?
Mes për mes Labërisë.
Po pyet miku për miknë:
Ku e ka Cania* shtëpinë?
Në Bashaj përmbi Smokthinë,
Kullat e bardha në brinjë,
Te porta me llamarinë.
---------------------------
*Është fjala për trimin Cane Miftar Smokthinën, të cilin turqit e patën ftuar për një takim…