top of page

Mehdi Hyseni: Barometri diplomatik

12 minutes ago
3 min read

 

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

 

Momenti historiko-politik e dikton Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës

E para, rizgjedhja e Vjosës është meritë, jo privilegj partiak!

E dyta, rizgjedhja e Vjosës e përjashton Edi Ramën, kryeministër aktual i qeverisë së Shqipërisë, që të përzihet në çështjet e brendshme të Republikës së Pavarur të Kosovës, duke koketuar me politikën propagandistike dhe me diplomacinë sekrete të Beogradit të Ana Bërnabiqit dhe të Aleksandër Vuçiqit në dorëheqje.

Z. Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, jepi shans Vjosës, se nuk e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës si të tjerët!

Fundja, ky nuk është kurrfarë privilegji dhe përparësie, por, para së gjithash, është e drejtë dhe meritë e dëshmuar de facto dhe de jure (2021–2026). Nëse dëshironi drejtësi, veproni kështu, me objektivitet, me realizëm dhe ballëhapur. Shpresoj se edhe profesori i lartnderuar Fatmir Sejdiu do t’ia përcjellë kryeministrit Albin Kurti që Vjosa Osmani të rizgjedhet Presidente e Kosovës (jo pse Fatmiri nuk i plotëson kushtet, por që prej më se një dekade është jashtë agjendës politike dhe diplomatike ndërkombëtare, është në pension).

Unë besoj fort se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, është në anën e drejtësisë dhe të Kushtetutës së Kosovës, duke qenë se Vjosa Osmani (ish-Presidentja e Kosovës, 2021–2026) asnjëherë nuk e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008).

Prandaj, Z. Kryeministër Albin Kurti, përqafoje DREJTËSINË, jo “kombinatorikën” e kompromisit politik ndërpartiak si “parim kryesor” në këtë rast konkret, sepse Vjosa e meriton, e jo asnjë tjetër kundërkandidat për President të Kosovës. Mbi të gjitha, rrethanat aktuale ndërkombëtare e imponojnë një zgjidhje të tillë të qëlluar, sepse koha nuk po punon për njohjen e Kosovës nga ana e Kombeve të Bashkuara, e as nga Vatikani.

Propozimi i Albin Kurtit për Fatmir Sejdiun është i qëlluar, por nuk ka përparësi ndaj Vjosa Osmanit, sepse pa asnjë rezervë e mbështet Presidenti Donald Trump, duke i premtuar mbështetje të fuqishme për Kosovën në sfondin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërkombëtare. Kjo përparësi e një superfuqie botërore nuk duhet të jetë “letër e djegur”, duke e “eliminuar” si Presidente Vjosa Osmanin!

Kjo është përparësia numër një (1) që nuk e ka ish-Presidenti i Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu. Ndonëse Fatmiri është personalitet që ka kredibilitet, edhe si njeri, edhe si shkencëtar, edhe si lider politik me virtyte të larta kombëtare, patriotike dhe atdhetare shqiptare, në këtë rast konkret e lus që të bëjë një PRIORITET për Vjosa Osmanin, e cila gëzon një besim të lartë në qeverinë amerikane, me Presidentin amerikan Donald Trump në krye.

Ndryshe, që nga Rugova, me Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator 1990, nenin 108 e pati shkelur me të “dy këmbët”, duke refuzuar pozitën e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Kosovës – UÇK-së), deri te Vjosa Osmani, të gjithë e kanë dhunuar Kushtetutën e Kosovës.

Sa më sipër, sjellja, përgjegjësia, veprimtaria dhe përvoja e saj 5-vjeçare (2021–2026), në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, kanë ndikuar pozitivisht dhe kanë pasur sukses të efektshëm në unifikimin e faktorit të brendshëm politik dhe shoqëror, si dhe në sensibilizimin, në afirmimin dhe në përparimin e politikës së jashtme të Kosovës, ku gjatë mandatit 5-vjeçar solli “4 njohje ndërkombëtare” të Republikës së Kosovës.

Thjesht, emërimi i një Presidenti të ri të Kosovës nuk mund të jetë zëvendësues i Vjosa Osmanit, duke qenë se nuk e ka përvojën e saj 5-vjeçare paraprake në njohjen e autorizimeve dhe të kompetencës ligjore e kushtetuese të postit të Presidentit, si dhe në përfaqësimin dhe prezantimin ndërkombëtar të Kosovës, në kuptimin e ruajtjes së funksionimit kushtetues të institucioneve shtetërore.

Këtë përparësi të Vjosa Osmanit nuk e ka asnjë President i shteteve ballkanike (mbështetjen e deklaruar direkte dhe indirekte të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump).

Prandaj, Z. Kryeministër Albin Kurti, mos e humbisni këtë momentum historik, juridik, kushtetues, diplomatik dhe shtetëror në favor të zgjedhjes së Presidentit të Ri të Kosovës.

Urime, Presidente e re, Vjosa Osmani! Z. Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page