top of page

MENDIME RRETH ROMANIT "Saga përtej Atlantikut"


MENDIME RRETH ROMANIT "Saga përtej Atlantikut" TË SHKRIMTARIT SHEFQET MEKO

Nga Rafail LIPI Ish Pedagog në Universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër

Romani "Saga përtej Atlantikut" e autorit Sh. Meko botuar në vitin 2022 na jep me mjeshtëri artistike aspekte nga jeta e një emigranti shqiptar në SHBA. Aty ballafaqohen dy botë , atë të vëndit pritës ku ndeshet me sfida të panjohura nga jeta e përditshme amerikane, me atë që kemi përjetuar në vëndlindje, me të mirat dhe të këqiat e saj. Nëpërmjet personazhit kryesor Xhelo Lakrori, autori na jep gjithë filozofine e jetës të përshkruar në çdo fushë të saj, duke ngritur lart konceptin e 'lirisë, si një dhuratë e dhënë nga Zoti, por që në sisteme eonomiko-shoqërore dhe vënde të ndryshme është abuzuar me të. Duke sjellë në kujtesë fallsitetin e kësaj fjale në vëndin ku u rrit dhe i çliruar nga ato pranga të padukshme ku njeriu i ngjante një roboti që kurdisej nga padroni, Amerika i jep njeriut " një guxim tjetër, një gjykim që i dukej sikur kishte rënë nga qielli, siç bie lirshëm drita e diellit...", siç shprehet autori. Apotheosi që i bëhet lirisë amerikane nuk ka të bëjë fare me anarkinë. Amerikës iu desh dy shekuj luftë për të arritur aty ku është sot. Liria në kuptimin racional të fjalës i ka rrënjët tek ligji dhe kryesisht tek forca e zbatimit të tij. Këtë e provon në kurrizin e vet personazhi kryesor, kur pasi kishte pirë alkool kalon me makinë fanarin e kuq. I kapur nga policia i vihen prangat dhe përjeton çaste dëshpërimi në dhomën e paraburgosjes, nën shoqërinë e një ish senatori, i arrestuar po për të njëjtën arsye. Para ligjit të gjithë duhet të jenë të brabartë !"Ligji është drita e vetme përmes së cilës duhet të shihni detyrimet tuaja..." shkruan autori dhe në antitezë sjell në kujtesë situatën që përjeton sot vëndlindja e tij. Autori nëpërmjet personazhit kryesor Xhelo Lakrori me realizëm i bën një analizë jetës në Amerikë. Ai nuk e idealizon atë, nuk e bën fushë me lule. Ashtu si ajo të jep mundësi të bëhesh milioner, po ashtu të lë rrugëve në qoftë se nuk lufton të gjesh vetveten. Puna, konkurenca dhe fitimi qëndrojnë në themel të saj. Duke sjellë në kujtesë gjendjen e vëndlindjes në kohën e komunizmit dhe duke bllafaquar me atë të vëndit ku jeton ai jep shkaqet e emigrimit masiv të shqiparëve pas viteve '90. Romani në fjalë edhe pse është një vepër artistike, produkt i fantazizë krijuese të autorit, analiza që u bën çështjeve politike e sociale i jep asaj vlerën e një enciklopedie, ku ke ç'ëson. Aty ndeshesh me situatat politike parazgjedhore, me momente historike të së kaluarës dhe aktuales si dhe me protagonistë të lidhur me to si në Amerikë dhe në Shqipëri,etj. Si një sociolog autori përshkruan jetën bashkëshortore, familjen dhe psikologjinë shoqërore të personazheve të ndryshëm të romanit, korrupsionin si një fenomen global që si barërat e këqia lulëzon aty ku gjen terren të përshtatshëm. Nëpërmjet profesionit si doktor kafshësh të Xhelo Lakrorit, pesonazhit kryesor, lexuesi mëson edhe nga jeta dhe veçoritë e botës se kafshëve.. Bukur dhe me mjeshtëri vepra të sjell në kujtesën e atyre që kanë jetuar në Shqipëri të shkuarën e viteve te socializmit dhe atë të pas viteve '90, personazhet historikë, politikanë, shkrimtarë, artistë etj, etj. Atë mund ta bënte vetëm një intelektual me talent, gazetar që e ka njohur mirë jetën në të gjitha aspektet e saj.si në vëdlindje ashtu edhe në Amerikë! Promovimi i dy botimeve, novelës "Viza Amerikane" dhe romanit "Saga përtej Atlantikut" të shkrimtarit Shefqet Meko në Selanik para Komunitetit Shqiptar me inciativën e z. Luan Zyka, Kryetar i këtij Komuniteti, na dha mundësinë të njihemi nga afër me Autorin, njeri atdhetar, intelektual i thjeshtë, i dashur, modest, i palodhur në punë. Në emër të gjithë Komunitetit tonë i urojmë z. Shefqet Meko shëndet dhe mbarësi në familje, suksese në veprimtarinë e tij krijuese. Ju rekomandoj të gjithë anëtarëve të këtij Komuniteti dhe bashkëatdhetarëve kudo që ndodhen, të lexojnë veprat e Shefqet Mekos, ku mendoj se do të gjeni në to filozofinë e jetës së tyre personale të shprehura bukur artistikisht.

Selanik, 7.6.2023

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page