top of page

Mentor Serjani: KËNGA E NASE LABIT.

1 hour ago
3 min read

 

 

Janë të njohura, të popullarizuara e shumë te dashura këngët për kapedan Nasen apo Nase Labin . I papajtueshëm me pushtuesit.I guximshëm dhe i patrëmbur, që s'ia bënte syri «tërr». Disa shënime i kemi marrë nga revista '’Normalisti’’ organ i Shkollës Normale të Elbasanit e vitit 1929. Meqënëse në këtë reviste nuk jepen të plota vargjet dhe historia, po e plotesojmë ne. Ja teksti i këngës.

- Gushtovjeshta trembedhjetë 

                             Vuno ç'u bë kuje-ja,

Ç'u ngre Nase Lab'i shkretë, 

                              Vate në miq e u tha: 

O ju miq më duhën djemtë, 

                               Se mua kështu më ra.

Nendë turq e Nasja dhjetë

                                Bytin trima me togra, 

Sahati më njëmbedhjetë

                                Baskën në Spiraj u ra, 

U ngren'e i thanë pleqte, 

                                 Jepe Kolë Spirua.

Së jap sa ta marrë vetë, 

                                  Se njëdizsj ashtu tha.

Qëllon Nasja me dufek, 

                                   Kola me Petron u vra,

Se ç'u hodh miku i shkretë

                                    Një djalë nga Bolen-a,

U qep shkallëve përpjetë,

                                     U godit në ball' e ra,

E vrau Fotina vetë

                                     Me mavzerr e jo dogra, 

Dhan haber në huqumet'

                                      Treqind shpirt koshadhe ran' 

Të bëjnë qejf xhinazetë,

                                       Tre muaj gjaku s'u la,

Fotinë qysh qe sebepi, 

                                        S'e kish fajin Nasi-ja,

Ata vet e pa në fajnë, 

                                        Kur më zunë pse s’më dhanë?! 

Në botimin e «Normalistit» të vitit 1929, Elbasan mungojnë vurgu i pestë dhe i gjashtë dhe vargjet njëmbëdhjetë deri tek i katërmbëdhjeti. Thanas Labi (shkurt Nasja) ishte një djalë i bëshëm dhe i pashëm, zëmërbardhë, prej një dere të pasur e fisnike. Ishte fejuar me Fotinën të bijën e Kolë Spiros. I jati i vajzës luajti nga fjala e nuk deshte ta jepte vajzën tek Nasja. Nasja, sipas gjakut e zakonit, që e ka për turp te madh prishjen e kurorës, merr nëndë shokë miq lebër muhamedanë dhe në kohë te drekës, më 13 të shtatorin 1907 allafrënga (1 shtator allaturka) niset drejt e për në shtëpi të Kolë Spiros (në Spiraj) për të rrëmbyer të fejuarën e tij. Kur arritën në shtëpi të Fotinës, i gjetën portat te mbyllura, pasi ishte kohë dreke dhe njerëzit flinin gjumë. 

Atëherë të gjithë trimat ngjiten në mure dhe bien brënda në oborr të shtëpisë. Në këto kohë një nga te zotet e shtëpisë, Petro Spirua del rastësisht për të kryer nevoja personale dhe shikon që oborri ishte mbushur me të huaj dhe jep alarmin. Del edhe Kola dhe u drejtohen të dy, te huajve që kishin shkelur shtëpinë pa leje, duke i kapur me dorë dhe duke i shtyrë, pasi e ndjenin vetveten të fortë. Atëherë, njëri nga shokët e Thanasit, duke e parë veten në rrezik, i hedh Kolës dhe Petros një grusht me piper djegës syve. Atëherë krisi potera e ia krisi edhe pushka. Kola me Petron u vranë në vend. Në këtë kohë, një djalë nga Bolena, Barjami, shok Besnik i Thanasit (Nases) ngjitet nëpër shkallë të shtëpisë të marrë (rrëmbejë) Fotinin. Por, Fotina, si shqiptare (shqipë tarka) e ka për turp të bjerë në duar te një të huaji, të panjohuri. Ajo për të mbrojtur nderin e saj dhe të familjes e farefisit, merr mavzeriu dhe vret Barjamin, ashtu si thotë kënga. Nasja kur merr vesh se iu vra miku u hidhërua pa masë dhe dha urdhër të tërheqeshin duke mallkuar nëpër dhëmbë dhe plot vrer: «Përpara mikut, në djall të vejë edhe Fotina me gjithë farefis të saj.» Por gjithashtu, nga poterja, britmat e ulërimat e familjarëve, më të njetën kohë, u derdh edhe fshati në mbrojtje të Spirajve. Kështu, misioni për Fotinën dështoi.

Nasja pas kësaj dolli kaçak. Në mbremje ranë koshadhët turke. Fjala «turq» këtu ka kuptimin e përkatësisë fetare «Baskën» do të thot «papritur, befasisht». Fjalët «koshullë» (koshadhe, janë forcat policore,xhinazé të vdekurit). Nasja dhe Fotina nuk u martuan më kurrë, mbetën të virgjër. 

 

Vjersha (kënga) ështe eksploruar nga P. Elezi, asokohe maturant në Normalen e Elbasanit. Çdo vit, në atë kohë, shkolla u vinte si detyrë nxënësve të saj, çdo verë, mbledhjen e folklorit në zona të ndryshme te Shqipërisë. Kjo reviste u gjet në shtëpinë e Muharrem Ahmatit në Sasaj, më 10.08.1973, nga mësuesi Ideal Serjani (vëllai im i madh), e cila date konfirmohet në Shënimin prapa kopertinës së parë.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page