Migel Flor: ROL NË KOMEDINË E ABSURDIT

Jemi këtu.
Në FB shkruajmë poezi, prozë, kritikë. Lexojmë shpirtin e miqve. Adhurojmë poezinë. Disa bëjnë art… postojnë, reklamojnë botimet, shkrimet, me thjeshtësi.
"Përballë."
Disa (kujdes me fjalën këtu) disa, jo të gjithë.
Poetë, shkrimtarë me emër. Azganë e dragoj të artit me mjekër, familjarë "të shndritshëm", "të përgjëruar", foto ku u puthin duart akoma më të mëdhenjtë.
Dinë të shkruajnë?
Po, edhe dinë. Disa nga leximet si nxënës të dhjetës. Për mrekulli. Po shpirt a kanë?
S’e di… duhet t’u lexosh biografinë, pastaj poezinë.
Artistë të Messenger-it që i kult8vojnë poetët si kërpudhat. Si fermerët. Shkëmbimi?
Biznesmenë sponsorë që duan manekinë për reklama, femra si bizhù.
Komentatorë të flaktë e të tërbuar nga "pasioni" të poezisë në Messenger. Sidomos në messenger.
Konkurse nga poetë kokëmdhenj e truvegjël, çanistë… Juri nga jo të gjithë poetë të vërtetë, shpesh nga larva që xhelozojnë dhe luftojnë poete të tjera. Në një luftë ku vringëllojnë të gjitha armët dhe kimikatet e ligësisë njerëzore.
Konkurse nga analfabetë që vetëbëhen e vetëquhen lidhje shkrimtarësh. Profesorë e akademikë në shkencën e delirit dhe të vetëkënaqjes.
Artistë të cilët i udhëheq epshi për para, famë dhe perversion. Derra të çertifikuar.
Konkurse në emër të Azem Shkrelit, poetit të madh kombëtar i cili shkroi pikërisht për këta lloj krimbash që kujtojnë se me mënyrat e pista shpërblyese, po bëjnë art. Pikërisht për këta lloj krimbash që brejnë me të vetmin pasion brejtjen, gjithçka që vlen, çdo tra mbi të cilin mbështetet ngrehina delikate e vlerave.
Baltë, zift, vrer, helm, intriga për një titull, për një fitore të pamerituar, për konkurse davaxhinjsh ruralë të lindur që kujtojnë se bota e Letërsisë dhe e Artit është stallë.
Pazare, pazare, gjithandej pazare. Sekte, aleanca brejtësish, tarafe seksualë, konjuktura meskinësh.
Pazare të pista: lekë, premtime favoresh truporë, çmime të parafabrikuar, grupe njerëzish të pistë që mbështetin njëri-tjetrin në pisllëqe të pisëruara në progresion gjeometrik. Të pafund si universi.
Revista letrare, portale, gazeta nga të paaftë, tyryfylë mbushur me poezi që nuk janë poezi. Por : Eeejjjj milet, botojmë cikle të mira e të lira, 50 € copa".
Më e bukura: një poet shqiptar që boton «Hieroglifet e mallit tim të parë» nëpër revista, sikur të ishin të vetat. Hieroglifet si term e nocion mund t'i përdorë gjithkush që di shkrim e këndim por cipën, ndërgjegjen, karakterin nuk mund t'i përdorë dikush që nuk i ka.
Pas një udhëtimi dyvjeçar në FB, të cilin ma rekomanduan si reklamë, çfarë nuk mëson njeriu.
Për një antologji, 50 euro për t’u botuar, shumëzim për 30 vetë? Dhe autorët e antologjive, ndonëse t'i botojnë pa të pyetur, të kërkojnë pagesë. Këtu turpi dhe tragjikja, bëhen komedi.
Iku kjo.
Për një botim në një gazetë të njohur shqiptare, sa do zoti që të më zgjedhë ndër të bekuarit e poezisë?
Për një përkthim, sa kushton xhelozia e përkthyesve ndaj poezisë së vërtetë?
Për të qenë vetëm ti në qendër të vëmendjes, zonjë, sa të kushton mohimi i poezisë së tjetrit? Sa kushton kilogrami i nderit o njerëz?
Ti që e lexon dhe bën sikur nuk e shikon, a të zë gjumi duke qenë e vetëdijshme se po mohon vlerat e një gruaje tjetër?
Ti që e komenton në Messenger, pse nuk komenton në mur, bashkë me gjithë të tjerët?
Bëhet xheloze e dashura apo gruaja?
Apo ndoshta ke arsye të hapësh një bisedë?
Konkurse nga të paaftë.
Promovime ku xhelozia sëmuret e bëhet vdekjeprurëse, kur duhet të jetë pranë miqve krijues. Siç duhet të jetë njeriu, siç duhet të jetë POETI.
Lidhje shkrimtarësh që, në fakt, nuk janë lidhje, por kundërshtime grupesh dhe luftë se cili do të jetë kryetari. Etje e pashuar për marrëzi, absurd. Spital. Megaspital. Shoqëri pacientësh. Pus i pafund të molepsurish.
Ku është lidhja këtu?
Ku?
Në interesin e gjithsecilit?
Kush është këtu për Artin e vërtetë, pa interes… kush?
Në Artin shqiptar, Xhokondat rrinë në kështjella që kanë zënë myk ndërsa zërat e trokut e të rrëmetit kanë pushtuar skenat, revistat e pavlera dhe vendin e dështuar artistikisht duke krijuar konfederatën e kënetave ku secili gërrhet i kënaqur me llumin dhe dhjamin e vet.
Kuptoje, Poet… pa para s’bëhesh Poet. Ky është oguri i zi i artit tonë në Atdheun tonë.
Kuptoje, Poete… pa njohuri rreth «Pretty Woman», nuk do të marrësh kurrë asnjë Rol.








Comments