top of page

Mesazh dhimbjeje për një gazetare në gonxhen e lulëzimit...




BRUNILDA LLANAJ NË ËNDËRRËN... TRAGJIKISHT TË PRERË NË MES…

Mesazh dhimbjeje për një gazetare në gonxhen e lulëzimit...

Dhe pesë mesazhe, pika loti nga njerëz këndej e andej Atlantikut...

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar, Athinë

...Me Shqipërinë më lidh babai dhe nëna, më lidh Vasjari, fshati i bukur i lindjes, më lidhin kujtimet fëmijërore. Është Atdheu im. Dua një ditë të kthehem dhe të shkruaj për të...

Athinë, mars 2005

Ikjet nga jeta janë një peshë që edhe dheut i rëndon, edhe tokës i djeg... Pa lere pastaj njeriut: prindit, nënës, babait, vëllait, motrës, njerëzve të gjakut e të shpirtit, shokëve, shoqeve, miqve...

Unë pak e njoha. Po ajo “pak” ishte shumë, aq shumë sa dhimbja mbi mpiu qelizat trunore e me peshën e tonit më ra deri në fund të gishtërinjve. Ishte me të vërtetë e papritur, e pa mendueshme që një vajzë e re, një gazetare në lulëzim të ikte kaq shpejt e kaq dhimbshëm nga jeta.

E mësova vonë lajmin e kobshëm, më se një muaj larg. Ma dha shoqja e saj e ngushtë Aurora në një lidhje rastësore në facebook. Po e riprodhoj bisedën pa heq e shtuar asgjë, bisedë mes një dhimbjeje njerëzore e lotësh mbi tastierë, lot që edhe në këto çaste bien mbi të...

A. Gozhina: Mirëmbrëma! Si jeni mire? Nga shtëpia të gjithë mirë?

A. Ashiku: Mirë fare. Ju si jeni?

A. Gozhina: Mirë, këtu në Athinë akoma. Besoj e mësuat për Brunën. Doja të takoheshim ndonjë ditë të merrja librin tuaj që ka intervistën e Brunës dhe do të pyesja në se ke foto në arkiv të sajat apo që mund të jemi dhe bashkë...

A. Ashiku: Çfarë i ka ndodhur Brunës? Nuk di asgjë.

A. Gozhina: Ah sa do doja mos ta mësoje nga unë! Ah sa keq me vjen që po e merr vesh nga unë! Me dyshim po thosha do e dije apo jo? Bëri aksident me makine në datën 23 gusht...

A. Ashiku: Gjallë është? Si ndodhi?

Aurora Gozhina: Na la Bruna, na la. Shumë lajm i keq që po e mëson nga unë. Të më falësh. Nuk doja të të shqetësoja.

A. Ashiku: Oh! Më mirë mos e kisha mësuar kurrë, KURRË!

A. Gozhina: Ke të drejtë, as unë s’doja të ta thosha, më mirë të gënjeja. Po ja dua kujtimet e saj t’i kem.

A. Ashiku: Jo. Mirë bëre. Duhet ta mësoja. Do të shkruaj për të numrin e ardhshëm te “Plus Gazeta Athina”.

A. Gozhina: Dua librin, fjalët që ka thënë në libër. Mos pyet, tragjedi e madhe. Nga facebook-u e mësova dhe unë. U çmenda. Pastaj fola me të vëllanë.

A. Ashiku: Të gjitha do t’i kesh, bashkë me shkrimin me lotët e mi mbi letër, lot që tani ranë mbi tastierë.

A. Gozhina: Nuk më mori njeri ngaqë jam shtatzënë dhe nuk donin të më shqetësonin. E dinin të gjithë. Të lutem mos u shqetësoni. Vërtet është goditje për ne, e besoj tragjedi e madhe. Iku kaq shpejt!

A. Ashiku: Të kesh shëndet. Të kesh jetë ti me fëmijë e të dashur. Ajo do të mbetet një yll në kujtimet e emigracionit.

A. Gozhina: Nuk ka ditë mos ta kujtoj. Shumë keq e kam përjetuar, shumë keq! I fejuari i saj rron.

A. Ashiku: Tani, në këtë moment do të hap një zarf e do të mbledh gjithçka për Brunën.

A. Gozhina: Rrofsh! I madh je për Zotin. E kishe kaq afër dhe ke shumë gjëra për Brunën. Ke vërtet fjalët që të kujtojnë zërin...

A. Ashiku: Kush ishte në timon?

A. Gozhina: Ishte më të fejuarin. Po vinin në Greqi.

A. Ashiku: Gruaja ime sa herë thoshte: "T’a kem nuse për djalin e vogël"

A. Gozhina: E di, e di... Afër Korintit doli makina nga rruga. E zuri gjumi të fejuarin. Bruna ishte prapa, flinte gjumë. Para ishte një kushëriri i saj. Doli nga makina. Ishte mirë por pastaj, sa shkoi në spital kishte probleme. I hoqën një veshkë. Pas 15 minutash pësoi hemorragji të brendshme. Ma tregoi e motra. Se kam takuar. Do shkoj ta takoj. Më ka sjellë ca kujtime që dua t’i kem nga Bruna. Na iku, e humbëm shpejt...

A. Ashiku: Mos u lodh tani me këto kujtime. Do takohemi këto ditë kur të duash që të të jap CD me gjithçka për Brunën

A. Gozhina: Shumë faleminderit. Të vlerësoj shumë. Sa ti kesh gati më bëj një sms në facebook dhe takohemi. Shumë të fala gruas suaj dhe djalit. Qofshi mirë!

A. Ashiku: Mirë u pafshim!

* * *

Me Brunilda Llanën u njoha...për çastin nuk po e mbledh mendjen, nuk më vjen në kujtesë, dhimbja ma ka bllokuar gjithçka... po e kërkoj në arkivin e jetës time si gazetar...

E gjeta...ma tregoi fotografia që kam shkrepur më 26 mars 2005, tek bisedonim, tek pinim kafen e njohjes, tek ajo shpaloste ëndrrat e saj...

Më hollë ma tregoi biseda me të, bisedë e përcjellë më 27 mars 2005 dhe e botuar në gazetën “Emigranti”. Më mirë se ajo bisedë e fiksuar në fillim në diktofon (fatkeqësisht nuk e gjej në kaseta sepse nuk i kam ruajtur ato), përjetësuar në faqet e gazetës dhe në librin “Njerëz që i dua” (faqe 46-50) nën titullin “Ëndrra e Brunildës” nuk mund ta them...

***

...Një telefonatë, midis shumë telefonatave që kohët e fundit kam marrë, sidomos të premten kur “EMIGRANTI” pushton ishujt më të largët të Greqisë, një zë i ndrojtur femre. Më thotë se jam studente për gazetari dhe se donë ndihmën time për një temë sociale që lidhet me keqtrajtimin e fëmijëve. I jap numrin e telefonit të Dhimitra Malos…Në mbrëmje përsëri po ai zë melodioz. Më falënderonte për ndihmën, ishte lidhur me Dhimitrën. Më tërhoqi ai zë, ajo dëshirë për të zhbiruar jetën ndaj i thashë se po të donte mund të pinim nga një portokalladë. Në tonet e zërit të saj ndjeva gëzim.

E prita në stacionin e trenit të Agios Nikolaos. Më bëri përshtypje gjallëria e saj, vështrimi depërtues, sytë e qeshur rrethuar nga një kornizë transparente syzash që ngjanin me qerpikët e syve të shqiponjës. Kisha përpara një vajzë të re, një njeri të vetëm. Pas bisedës, kur ajo mori trenin për në Marusia, mu duk se nuk përcillja një njeri të vetëm por një brez të tërë që duke lënë pas adoleshencën hynë në rrugën e gjerë të jetës me guxim për të çarë përpara. Kjo hapësirë e jetës, ky përrua që zbret fuqishëm nga malet duke mbledhur pikë pas pike burimet e kristalta për t’i shndërruar në dritë për të ardhmen pak është i pranishëm në median e shkruar, pak…

Unë po sjell një burim, një krua që rrjedh duke formuar përroin e vet të jetës…

Bruna, Brunilda…po mbiemri ?

Llana.

Nga jeni ?

Jam nga fshati Vasjar i Tepelenës

Kur keni ardhur në Greqi ?

Në vitin 1997, në kohën e rrëmujave.

Çfarë shkolle mbaruat atje ?

Mbarova klasën e shtatë. Erdha në Greqi tek vëllezërit e motra. Më solli babai. Një vit e gjysmë ndenja pa shkuar në shkollë. Shikoja televizorin, mundohesha të fiksoj greqishten, dilja e dëgjoja njerëzit në rrugë, përpiqesha të marrë prej tyre shprehi të gjuhës. Më pas u futa në gjimnaz, në vitin e parë. Nuk dija as shkrim e as këndim. Mbarova gjimnazin me notën shtatëmbëdhjetë dhe u futa në liceun e përgjithshëm të cilin e mbarova me notën nëntëmbëdhjetë. Pas kësaj u futa në konkurs dhe fitova të drejtën e studimit për gazetari në Selanik. Jam e regjistruar në universitetin e atjeshëm ndërkohë që për arsye ekonomike nuk i kam vazhduar studimet. Jam futur në një shkollë dyvjeçare gazetarie që të zhvilloj prirjet e mija dhe pasi të marr diplomën do të shkoj në Selanik, të gjej një punë dhe të mbaroj universitetin për gazetari.

Këtu jeton me familjen ?

Rri me motrën e cila ka një vajzë. Kam vëllanë i cili ka një vajzë dhe shërben në një familje greke. Kam një vëlla tjetër që rri në Korintho me gruan e dy fëmijë. Është ndërtues dhe ka bërë atje një shtëpi të bukur në bregdet për vete e për familjen e tij. Kam edhe një vëlla tjetër që është në Itali, në Bolonja. Edhe ai ka një fëmijë.

Nuk më përmendët prindërit ?

Prindërit i kam në Shqipëri, babanë dhe nënën së bashku me vëllanë më të vogël që është dymbëdhjetë vjeç. Jetojnë në fshat. Kanë bërë, me ndihmën e fëmijëve emigrantë, një shtëpi të bukur në majë të kodrës prej nga duket Vjosa me luginën e saj të bukur. Jemi kështu tetë djem e vajza, pa llogaritur nipërit e mbesat që i kanë dhënë bukuri jetës familjare.

Babai çfarë pune ka bërë dhe bën ?

Me tokat, me bujqësi, me blegtori. Tani rri në shtëpi, punon për qejf të vet, për ta bërë jetën në fshat më të bukur. Është pak a shumë në moshën tuaj. Më ngjan sikur në këtë moment kam përballë atë.

Çfarë të tërheq në gazetari ?

Në fillim dëshiroja t’i futesha profesionit të diplomacisë por kisha një të metë; nuk shkoja mirë në matematikë. Kështu që ju qepa dashurisë së dytë të jetës sime, gazetarisë. Kur zgjodha këtë degë mëndja më rrihte tek binomi Shqipëri – Greqi, lidhja midis dy vendeve, puna në Shqipëri dhe në Greqi. Do të desha që t’i ndërthurja të dy jetët, vlerat që kanë të dy vendet, të mblidhja e të bashkoja në një dy të mirat e tyre. Jam shqiptare, jam pak patriote dhe e dua vendin tim.

Cila degë e gazetarisë të tërheq më shumë, gazetaria e shkruar apo ajo vizive ?

Më shumë e shkruara. Tek shkolla që po vazhdoj në plan të parë kemi praktikën, vajtjen nëpër emisione të ndryshme tek ALPHA dhe MEGA, hulumtojmë për rrugët se si mund të bëhet reportazhi.

Më morët në telefon dhe kërkuat ndihmë nga ana ime për një temë që keni për të zgjidhur. Për çfarë bën fjalë tema ?

Në radhë të parë duam të studiojmë fenomenin tashmë të njohur për fëmijët e keqtrajtuar që më të shumtit vijnë nga Shqipëria, për fëmijët e fanarëve, për gratë emigrante, problemet e tyre, keqtrajtimin që u bëhet, përballimin e jetës nga ana e tyre.

Si do t’i paraqesësh ato ?

Nuk jam vetëm, jemi një grup. Unë jam e vetmja shqiptare midis tyre.

Çfarë të pëlqen nga letërsia ?

Nga shkrimtarët shqiptarë më i dashuri për mua është Ismail Kadare. Kam ikur nga Shqipëria në moshën dymbëdhjetë vjeçe dhe gjatë këtyre tetë vjetëve të jetës në Greqi më kanë munguar shkrimtarët dhe letërsia shqipe. Megjithatë unë lexoj vazhdimisht. Kam lexuar disa shkrimtarë grekë dhe shkrimtarë bashkëkohorë botërorë të përkthyer në greqisht. Ditët e fundit lexova romanin “ Njëmbëdhjetë minuta” të Holhesë. Çfarë më bie në dorë e lexoj. Kjo më ka ndihmuar të mësoj më mirë gjuhën dhe të zgjeroj horizontin mbasi e di se që të bëhesh gazetare duhet të kesh një njohjeje sa më të gjerë.

Po në Shqipëri të ka pas pëlqyer letërsia ?

Isha e vogël. Lexoja libra të moshës. Shkruaja hartime të bukura. Po, më ka pëlqyer.

Dëshiron të bashkëpunosh me gazeta shqiptare.

Natyrisht, më pëlqen shumë.

Atëherë zgjidh temat që të pëlqejnë dhe EMIGRANTI do ta ketë për nder që një vajzë e re që aspiron të bëhet një gazetare e madhe, hapat e para i bëri në një gazetë të emigrantëve.

Jam shumë e gëzuar!

Çfarë moshe ke ?

Njëzet vjeçe…

Diçka për jetën private, vetjake ?

Në çfarë kuptimi ?

Po, njëzet vjeç je dhe si thotë kënga “ Sot jam njëzet vjeç/ Edhe jeta më thërret…

Qesh.

Nuk mund të them se kam një jetë personale, në kuptimin që të vete me synimin për tu martuar. Këtë akoma nuk e kam vënë ndër mend. Dal me shoqërinë, siç dalin të gjithë të rinjtë, shkojmë në ndonjë kllab apo kafenio, pimë ndonjë portokalladë, dëgjojmë muzikë. Tani kam filluar të dal se më parë kam qenë e mbyllur në shtëpi, jeta ime përmblidhej në hapësirën gjimnaz - shtëpi apo lice - shtëpi ku studimi më zinte tërë kohën e lirë.

Do të bëhesh gazetare. Jemi në një vend të huaj që në një farë mase është bërë edhe i joni. Sa dhe si përpiqesh për ta njohur Greqinë ?

Kam arritur të njoh mirë lashtësinë greke, shkrimtarët e mëdhenj, poetë, komedianë, dramaturgë, tragjedianë, filozofë, ligjvënës etj. Të sotmen e kërkoj, e mësoj, më pëlqen. Në vitin 2004 ndër dyqind të rinjtë dhe të rejat për Parlamentin e të Rinjve, i zgjedhur ndër tridhjetë mijë vetë, isha edhe unë. Bëmë veprimtari të shumta nëpër Athinë. Shkuam në parlament dhe u ulëm në karriget e deputetëve. Midis atyre që u ngjitën në tribunë isha edhe unë. Fola për të rinjtë e të rejat emigrante, për të drejtat e tyre, për hapësirën që duhet t’u krijojë shteti dhe shoqëria greke për t’u integruar si njerëz të barabartë të Evropës së qytetëruar. Njohëm nga afër edhe deputetët duke përshirë kryetarin e parlamentit dhe kryeministrin. Jam aktivizuar në veprimtarinë “ E qeshura e fëmijëve” dhe veprimtari të tjera.

Po me Shqipërinë çfarë të lidh ?

Më lidh babai dhe nëna, më lidh fshati i bukur i lindjes, më lidhin kujtimet fëminore. Është atdheu im. Dua një ditë të kthehem dhe të shkruaj për të. Fatkeqësisht tani për tani nuk shkoj dot. Shoqëria greke ndonëse më ka pranuar si nxënëse, si studente madje edhe si parlamentare e parlamentit të të rinjve, nuk më ka pranuar në rrugë ligjore. Nuk kam dokumente për të shkuar dhe për tu kthyer nga Shqipëria. Kam zënë një avokat dhe po mundohem të marrë lejen e qëndrimit.

* * *

Do të vinin më pas ditët e bukura të shtator-tetor-nëntor-dhjetor-it 2005, ditë kur me Brunën dhe me Aurorën do të kërkonim të gjejmë e vënë të vërtetat e emigrantëve dhe emigracionit shqiptarë në Greqi në gazetën “E VËRTETA”. Ishin ditë kur na lidhën në një miqësi të ngushtë, ditë kur do ta njihja më nga afër Brunën, cilësitë, karakterin, vizionin e saj publicistik. Kam shumë shkrime të Brunës në arkivin tim. Ndër ta do të veçoj njërin, atë të numrit të dhjetorit 2005 me titull “Pa tru populli shqiptar”, një kronikë tepër e guximshme për një gazetare të re, gazetare që as letra të rregullta kishte dhe për një fjalë në veshë racistësh mund të shpallej e padëshirueshme.

Karaxhaferi i LA.O.S kishte kërkuar një takim me drejtuesit e gazetave të “Foreign Media Agency” pjesë e së cilës ishte edhe gazeta “E Vërteta”. Meqenëse greqishtja e Brunës “priste në mes qimen e flokut” i thashë që të shkonte ajo në takim. Erdhi e zbehtë në fytyrë, e tronditur dhe me një zë të mekur më tha se Karaxhaferi e kishte cilësuar popullin shqiptar “pa tru”, se “Shqiptarët janë njerëz të paorganizuar dhe të prapambetur”, se “Ata nuk mund të jetojnë në tokën helene sepse përbëjnë një rrezik të madh për vendin tonë në se marrim parasysh historinë e shkruar ndër vite”, se “Nuk jam kundër emigrantëve por...jam kundër shqiptarëve”...

E kishte të incizuar bisedën. Më pyeti se si t’ia bëj. I thashë ta shkruante ashtu siç e tha ai, pa firmë dhe se përgjegjësinë do ta mbaj unë si kryeredaktor. Pashë se i erdhi gjaku në fytyrë...

Brunilda Llana e mbyllte kronikën me një ironi therëse:

“Karaxhferi nuk është kundër emigrantëve! Këtë e vërteton duke nënvizuar se në jetën e tij të përditshme vjen në kontakt dhe bashkë-ekziston me të huaj nga vende të ndryshme, si Pakistani, Rumania, Polonia etj, pavarësisht nga feja e tyre, (ortodoksë, myslimanë, katolikë etj.). Por fatkeqësisht për të, ai nuk mund të flasë me të njëjtat fjalë e me të njëjtën “ngrohtësi” për emigrantët shqiptarë, të cilët me mundin dhe me djersën e tyre, sakrifikojnë për një jetë më të mirë. E si mund të flasë për mirë z. Karaxhaferi, eurodeputeti... kur sipas tij ne nuk jemi “njerëz” për këtë “njeri të lartë”!

Ajo e shkroi atë kronikë me guximin e një gazetari me përvojë të gjatë, e shkroi dhe pa iu dridhur dora vuri në fund të shkrimit emrin Brunilda Llana...

Ishte me të vërtetë trime...

Në fund të dhjetorit 2005 “E Vërteta” dhe të tetë gazetat e “Foreign Media Agency” u mbyll, siç janë mbyllur e mbyllen shumë gazeta që shfrytëzojnë pa pagesë “mendjen e lirë” të emigrantëve.

Gazeta u mbyll por hapur dyersh e dritaresh mbeti miqësia ime me Brunën dhe Aurorën. Shpesh ato do të vinin të më takonin dhe unë do ti fiksoja bashkë në kujtesën e aparatit tashmë nën shoqërinë e këndshme të Adorës, vajzës së bukur të Aurorës portretin e së cilës e kam në një fotografi artistike. “Erdhëm të takojmë prindin”, më thoshte Bruna duke qeshur me shpirt, me çiltërsinë e takimit të parë...” Babai është pak a shumë në moshën tuaj. Më ngjan sikur në këtë moment kam përballë atë.”

Jeta e saj, jetë tipike e një emigranteje pa letra e pikë mbështetje më ngacmoi të shkruaja tregimin jetësor: Vajza me “Privim lirie pa gjyq”..., pjesë edhe ky në arkivin tim për Brunilda Llanën, tregim me shënimin në fund...

... Ngjarja është e jetuar, e vërtetë. Mund t’ju them emrin dhe mbiemrin, tërë gjeneralitetet e vajzës. Nuk e quaj të arsyeshme. Pse-në e dini të gjithë. Ajo nuk është një vajzë e vetme. Nuk është një emigrante apo emigrant i vetëm. Është pjesë e një numri të madh emigrantësh. Mund të jeni edhe ju lexues i këtij tregimi. Mund të jetë shoku apo shoqja juaj…

Për ta bërë të gjallë, për ta bërë “tuajën”, vendosni në vend të vajzës emra të përveçëm…

* * *

Për ca kohë zëri i Brunës nisi të më vinte nga Selaniku. Më vinte njëlloj si zëri i vajzës time Erblinës nga Tirana. I ngrohtë, njerëzor, fëmijëror. Ajo vajzë, ai zë, ajo fytyrë më kishte hyrë në zemër ashtu siç i kishte hyrë zëri dhe pamja ime. Më dërgonte ndonjëherë ndonjë shkrim të cilin pa as më të voglën nevojë ta redaktoja apo ta korrektoja gjuhësisht (Ajo e shkruante shumë bukur gjuhën shqipe) e dërgoja në gazetë shoqëruar gjithnjë me një fotografi të re të saj...

...Një ditë zëri i saj i ëmbël më erdhi nga një telefon shtëpiak, telefoni i së motrës në Marusi. Donte të takoheshim. Më kërkonte se ku. I thashë të takoheshim atje ku ishim takuar për herë të parë...

...Erdhi së bashku me Aurorën. Nuk i ndante asgjë njëra me tjetrën. Ishte e gëzuar, e zbukuruar, e dalë si nga gonxhja e trëndafilit. Më tha se kishte mbaruar shkollën, ishte diplomuar gazetare. Më tha se ishte kthyer në Shqipëri, ishte fejuar dhe kishte aplikuar me sukses për gazetare në një nga gazetat më të mëdha të Shqipërisë. U gëzova siç gëzohet prindi kur fëmija hap me dije e dinjitet rrugën e jetës. Bëmë fotografi. Pimë kapucino. Donte ta paguante ajo. I thashë që të mos ia prishë gëzimin prindit...

Ai ishte takimi i fundit me Brunën, takim që e kam të mbyllur në kujtesë, takim që e kam të hapur në fotografitë e çastit.

Më vonë Brunën do ta takoja në faqet e Facebook-ut në një rrjedhë të tërë fotografish vetëm, me të fejuarin, me miq. Fotot më sillnin një tjetër Brunë, një Brunildë të bukur si yll në kostelacionin e jetës së saj në Atdhe. Më sillnin Brunën e ndrojtur të takimit të parë kur më thoshte: “...Me Shqipërinë më lidh babai dhe nëna, më lidh Vasjari, fshati i bukur i lindjes, më lidhin kujtimet fëmijërore. Është Atdheu im. Dua një ditë të kthehem dhe të shkruaj për të...”

Brunilda Llana e kish kapur ëndrrën e saj...

Kur u njohëm në mars 2005 Bruna ishte njëzet vjeç...

Kur iku, kur u shndërrua në yll dhe u ngjit midis yjeve të universit, ishte vetëm 26 vjeç...

Një lot më rrodhi dhe kaloi kreshtat e rrudhave të një njeriu që sapo i kaloi të shtatëdhjetat...

Abdurahim Ashiku

Athinë, 9 tetor 2011

NJËSHKRIM ME NDJENJËN E PRINDIT PËR BIJËN E TIJ

Reagime...

Faleminderit dhe shumë BRAVO ! Nuk do të ngopem kurrë duke lexuar këtë shkrim mijëra herë ! Do mbeten rreshtat me të bukur dhe më realistë që shpalosin shpirtin e engjëllit që na la! Shumë e arrirë gjithçka! Ashtu siç Bruna nxirrte shpirtin kur fliste e qetë e thjeshtë dhe e bukur po ashtu peneli juaj i gazetarisë ka fiksuar përjetësisht veçantinë e një vajze që kush e takoi ka qenë me shumë fat pasi besoj ka mësuar diçka nga karakteri i Brunes fisnike! Ju do te mbeteni babai ynë pavarësisht se Bruna na la do të jem unë tashme vajza që do të të mbaj lidhur pas kujtimeve të bukura që përjetuam bashkë të tre! Respekte shumë të veçanta do të keni nga ana ime përgjithmonë dhe një mirënjohje shumë të madhe për gjithçka keni bërë për shoqen dhe motrën time Brunën!

Luan Ziflo, Athinë

Miku im i nderuar Abdurahim. Për fat të keq, edhe unë fatin tragjik të Brunës e mësova atë mbrëmje që u takuam me Agimin, Spiron dhe Harillaqin. Është vërtet një dramë tepër kufijve të dhimbjes. Them tej kufijve sepse të gjithë e kemi njohur atë vajzë si një flutur e bukur vere që vjen sa për të lënë dhimbje dhe largohet pa lënë asnjë lamtumirë jete! Sinqerisht më dhimbset sikur të ishte një nga fëmijët e mi. Ajo vajzë ishte vërtetë e veçantë, kishte një kulturë dhe shpirt pune që kurrë nuk largohej pa realizuar atë që premtonte! Unë jam prezantuar me atë vajzë në një takim që kishim organizuar ne si Shoqatë "Labëria" dhe prej asaj dite natyrshëm takoheshim në raste mbledhjesh të Shoqatës, në aktivitete, te gazeta Emigranti etj. Humbja e Brunës na ligështon shpirtërisht, na lë një brengë prindërore. Por, Ajo na ka lënë vlerat e saj shembullore të moshës, dhuntitë e saj të shkëlqyera. Lamtumirë vajza e Tepelenës Bruna Llana. Të qoftë i lehtë dheu i tokës Mëmë. U kujtofsh në breza sepse meritoje të jetoje jo të ikje në rrugën pa kthim!

Xhelil Cibaku, Dibër

Një shkrim me ndjenjën e prindit për bijën e tij, me dashurinë për vendlindjen, me poezinë e jetës, ashtu siç shkruan një "Rilindës i kohës sonë", Abdurahim Ashiku.

Gjovalin Lumaj, Miçigan USA

E lexova me vëmendje, por nuk gjeta asgjë të veçantë. Për mua që kam lexuar librat e prof. Abdurahimit dhe mjaft shkrime e publikime të tjera, nuk sjell ndonjë "risi". Gjithë ai vlerësim i kontributeve të njerëzve të përkushtuar në mërgim, pasqyruar me atë shpirtmadhësi e sinqeritet. Respekti i madh për njerëzit, për vlerat e tyre shkakton edhe dhimbje të madhe në rastet e fatkeqësive të tyre, gjë të cilën e gjejmë edhe në këtë shkrim. Xhelil Cibaku e ka mbyllur komentin e tije me një vlerësim real. Respekt.

Fred Vicishta, Gjermani

Nga një kërkesë e mikut tim për ti dhënë pëlqimin një fotoje un gjeta dy shkrimet tuaja plot ndjenja njerëzore, dy histori të dhimbshme me personazhe shqiptare, njëra në Otranto tjetra në Greqi. Jeta ka vështirësitë dhe të papriturat e saj të cilat jemi të detyruar ti pranojmë ashtu siç vijnë për të mos u mbytur në dhimbjen që ato na shkaktojnë. Njerëzit e mirë si Brunilda që kemi takuar në jetë i mbajmë si thesare të çmuara brenda shpirtit tonë. Dhe këtë gjë keni bërë ju i nderuar Zt. Abdurahim duke e përjetësuar këtë gazetare që u nda nga jeta në një moshë kaq të re. Ju përshëndes nga Gjermania!

Shënim: Kërkova në arkiv një fotografi. Kapa të fundit që kemi bërë bashkë. Shkrepur nga Aurora. Tek shkruaj këto radhë shoh në pasqyrë se kam veshur të njëjtën këmishë, si atë ditë kur u ndamë...

38 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page