Mexhid Mehmeti: ASGJË DHE GJITHÇKA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 6
- 1 min read

ASGJË DHE GJITHÇKA
Jam,
por nuk jam.
Hapi sytë,
errësira nuk ikën.
Mbylli sytë,
drita shpërthen.
LINJA QË S’PËRFUNDON
Një pikë.
Një vijë.
Një rreth.
Një fillim.
Një fund që s’mbërrin.
NJERIU QË KËRKOI VETEN
Hapi derën për të ikur.
U gjet brenda.
E mbylli.
Mbeti jashtë.
FJALA QË S’U THA
E shkrova,
por letra mbeti bosh.
E shqipëtova,
por s’e dëgjoi askush.
E harrova,
por e ndjeva thellë në brinjë.
PESHA E KUJTIMIT
Një fjalë që s’thashë.
Një kujtim që s’e preka.
Një dritare që nuk e hapa.
Një botë që s’e jetova.
Dhe megjithatë,
ndjej peshën e gjithçkaje mbi supe.
MURI DHE DERA
Kërkova derën,
gjeta murin.
Trokitja nuk u dëgjua,
sepse isha brenda.
ZË I PA TINGULL
Dikush foli.
Fjalët u përplasën në ajër,
por nuk ranë askund.
Zogu ndaloi fluturimin,
sepse nuk kishte më qiell.
ORA QË NUK E DINTE KOHËN
Tik.
Tak.
Asnjë akrep nuk lëvizi.
Koha fryu si pluhur
nga duart e askujt.
HIJA QË HUMBI NJERIUN E VET
Dielli doli,
por hije nuk pati.
Hija priti.
Njeriu nuk u kthye më.
DRITARJA QË SHIKONTE NGA BRENDA
E hapa,
por nuk pashë asgjë jashtë.
Qyteti nuk ishte më,
ose unë nuk isha më në qytet.
RRUGA QË NUK ÇONTE ASKUND
Hapa një hap,
dhe u ktheva prapa.
Eca më shpejt,
por isha ende aty ku nisa.
Ndoshta rruga më ndiqte mua,
ose unë nuk lëvizja fare.
LETRA QË NUK U HAP
Mbi tavolinë, zarfi i mbyllur.
Brenda, fjalë që do ndryshonin gjithçka.
Askush nuk guxoi ta hapte.
Kështu, gjithçka mbeti e njëjtë.
Comments