top of page

Mihal Gjergji: MUSTAFAIN E DUAN



 

Kohë pas kohe kam menduar të shkruaj disa rreshta për Mustafa Matohitin, i kam ardhur rreth me penë dhe përsëri kam heshtur. Syri mat trupin e njeriut për ti qepur kostumin, jo fatin. Dhe s’dija nga ta filloja. Jetën e pati tragjike, edhe vdekjen të tillë. Po më shumë se kaq, më ka befasuar emëri i tij i përmenduar aq shumë mes banorëve të Kurveleshit dhe Labërisë, fjalë admirimi dhe dashurie. Dhe dashuria merr formën e zemrës që e mban brenda. Populli e donte Mustafain dhe e ruante me fanatizëm në kujtesën e tij. Mandej i ka dhënë përjetësinë në këngët e kënduara. “S’le katund pa vajtur, kasolle, shtëpi/ Bilbil Matohiti, që s'të shoh me sy”. Po kush ishte Mustafai, njeriu orator dhe luftëtari idealist? Janë dekada që e bëjnë të largët në kohë dhe unë e përfytyroj të veshur me një xhaketë ushtarake, krahëqafë mban çantën me shënime, në këmbë opingat e ngrëna dhe kalcat e bardha, në zemër idealin për të cilin luftoi. Fundin e udhës ja shkroi një plumb pabesie. Ishte Komisar  çete. Nuk di çfarë urdhërash ka nënshkruar, a ka urdhëruar vrasje, a ka pajtuar kundërshtarët e përballur në kushte egërsie? Kam dëgjuar nga njerëzit e mi shumë të afërt ato se çfarë ka biseduar me ta Mustafai kur u shkonte në stane. Dhe kjo më ka mjaftuar, sepse nën dritën e diellit s’ka  ç’më duhet feneri. Kam mësuar se ishte dyshues për ditët që do vinin pas çlirimit. “Sa të marrim pushtetin dhe do të vrasim njëri-tjetrin”. Janë fjalët e tij të përcjella deri te unë nga bashkëkohësit. Përse vallë? E parandjente tradhëtinë që do ngjitej në fronet e larta? Dhe nuk e di se çfarë do të ndodhte me Mustafain nëse do mbetej gjallë, s’mund ta mendoj se me cilin grup armiqësor do ishte gjykuar. Po Mustafai vazhdon të jetojë, gjersa kujtohet nga të gjallët. Dhe ata janë të shumtë. Jo rrallë ka ndodhur që ta akuzojnë pas kaq vitesh, ta gjykojnë, t’i vendosin emërtime të çuditshme.  S’e kam fjalën për zengjinët e rinj që mbledhin floririn me thasë, atyre s’ka  ç’iu duhet Atdheu, martirët, historia. Por ata kanë ushtrinë e ndjekësve të verbër që bëjnë punën e tellallit. Ishte fundi i viteve ’90. Lëvizja e quajtur demokratike trumbetonte parajsën që do ndërtohej në vendin tonë me çekun e bardhë të miqve perëndimorë e që mbeti vetëm një ëndërr.  Shoqëria shqiptare ishte përçarë për dekada me radhë dhe mbarsur me urrejtje, e fatkeqësisht e tillë vazhdon të jetë. Të përkëdhelurit s’mund të hiqnin dorë vullnetarisht nga privilegjet e tyre, kurse ata që jetonin në mjerim dhe përbënin shumicën e popullsisë, besuan vërtet se fituan lirinë dhe zëri i tyre do dëgjohej nga Zoti.  Shtresat shoqërore (pro dhe kundër pushtetit) jetonin armiqësinë hakmarrëse të  luftës së klasave. Humnera ndarëse ishte thelluar. Në këto rrethana u pretenduan ndryshimet e mëdha. Filluan rrënimet e orientuara nga lart, shkatërrimi i gjithçkaje të krijuar me djersën e shqiptarëve. Dhe populli im i leshtë i shkon prapa  çdo dashi që tund këmborën dhe çdo bariu që e shpie në thertore. Filluan përplasjet e mëdha mes turmave të dehura nga anarshia e pakontrolluar. Paturpësisht hidhej baltë mbi familjet e nderuara, u lënduan eshtrat e të rënve, gjaku i martirëve doli në ankand  për gjykim kolektiv, paçka se vdekjet e ndritura s’mund të poshtërohen. I kam përjetuar këto ngjarje të pazakonta. Sa keq dhe sa turp! Ata që janë vrarë s’mund të vriten sërish. Ndërsa shkruaj këto rreshta, përfytyroj Mustafain 32 vjeçar duke ecur me kalë në Kalanë e Margëlliçit. Misteret e asaj vrasje i kanë marrë me vete ata që s’jetojnë, por ishte pikëlluese për ata që e njihnin komisarin. Ishte 29 Mars 1944. Një shtatore ia ngritën në qytetin e Patosit, doemos edhe në vendlindje. Emërin e tij e mbajnë rrugë dhe shkolla, sepse Mustafain e duan.

 

Tiranë, Mars 2024.

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page