top of page

ME I TRISHTUARI NGA TE GJITHE, SEPSE DI LOJEN


Faruk Myrtaj

Ç’mund të ishte duke menduar Vaclav Havel prej atje lart, teksa syri i tij rrëmbente atë masë qindramijëshe njerëzish atje poshtë; atë turmë ngjethëse, të cilën dikush tjetër e krijoi pa shkuar ndërmend se do t’i bëhej rrënuesja? A thua e dinin ata njerëz atje poshtë çfarë kërkonin këtë ditë prej tij? Dhe çfarë mund t’i kërkonin të nesërmen? A e dinin, se ai mund tu jepte veç çfarë ata vetë e kishin, në mendjen e zemrën e tyre? Si t’ua kumtonte, se do ish më mirë të ëndërronin atë që mund të gëzonin. Ai s’mund t’u dhuronte çfarë kërkonin në kor, në atë shesh ku sidosi ishte ca ngushtë për ëndrra të tilla...

A e shkojnë ndërmend se edhe unë, idhulli i sotëm i tyre, ndodhem këtu lart jo thjesht prej ngazëllimit të tyre, por për shkak se jam i pranueshëm edhe prej atyre që endè vendosin? Për mua janë dakord edhe ata që sot po bien, a e dini ju këtë, o njerëz atje poshtë?! Jeni dakord me mua, si lider i kadifejtë, por a e dini se çdo të thotë kjo?

Nëse s’do isha i kadifejtë, s’do isha këtu lart...

Nëse s’do isha unë, këtu ku jam mund të ish ndokush prej atyre që ish gati të jepte urdhër për shpërndarjen tuaj, me çdo kusht, qoftë edhe me dhunë. Se, ata që e kanë marrë dhe mbajtur pushtetin me armë, s’mund ta dhurojnë me paqe. Hija e frikës që mbollën për të tjerët i ka përfshirë edhe ata vetë, dhe pas kaq kohësh në pushtet ata nuk besojnë më se janë njerëz të rëndmotë, të zakonshëm. Ndaj dhe s’e kanë të lehtë dhe as ngè s’kanë të besojnë se ju përballë tyre, ju që do u mirrni pushtetin, mund të jeni të qetë e të paqëm me ta.

Pushtetet e ngritura me revolucione, pushtetet e mbatjura për kohë të gjatë, vetiu janë të frikshëm, të dhunshëm, nuk bjen kurrë paqësisht, thuajse kurrë, miq të mi...

Po, ata kanë kohë që mendojnë për këtë ditë, dmth për ngjitjen time në emrin tuaj, deri këtu lart, dhe qenien tuaj sërish atje poshtë. Ata qe kryejne keto pune nuk janë këtu lart, me mua; ata janë atje poshtë mes jush, dhe duket se gëzojnë bashkë me ju, edhe pse ju gëzoni atë që ata kanë humbur.

Humbja pa dhunë, mbase i ngushëllon të gjithë, por nuk gëzon askënd deri në fund, askënd tërësisht: secili ka pjesë trishtimi në këtë fitore, ju, dhe ata dhe unë... Asnjeri nuk është vetja që beson se është, vetja që di, vetja që do donte të ishte, askush... Këto janë revolucionet e kadifejta, që së bashku po u gëzohemi...

Sigurisht është ditë për tu gëzuar, unë gëzohem bashkë me ju, ndonëse jam më i trishtuari nga të gjithë ju: sepse unë di lojën.

Rregullat e lojës do t’i mësojmë të gjithë, ditë pas dite, por qysh tani po ju paralajmëroj: nuk kemi për të qenë kaq të gëzuar sa sot, kurrë më, miqtë e mi...asnjëherë në këtë mënyrë...

Se..., e thashë, jemi në lojë tashmë. Ngaqë nuk donim revolucion tjetër për të rrëzuar një pushtet të ardhur nëpërmjet një revolucioni, zgjodhëm rrugë të mesme, të kuqen e ndërruam nëpërmjet rozës, zgjodhëm jo përmbysjen por lojën, ndaj do të na duhet të mos jemi aq shumë seriozë me etalonin e moralit apo së drejtës historike! Le t’i marrim gjërat me të qeshur, se vjen një moment trishtimi, kur na shkon mendja se mbase do të qè më mirë sikur të ishte derdhur pak gjak, sa për t’u kujtuar bëmat e tyre...

Unë jam në mes të lojës, mes dy palëve, më i ndëshkueshmi, më delikati, skeleti i radhës, unë jam. E shoh, si s’e shoh, jam i duartrokituri, i admiruari, nga ju deri dje të munduarit, por edhe nga ata deri sot shtypësit, të gjithë duke duartrokitur për mua...dhe kjo më trishton aq shumë...

Ngaqë e di se ju mendoni se, po të mos isha unë, nuk do ta merrnit dot pushtetin prej tyre... Po, e marrë me mend, edhe ata, ngaqë mendojnë se po të mos isha ai që jam, Njeriu i Kadifejtë, po të mos kisha edhe besimin tuaj, s’do mund t’i shpëtoja nga hakmarrja juaj e mundshme...

Se, krimet që ata kanë bërë janë shumë më shumë se ç’i mendoni ju, ata kurrë s’na kanë folur për krimet e tyre, përkundrazi, i kanë fshehur, kurse ju vetëm sa i merrni me mend...

Qysh nesër, në padijeninë tuaj, miq të mi, do fillojë rënia e së Sotmes, në të njëjtën kohë me rënien e shpejtë të Së Djeshmes.

Fill nesër, do nisin të merren vesh krimet e tyre dhe do fillojë të merret vesh që ju, duke më besuar mua, duke shpresuar nga unë, pa më njohur deri në fund, pa e ditur se ata kanë investuar kohë duke më përgatitur mua si të kadifejtë, do ndjeheni përditë e më zhgënjyer...

Ndaj më vjen keq, ndjehem në faj teksa ju shoh prej këndej lart, jam gati të hidhem prej këndej lart, të rrëzohem mes jush...të thërmohem aty, në këmbët dhe në sytë tuaj, të krisem e të thërmohem si qelqe në zemrën tuaj. Qoftë edhe sikur, duke u përpjekur të më shpëtoni mua, disa nga ju ta pësojnë bashkë me mua... Së paku kështu, çmimi do jetë më i vogël nga ai që do shohim në faturën që do na sjellin vitet më pas...

Megjithatë...edhe unë, ashtu si ju, besoj se vetëm kështu, me një njeri të duartrokitur si unë, në të kadifejta veshur, mund të vazhdojmë për ca kohë, të gjithë bashkë, ju, dhe ata, dhe unë...deri sa të gjithë të jemi ndryshe...së paku me kujtesë tjetër, të ikur nga koha kur loja mund të luhej vetëm si luftë...

E si i bëhet tjetër, teksa e dimë se ikja kesisoj s’është zgjidhje?! ..... Ti sikur kërkon të gjesh doemos lidhje mes lindjes dhe perëndimit, mu bë se qortova veten. Përderisa toka rrotullohet në këtë kahje, pse jo?

(fragment nga "Atdhe Tjeter", 2012 dhe ribotimi te "Ore te Franc Kafkes", UEGEN, 2019)

38 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page