top of page

Me pjesore, si quhem?!


Alda Taçe Shpata

Semi kishte vendosur, kundër zakoneve të veta, të më vinte më afër. Kush ishte Semi?! Ishte zgjuar me gëzim në mëngjes, dukej , sepse sapo më pa ma shkrepi syrin, do krijojmë një fabul më tha. Nuk qesha, desha t'i krijoja përshtypjen se ai nuk kishte asnjë lloj ndikimi tek unë. Hymë në të ardhmen tonë, dhe, sa nuk më dolën zorrët jashtë, e pashë që zvarritej mbi plehrat e veta, e kishte zënë një kollë që ia lëvizte mushkëritë nga gjoksi. I zgjata dorën me krupë, më ndoqi deri në njëfarë vendi , nuk mundej më tutje, supet i dridheshin nga pafuqia dhe nga mungesa e besimit ndaj meje. Unë kisha parë ëndrrën e tij. I kisha dalë para enkas atë mëngjes, atë të gëzuarin që përjetoi. Dëshira për të shpëtuar prej meje i kishte provokuar një ëndërr të këndshme. Nuk desha ta ndaloja. Ai gati fluturoi, e përshkoi largësinë sa hap e mbyll sytë. Prita gjatë të bëhej pishman, të kthehej. Ai s'po bëhej i gjallë, s'po dukej më, kishte humbur, a ishte fshehur nga ballafaqimi me dëshirat e veta, nuk e di. Pushteti më dërrmonte. Një natë, në të ardhmen e përfytyruar prej tij, ndiej hapa pas meje. Fshihej në errësirën që na mblidhte, e nuhata që isha unë, isha Semi. I thirra dhe iu afrova me përkëdheli. E kapa për qafe, ia ledhatova pak zinxhirin, t'ia zbusja sadopak zhgënjimin real që përjetoi. Ai më nguli dhëmbët në mjekër dhe më la dy shenja të kuqe mbi nofull. Kur e kuptoi se ç'bëri e humbi drejtpeshimin dhe u ul në gjunjë para meje. Shumë syresh, përveçse të mbeten gjallë, duan të pyesin si do vejë. E ndëshkova gjatë me heshtjen time. Shkëmbyer në rrugët tona, pjesorja mbeti e brendshme. Kuptohet, midis nesh brente pa shkak diçka e vjetër. Më pyeti për emrin një ditë, në kisha parasysh një emër qeni që quhej Sem.

 
 
 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page