top of page

Fatmir Terziu: Manjola Brahaj Halili, përtej titujve akademikë...

2 hours ago
12 min read

Manjola Brahaj Halili, përtej titujve akademikë: një portret i mendimit, kujtesës dhe ndjeshmërisë njerëzore

 

Ka intervista që nisin me pyetje dhe përfundojnë me përgjigje, por ka edhe të tilla që, përtej këtij komunikimi të zakonshëm, arrijnë të zbulojnë një univers të tërë njerëzor, intelektual dhe shpirtëror. Kjo bisedë me Prof. ass. dr. Manjola Brahaj Halili, Dekane e Fakultetit Filologjik në Universitetin „Ukshin Hoti“, është një përpjekje për ta njohur personalitetin përtej funksionit që ajo ushtron, për të depërtuar në ato hapësira ku formimi akademik takohet me kujtesën personale, ku përkushtimi profesional ndërthuret me përvojën e jetës dhe ku mendimi intelektual fiton përmasën e ndjeshmërisë njerëzore.

Në këtë intervistë ndryshe, nuk kemi zgjedhur të ndjekim vetëm rrugën e pyetjeve tradicionale mbi karrierën, arritjet dhe përgjegjësitë drejtuese. Përkundrazi, kemi dashur të krijojmë një hapësirë më të lirë komunikimi, ku përgjigjet të mos jenë thjesht deklarime profesionale, por edhe pasqyra të një karakteri, të një botëkuptimi dhe të një përvoje që ka ditur të ruajë lidhjen me librin, familjen, kujtesën dhe të ardhmen. Sepse një pedagoge e letërsisë, një studiuese e prozës së Anton Pashkut, një njohëse e eposit të kreshnikëve dhe e retorikës antike, nuk mund të kuptohet vetëm përmes titujve që mban, por edhe përmes mënyrës se si e përjeton fjalën, heshtjen, humbjen, dashurinë dhe përgjegjësinë.

Manjola Brahaj Halili shfaqet këtu me një sinqeritet që nuk kërkon të krijojë përshtypje të sforcuara. Ajo flet për librat e mbetur përgjysmë, për kohën që nuk mjafton, për mësimdhënien si një profesion që ndërton të ardhmen e të rinjve, por edhe për atë punë të padukshme të grave që vazhdon pas përfundimit të orarit zyrtar. Në përgjigjet e saj, lexuesi gjen një lidhje të veçantë mes intelektuales dhe gruas, mes drejtueses akademike dhe nënës, mes studiueses që përballet me pyetjet e mëdha të ekzistencës dhe njeriut që gjen qetësinë në kujtimet e babait dhe përqafimin e vajzave të saj.

Veçanërisht domethënëse është mënyra se si ajo e trajton letërsinë, jo si një hapësirë të mbyllur akademike, por si një formë të identitetit dhe të vazhdimësisë kulturore. Për të, mësimdhënësi i letërsisë shqipe nuk është thjesht përcjellës dijesh, por pjesëmarrës në ruajtjen e shpirtit të një kombi. Ndërsa kur flet për shkrimin, ajo zbulon një raport të lirë, pothuajse intuitiv me krijimtarinë, pa orare, pa rituale të imponuara dhe pa rregulla që mund ta kufizojnë lirinë e frymëzimit. Kjo liri, megjithatë, shoqërohet edhe me një vetëdije kritike për paragjykimin dhe keqleximin e veprës letrare.

Ndoshta një nga dimensionet më të ndjera të kësaj interviste gjendet pikërisht aty ku përgjigjet prekin humbjet dhe kujtimet. Ajo nuk e ndan jetën nga dhimbja, as lumturinë nga përjetimi i thellë i ekzistencës. Përmes kujtimeve për njerëzit e dashur që nuk janë më dhe përmes çasteve të mëdha të dashurisë e të mëmësisë, Manjola na përcjell një mendim të rëndësishëm: njeriu e kupton më plotësisht jetën kur përballet me skajet e saj, me mungesën dhe praninë, me dhimbjen dhe lumturinë.

Edhe shqetësimi i saj për zhvillimin e inteligjencës artificiale merr një kuptim përtej interesit teknologjik. Është shqetësimi i një pedagogeje dhe nëne për botën që po ndërtojmë dhe për të ardhmen ku do të rriten fëmijët tanë. Kështu, intervista fiton edhe një dimension shoqëror, duke e zhvendosur bisedën nga përvoja individuale drejt pyetjeve që i përkasin kohës sonë.

Kjo është arsyeja pse kjo intervistë është ndryshe: sepse nuk synon të ndërtojë një portret të përsosur, por të sjellë një portret të vërtetë, me mendime, kujtime, bindje, pikëpyetje dhe ndjeshmëri. Një portret ku leximi mbetet këshilla më e mirë e marrë, ndërsa „Mos shkruaj“ shndërrohet në këshillën më të keqe; ku paqja me veten vlerësohet më shumë se dukja e jashtme dhe ku suksesi profesional nuk e zbeh rëndësinë e familjes.

Në këtë përfshirje të „Fjalës së Lirë“ në Londër dhe revistës „Albanian Post“, të botuara në Mbretërinë e Bashkuar, Prof. ass. dr. Manjola Brahaj Halili na fton të njohim jo vetëm një personalitet akademik, por edhe një botë të brendshme që meriton të dëgjohet. Sepse, në fund të fundit, njohja e një njeriu nuk përfundon aty ku mbaron biografia e tij; ajo fillon pikërisht aty ku ai pranon të flasë me zërin e vet.

Ju ftojmë ta lexoni këtë intervistë, ku përgjigjet janë më shumë se fjalë: janë copëza jete, mendimi dhe kujtese.

 

„Fjala e Lirë“ në Londër dhe revista „Albanian Post“ që botohen në print në Mbretëri të Bashkuar nën drejtimin e Fatmir Terziut, ju ftojnë në këtë përfshirje:

 

Të njohësh dikë kërkon kohë dhe shpesh shumë përpjekje. Dhe nëse nuk janë shumë fjalëshumë, ndoshta do t'ju duhet të bëni disa pyetje për ta njohur atë në një nivel më të thellë. Mbani mend se shumë nga këto pyetje nuk janë pyetjet tuaja standarde "të njohësh dikë". Unë mendoj se pyetjet më të papritura kanë më shumë gjasa të marrin përgjigje të papritura dhe të vërteta. Le të fillojmë me disa pyetje që janë perfekte kur po njiheni për herë të parë me dikë. Ky seksion përmban më shumë pyetje sepse kur po njiheni për herë të parë me dikë, zakonisht nuk doni të bëheni shumë personalë, por kjo ndihmon brezat, ndihmon ata që na rrethojnë, dhe më së shumti kur këto përgjigje vijnë nga emra të njohur si Ju.

 

 

1.     Nëse nuk do të duhej të flinit, çfarë do të bënit me kohën shtesë?

 

Nëse nuk do kisha nevojë fiziologjike për të fjetur kohën e mbetur do ta mbushja me lexime të librave dhe teksteve që më kanë mbetur përgjysëm ose nuk i kam nisur ende dhe janë diku në një qosh të mendjes sime duke më pritur dhe më kujtohen herë pas here. Kur ndodh kjo kujtesë në fakt vjen e përzier me një lloj ndjenje faji që s'kam mundur ose nuk e kam menaxhuar kohën time si duhet për t'i lexuar edhe ato që do doja t'i kisha lexuar me kohë.

 

2.     Në çfarë pune do të ishit të rëndësishëm?

 

Mendoj se në punën ku jam dhe kam pasur fatin të jem që në moshën 24 vjeçe, jam e rëndësishme, sepse profesioni i mësimdhënësit është një profesion që të bën të rëndësishëm, të je vlerë dhe rëndësi edhe kur ajo vlerë nuk duket ose nuk shfaqet për momentin, me kalimin e kohës ajo vjen dhe fiton vendin e saj. Mësimdhënia është një profesion që na bën, jo vetëm të rëndësishëm, por vendimtarë për jetën dhe të ardhmen e shumë e shumë të rinjëve, ne bëhemi çdo ditë dhe jemi modeli të cilin ata duan ta ndjekin dhe ta mbërrijnë përgjatë rrugëtimit të tyre. Dhe në mënyrë të veçantë mësimdhënësit e letërsisë shqipe janë edhe më të rëndësishëm sepse nuk janë thjesht përçues e shpjegues dijesh apo informacionesh, ata ndihmojnë në kultivimin dhe mbajtjen gjallë të kulturës, shpirtit dhe identitetit kombëtar, i cili ngjizet dhe zhvillohet tek letërsia e një kombi. 

 

3.     Nëse do të mund të shndërronit ndonjë aktivitet në një sport olimpik, në çfarë do të kishit një shans të mirë për të fituar një medalje?

 

Nëse i referoheni ndonjë aktiviteti që unë bëj momentalisht, nuk e di nëse do të mund të fitoja ndonjë medalje, por me siguri do të isha në mesin e më të mirëve me sportin e të përballuarit të rutinës së përditshme  shtëpi – punë – shtëpi. Ky cikël nëse do të bëhej sport olimpik dhe që në fakt është i mundimshëm si një i tillë, jam e sigurtë që gratë do të ishin fituese të shkëlqyera dhe pavarësisht se ky rreth ciklik i mundimshëm nuk është sport ilimpik, ato çdo ditë ia dalin dhe meritojnë nga një medjale. Çdo ditë meritojnë të dalin në tribunë dhe të duatrokiten që pas punës jashtë shtëpisë sapo hapin derën kur kthehen, thjesht ndërrojnë uniformën dhe ia nisin një turni të ri nga e para.

 

4.     Cilin libër, shkrimtar shqiptar, grup muzikor, ose artist do të zgjidhnit kur nuk mund të zgjidhnit diçka për të dëgjuar?

Nëse i referoheni zgjedhjes së përqëndruar në letërsinë dhe kulturën shqiptare, me njëfarë ''detyrimi'' unë do kisha zgjedhur ata që për mua pavarësisht faktit që janë krijuar nga një letërsi e një vendi të vogël dhe nga një gjuhë me prestigj të ulët ndërkombëtar siç është shqipja, mbeten kryevepra të letërsisë sonë. Librin: ''E madhe është gjëma e mëkatit'' nga M. Kuteli; shkrimtarin: Agron Tufa, me të gjithë krijimtarinë e tij; grup muzikor: djemtë e detit.

 

5.     Për cilën pyetje do të dëshironit më shumë të dinit përgjigjen?

 

A ka formë tjetër jetë përtej vdekjes?

 

6.     Çfarë ju intereson që shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar?

 

Më intereson shumë paqja personale. Nuk e shpreh këtë gjë askund por punoj dhe jetoj që të jem në paqe me veten dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua.

 

7.     Për çfarë mund të bënit një prezantim 40-minutësh pa asnjë përgatitje?

 

Për mua që ligjëroj prej vitesh dhe kam një komunikim publik të dëshmuar në vazhdimësi kjo pyetje është sa e thjeshtë aq edhe e vështirë, sepse një prezantim të tillë mund ta bëja jo vetëm për një temë por, për disa. Gjithsesi për të qenë edhe më e saktë po ju them këto opsione: 1. Për prozën e Anton Pashkut që ka qenë tema e doktoraturës sime. 2. Për eposin e kreshinkëve që më ka magjepsur që fëmijë. 3. Për retorikën antike. 4. Për poezinë hispanike etj

 

8.     Çfarë prisni më shumë në 10 vitet e ardhshme?

 

Për momentin jam më e përmbushur seç e kam ëndërruar dhe më e lumtur seç e kam pritur, ndaj e vetmja gjë që do të prisja do ishte vazhdimi i këtij ritmi jetësor, natyrisht me shëndet të plotë timin dhe të anëtarëve të familjes sime.

 

9.     Çfarë argëtimi do të dëshironit të fshinit nga mendja juaj në mënyrë që ta përjetonit për herë të parë përsëri?

 

Edhe pa e fshirë fare, nëse do të kisha shkathtësi dhe kohë do të doja të përjetoja sërish ngjitjen nëpër pemë. Si fëmijë jam ngjitur shumë nëpër pemë për të ngrënë frutat stinore, por edhe për të luajtur lojëra të ndryshme që i shpiknm si fëmijë dhe kur ngjitesha, natyrisht që isha e shoqëruar me motrat dhe vëllain, dhe është e do të mbetet ndër kujtimet dhe argëtimet më të bukura, të cilin do doja ta riktheja dhe ta përjetoja me po të njejtin intensitet.

 

10.  Cili titull libri, filmi e përshkruan më së miri jetën tuaj?

 

Nuk mund të gjej ndonjë që mund t'i përshtatet të gjithë jetës sime, vetëm ndoshta një pjese të saj mund të them deri diku, jo totalisht është filmi Serendipity.

 

11.  Ku është vendi më i qetë ku keni qenë?

 

Dikur prehëri i babit, tani përqafimi i vajzave të mia.

 

12.  Cilat janë disa gjëra nga të cilat ju është dashur të hiqni dorë?

 

Për një periudhë të jetës sime duke qenë se edhe nuk kam pasur asnjë familjar timin afër më është dashur të heq dorë nga daljet ose takimet me shumë miq, për shkak të përkushtimit ndaj rritjes së vajzave. Mirëpo gjëra të tjera që mund të kem pëlqyer apo dashur dhe jam detyruar të heq dorë, fatmirësisht tani që po më bëhet kjo pyetje, po e kuptoj që nuk kam pasur.

 

13.  Për çfarë doni të dini më shumë?

 

Kurioziteti është pjesë e pandashme e imja dhe në periudha të ndryshme kam dashur të di më shumë gjëra të ndryshme, kjo besoj që është e ndryshueshme tek secili individ dhe varion sipas moshës. Në moshën në të cilën jam dhe në epokën në të cilën po jetojmë gjëja për të cilën jam e interesuar më së shumti është zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe rreziqet që mund të na kanosen prej saj. Dua të di më shumë për të ardhmen, çka mund të vijë më tutje, jo si dëshirë apo kuriozitet, por kësaj radhe si një lloj ankthi se po shkojmë drejt një realiteti distopik të frikshëm dhe kam shumë frikë në çfarë bote po i rrisim dhe ku po i lëmë fëmijët tanë?!

 

14.  Cila ishte aventura e fundit që bëtë?

 

Nuk kam bërë asnjë.

 

Pyetje disi personale për të njohur dikë. Këto pyetje janë të shkëlqyera nëse vërtet shkoni mirë me dikë që sapo keni takuar, ose nëse e keni njohur personin për një kohë dhe doni ta njihni më mirë.

 

1.     Kur ishte hera e fundit që ndryshuat mendje/besim për diçka të rëndësishme?

 

Një shprehje thotë: ''Rritja intelektuale fillon aty ku përfundon frika për të ndryshuar mendim.'' Dhe në fakt unë jam e këtij lloji të formimit, mendimet rreth diçkaje apo dikujt mund të ndryshohen varësisht prej fakteve apo rrethanave bindëse, ndërsa karakteri dhe disa parime morale jetësore mbesin të pandryshueshme. Nuk po më kujtohet diçka konkrete për të cilën kohët e fundit mund të kem ndryshuar mendim, por vetëm mund të them se nuk jam njeri statik, jam si uji që rrjedh duke u pasuruar me rrjedhën por pa humbur esencën e natyrës së tij.

 

 

2.     Kur u ndjetë vërtet "gjallë"?

 

Mendoj se njeriu ndihet vërtetë i gjallë kur përjeton kënaqësinë / lumturinë më të madhe dhe kur e jeton humbjen më të madhe, pikërisht aty ndihet gjallësia më së miri. Unë mund të them se jam ndier gjallë kur kam humbur babain, kur kam humbur dajën, tezen dhe vëllain e vogël, këto ikje kanë ndodhur në periudha dhe kohë të ndryshme të jetës sime dhe në secilën prej tyre dhimbja e jetës ishte më e pranishme se çdo gjë tjetër, unë isha gjallë edhe pse nuk doja të isha.Po ashtu jam ndier gjallë kur jam dashuruar me babain e fëmijëve të mi, kur kam lindur vajzat dhe jam bërë nanë, aty ka qenë jeta më e gjallë se asnjëherë. Ndaj mendoj se kur njeriu i përjeton këto dy ekstremitete e prek vërtet gjallësinë dhe ia ndjen pulsin, në rastet e tjera jemi më pak të vetëdijshëm dhe e marrim shpesh për të mirëqenë fatin apo fatkobin e të qenit gjallë. 

 

3.     Kush është/ishte shoku/shoqja juaj më interesante?

 

Shoqja ime më interesante ka qenë dhe është Bela. Nuk do të flas më gjatë për të le ta zbulojnë lexuesit vet.

 

4.     Çfarë rreziqesh ia vlen të merren kur shkruani?

 

Nuk di të them nëse ia vlen apo jo të marrësh rreziqe sepse ai që shkruan, mendoj unë, shkruan në rradhë të parë për veten dhe kënaqësinë e tij dhe nuk mendon gjatë atij procesi për rreziqe. Kur vendos ta botojë dhe ta publikojë atë që ka shkruar aty mendon autori dhe është i kthjellët, ndonëse ka raste që mund të jetë edhe nën efektin e ndonjë deliri dhe të mos mendojë as gjatë këtij procesi. Gjithsesi unë personalisht e kam marrë përsipër rrezikun e të qenit e paragjykuar nga poezitë e mia, edhe natyrisht që ka ndodhur paragjykimi, sespe lexues mediokër dhe pseudolexues kemi sa të duam, dhe këto dy grupe iu qasen veprave me lupën e moralit, të paragjykimit dhe të hamendësimit pervers, duke bërë që të shkojnë diametralisht kundër esencës së krijimtarisë letrare dhe fiksionit dhe gjithashtu duke mos e shijuar aspak veprën, sepse merren me autorin /en.

 

5.     Cila është këshilla më e mirë dhe më e keqe që keni marrë ndonjëherë?

 

Këshilla më e mirë që kam marrë ka qenë: Lexo.

Këshilla më e keqe që kam marrë ka qenë: Mos shkruaj.

 

6.     Çfarë e bën një jetë të jetuar mirë?

 

Një jetë e jetuar mirë në këndvështrimin tim është një jetë në të cilën ke pranë njerëzit që do, bën gjërat për të cilat ke lindur dhe len pasardhës që të mbushin shpirtin.

 

7.     Cilat janë disa gjëra në të cilat jeni vërtet të mirë, por ndiheni disi të turpëruar që jeni të mirë në to?

 

Kam qenë dhe jam e zhdërvjellët për gjimanstikë dhe ndihem pak në siklet nëse e shfaq, ndonëse nuk ka asgjë të keqe.

 

8.     Cilat janë disa nga "rregullat" tuaja personale që nuk i shkelni kurrë gjatë shkrimit dhe krijimit?

 

Në të gjitha aktivitetet dhe gjërat që bëj kam rregullat e mia dhe jam njeri që e pëlqej rregullin dhe pastërtinë, i vetmi proces për të cilin nuk kam rregulla as rend është shkrimi dhe krijimi. Aty ndryshoj, jam spontane, kaotike dhe e parregullt. Nuk kam orar shkrimi, nuk kam kohë, ditë as javë shkrimi. Nuk bëj asnjë veprim bestytnor për të thirrur muzat as frymëzimin, ai vjen vet tek unë kur don vet, Nëse jo, nuk shkruaj dhe as nuk shqetësohem për këtë gjë.

 

Pyetje shumë personale për të njohur dikë:  Këto pyetje janë më shumë për njerëz që tashmë i njihni mirë, por doni t'i njihni në një nivel më të thellë. Zgjodha vetëm disa për këtë kategori sepse shumica e pyetjeve që do të përdorni për të njohur dikë do të jenë në kategoritë e mëparshme.

 

1.     Cila është vetërealizimi juaj më i habitshëm?

 

Jam realizuar profesionalisht edhe më mirë seç e kam pritur dhe jam habitur nga besimi dhe përkrahja që më është dhënë duke u bazuar vetëm tek aftësitë dhe personaliteti im. Më ka habitur shumë kur më është besuar pozita drejtuese e Fakultetit ku unë punoj.

 

2.     Çfarë i jep kuptim jetës suaj?

 

Familja ime. Vajzat e mia.

 

3.     Cila gënjeshtër thoni më shpesh?

 

Nuk e di.

 

Në vend të një mbylljeje, një mendim që mbetet…

Në përfundim të kësaj interviste, ajo që mbetet nuk është vetëm njohja me një personalitet akademik, me një pedagoge dhe drejtuese të një institucioni universitar, por edhe me një botëkuptim që e sheh dijen si përgjegjësi, letërsinë si identitet dhe jetën si një udhëtim ku përmbushja nuk matet vetëm me atë që arrijmë, por edhe me atë që ruajmë brenda vetes.

Përgjigjet e Prof. ass. dr. Manjola Brahaj Halilit dëshmojnë se formimi intelektual nuk e largon njeriun nga ndjeshmëria, përkundrazi, mund ta bëjë atë më të vetëdijshëm për vlerën e kujtesës, të marrëdhënieve njerëzore dhe të fjalës së lirë. Në to bashkëjetojnë studiuesja që kërkon përgjigje për pyetjet e mëdha të ekzistencës, krijuesja që nuk pranon t'i nënshtrohet skemave të frymëzimit, drejtuesja që e kupton peshën e besimit institucional dhe nëna që e gjen qetësinë më të thellë në përqafimin e vajzave të saj.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe vlera e kësaj bisede: në faktin se ajo nuk përpiqet të japë një përkufizim përfundimtar të suksesit, por na lë të kuptojmë se suksesi profesional merr kuptim të plotë vetëm kur shoqërohet me paqen personale, me lirinë e mendimit dhe me aftësinë për të mos humbur veten në rrugëtimin e jetës. Edhe kontrasti mes këshillës „Lexo“ dhe asaj „Mos shkruaj“ mbetet një mesazh domethënës për çdo brez: dija të hap horizonte, ndërsa krijimtaria kërkon guximin për të mos heshtur.

Si „Fjala e Lirë“ në Londër dhe revista „Albanian Post“, e konsiderojmë këtë përfshirje një kontribut në njohjen e personaliteteve që, përmes punës, dijes dhe përkushtimit, e pasurojnë jetën akademike dhe kulturore shqiptare. Intervista të tilla synojnë të krijojnë ura komunikimi ndërmjet përvojave, brezave dhe hapësirave tona kulturore, duke sjellë në vëmendje jo vetëm atë që individët kanë arritur, por edhe atë që mendojnë, besojnë dhe përcjellin.

Falënderojmë Prof. ass. dr. Manjola Brahaj Halilin për çiltërsinë, kohën dhe gatishmërinë për këtë bashkëbisedim, duke i uruar vijimësi në veprimtarinë akademike, krijuese dhe drejtuese. Sepse një intervistë e mirë mbaron me fjalët e fundit, por një bisedë e vlefshme vazhdon të jetojë në mendimin e lexuesit.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page