top of page

Meçan Hoxha: Shqiptaria - kryefjalë në krijimtarinë e Shpendi Topollajt   

  • 20 hours ago
  • 8 min read

 

(Mësime prej librit “Çezari dhe Pompeu në Durrës“)

 

Shpendi Topollaj është modeli i krijuesit që në çdo çast propagandon vlerat e rracës shqiptare. Për to hulumton, u këndon me zë të bukur dhe i publikon. Në forma e përmasa të ndryshme e gjen këtë në rreth 90 librat e shkruar dhe botuar prej tij. E gjen dhe te libri më i ri, titulluar: “Çezari dhe Pompeu në Durrës“. Që në ballinë rrëfehet me kënaqësi prezenca e Durrësit në një ngjarje të madhe, ku janë protagonistë emrat e lavdishëm Çezar dhe Pompe, emra që kanë bërë histori të njerëzimit. Me këtë libër Shpendi i kujton lexuesit se e ardhmja e këtyre personaliteteve, e Romës dhe e historisë së njerëzimit lidhet dhe me Durrësin.

Nuk do të bëj recension të këtij libri, që ka trajtuar shumë bukur arsyet pse ndodhen në Iliri e në Durrës Çezari me Pompeun, arsyet e luftërave civile romake, zbarkimet në portet e Ilirisë, ndeshja në afërsi të Durrsit dhe humbja e Çezarit, ndeshja në Farsala dhe fitorja e Çezarit, deri te fundi tragjik i Pompeut dhe Çezarit, por do të ndalem në rëndësinë e të shkruarit për ato ngjarje të mëdha, për përfitimet që ka atdhetaria jonë nga përkujtimi i lavdisë së dikurshme.

Është shumë e rëndësishme që çdo letërsi të edukojë në radhë të parë atdhetari. Natyrshëm, letërsia ka Artin si tregues të parë, por unë mendoj se Atdhatarinë duhet ta ketë mision të parë. Është i njohur vargu i famshëm i poetit të madh hungarez Sándor Petőf: “Për dashurinë jap jetën time, për lirinë e atdheun jap dhe dashurinë!“

Me këtë libër Shpendi, duke evokuar atë ngjarje të madhe të lashtësisë, njeherazi evokon mjedisin ilir ku u zhvilluan ngjarjet, mjedisin e paraardhësve tanë që për kohën ishin nga më të zhvilluarit e Europës. Durrësi quhej «Taverna e Adriatikut», se atje bëhej më mirë se në Romë për personalitete të asaj kohe si: Ciceroni, Agrippa, Brutus dhe se Cezari do ta rrethonte Pompeun pikërisht në fushat pranë Durrësit. Ajo sinoptikë e ngjarjeve të mëdha romake qartëson se trojet tona, dikur kanë qenë në qendër të historisë së Adriatikut.

Vetë historianët, filozofët dhe shkrimtarët e antikitetit e kanë dëshmuar këtë. Është koha kur gojtari i famshëm Ciceroni, i shkruan një miku të tij, Atticus në Romë: “Unë erdha në Durrahium sepse është një qytet i lirë. Banorët këtu janë të devotshëm ndaj meje.“

Nuk është mburrje të thuash sot se toka shqiptare mban gjurmë të një kulture të lulëzuar dhe të bëmave të mëdha historike në kohën e luftës mes dy konsujve të mëdhenj të republikës së Romës, në kohën e normandëve që kërkonin të dyndeshin drejt Konstantinopojës, në kohën kur në Devoll, (qytet në luginën e Devollit) u nënshkrua një nga traktatet më të famshme të botës së atëhershme midis bazileusit Aleks I-rë dhe Bohemondit e për kohën e anzhuinëve të Charles I d’Anjou, që u bë dhe mbret i fisnikëve të mëdhenj shqiptarë, si dhe më pas, në kohën e Skënderbeut e më vonë.  Nuk është mburrje, ama është dinjitet për vlerat e historisë nga vjen, dinjitet që të rrit krenarinë. Ajo krenari e lavdisë së lashtë e ka nxitur Shpendi Topollajn të shkruaj këtë libër kaq të bukur. Nuk është qëllimi i tij të hulumtojë si studiues sepse për atë ngjarje kanë shkruar me qindra studiues, ka shkruar dhe vet Çezari, bile me hollësi. Shpendi kërkon dhe realizon bukur me librin e tij, freskimin e kujtesës dhe nëpërmjet sajë zgjimin e ndjenjave të larta që frymëzojnë atdhetari.

Arti dhe letërsia nuk mund t’i ndalojë njerëzit të largohen apo të kthehen në Shqipëri, ama mund dhe duhet të rrëfejë bukuritë dhe vlerat e rralla të vendit tonë: bukuri gjeofizike, historike, shpirtërore e kulturore që të rritin krenarinë. Në këtë libër autori, ndërsa përshkruan me hollësi zhvillimet e lufës për pushtet, që e kishin problemin në Romë, evidenton rrethanat dhe rolin që luante Ballkani në zhvillimet e Romës, aqsa diktonin që konflikti të zhvillohej në Ballkan e kryesisht në Iliri. Ndër rrethanat më të rëndësishme përmenden: ”Arratisja e Pompeut, Logjistika dhe Rruga ”Via Egnatia”, burimet njerëzore dhe pasuria e Lindjes, Strategjia e Çezarit: ”Sulmi mbrojtja më e mirë”, etj.

Luftimet e viteve 49–48 p.e.s., sidomos rreth Dyrrahut (Durrësit), ishin në radhë të parë një përplasje midis ushtrive romake të Çezarit dhe Pompeut, por dhe popullsia vendase ilire nuk ishte thjesht spektatore: territori u përdor për furnizime, kalim trupash, fortifikime dhe operacione ushtarake.

Pasojat kryesore për banorët vendas ishin: shkatërrime dhe dëmtime lokale, sidomos në zonat ku u zhvilluan përleshjet; kërkesa për furnizime dhe kafshë, që rëndonin mbi komunitetet vendase; ndërprerje të përkohshme të tregtisë dhe bujqësisë; humbje njerëzore dhe zhvendosje të popullsisë në zonat e prekura; dhe, mbi të gjitha, një forcim i mëtejshëm i kontrollit romak mbi hapësirën ilire. Popullsia ilire u përdor dhe u shfrytëzua maksimalisht nga të dy gjeneralët romakë, por në mënyra krejtësisht të ndryshme bazuar në strategjitë e tyre ushtarake. Për fiset vendase si Taulantët (në zonën e Durrësit dhe Fierit) dhe Partinët (në zonën e brendshme të Shkumbinit), kjo luftë civile romake solli rekrutime të detyruara, shkatërrim ekonomiko-bujqësor, por edhe rreshtime strategjike politike. Veçse, duhet patur parasysh që jo e gjithë Iliria pati pasoja nga ajo luftë. Ishte një konflikt relativisht i kufizuar në hapësirë krahasuar me luftërat e tjera që Roma zhvilloi në Ballkan.

Pasojat më të ndjeshme i patën portet e Ilirisë, që nga Butrinti deri në Lezhë. Ai moment e  bëri Durrësin aktor në historinë e madhe të njerëzimit. Ishthe një nga pikat më të rrahura të Europës dhe Ballkanit.

Pikërisht drejt Durrësi zgjatej, përmes detit, e famëshmja “Via Appia” që nisej nga Roma. Në Durrës niste vazhdimi i saj, rruga e kalldrëmtë e me pllaka të mëdha guri që quhej “Via Egnatia”, e cila përshkonte mespërmes Shqipërinë drejt Maqedonisë, për tu ngjitur pastaj drejt Konstantinopojës, duke u zgjatur edhe më tutje, drejt Orientit të largët. Ishte, padyshim koha e artë e këtij qyteti, e amfiteatrove, odeonëve, termave publike dhe afreskave të mrekullueshme, qytet i artit dhe i kulturës në kulmet e veta. Dëshmitë e shumta nga zbulimet arkeologjike jo vetëm në Durrës, Apolloni, Orikum por dhe në qytezat e tjera antike argumentojnë dhe ndriçojnë zhvillimet e Ilirisë së athershme. Kjo ishte gjithashtu dhe koha historisë me «H» të madhe, kohë e bëmave të mëdha. Kësisoj, ndërsa pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, Iliria, qe teatri kryesor i veprimeve luftarake ku u përleshën dy forcat më të mëdha kundërshtare politiko-ushtarake romake, Durrësi u bë arena e luftës historike midis Cezarit e Pompeut.

Në periudhën pasuese, procesi më i rëndësishëm për historinë e popullsisë ishte integrimi gradual i Ilirisë në botën romake dhe romanizimi i një pjese të popullsisë vendase. 

Ky është një nga momentet më magjepsëse të historisë antike. Kjo periudhë shënoi fillimin e "Pax Romana" (Paqes Romake) për territorin e Shqipërisë, duke e kthyer atë nga një fushëbetejë të përgjakshme në një nga rajonet më të rëndësishme tregtare dhe kulturore të Perandorisë përmes rrugës “Via Egnatia”.

Shkrime dhe botime të tilla i vlejnë jashtëzakonisht shumë historiografisë dhe kulturës shqiptare.

Lufta civile romake midis Jul Çezarit dhe Pompeut (vitet 49–48 p.e.s.) nuk ishte thjesht një ngjarje e largët romake; ajo u zhvillua në pjesën më të madhe në tokat ilire, pikërisht në Shqipërinë e sotme (në zonat e Durrësit, Apolonisë, Rrogozhinës, Peqinit, Orikumit, Lumit Shushicë dhe luginës së Vjosës).

Botimet e reja për këtë temë kanë vlerë të madhe dhe janë të nevojshme për shumë arsye si: Lexohet më mirë gjeografia dhe topografia antike (Shumë rrugë, porte dhe fortifikime antike në Shqipëri përmenden direkt në veprën e vetë Çezarit “De Bello Civili”). Studimet e reja ndihmojnë në lokalizimin e saktë të këtyre vendeve historike; Turizmi kulturor dhe arkeologjia (Librat dhe botimet shkencore apo letrare rritin interesin për pikat arkeologjike si  Orikumi apo Amantia, duke i kthyer ato në destinacione më të njohura turistike; Kuptohet dhe vlerësohet roli i popullsisë vendase (Edhe pse lufta ishte romake, fise ilire si Taulantët apo banorët e qyteteve të përfshira u detyruan të mbanin anë, duke mbështetur njërin apo tjetrin krah, me ushqime dhe logjistikë, çka tregon për peshën politike të Ilirisë në atë kohë. Bile, fise dhe komunitete të ndryshme ilire u ndodhën në anë të kundërta të fushëbetejës dhe luftuan tërthorazi dhe ndonjëherë drejtpërdrejt kundër njëri-tjetrit gjatë Luftës Civile Romake). 

Kjo ndarje tregon se Lufta Civile Romake pati edhe efektin e një "lufte me ndërmjetësim" (proxy war) midis vetë fiseve ilire, duke shfrytëzuar fuqinë e dy gjeneralëve romakë për të larë llogaritë e tyre të vjetra. 

Libri “Çezari dhe Pompeu në Durrës“, kushtuar luftës së Çezarit në Iliri, i vlen shqiptarisë në katër nivele të rëndësishme, të cilat prekin drejtpërdrejt identitetin tonë kombëtar, kulturën dhe ekonominë:

Së pari: Ndihmon në vendosjen e Shqipërisë në "Hartën e Madhe" të Historisë Botërore. Shpesh, historia e Shqipërisë shihet vetëm si një histori lokale apo rajonale (ballkanike). Në këtë libër lexuesit i dëshmohet se territori i Shqipërisë ka qenë qendra e ngjarjeve të mëdha të historisë botërore,(Pa ngjarjet në Durrës, Apoloni e Orikum, Roma nuk do të kthehej në Perandori dhe historia e botës perëndimore do të ishte krejt ndryshe). Kjo gjë i jep historiografisë sonë një peshë ndërkombëtare dhe na nxjerr nga provincializmi historik.

Së dyti: Ndihmon në mbrojtja e Autoktonisë dhe e Trashëgimisë Ilire. Në debatet e shpeshta ballkanike apo akademike ndërkombëtare mbi prejardhjen tonë, çdo dokument dhe zbulim arkeologjik është një "armë" shkencore. Kur botohen studime që vërtetojnë se qytetet tona si Dyrrahu, Apolonia, Orikumi e Shkodra kishin magjistratë vendas, organizim politik autonom dhe fise aktive si Liburnët e Dalmatët, ne vërtetojmë shkencërisht vazhdimësinë dhe praninë e fuqishme ilire në këto troje. Kjo parandalon tentativat e huaja për t'i paraqitur disa nga këto qytete thjesht si "koloni" të izoluara, pa lidhje me popullsinë vendase.

Së treti: Ndihmon vizionin për kthimin e Historisë në Ekonomi (Turizmi Kulturor). Sot, bota perëndimore është e fiksuar pas historisë romake (filma, dokumentarë, libra). Botimet dhe studimet e sakta mbi Çezarin në Iliri janë karremi më i mirë për turizmin elitë. Nëse një turist i huaj lexon një libër apo studim të mirëfilltë ku tregohet p.sh. se ku ndodhet saktësisht "Kanali i Çezarit" në Karaburun apo ku u zhvillua fushata e rrethimit në Shkallnur të Durrësit, ai nuk vjen në Shqipëri thjesht për plazh, por vjen të harxhojë para për të parë këto vende historike. Historia e shkruar mirë përkthehet në vende pune dhe zhvillim për zonat tona arkeologjike.

Së katërti dhe më e rëndësishmja: Ndihmon në edukimin dhe Dinjitetin e Rinisë Shqiptare. Një komb që nuk e njeh veten përmes botimeve cilësore, rritet me kompleksin e inferioritetit. Kur nxënësit dhe studentët shqiptarë lexojnë botime ku tregohet se si Jul Çezari - njeriu më i fuqishëm i antikitetit - bënte marrëveshje me udhëheqësit lokalë ilirë dhe marshonte nëpër luginat e Vjosës e Shushicës, ata krijojnë një lidhje më të fortë dhe krenari për tokën e tyre. Kur mësojnë se nipin dhe trshëgimtarin e vet të ligjshëm,Oktavianin,(I njohur më vonë si Augusti, që u bë perandori i parë dhe themeluesi i Perandorisë Romake), u dërgua në Apoloni nga vetë Çezari për të studiuar letërsi, oratorí e filozofi, si dhe për t'u stërvitur ushtarakisht, krenohen me nivelin arsimor e kulturor të paraardhësve dhe i bën ta duan më shumë vendin e të mos e shohin historinë e tyre si të parëndësishme. Prandaj, çdo rresht i shkruar, çdo libër i përkthyer apo studim i botuar për këtë temë nuk është thjesht "për hobi", por është një tullë më shumë në muret e dinjitetit dhe të kulturës shqiptare.

Autori meriton respekt dhe vlerësim të lartë për këtë libër. Me të drejtë shkrimtari e historiani Kadri Tarelli, ka shkruar: “Shpendi e do qytetin e Durrësit si askush tjetër, dashuri e shprehur në punë si ushtarak e jurist, ca më shumë me numrin e madh të shkrimeve e botimeve (rreth 90) që i kushtohen jetës, artit, sportit dhe kulturës së Durrësit. Për durrsakët e të gjitha moshave, të vjetër e të rinj e në veçanti për turistët e shumtë që na vitzitojnë, është e domosdoshme njohja e historisë së qytetit, duke ngacmuar tema të kohëve të ndryshme, që kanë lidhje me qytetin dhe rrethinat.“

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page