top of page

Me poezinë e Aleksandër Çipës si shkas i ‘versifikacionit” poetik


Aleksandër Çipa

RISHFAQET POEZIA E GINSBERG NË LETËRSINË SHQIPE


Me poezinë e Aleksandër Çipës si shkas i ‘versifikacionit” poetik


Dr Fatmir Terziu


Aleksandër Çipa, publicisti i njohur vjen me këtë cikël poetik që i dedikohet ndjesive të tij, të lidhura ngushtë me vendlindjen dhe me të gjithë shtratin e vet mitik në një rregjistër gati burimor. Autori mundohet të vendosë një barazpeshë të këtyre ndjesive në poezinë e ardhur për publikun në vëllimin e tij më të ri poetik. Ashtu sikurse tingulli, tingulli i pastër dhe ritmi, siç sillen përreth tij, dhe ai po përpiqet të përshtasë ritmet e poezisë me ritmet aktuale të të folurit që ai dëgjon më shumë sesa metronome apo ritme letrare arkaike të përditësive. Çipa, duket se vepron menjëherë mbi tërë këtë tigëllimë ritmore me një mirëkuptim të papritur.

Avull në brymë” nga Aleksandër Çipa është pikërisht një tingëllimë ritmore që shkon në këtë përshtasë: “Nuk u ngri moti, por trungjet e drurëve/u veshën me brymë dhe akull për më tepër,/të mos të ndiejnë se si pëshpërima/bëhet fjala e jetës, mes nesh, dhe jo tjetër./Nuk ndërruan qiejt e as Hëna nuk ndroi,/bëri atë rrugë që mijëra vjet ka bërë./Në gjithë këtë ngricë, fryma jonë e përbashkët/është avull që ngroh një frut të parënë.” “E paqtë” ka një lidhje më të thkët me tingëllimën ritmore, dhe ngrihet aty ku pikërisht autori ndjen se “E paqtë ti shkon me hap të lehtë,/Këtu ku jam rrëmujë më le./Ta lehtësoj mungesën tënde,/Nga vetja ime po të nxjer./Nuk themi më: si ish e ngjau?/Ta fshijmë prej vetes çka nuk bën vend./“Për të gënjyer kohën, duku sipas kohës”,/Kjo thënie e Shekspirit më sillet në mend./Unë mbeta fluger në rrëmujë/e paqtë në rrugën tënde ti ike/Me ty dashuria ka një vendlindje gjithnjë,/Sikurse mendimi në Athinën antike.”

Poezitë e tilla kanë ‘versifikacionin silabik e jo kuantativ’, pasi si vetë forma dhe metimi i tingëllimës ritmore na depërtojnë në dy instanca ngasjeje dhe qasjeje poetike. Në një nga botimet më të hershme, [botime të lidhura me poezinë], pikërisht botimin “Vepra të zgjedhura” të Luigj Gurakuqit, (Prishtinë 1969; f.160) autori në fjalë jep mendimin se poezia gojore ka ‘versifikacionin silabik e jo kuantativ’ duke iu kundërvënë në këtë mënyrë akademikut francez Luis Benloe në studimin e tij “Mbi ritmin dhe rimën në poezinë epike të shqiptarëve”, studim nëprmjet të cilit zbulohet se ai ishte një njohës i mirë i poezisë shqipe. Louis Benloe, mësohet nga studimet dhe kërkimet e shumta të studiuesve shqiptarë si Luan Rama (Gazeta “Korrieri” 18 Mars 2005), se ishte mik i De Radës, Kamardës, Dora d'Istria-sapo Visar Dodanit. Ai ishte linguist me famë evropiane dhe akademik i Akademisë Franceze të Mbishkrimeve dhe Letërsisë Artistike, si dhe një nga filologët më të mëdhenj të Francës. Por, ndërsa kundërshtia e Gurakuqit vjen disi relevante me teorinë e Benloe, ajo që vjen si një parim ndryshe dhe i kapshëm nga kjo teori është lidhja me nocionin poetik që sot vjen si arsye e kuptimit të vetë ‘versifikacionit’.

Tek Çipa kjo arsye ‘versifikacioni’ është qasje e pastër e vargut ritmik: “Aksidentin me ty/e ndan një puthje/Sa herë në udhëtime ti më përmend rrezikun,/Se shpejtësia për mua është adhurim i vjetër/Unë kam tekën dhe ti këshillën,/kalojmë një rrezik dhe presim një tjetër/Nesër, së bashku do të kryejmë një rrugë/Do të shkojmë diku,/do të ndalim më tutje./Aksidentin me ty e ndan një puthje.” Apo duke shënuar me tej me këtë shembull tjetër: “Prit, thotë Natyra/Prit, më tha pema, se nuk kam shterrur rrathët,/Gjethet e rëna, janë flijim për rizgjimin,/Në kurorën time ka rritje padukja,/Dhe këngë e përhershme është gjelbërimi.” Të dy shembujt janë ritmika e ‘versifikacionit’ poetik të cilin e gjëjmë si model tek poezia e Allen Ginsberg, ku sikurse do ta shpjegojmë ka një qasje dhe lidhje disi stragjike strukturore dhe mes formës së ‘versifikacionit poetik. “Në tel të nëntë si Orfeu” ‘versifikacioni’ nuk është më shumë se një mbajtje mend e lehtë e vargut, interpretim i ndjeshëm i tij, qasje që vjen disi me një formë më të avancuar të cilën na e gjen më poshtë studiuesi dhe shkrimtari Anton Berisha “Do të vdesë si asgjë edhe kjo brengë që gëlltis/kjo dhimbje do të rreshtë dhe për t’u thënë s’do kem mundësi./Të dyja janë një dhe të dyja do të shkojnë askund,/në thellësitë e panjohshme të shpirtit tim të përkohshëm./Kam pasur kaq ditëbukura, në këtë jetë paqetësi,/të gjitha më duhen e i dua paharrim, por/s’di ç’do të ngjasë me të ardhmet e pritshme?!

Studiuesi shqiptar Anton Berishaduke hulumtuar mbi mendimin kritik të rilindësve dhe pikërisht mbi letërsinë gojore, na jep mundësinë e plotë të kuptojmë se ‘versifikacioni’ është një term që jeton edhe sot, një term që sot kuptohet më qartë me lidhjen vizuale dhe dramacitetin logjik që interpreton poezia (Berisha; 1983:8-14). Rreth këtij kuptimi të lidhur me dy aspektet që lidhen në tërësinë e vizualitetit dhe dramacitetit, Martin Heidegger, sqaron se ‘formulimi ynë është i lëkundur dhe ne nuk pyesim rreth punës, por me një gjysëm-gojë rreth gjërave” (Heidegger; 1971:38). Kështu duke lidhur këtë analizë me faktin e domosdoshmërisë së ‘pyetjes gjysëm gojë’ me të cilën kuptojmë filozofinë e Heidegger, natyrshëm saktësojmë se është puna, pra krijimtaria e poetit ajo që dominon dhe sfidon tërë rrethnajën e cituar rreth ‘gjërave’.

Gjërat’ që na vijnë në mendje nga kjo teori janë vetë shëndeti i poezisë, janë vetë rradha e ndjeshmërisë dhe prezantimit. Në këtë mënyrë vlen të konceptohet edhe poezia e krijuar nga Aleksandër Çipa. Tek poezia e tij “Mbi re s’ka stacione” janë pikërisht këto lidhje të ‘versifikacionit’ që shumëzojnë kuptimin mes ‘vizualitetit’ të përfaqësuar nga retë, bora nën re, mbi re, e nga prezantimi që vjen mes shprehive të fituara nga figura të tilla të mrekullueshme si ‘të ik nga bezditë e përditshme me shqipe”, “shkitja mbi re”, “më shtyn të skicojë një hartë të paqenë”, “o stacion-shenjë me emër shpirti” etj. Një poezi e tillë e kompozuar mes vargjeve të lira të çliruara nga metri i njëjtë, të liruara jetësisht nga ritmi i rregullt dhe rima, intonacioni afrohet me intonacionin e të folurit me ngarkesë emocionale dhe prandaj Poezia e tillë komunikoni mes asaj që Gurakuqi e sjell si një kundërshti. Muzikaliteti i kësaj poezie të krijuar nga Çipa është i ndërlikuar dhe mbështetet në organizimin e njësive ritmike të rëndësishme si dhe në ritmin që organizon njësitë kuptimore e tingëllore, të gjitha këto mes një aspekti visual të qëndrueshëm, të plotë e tingëllues në logjikën e fjalës. Poezia e lartcituar e këtij poeti është një ngjashmëri e modelit të poezisë “Këngë” të poetit Allen Ginsberg, të cilin studiuesi dhe kritiku shqiptar, Zejnullah Rrahmani e sjell si një model të vargut të lirë tek “Teoria e Letërsisë” (Rrahmani, 1999:67). Në poezinë e Çipës ashtu si edhe në poezinë e Ginsberg gjejmë përdorime të shpeshta gjuhësore si përsëritjet, enumeracionet e paralelizmat sintaksore. Ky lloj vers libre i poezisë së poetit Çipa, natyrshëm duhet parë brenda interesit që zgjon edhe me poezi të tilla si “Këngë e mbrapshtë pronësie”, “Vetëmbështjellë”, “Endja e engjëllit” etj.

Tre format ndikuese në filozofinë e fjalës

Poezia moderne e Gilsberg e publikuar në Amerikë nga Harper & Roëmbetet një fakt tek i cili shihet si në pasqyrë dimensioni psikanalitik që të konfigurohet nga lidhjet midis hapësirës, kohës dhe vendit në tërë aspektin filozofik. E njëjta lidhje shihet tek poezia e poetit Çipa. Poezia “Vetëmbështjellë” nuk është një aspekt logjik apo transparent që vjen nga semantika e vetmisë, por një inkursion psikanalitik në mendjen e lexuesit duke ritransmetuar hapësirën, kohën dhe vendin me fjalët dhe vargun e lirë të këtij poeti. Çipa në vargjet e tij të racionuara shprehet Sonte është ftohtë” (koha); ‘jashtë pasiguri’(vendi); “Do ta mbështjell veten/në këtë pasiguri” (hapësira) për të plotësuar atë lidhje që Heidegger e sheh tek gjuha dhe mendimet. Sipas këtij filozofi gjuha dhe mendimet janë një arsye për të kuptuar tre format filozofike të kohës, hapësirës dhe vendit (Heidegger, 1975:30). Të tre këto forma në lidhjen e mëparshme të kritikës shqiptare shihen si një gjuhë që vjen nga domosdoshmëria e fjalës për të nxjerr në pah filozofinë e saj dhe mesazhin e saj gjithashtu. Studiuesi shqiptar Zyhdi Dervishi në veprën e tij “Lente të ndërveprimit simbolik” në kapitullin “Komunikimi verbal dhe komunikimi joverbal: Përkime dhe dallime” citon në lidhje me këtë mesazh edhe faktin e komunikimit me anë të leximit të një krijimtarie para se ajo të shohë dritën e botimit të saj. Sipas Profesorit Dervishi ky lloj komunikimi ‘mes miqsh të afërt’ është disi një ‘dozë’ që afron dhe largon realitetin.( Dervishi, 2008:247). Duke hulumtuar më tej me këtë gjetje të Dervishit natyrshëm kemi edhe lidhjen që vjen nga aspekti që kërkon ‘filozofinë e fjalës’. Atëherë a e kundrojmë këtë filozofi të fjalës pasi vepra është botuar? Në këtë rast Heidegerr na vjen në ndihmë me analizën e mendimit. Po aq edhe filozofia e francezit Jacque Ranciere na tejçon haptazi në dimensionet e duhura të leximit paraprak dhe të nevojës së studimit imediat të krijimtarisë për ‘të parë dhe krijuar të ardhmen e imazhit që krijohet, mesazhit që lexohet” (Ranciere, 2007:19).

Lidhja teorike

Duke parë këtë lidhje teorike që na sqaron me vargun e lirë ne kemi udhëtuar ndjeshëm në tërë hapësirën e krijuar filozofike të poezisë së poetit Gilsberg dhe poetit shqiptar, Çipa. Pra ne kemi kryer një kundrinë të ndjeshme semantike në shërbim të vlerave që vjen nga vargu i lirë i këtyre poezive. “Endja e engjëllit” e poetit Çipa, është një model në këtë pikë. Autori i këndon ‘engjëllit’ të shpirtit të tij, duke rrëfyer në vetën e parë që në hyrje: “Mbrëmë isha me Lefterin”. Në këtë mënyrë qartë dhe pa sforcim në mendjen tonë vjen arsyeja, koha vendi dhe hapësira që lidhen me Lefterin. Është kjo treshe filozofike që sjell në plan të parë “dritën në vilaret e shiut” duke e plotësuar me aspektin kohor të tejduksionit natyror ku vargu “kur ndizej vetëtima, po shkrepëtimë nuk kish” nuk është thjesht një kontrast apo kontradiktë me atë ç’ka ndodh, por një domosdoshmëri perfekte për të bërë lidhjen me fatin e përshkruar të njeriut, ‘engjëllit’ tek i cili autori ka gjetur frymëzimin. Në këtë frymëzim elementi filozofik i lëvizjes plotësohet edhe me veprimin, edhe me heshtjen por edhe me vetë praninë dhe zhdukjen, edhe me vetë të dukshmen e të padukshmen që vjen mes lëvizjes ‘në botën e shiut me vrulle’ ku individualja është primare e botës së lirë në këtë vrull lëvizës dhe ku ‘secili më vete, shprishur qetësish lëviz…”. Kjo lëvizje është një dimension i vargut të lirë edhe tek Poezia “Këngë e mbrapshtë pronësie”, pasi në këtë poezi dialektika dhe metafizika janë një proces më vete, herë të lidhur me pronën e herë me ‘pronarët’ që kanë hedhur sytë deri në Antarktidë, këta filtrues të ndjeshëm të lëvizjes si proces egoist, si proces që gjen forcë dhe fuqi në poezinë e Çipës.

Duke përfunduar

Duke parë dhe lexuar me vëmendje poezitë e Aleksandër Çipës, natyrshëm jashtë volumit dhe prurjeve spektakolare të kohëve të fundit, por me një ndjenjë dhe një risi tejet estetike, është koha të themi me plot gojën tonë se duhet më tepër përkushtim ndaj një vargu të tillë, ndaj një poezie që ka vlera të mirëfillta poetike. Poezia e këtij poeti nuk është thjesht një gjetje e detyruar analitike apo përkitjeje të rastit që rrëndom ndodh për të shtuar rrjeshtat ‘studimore’, por është një poezi që ka ardhur në kohën e duhur me pjekurinë dhe estetikën e saj të artit. Kjo poezi nuk është thjesht kudërshti, aritmikë, ‘versifikacion’ poetik, por është art!


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page