Fahri Dahri: SAKTËSIA ËSHTË PËR KUDO, POR NË SHKENCË ËSHTË PËRPARËSI
- 1 hour ago
- 7 min read

Saktësi do të thotë i përpiktë, pa gabime ose në përputhje të plotë me të vërtetën. Nisur nga kuptimi, si më sipër i fjalës “saktë”, çdo individ, apo institucion kërkohet që në punët, mendimet, veprimet të jetë i saktë.
Në tre dekadat e fundit, krahas jetës aktive, në veprimet e zakonshme të jetës, jam angazhuar në zbulimin e të vërtetave historike të ndodhura mes shqiptarëve të Çamërisë dhe shtetit gek, kryesisht nga 1913 dhe në vazhdim.
Një mori informacionesh të versioneve pozitive e negative.
Dhe ska si të ndodhë ndryshe. Është në natyrën e njeriut që të përdorë forcën dhe dijet, dhe po këtu gjendet e veçanta ku sasia numerike njerëzore dhe materiale, ka vendosur si në përparim e në prapambetje.
Shpesh thuhet: “Historia shkruhet nga fitimtari”.
Këtë të thënë e kam gjetur në të gjitha hulumtimet dhe në jetën aktive. Kujdes! Kjo e thënë gjen vend kudo, jo vetëm në luftra, por në çdo hap të rrugëtimit jetësor.
Them me vete, pse u zgjata për të hyrë në temë? E po ndryshe nuk mundem të them se ngjarjet e ndodhura në Shtetin grek, mes keq qeverisjes vendore e qendrore greke me pakicat apo minoritetet atje, e kanë burimin pikërisht tek sasia numerike, materiale e teknologjike. Ato kuptohen pikërisht me sasinë numërore njerëzore dhe mjetet materiale të disponuara ndër ‘ta.
Nga viti 1913 deri në vitin 1991, ishte një periudhë e gjatë denigruese (u ulnin qëllimisht vlerat e çamëve, duke shpifur e duke folur keq për ‘ta, i nxinin në çdo rast përpara të tjerëve) për shqiptarë e Çamërisë.
Brenda kësaj periudhe ndodhën dy drama të rënda për banorët Çamërisë:
a) 1913-1945, çamët ishin në vendin e tyre autokton, por nën qeverisjen e shtetit grek. Shteti grek vuri në veprim të gjitha aftësitë mendore e fuzike, për shkatërrimin e pakicës së banorëve autoktonë të hapësirës së Çamërisë, përdori mjetet për dëmtimin ekonomik të tyre, siç ishte reforma agrare; vazhdoi me mos lejimin e arsimimit shqip; përdori besimet fetare për asimilimin etnik; nuk vendosi banorë çamë në administratat e njësive administrative të Thesproti/Çamërisë; në rastet e ankesave për padrejtësitë ndaj çamëve, gjykatat vendosnin përherë kundër çamëve; në ushtri djemtë e çamëve nuk kishin të drejta për mbajtje armësh, por u jepeshin armë prej druri. Banorët çamë, shteti grek i trajtonte “të padëshirueshëm”, madje dhe “të padukshëm” sepse sipas tyre, ata duhej të kishin ikur në Turqi me marëveshjen turko-greke për shkëmbim popullsie në bazë të besimeve fetare; tokat e tyre i quante “toka të abandonuara” të cilat u a mori çamëve dhe u a dhuroi ortodoksëve turq që i strehoi në Çamëri; nuk i lejonte pronarët çamë të shisnin apo të blinin tokat e tyre! Çamët nuk kishin të drejta politike, demografike, atyre u ishte ndërprerë çdo shërbim publik, nuk u lejohej të flisnin shqip qoftë në zyrat shtetërore lokale ashtu dhe në ato qendrore. Krahas këtyre masave drastike, u përdorën mashtrimet, shpifjet, akuza të pa baza, burgosjet deri sa erdhi lufta e dytë bëtërore ku sajuan bashkëpunimin e çamëve me okupatorin. Akuzë që u përdor mjeshtërisht si për të bindur Aleatët ashtu edhe Boshtin se çamët ishin: tek “Boshti”, i prezantonin si strehues të partizanëve, tek Aleatët i prezantonin si bashkëpunëtorë me gjermanët. Një dredhi greke që u shkonte për shtat Aleatëve dhe Boshtit, për të denigruar banorët autoktonë të Çamërisë.
Shteti grek arriti me masakra, me shpifje, mashtrime të kryente në sy të të gjithë Botës genocidin famëkeq të vrasjeve, dëbimeve masive të popullsisë vendase. b)- Periudha e mbas gjenocidit, ishte dëbimi masiv i atyre banorëve të mbetur gjallë drejt kufirit shqiptar. Një vazhdim fatkeq për çamët, të cilët u ndeshën me përbuzje; njerëz të cilët u akuzuan se nuk e donin rregjimin politik në Shqipëri; u ndeshën me sloganin “çam i pa besë”; u shpallën armiq të partisë dhe Atdheut; u persekutuan politikisht, ekonomikisht, madje u arrit të dyshoheshin në etninë e tyre shqiptare; si të tillë u desh të përballeshin me suverjimin, u bënë subjekt për sigurimin e shtetit; i burgosën, i hoqën nga administrata shtetërore, madje u arrit deri në kufizim të lëvizjeve, kryesisht në jugun e Shqipërisë.
●●●
Të gjitha sa u trajtuan më sipër, janë përmbledhje të përgjithshme të disa ndodhive të turpshme që kanë rënë në kurriz të banorëve të Çamërisë nga të dy regjiment politike greko-shqiptare. Çdo ndodhi e përmendur më sipër ka historinë e vet të shtjelluara vërtetësisht nga autorë çamë, shqiptarë, grekë, italianë, gjermanë dhe të tjerë.
Në fund të kësaj përmbledhje të çastit, dëshiroj të ndalem në disa shprehje të pa sakta të shkruara lidhur me qendrimet ndaj “Çështjes Çame”. Qëllimi nuk është kundërvënie, sepse nga konteksti i trajtimit në artikuj, kuptohet ndodh nga mos njohja e plotë e ngjarjeve, ose nga referancat e përdorura ku ngjarjet nuk tregohen të plota, që nga fillimi, por të shkëputura në kohë.
Përpara këtyre rasteve do të lutesha të mirë kuptohem, kjo vetëm e vetëm për të saktësuar historinë e Çamërisë.
1)- Në një artikull të ditëve të fundit midis të tjerave lexohet:
“Trojet etnike të Çamërisë …., kanë qenë historikisht të banuara nga popullsia çame, një pakicë myslimane me përkatësi etnike shqiptare.
E shprehur kështu nuk është thënie e saktë, ndaj duhet të thuhet: “Trojet etnike të Çamërisë kanë qenë historikisht të banuara nga popullsia autoktone çame, me etni shqiptare”.
Pse? Sepse në Çamëri, sipas të dhënave statistikore vetëm për Filatin, Paramëthinë, Gumenicën dhe Margëllëçin (mbeten jashtë këtyre të dhënave Parga, Preveza dhe Arta për mungesë të dhënash) në vitin 1913, popullsia gjithsej ishte 51.110 frymë, nga këta çamë 43.218 frymë ose 85 %, ndërsa grekë, vlleh e të tjerë kishte 7.892 frymë ose 15 %. Pra, jo pakicë çame, por shumicë e cilësuar çame.
Sqarim: çamët si të krishterë dhe myslimanë janë të etnisë shqiptare. (Besimi mysliman u importua rreth shek. 17 e 18)).
2)- Autori, sipas deklarimit të tij, është mbështetur te studiues si Vickers (2002) dhe Michalopoulos(1986), që kanë deklaruar se:“literatura në dispozicion lidhur me çështjen çame është e pakët e kryesisht e vjetëruar”.
Edhe kjo e shprehur kështu nuk është e saktë pasi nuk mungojnë botimet historike, gjeografike, artistike dhe kulturore për çështjen çame. Aktualisht ka shumë literaturë ku trajtohet çështja çame, madje shumica e pas viteve 1990, që është nga autorë çamë, shqiptarë, grekë dhe të tjerë të huaj. Ndaj nuk është as e pakët dhe as kryesisht e vjetëruar!.
3)- Studimet që duhen të bëhen, sigurisht kanë rëndësi të veçantë, sidomos nga të rinjtë dhe e përshëndesim autori/en. Është e drejtë thirja që bëhet se… “brezat e rinj janë aktorët kryesorë që mbajnë përgjegjësinë për t'iu kundërvënë fshirjes së kujtesës”.
Ok. Por do kishte vlerë në studim ku të thuhej se: “Fondacioni Hasan Tahsimi, Portali “ÇAMIKO”, Bashkia Konispol, klubi letrar Sarandë etj. janë zëra të rinjsh që e rizgjuan Çështjen Çame, po e vërtetojnë eksistencën e saj. Krahas këtyre zërave të rinj, nuk mungojnë shkrime të shumta në proxë, poezi, në media dhe në fusha të tjera artistike, politike, etj.
4)- Autori në referim të Traktatit të Lozanës, mes tjerash, shprehet…..
“Lidhja e Kombeve, qeveritë turke e shqiptare, si dhe administrata çame, u përfshinë në një sërë negociatash lidhur me shkëmbimin e çamëve”.
Nuk mundet të thuhet se në rajonin e Çamërisë, ka patur “administrata çame” që të ishin pjesë në negociatat për shkëmbimin e çamëve.
Çamëria nga viti 1913 ka qenë drejtuar dhe administruar nga nëpunësit grekë dhe asnjëherë nuk kishte administratë çame. Madje gjatë periudhës që e pushtoi Italia Greqinë, prefektura e Thesprotisë administrohej bashkërisht vetëm nga nëpunës italianë dhe grekë; ndërsa nëpunës çamë nuk kishte. Sigurisht zërat nga çamët për kundër “andallaisë” nuk munguan.
5)- Studimi që të ishte i plotë mendoj të trajtoheshin të dyja të kundërtat, nga ku kexuesi të arrijë tek e vërteta.
Në studim thuhet: “Të armatosur nga Italia dhe me shpresën se Çamëria do t'i bashkohej Shqipërisë, një pjesë e çamëve bashkëpunuan me italianët në luftën kundër kryengritësve grekë dhe kryen mizori në disa fshatra greke.
Autori i referohet: (Vickers, 2002; Michalopoulos,1986).
Të shtruarit në këtë mënyrë e asaj ngjarjeje rezulton e njëanshme, si e tillë është e pasaktë. Për të qenë e plotë ngjarja duhet shtjelluar dhe pjesmarrja po e çamëve me forcat partizane greke që luftuan për çlirimin e Greqisë nga okupatori. Po kështu duhej pasuruar me të vërtetën ku raporti i të rinjëve çamë që në luftë ishin përkrah EAM-it (partizanët grekë); me ata pak çamë që morën pjesë me EDES-in. Raporti me tyre ishte 10 herë më i madh në favor të partizanëve ku ishin mbi 700 djem e vajza çame, në krahasim me 70 veta që u bashkuan me EDES-in.
Ishte ky raport që në studim duhej shkruar, për ti dhënë mundësi lexuesit të gjykojë për të vërtetën, e cila gjithmonë na fshihet.
6)-Më tepër duhej sqaruar në stydim ngjarja me djegjen e fshatrave greke. Ajo ngjarje (me gjithëse e zmadhuar), ka ndodhur, por nuk ishte atribut i çamëve. Ajo ngjarje ka ndodhur, por është kryer kur bataloni italian i krijuar me shqiptarë të Shqipërisë, sulmoi Greqinë nga kufiri i Çamërisë. Por siç ndodh me ngjarjet që nuk tregohen në kohë të plotë, shteti Grek, qëllimisht nuk bën dallim mes çamëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë. Pala greke qëllimisht ngjarjen e trajton sikur e kryen banorët çamë.
7)- Lidhur me qendrimin shtetëror të Greqisë dhe Shqipërisë ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë si në periudhën 1913 deri në mars të viyit 1945, ashtu dhe pas vitit 1945 deri më vitin 1991, ngjarjet, dramat, censurat, trysnitë dhe problemet sociale në çdo rast trajtimet duhen të bëhen për kohë të plota. Kur ngjarjet shkëputen në kohë, siç ndodh në vazhdimësi nga qeveritë greke dhe qeveritë shqiptare të kohës, humbet saktësia, tjetërsohet e vërteta dhe përfiton e pa vërteta. Humbet historia e një populli apo dhe kombi.
Ky është mesazhi i reagimit që dëshiroj të mirëkuptohem.
●●●
Të nderuar lexues. Artikulli është si të thuash një përmbledhje e thjeshtë ku çdo ngjarje e cituar ka historinë e vetë. U përpoqa të ndikoj aq sa mundet që të jemi të saktë në trajtimin e çdo ngjarjeje, në rastin konkret në trajtimin e “Çështjes Çame” .
Koha në të cilën jetojmë, për fat të keq është e “trubullt”, ku e pa vërteta “thithet” më shpejt me prirje për të fituar teren.
Së fundi shkrimin ja kushtoj vëllait, mikut, bashkëvuajtësit tim, atdhetarit të shquar, historianit të Çamërisë, profesor Hajredin Isufit.
Fahri Dahri. Tiranë, më 08/09/2026








Comments