Mexhid Mehmeti: NDARJE NË TRE SEKONDA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 1 min read

Poezi
NDARJE NË TRE SEKONDA
Tik.
Frymëmarrje e gjatë,
sy që mbyllet,
dorë që kërkon diçka që s’është.
Tak.
Kujtimi bie mbi dysheme,
thyhet,
bëhet pluhur,
unë e shkel pa e ditur.
Tik.
Gjithçka është e njëjtë,
por s’jam më ai që isha.
EKZISTENCA –
EKUACION I PAZGJIDHUR
Jam një fjali pa pikë,
ekuacion ku vetja ime
nuk e gjen dot zgjidhjen.
Nëse sot jam përgjigje,
nesër jam pyetje e re.
Matematikë e prishur—
shumë kujtime,
shumë ëndrra,
pak realitet,
shumë “sikur”
të mbledhur në fund të hapur.
Kërkoj formulën për jetë,
por gjithçka është e rrjedhshme,
gjithçka rrjedh…
si uji mes gishtave.
POEZI QË S’DI
SI TË PËRFUNDOJË
Këtu fillon…
por a ka në tëvërtet fillim?
Mendimi ndizet, fiket,
si llamba që s’ka mjaftueshëm dritë
për të ndriçuar dhomën e tërë.
Ti je aty,
ose jo,
je pasqyrim i vetes sime
në ujët që nuk rri i qetë.
Nëse e mbyll këtu,
a do të thotë që ka përfunduar
poezia?
Nëse nuk e mbyll,
a do të thotë që ajo ende vazhdon?
Ndoshta poezitë nuk përfundojnë,
por, heshtin për një kohë.
M.M. (Nga libri në dorëshkrim: SIMETRIE THYER)
Comments