top of page

Me një timbër të veçantë poetik


Një poete me një timbër të veçantë poetik


Prof Dr Fatmir Terziu


Hyrje


Pika kyçe e jetës shpirtërore, dashurisë së lidhjes burrë e grua lexohet shpesh herë në poezinë e poetes Natasha Xhelili, por në kontekstin e dashurisë si anë filozofike të lidhjes mes kontekstit estetik e gjen tri herë, një herë e gjen në 'E dënuar të të dua', një herë në 'Vij në takim'' dhe një herë në 'A mund ta njohësh botën e një burri', e megjithatë qëndron si një emblemë për kontekstet dhe kushtet gjithnjë të pranishme të mendimit poetik të thelbit të dashurisë dhe të lidhjes dialektike në këtë pikë. Xhelili e përdor frazën si një mënyrë për të imagjinuar teksturat e gjuhës poetike. Çdo fjalë ekziston në një 'pikë lidhjeje', duke gjetur muzikalitetin dhe kuptimin e saj brenda fushës së rrjetëzuar të gjuhës poetike. Por Xhelili e përdor frazën gjithashtu si një mënyrë duke menduar për përvojat e kuptimit që mundëson një gjuhë e tillë e mishëruar në dialektikë.

Poezia e saj sugjeron se është normë jetike, normë logjike, të punosh drejt asaj 'pike kryqëzimi të ndjenjave', ku sipas vargut të saj nënkuptohet se tjetër gjë është takimi i 'të pakohës' me 'kohën', kufiri midis asaj që ne e dimë dhe atë që është, në një farë kuptimi, përtej nesh. Si i tillë, poezia në konsideratë e Xhelilit, rikthen nocionin e hershëm të vargut të bardhë për 'pikën e mishërimit të kohës me dashurinë kohore' si një nga mënyrat kryesore në të cilat vargu jetik merr në pyetje poetikën e tillë, duke na dhën faktin të kuptojmë të dy anët e mesazhit, si për atë ku theksohet dhe është gjuha poetike ashtu edhe për përvojat e ndërgjegjes, ose kuptimin që ajo në mënyrë unike përballon në këtë lidhje të mishëruar jetike: „Jam e dënuar të të dua/Të mbaj si flakë në shpirtin tim,/Të më djegësh pareshtur mish e thua,/Të ngrihesh në shenjat që japin gëzim.“ Në këtë kontekst nuk është thjesht një parim, një dialektikë, një ligjshmëri, por një dashuri e bazuar në kontratën e tradicionales ku popullorja e qartëson mjaft bukur se „burrë e grua do të thotë mish e thua“.


Forma dhe forca e mesazhit


Kjo lloj poezie merr liri dhe jep liri. Merr mesazh dhe rifreskon mesazh. Është një plotësi duale. Dule se transmeton dhe funksionon. Por të kuptosh pikën e shenjtë të lidhjes dashurore të të ndjeshmit me kohën, është një profesion për shenjtorin, një sasi e duhur njohurish që shkojnë përtej didaktikës, drejt një versioni më të lirë, më të hapur e më gjuhëprodhues.

E megjithatë, në këtë kontekst tek këto poezi ashtu si dhe tek „Vesh këmishën tënde“; „Udhëtimi“; „Përkundja e dritës“; „Vij në takim“; „Përkundja e dritës“; „Kam harruar të them“; „Dergje“; „Qiell i plakur“; „Ditarët e mallit“; „Ti ike e mjaft të tjera nuk është thjesht një mënyrë për të përcaktuar këto mesazhe, por një mënyrë për të eksploruar se çfarë do të thotë të jetosh brenda një bote të mbushur me zjarr dashurie nga ekzistenca dhe drithma e një bote tjetër, të panjohur dhe pa kohë, përtej nesh, që në kohën e njohur dhe të mbërthyer në këtë zjarr „Ti përtërihesh me frymën time,/Dhe kur zvarritem në pakufi,/Je prapë atje në fluturime,/Më ngre, më ul, më deh si ti…“. Nëse natyra e gjuhës poetike është e tillë që na mundëson të dimë atë që përndryshe nuk mund të njihej (dhe kjo, sugjeroj, është mesazhi poetik i vargut të Xhelilit), atëherë duhet të pyesim se çfarë lloj gjëje është kjo njohuri e re, çfarë lloj e panjohur është bota në të cilën po hyjmë ashtu duke e njohur me një arsye tjetër, me një modë të ndjeshme nervash dhe emocionesh, ku natyrshmëria na jep të kuptojmë dhe dhimbjen, dhe plagën e pjesës tjetër, pasi sipas poetes „Ty të kam si plagë të freskët,/Që dhemb, shpon njëmijë gjilpëra,/Që të mos jesh një yll që meket/Si gjeni ndriçoj botë të tëra.“ Pra këtu në këtë pikë bota është ndryshe, zbulohet edhe pakoha, edhe panjohja, edhe thellësia e mendimit na jep forcën të shkojmë mes këtij vargu në formën „gjeni“ që ndriçon botë të tëra.


Përtej mesazhit


Për këtë varg, ka dy mundësi. Nga njëra anë, të kapërcesh kufijtë e dijes mund të jetë të takosh botën e të përjetshmes, të përjetshmes, ose hyjnores. Nga ana tjetër, të kapërcesh këto kufij mund të jetë të zbulosh se ne vetëm e kemi zgjeruar kuptimin tonë për botën në të cilën jetojmë tashmë. Kjo pasiguri, kjo dilemë dhe forca dashurore e vargut, për arsye që do t’i hulumtojmë më tej, këmbëngul se është një ‘dilemë moderne’ e veçantë dashurore, është preokupimi më i gjerë filozofik që gjallëron kërkimin më të veçantë për aftësitë njohëse të poetikës së tillë. Pikërisht në këtë pikë, shqyrtimi specifik i kësaj forme të vargut të bardhë, fillon të zgjerohet në fushëveprim, duke punuar me natyrën, ambientin, lidhjet, kushtet, emocionet, traditën dhe të tjera si këto drejt një përshkrimi të asaj që poezia moderne mund të jetë në gjendje të bëjë për ne. Kjo shihet qartë tek poezia „Udhëtimi“ ku vargjet „Kufijtë e tejbotës/I zbresin nga supet andrallat e ditës/Unë në qiellin tënd/Ti në qiellin tim/Si yjt' e galaktikës“ na meton të shkojmë të kuptojmë atë që Eliot donte të thoshte dhe çfarë mendonte se ishte në rrezik kur shkroi se "poeti është i zënë me kufijtë e ndërgjegjes përtej të cilëve fjalët dështojnë, megjithëse kuptimet ekzistojnë ende". Ky në fakt është një pretendim që Elioti e bënte për veprën e vet si poet, ndërsa ana tjetër është edhe teknika e vargjeve që drejtohet drejt kuptimeve të kuptimeve që tejkalojnë gjuhën dhe të kuptuarit. Këtu del dhe një ndjesi tjetër, një emocion njerëzor që natyrshëm rreket të pyesë heshtazi se poezia moderne mund ta arrijë këtë shtrirje të të kuptuarit dhe, nëse mundet, çfarë qëndron saktësisht përtej "kufijve të vetëdijes" që na diktoi Elliot.


Pika e jetës shpirtlidhëse, dashurore


Pika e jetës shpirtlidhëse, dashurore e gjen termin afërsi logjike tek „Askush s’më do si ti“ ku

me formën e saj verbale, praktikën përkatëse në dobi të diskursit të mesazhit logjik „T’i hap fjalët si letrat e fatit,/Ndjenjat e tua janë qiejt e mi,/Horizontet e ëndërrta,/Agimet imagjinare në krahët e tu.“ Më tej „A mund ta njohësh botën e një burri“ me vargjet „A mund ta njohësh botën e një burri/Teksa rri në këmbë dhe bluan mendime/Tek qesh, zbehet, ngryset me veten e vet/E ndez zjarrin e jetës tej në horizont?/A mund ta njohësh zemrën e një burri/Kur vërshon si lumë e brigje krijon/Kur natën dhe ditën i ndriçon me hije/Me fjalën e munguar dhe qëndresën që s’resht?“ e përforcon këtë diskurs. Në fakt brenda këtij diskursi poezia „A mund ta njohësh botën e një burri“ është një veçori tejet dimensionale, logjike, parë nga këndvështrimi estetik dhe emocional i një gruaje, i një femre, që në sytë e saj dhe në emocionin e saj kërkon më shumë në këtë botë të padukshme „A mund ta njohësh jetën e një burri/Ndërsa të shoqëron në hapat që hedh/Në krah mban fëmijën si një perëndi/Dhe synimin e fundit si flatër zbukuron?/Tek rri të vështron dhe e struk fjalën/Dhe nga bota çmendur prapë në krahë të mban/Si koma uji gjithë fjalët kapërdin/Si mund ta njohësh shpirtin e një burri?“. Dhe më tej poezia „Vesh këmishën tënde“ bëhet vetvetiu një diskurs brenda këtij disnursi dhe nënkupton shumë e më shumë në këtë pikë kyçe të lidhjes shpirtërore, dashurisë jetike burrë e grua: „Rruga drejtohet/si filli i perit të gjyshes/kur thur ëndrrat e vajzërisë/Mbrëmja largon tisin e mugët/me erashkën e perëndimit/Flladi që vjen më vesh/me ndriçimin e pëshpëritjeve të tua.“


Konkluzion


Duke përfunduar dhe duke marë në konsideratë poezinë e poetes Natasha Xhelili natyrshëm së pari mund të themi qartë dhe hapur se ajo është një poete me një timbër të veçantë poetik. Poezia e saj tërësisht është një pikë kyçe e jetës shpirtërore, dashurisë së lidhjes burrë e grua që lexohet me një diskurs të qartë e të plotë të mesazhit.

Poezia e Natashës kërkon që jo vetëm të lexojmë, por të angazhojmë imagjinatën leximore, duke u kujdesur jo vetëm për teksturat ritmike dhe rrokëse të vargjeve, por edhe për atë muzikalitet të ndjeshëm që lind dhe dëgjohet përtej vetë akustikës së kryqëzuar e të mbërthyer në lidhjet metafizike burrë dhe grua, parë nga këndi femëror. Të dëgjosh në këtë mënyrë do të thotë të shkosh përtej poezisë, të zbulosh ato realitete që qëndrojnë përtej gamës gjuhësore dhe akustike të tekstit të modeluar dhe që rrjedhimisht qëndrojnë përtej kufijve të mendimit dhe ndjenjës sonë të ndërgjegjshme. Imagjinata e tillë arrin në botën tonë mashkullore nga këndi femëror përtej fjalëve dhe sjell diçka, një diçka që ndihet si reale dhe domethënëse, por që vazhdon t'i rezistojë kornizave konceptuale të imagjinatës së lidhur me fjalë.


Kushë është poetja Natasha Xhelili


Natasha Xhelili është një poete e Jugut të Shqipërisë. U lind në Krahës të Tepelenës më 28.02.1975. Studimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e mesme në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan. Ka studiuar më tej dhe ka përfunduar studimet e larta në universitetin “Eqerem Cabej” Gjirokastër në degën gjuhë dhe letërsi shqipe.

Poezitë e para i ka shkruar që në moshën 10-vjeçare, po ciklin e parë me poezi e ka botuar në vitin 2000. Shkruan prozë, poezi dhe shfaq mendimin e saj kritik për dukuri dhe drejtime letrare të kohës në shtypin letrar periodik. Në shtator 2013 botoi librin e parë me poezi “Mali sheh ëndërr”, ndërsa në shtator 2014 vëllimin me tregime “Perdja e mbrëmjes”. Ajo ka një seri shkrimesh, prozash, kritikash, si dhe mjaft poezi të cilat vërtetë janë shumë tërheqëse dhe që e shtyjnë vetë autoren të shtoj më tej gamën e botimeve. Në jetën e përditshme është nënë, bashkëshorte, familjare, si dhe edukatore e brezit të ri, mësuese në Delvinë, ku dhe ka krijuar familjes e saj të mrekullueshme.

82 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page