top of page

Mihal Gjergji: ME VEZIRIN E JANINËS


Ali Pashë Tepelena ka dy varre dhe s’qendron te asnjeri prej tyre. Mesa duket, katil-fermani u shkrua para kohe nga Sulltan Mahmuti i II-të. Ende s’ishte shpallur caktimi i Zotit për këtë njeri. Unë mbaj në duar kokën e pashait tepelenas, vetëm atë. Por ajo është e rëndë, shumë e rëndë. Ja kam flakuar pëlhurën indiane prej kashmiri, me të cilën e kishin mbuluar. Edhe çallmën e mrekullueshme zbukuruar me pendët që Aliu i vinte gjatë betejës. Mjekra e bardhë varet si mjergull bore, e thurur në avëlmëndin e shkurtit të hidhur. Ndërsa sytë e tij kërkojnë largësitë që s’mundi t’i zotëronte. Ndoshta Portën e Lartë! Brenda syve zhbirues e plot dritë, ujrat e trazuara të Vjosës kërkojnë shtegdalje. E shikoj me kërshëri. Edhe kështu, e prerë, ajo vazhdon të përcjellë efekte të tmerrshme dhe mahnitëse. –“Paçim fatin e tij”,-kështu u shpreh Hurshid pasha kur i shpunë kokën e Vezirit të Janinës. U ul në gjunjë dhe i puthi mjekrën tri herë…E ç’më duhet trupi i Aliut; shpatullat mbi të cilat qëndronte barra e pashallëkut dhe tradhëtia, e cila s’iu nda asnjëherë, kërkonte t’a vriste pas shpine. S’më interesojnë këmbët e tij, të cilat ishin krijuar për të shkelur shtigjet e përgjakura, apo duart që mbanin nargjilenë, shkrepnin pisqollat e stolisura me ar dhe ledhatonin kurmin ëngjëllor të Vasiliqisë. Madje, unë e përfytyroj Ali Pashën ndryshe nga ju: një përmendore gjigande e trupit pa kokë. Vetëm kështu dhimbja jonë do vazhdojë të ulërasë, ndërgjegjia kombëtare do rrijë zgjuar, drama jonë do presë aktin e radhës. Sa autorë të tjerë kanë rendur pas pashait! Disa prej tyre, i kanë kushtuar shumë vite të jetës. Kur e ndjek një njeri pandërprerë, të krijohet ndjesia sikur largohesh më tepër prej tij. Dhe s’të mbetet veçse të dëgjosh jehonën e zërit tënd. Por ka edhe një të keqe tjetër më të madhe akoma. Ai të bëhet i afërt, shumë i afërt, si një stërgjysh që të përket vetëm ty. Pikërisht, atëherë mund të prekesh nga sëmundja e delirit, të mendosh se edhe ti vetë je shëmbëlltyra e pashait, ose thënë ndryshe, je pak “Ali”. Ne kërkojmë prej tij atë, që ai s’mundet të na e japë, kërkojmë të çvatim diçka nga bizhuteritë e tij përrallore, të marrim diçka nga shkëlqimi i tij llamburitës, ndërsa i afrojmë atë, për të cilën ai s’ka nevojë. Mirëpo vjen koha dhe seicili prej autorëve u dashka të ndahet prej tij, pse jo, edhe ai të shpëtojë prej nesh, të qëndrojë ashtu mospërfilles, në lartësitë ku është ngjitur. Jeta e Ali Pashës ngjason me një koshere të tejmbushur, e cila pret të zgjaten duart e bletërritësit. Mirëpo, sado që të marrësh prej saj, ajo mbetet përsëri plot. Parajsën dhe ferrin s’i krijoi ai. Madje, ai s’besonte, sepse besimi nënkupton verbëri. Ai ishte vetë Zot. Por ishte fatkeq, sepse të zgjuarin s’e kuptojnë të fjeturit. Zgjedhën e varfërisë ua hoqi barkzbrazurve, por i varfëri kënaqet me varfërinë e tij, sikurse i padituri me verbërinë që e mban si një veshje të çmuar. Moskuptimi e vrau. Izraelitet s'e kuptuan Jezusin, indianët- Budën, gjermanet - Zarathustrën e Niçes. Ai s'ishte hyjni, por ishte i ndriçuar me ide, me projekte, me vizion per te ardhmen. Ishte i mbarsur me ëndrrën e të qënit i lirë, ai dhe popullii tij...

(Fragment nga libri “Ali Pashë Tepelena”). Janinë, Janar 2017

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page