top of page

Mentor Serjani: SHPELLA E SASAJIT


 

 

SHPELLA E SASAJIT

 

Më 10 gusht 2018 eksploruam shpellën e Sasajit. Më poshtë po bëjmë një përshkrim të shkurtër të kësaj shpelle të shoqëruara edhe me fotografi. Shpella ndodhet në krye të Gropës së Vardhanit, pak metra në krahun e djathtë të përroit të Vërës(Vrimes). Ajo ka dy hyrje. Njëra hyrje zbret në mënyrë normale sipas një plani të pjerrët dhe tjetra në tavanin e shpellës ku mund të zbritet vetëm me shkallë ose litar. Shpella është e vendosur sipas një plani të pjerrët ku zhvillohen dy dhoma në disnivel me njëra tjetrën. Lidhja e dy dhomave bëhet nëpërmjet një ngushtice me tavan të ulët, në vazhdim të këtij plani të pjerrët. Dhomat kanë lartësi që shkon 4-5m. dhe sipërfaqe që shkon 30-40m2. Në faqet e shpellës, sidomos në muret e krahut lindor zhvillohen stalaktitet, pamjet veshkore, druzet *të cilat dallohen qartë në fotografitë e paraqitura. Kjo shpellë gjatë luftës italo-greke dhe luftës së dytë botërore ka shërbyer si vend strehimi edhe për piqerasiotët. Shpella mund të shërbej si destinacion turistik, por që më parë kërkon ndërhyrjen e arkeologëve për zbulimin dhe heqjen e shtresave të deluvjoneve që kanë mbushur dyshemenë e kësaj shpelle, në mënyrë që të shihen vlerat historike që mund të fsheh brenda saj. Pergatiti : Spiro Laska, inxhinjer,gjeolog Shpella e Sasajit Shpella për të cilën bëhet fjalë ndodhet mbi një kreshtë të veshur me bimësi pranë një përroi të thatë midis fshatit Lukovë e Piqeras, afro 2 kilometra mbi rrugën automobilistike Sarandë - Vlorë.


Hyrja ndodhet midis një grupi shkëmbinjsh të tipit gëlqeror. Ka formën e një rrethi të coptuar. Ajo pothuaj bie vertikalisht mbi sipërfaqen me shikim nga jugu. Dy metra mbi të ndodhet edhe një hyrje tjetër me përmasa më të vogla, e cila ndihmon në ndriçimin e shpellës. Pas hyrjes kryesore shtrihet një korridor i gjatë 7 metra dhe jo shumë i gjerë me lartësi që lëviz nga 6 në 9 metra. Dyshemeja këtu përbëhet nga një shtresë e fortë argjili të kuqërremtë. Shpella ka vetëm një zgjatim nga perëndimi. Pasi kalon nje te çarë gjatësore me lartesi të ulët, zbret poshtë në një pjerrësi të theksuar. Këtej ajo fillon e zmadhon kavitetin e saj duke marre formën e një dhome madhështore në formë vezake. Përmasat e saj janë 10 metra me 13 metra. Stalaktitet arrijnë madhësinë 20 centimetra. Këto kanë forma të ndryshme në ngjyrë okër të çelët që të mahnisin me bukurinë e tyre.Gjatë Luftës Naconal-çlirimtare kjo shpellë është përdorur si vend strehimi. Studimi i mëtejshëm i saj do të na pajisë me të dhëna e njohuri më të plota për përdorimin e saj nga njerëzit në kohë të ndryshme.

SOFOKLI LITI EDMOND LLACI Botuar në gazetën BASHKIMI 1987 *Terma në shkencën e kristalografisë ,e cila merret me studimin e kristaleve,llojet dhe mënyrat e formimit të tyre ,pra forma kristalore me përbërje kimike karbonat kalçiumi (CaCO³), të cilat janë formuar nga pikat e ujit të ngopura me përbërje karbonatike.Pra kristale kalciti ,klasike ,në formë tufe, që krijojnë në pjesën e poshtëme «trungje»dhe në pjesën e sipërme «degë». 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page