top of page

Memorje


Memorje

Nga Fatmir Terziu


Lulet kanë kulmin e tyre në Gusht. Myshqet

modelojnë mjekrën nën burim

sytë mbesin pasqyrë

një Memorje më shumë përtej mjeshtrit Natyrë,

ngulen në një gozhdë,

ku mbahet korniza e lodhur prej ndjenjës

lotët e tyre të fryrë,

rrotullohen në hapësirë

të prodhojnë forma të reja kristalore

bozhure,

e mbani mend kush ju solli në këtë botë?

Ishte lindja e Nënës,

Fjala e endur e njeriut të Zotit në mendje,

Kurani! – tha ai përtej lëndës,

Hafize[1], që do të thotë Memorje,

ky do të jetë emri i foshnjës!

E vitet në Memorje u lexuan për kohën!

Unë e di vetëm se goja jote krijoi botën

dhe shtrydhi retë të bëhen perla,

dhe bozhuri më i bukur u njom për dhuratën tënde

kur u shkruajt vjersha

vargu u mbulua nga kujtesa,

e ndjeva më së miri ndërsa buzëqesha,

nata ishte strukur nën petka,

këto lotë të vërteta,

mund të kthehen gjithnjë në perla

për të memorizuar kujtime të tjera

një yll më shumë që ndrit,

një Memorje perlë qëkur u ngjize,

Nëna ime, me emrin hyjnor Hafize!




[1] Sqarim: Hafize, njeri që e njeh Kuranin përmendsh, memorje. .

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page