top of page

ME SYTË E FËMIJËS


ME SYTË E FËMIJËS

Njëzet e një.

Qyteti I Fierit, 1953.

Për mua, të ardhurin nga fshati, Fieri ishte qyteti që duhej zbuluar e njohur, ngaqë aty do të rridhte një pjesë e jetës sime. E, kur të më pyesnin- “nga je?”- do të përgjigjesha natyrshëm: -“nga Fieri”.

Kohë kisha mjaftueshëm, i rashë pash më pash: nga jugu në veri e nga lindja në perëndim.Nuk ishte kushedi çfar, hiq rrugët e asfaltuara, mu duk si një fshat i madh, shtruar këmbëkryq në fushë. Që binte në gjumë që në muzg,kur priteshin dritat dhe zgjohej në vëngjillë të ditës. Lumi i Gjanicës përmes, e ndante më dysh. Në verë me pak ujë, i qetë e paqësor, por në dimër, hera-herës, i ushqyer nga ujërat e shiut të vendburimeve të tij, egërsohej, dilte nga shtrati i ulët dhe me të vjellat e tij të turbullta, vërshonte dhe përmbytëte shtëpitë përdhese të lagjes Shkozë dhe merrte ç’gjente përpara. Mbi lumë ishin dy ura,që lidhnin dy pjesët e ndara të qytetit: e drunjta dhe e gurta.

Qytetin e përshkonte mespërmes rruga e asfaltuar, edhe rrugë, ku lëviznin makinat e rralla, por edhe karrocat me kuaj dhe qerret me qe dhe buaj. Për qytetarët ishte edhe bulevard! Nga jugu të çonte në Vlorë, nga veriu, pasi kalohej Bishanaka dhe ura e Mbrostarit shkohej, duke filluar nga Lushnja, në Tiranë e më tej gjer në Shkodër. Rruga e madhe, ishte si një pemë me shumë degë të shtrembëra: rrugë e rrugica të brendshme midis lagjeve: Kastriot, Liri, Shkozë…. Ndërtesat të ulta, të shumtat e shtëpive përdhese, veç dy të lartave që msynin qiellin: fabrika e miellit e Nebi Gjatës, masive e betontë, e përhinjtë dhe djathtas, matanë urës, kambanorja e kishës së Shën Gjergjit me kryqin e bardhë në krye. Në qëndër ishin sarajet e vrionasve, që dalloheshin për arkitekturën e tyre, tani të shtetzuara e kthyer në bibliotekë, kurse ca më larg, anës rrugës dytësore, vilat e bukura të tregtarëve e pasanikëve, thurur me avlli, brënda oborreve të tyre dukeshin bredhat dhe manjolat. Gjithë vilat të shtetëzuara. Në to banonin funksionarët e partisë. Te porta dit-natë ruante një polic. Shtëpi me dy e tri kate numëroheshin me gishtat e dorës. Në sheshin qëndror, ishte dhe një ngrehinë nga karton e ndërtuar nga italianët si “Doppo lavoro”. Aty zhvilloheshin aktivitete artistike. Shikoja me habi djem e vajza të reja, veshur me kostume atllasi ngjyrë kanellë dhe çisme të kuqe, të modelit rus, që kërcenin valle popullore ruse. Mjeshtër baleti ishte një burrë që e thërrisnin Xake. Aty gjithë ditën e lume ushtonte muzika dhe këngët e popullit “vëlla” rus. Por ishte edhe një grup që këndonte këngë qytetare fierake dhe myzeqare. Drejtues dhe solist I tij ishte Timo Lulja, tenor zë ëmbël, që fierakët e quanin bilbil i këngës myzeqare dhe vajzat këngëtare, Lefteria dhe Sofika.

Përballë ishte kinemaja verore, ku shfaqeshin filmat sovjetikë,”me dashuri dhe luftë”, siç thuhej në afishe: Beteja e Stalingradit, me Alioshën trim e trupmadh, “Historia e njeriut të vërtetë” me pilotin me këmbë druri që bënte çudira, apo edhe për të qeshur, Arshi Mallallaja. Në murin e jashtëm të avllisë rrethuese ishte ekspozuar fotografia e madhe e baba Stalinit, Kremlini me kubera të larta dhe kullën e orës, dhe qindra fotografi nga jeta dhe puna e popullit “vëlla” sovjetik. Fusha të gjera me grurë ku korrnin autokombajnat, diga hidrocentralesh,fonderi ku rridhte hekuri i shkrirë e sa e sa ytë tjera. Për secilën kishte një spjegim. Ç’të shihje më parë, mrekulli në dynja. Lum ne për mikun që kishim. Çudi për tu çuditur!Ku ne e ku ata!

Afër qëndrës, në të djathtë të rrugës së Semanit, ishte tregu që i thoshin i “çertexhinjve”(çikrrimtarëve dhe bakallëve), me kjoska e baraka ku në tezga gjeje gjithfarë gjërash, nga boja për të lyer vezët e pashkëve, kartolina me femra bukuroshe dhe trëndafila, të mbetura nga italianët, blloqe të vegjël shkrimi, lapsa me ngjyra e gjith farë gjërash , në daç edhe qumësht dallandyshe, që u duheshin njerëzisë. Ky treg gëlonte nga blerës, ishte gjithë zhurmë dhe mbi ‘to, dëgjoheshin shitësit që thërrisnin myshteritë e kalimtarët, se dihet, kush thërret shet dhe, bëhej pazar me sarrafët për të ulur çmimin: pesë më pak apo pesë më shumë. Më tej ishin artizanët, qerrepunuesit, zdrukthtarët që bënin djepe për fëmijë dhe sepete e baule nusesh, xhokaxhinjtë që qepnin të shajaktat, teneqepunuesit, farkëtarët, bakërxhinjtë dhe kallajxhitë, të laturisur e ndotur me blozë. Në këtë segment, ushtonte kënga e çekiçëve dhe varreve që përplaseshin mbi kudhra dhe shpërthenin shkëndija nga gjyrykët e farkave që u frynin me kacek.

Dy ishin zbulimet e para që ia vlenin: Biblioteka dhe Shtëpia e Pionierit. Të dyja të vendosura në ngrehina të bukura. Në bibliotekë drejtoreshë ishte Urania, grua autoritare, ndërsa në banak shërbente Evelina. Ishte e bukur, sa më mbetën sytë kur e pashë. Shtathedhur, fytyra me një oval të përsosur, qafa e gjatë si e mjellmës, në fytyrën e saj gjithçka ishte e përsosur, cipa e fytyrës me një zbehtësi të lehtë qelibari. Buzëqeshja që si ndahej e bënte edhe më të bukur. Thoshin se i vardiseshin djem të rinj, por ajo nuk kishte vendosur se cilë të zgjidhte. U antarësova në bibliotekë dhe nisa të merrja librat që më këshillonte Evelina që i përshtateshin moshës time. Në Shtëpinë e Pionierit u antarësova në rrethin e letrarëve të rinj, që mblidhej një herë në javë.

Xhirua e shëtitjes pasditeve dhe të dielave, në rrugën e vetme të qytetit, që e konsideronin si bulevard, ishte një shfaqje që e vlente të shihej, ishte ngjarje. Lumi dy kahësh i njerëzve vajtje-kthim, ecejakte ngeshëm, me të njëjtin ritëm . Xhirua kishte personazhet e saj, që rrall mungonin.

Persona të njohur në jetën e qytetit, dilnin që t’i shihnin dhe të shihnin, përshëndeteshin dhe këmbenin të rejat e ditës. Djem çapkënë, bandilla që kërkonin vajza dhe, vajza bukuroshe që kërkonin djem. Një fustan i ri, zhapone e dekolte që linte të dukej e ndara e gjokseve, një prerje e re flokësh, një vështrim tinëz, një buzëqeshje çapkëne dhe një nojmë e isharet si një premtim i heshtur, që vetëm ata i kuptonin.Ndër të rinjtë binte në sy Pajtim berberi, me flokë korb të zeza, elegant sqimatar e bukurosh dhe çiklisti Gjon Xhunga xhagajdur e hokatar.I thoshin ashtu se të prapmen e kokës e kishte si xhungë. Çifte të fejuarish, zënë gisht për gishti, që i gëzoheshin njerjatërit. Të tjerë të ngeshëm, që vrisnin mërzinë dhe ngrysnin ditën, hidhnin çapet e ngadaltë, shoqëruar me bisedë që shushurinte shurdhër si një roitje bletësh.

Aty binte në sy, midis të tjerëve doktor Kadriu, me zonjen e tij italiane, të dy të shëndetshëm e të rrumbullt sqimatarë veshur me të bardha, që dukej sikur rrokulliseshin. Thoshin që doktori ishte rënduar ca nga veshët dhe njerëzit s’para i shkonin për t’u vizituar.

Ndër çiftet dallohej ai që e quanin professor, me të shoqen bukuroshe sy kaltër dhe kunatën rioshe, po aq e bukur, nga krahu tjetër. Veshur shik, sportiv, me flokët shtruar me brilantinë e të ndarë me vijë në mes. Fytyrë e pjekur nga dielli por pak e zbehtë. Me profil skifteri e vështrim shpotitës. Punonte në rruga-ura, me karrocë dore e lopatë, mbushte gropat me çakëll e zhavor. E kishin hequr nga arsimi. Thoshin se ishte kushëri me Komandantin, por diku i kishte bërë hije dhe ai e kishte bërë lanet! Me atë paraqitje, dukej sikur profesori i bënte karshillëk asaj që e detyronin te ishte dhe, atij që ishte në të vërtetë.

Aty pashë edhe dy zonja-fantazma, si të thara në tym, me manto të zeza, të gjata, të ngushta në bel, me skarpina llustrina të ceflosura, në kokë ca kapela të çuditshme dhe me nga një vel të shkurtër që mbulonte gjysmën e fytyrës. Fytyra eshtake, të rrudhura e të zbehta. Nën sqetull nga një çadër, në dorën tjetër një çantë, gjith të zeza. Dukeshin se vinin nga një botë tjetër, si të dala nga ndonjë muze. Ishin të internuara në Fier. Thoshin se ishin motrat e një ministri të kohës së mbretërisë. Dukej: ato jetonin me të djeshmen, e përbuznin të sotmen.

Në xhiro nuk mungonte as një pinjoll i vrionasve, që kishte emrin e stergjyshit. Bjond, kaçurrel, shtatlartë, atlet, me nje fytyrë që më përgjante si statuja e Apollonit, futbollist me skuadren e qytetit. Duket që pavarësisht nga shtetëzimet e shpronësimet, ai mundohej të bënte jetën ashtu si t’i vinte. Vajzat e shihnin tinëz dhe psherëtinin.

Xhiros nuk i mungonte edhe një personazh qesharak, i alkolizuar, që ikte lakadredhaz, të bjerë këtu e të bjerë atje, duke çarë mes turmës, me fytyrë të çakërdisur, gojë të jargosur e që fliste me vete, fjalë të zvargura, ashtu si flasin vetëm të dehurit e bërë dru. Nuk e di si e quanin po i thërrisnin Hakam: Ku je Hakam - e pyesnin- në p……. të sat’am-ishte përgjigja.-Ç’kemi Hakam- p…….e sat’am! E përcillnin të neveritur me hya si të ishte qen rrugësh. Thoshin që e shoqja ishte zonjë grua dhe u kish dalë zot fëmijëve dhe shtëpisë. Fati i saj i keq se kush i kishte rënë në pjesë!

Jo larg qëndrës, posht një rrokullime në breg të Gjanicës, ishte klubi i sportit. Ngrehinë përdhese dhe e ulët. Kur hyra së pari, më mbyti reja e tymit të duhanit. Pashë që kishte tryeza pingpongu, bilardoje dhe tavolina me kuti shahu, tavlle e dominoje. Luhej gjithandej, por shumë shikues ishin mbledhur rreth një tryeze shahu. Njeri nga shahistët ishte burrë në moshë. Veshur me kostum veror,ngjyrë çelur, të pastër. Kokë masive, mbi qafën e trashë, të rruar taze sa i shkëlqente lëkura nga reflektimi i dritës. Binte në sy hunda e madhe , balli i lartë, vështrimi i përqëndruar zhbirues dhe i mençur. Ishte magazinjeri i depos së duhanit në grumbullim, Sejfulla Malëshova. Më von kur lexova vjershat e tij, mësova edhe pseudonimin e tij që ishte Lame Kodra. Politikan, filozof, poet, shqipërues. I internuar në Fier, thoshin nga që në disa gjëra s’kishte qënë në një mëndje me Komandantin. Jetonte i vetëm, me një motër plakë. Njerëzit i druheshin dhe nuk bisedonin me të. Edhe ai thuajse nuk fliste fare. U ruhej bisedave, por vështrimit të tij të mprehtë dukej se si shpëtonte asgjë. Ishte i përqëndruar në lojë. Përballë kishte një të ri, djalin e quanin Kujtim, bjond, kaçurrel, i hijshëm, i pasionuar pas shahut. Loja e tyre zgjaste shumë. Herë fitonte njeri e herë tjetri. I jepnin dorën njeri-tjetrit dhe ndaheshin. Kështu e mbajta mend gjithë jetën Sejfulla Malëshovën. Disa kohë ai mungoi. Ishte shumë i mërzitur. Lumi i Gjanicës që vërshoi, kishte përmbytur dhomën e tij përdhese dhe thuhej që i kishte nxjerë jashtë përdorimit librat e bibliotekës.

Në qëndër, binte në sy Xhamia me minaren e lartë. Sherbente aty myderizi, babai i një shokut tim,Sytkiut. Plak fisnik, i hijshëm , mjekërbardhë, i dashur dhe fjalëmbël. Ishin nga Konispoli. Prapa xhamisë, ishte lulishtja e qytetit, me pisha, shkurre zbukuruese, trëndafila dhe postate lulesh. Në stolat uleshin dhe shplodheshin burra të vjetër e pleq.

Matanë urës së drunjtë, në anë të djathtë të rrugës, përball kishës së Shën Gjergjit, u ndërtua një mulli bloje me motorr. Kërshëria nuk ishte mulliri, por pronari i mullirit, i famshmi futbollist kavajasi Qamil Teliti. I pashëm, me trup të bëshëm e të fuqishëm prej sportisti. Si ndihmëse, apo sekretare që mbante llogaritë, kishte Dafinën, vajzë imcake, pa ndonjë bukuri të veçantë por thoshin që e kishte të dashur. Ne ktheheshim për të parë jo Dafinën, por Telitin e famshëm, emërmadh, të gjuajtjeve bombë, që bënte mullixhiun.Me pak droje, hyra brënda. Ai qëndronte më këmbë dhe diç bisedonte me Dafinën që ishte ulur prapa tryezës me një regjistër të hapur.

-Ke sjellë drith për të bluar- më pyeti.

-Jo.

-Apo do të blesh miell?

-Jo. As miell.

- Po përse ke ardhur?

-Të shoh Telitin.

-Po ta shohësh, e njeh?

-Se kam parë asnjëherë, po namin ia kam dëgjuar. Thonë që gjuajtjet e tij, s’ka portier që i pret , i bën golat edhe nga mesi i fushës dhe s’ka kundërshtar që i del përballë.Gjuajtjet janë aq të forta sa çajnë rrjetën!

Ai qeshi.

- Jo mor çun, e teprojnë. Kot mundimi. Je pa fat. Teliti nuk është këtu. Unë jam Tarzani.

Kisha dëgjuar se atij i pëlqente ta quanin Tarzan. Ai qëndronte para meje, shtatlartë, shpatullgjerë, mu duk si mal dhe vetja para tij si vocërrak. Nuk e besova. Dukej që gaxhitej me mua. Dafina, prapa tryezës, dëgjonte të dashurin e saj dhe buzëqeshte. Dukej që kjo e zbaviste.

-Të pëlqen futbolli?

- Po. Shumë.

-Do bëhesh futbollist?

-E kam dëshirë por nuk e di.

Me kaq biseda përfundoi. Ai mori nga sirtari i tryezës një kartmonedhë dhe ma zgjati ta merrja. E refuzova, por ai ma mori dorën, e vendosi në pëllëmbën time dhe pastaj ma mbylli.

- Merre, pa turp, ta jep Teliti. Shko në kinema dhe ha një akullore!

Ky ishte takimi im me Qamil Telitin e famshëm. E pashë edhe shumë herë të tjera dhe përherë e adhuroja si një hero të lojës së futbollit që i kishte dhënë fitoren Shqipërisë në ballkaniadë. Për mua ishte një mit.

Një tjetër ditë, kërshëria për të njohur qytetin, më shpuri në pjesën jugore. Pasi kalova kryqëzimin, matanë urës së drunjtë,Ishte gjelltorja e Rizait, një bashkfshatari ynë, që gatuante pastiçe e pilaf të shijshëm që t’i mbaje në gojë! Kur isha i uritur dhe kisha ndonjë lek, kthehesha dhe merrja një racion pastiçe, që më shijonte shumë. Edhe ai kishte një histori të dhimbshme. E gjithë familja, i ati dhe të vëllezërit, kishte shkuar në Turqi. Ai i mbetur vetëm kishte ardhur në Shqipëri.

Prapa tre pishave të larta, ishte një ngrehinë trekatëshe. Shtëpia e Kulturës, ngaku vinin tingujt e muzikës së një pianoje. Ca më tej, buzë Gjanicës, një varrezë makinash dhe thertorja. Nuk e di pse i thoshin sallane, prej andej vinte duhma e rëndë e gjakut dhe silleshin rrotull qentë pazot. Edhe ajo kishte personazhin e saj xha Liun, kasap, trup vogël që në vend të takies mbante një ksulë nga mshikza e regjur e demit.Thoshin se që të mbetej i ri dhe i forte ai pinte tamthin e hidhur të kafshëve që therte.

Në anë të djathtë ishte lagjja Kastriot, fusha e futbollit, dhe pas saj fshati me emrin e çuditshëm: Qenas. Duke ecur, në krah të majtë, pas fushëtirës bosh, ishte agjensia e udhëtarëve. Aty për herë të parë kam parë malësore veshur me xhubletë dhe malësorë me tirqe, plis të bardhë dhe një pash mustaqe. Prisnin durimhumbur të vinte ndonjë makinë. Shkonin në Shtyllas ku kishin të internuar njerëzit e tyre. Ishin ndryshe,si nga veshja, si nga të folurit, dukeshin si të huaj dhe të ngjashëm me ata që kisha parë në kartolinat. Ca më tej, në të djathtë, ishte një ngrehinë kartoni, e ndërtuar nga italianët e kthyer në shkollë, ku më pas u vendos Teknikumi Bujqësor.Qyteti mbaronte te rrepet, aty ku ishin ca Baraka ndërtuar me blloqe çimentoje, që kishte qënë bordello e ushtarëve italianë, e që tani e kishin kthyer në banesë , ku ishin strehuar disa të njohurit tanë. Në të majtë e në të djathtë nisnin fshatrat Zhupan e Drizë dhe kodra me qafën e Kushovicës.

Djem e vajza nga këta dy fshatra ishin me mua në shkollën Naim Frashëri.

Kjo ishte njohja ime e parë me qytetin e Fierit.

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page