MBRETËRIMI I PIRROS SË EPIRIT


MBRETËRIMI I PIRROS SË EPIRIT

Resmi Osmani

Roman

(Fragmente)


Shqiponja e Epirit.


Ndërsa lufta sa kishte nisur, para trupave maqedonase, doli gjeneral Pantafku. Ishte në këmbë, me shtizë, mburojë dhe shpatë ngjeshur. Ishte gjenerali më i zoti dhe më i afti i Dhimitrit, më trimi, guximtar e kryelartë, dyluftues i krisur që se peshonte as jetën as rrezikun dhe gjithmonë kishte dalë fitimtar.

Në fushën e luftës ra qetësia. Ai nisi të fliste me zë të trashë e gjëmimtar:

-Ti, Pirro, barbar, i vetquajtur gjeneral e mbret, kalama e buzëqumësht, që t’i ndrrojnë ende mëndeshat pelenat, kursejua jetën iushtarëve të tu.Dil këtu në log të burrave,të luftojmë tok e të shohësh sa të vlen lëkura! Eja të të bëj ushqim për orlët!Por kam një kusht: kush humb jetën, humb luftën!-tha Pantafku dhe po priste tërë hakërrim, krenari dhe mburrje, me këmbët të hapura pak anash dhe ushtën e gjatë mbështetur për tokë.

Era i lëkundëte puplat shumëngjyrëshe të përkrenares së tij madhështore. Ngjante si kreshnik i qëmoçëm.

Pantafku ishte i fuqishëm si një dem i harbuar dhe i trashë si një lis i vjetër. Gjeneralët e tij nuk deshën ta linin Pirron të hynte në dyluftim, por e kishin më kot: për trimëri e guxim, ai nuk vinte përmbi vete asnjë nga mbretërit e asaj kohe. Zemra e tij me trimëri luani, ishte e etur për vepra heroike dhe donte të bëhej i famshëm si Akili. Ky ishte një rast. Pantafku e kishte çnderuar para gjithë ushtrisë. Ky dyluftim ishte një çështje nderi.

Pirrua zbriti nga kali, me mburojë e shtizë dhe shpatën e rëndë ngjeshur në brez.

-Ja ku jam. Mburravec, ruaj kokën!

U turr mbi Pantafkun. Ngjanin si dy luanë të egër e të frikshëm, që duke buluritur, të etur për gjak i sulen njëri-tjetrit.Kur arritën në largësinë e hedhjes së shtizës, u gjuajtën egërsisht, por të dy i bënë dredha dhe ushtat shkuan huq, u ngulën me vërtik në tokë, në vend të mishit, hëngrën dhe. Zhveshën shpatat që vringëllinë. Të kujdesëshëm, me çap të shkurtër e lëvizje të matura, të tendosur, filluan, të vinin rrotull njëri-tjetrit. Pantafkun e trembi pamja e tmerrshme dhe nofulla e shtrembëruar e Pirros, që me sy të flakëruar kërkonte vendin e goditjes. E gjuajti rrufeshëm, fort dhe befas, por kundërshtari e priti goditjen. Vringëllima e shpatave, mburojave dhe dihatja e dyluftuesve ishin të vetmet zhurma që dëgjoheshin në fushën e nemitur të luftës. Nga të dy krahët, me armët gati, ushtritë po u afroheshin dyluftuesve.

Pantafku kishte zakonin e keq që shante në çdo goditje që jepte.Në një sulm ballas ai e plagosi Pirron në krah të majtë. Një “ah” i papritur doli nga gjokset e ushtrisë epirote.

-Një-tha Pantafku.-Prit të tjerat!

Por Pirrua ja la fjalën në gojë. Me një goditje të shpejtë i plagosi krahun e djathtë, plaga qe e rëndë aq sa Pantafkut krahu iu mpi dhe mezi mbante shpatën. Pirrua si ndali goditjet. Pantafku e priti goditjen tjeter me mburojë, por shpata e Pirros shkau poshtë dhe me majë të saj i hapi një plagë të thellë në kofshë.Pantafku bërtiti me të madhe dhe u plas në tokë. Nga trupi I rëndë që u vithis dhe shungullima e armëve të tij, u trand toka si të kishte rënë një shkëmb.

Britma brohoritëse e epirotëve ushtoi e fuqishme dhe e drodhi fushën e luftës si tërmet.

Pirrua u turr ta vriste dhe kokën e prerë, ta merrte për trofe e ta ngulte në majë të ushtës, por nuk arriti. Oficerët rojtës të Pantafkut, me shpata zhveshur e rrethuan dhe e hoqën nga fusha e luftës gjeneralin e plagosur.Të njëjtën bënë oficerët e Pirros, guximi i ndërkryer i të cilit mund ta fuste në rreziqe të kota .Ai dihaste dhe sytë i shkrepëtinin. Plaga ishte e lehtë dhe ia lidhën sakaq.

Epirotët u mahnitën nga trimëria e mbretit të tyre dhe i rrëmbeu një frymëzim i shenjtë dhe guxim i parrëfyer. Sulmi epirot mbi armikun ishte si një lumë i rrëmbyeshëm ujëshumë që zbret nga mali dhe merr e rrëmben çdo gjë që gjen përpara.Thirrja”Mbi ta” dhe rroftë Mbreti Pirro i Epirit” që përsëritej valë-valë, jehuan aq fort dhe pushtuan tej e mbanë fushën e luftës, sa e tmerruan dhe i futën drithmat në shpirt armikut. Kur panë gjeneralin e tyre që u rrëzua, ndofta edhe vdiq, u ligështuan, i lëshoi zemra dhe u zmbrapsën. Paniku e thyen një ushtri më shumë se trimëria e kundërshtarit. Qendra e ushtrisë maqedonase u ça më dysh dhe ushtarët filluan të marrin arratinë.

Në sulmin e parë, nga goditja e fuqishme, toka u la me gjak dhe u mbush me kufoma.Në fushën e luftës në atë ditë të vjeshtës së parë, në vend të grurit po mbillej vdekja.

Teksa ushtria po hynte si pykë në trupat armike, Pirrua hipi mbi kalë dhe lëvizi në gjithë frontin, shpata e tij godiste si rrufeja, armiqtë binin para tij si kallzat e grurit kur i prêt kosa. Pamja dhe qënia e tij i jepte krahë dhe guxim të egër ushtrisë. Ai ishte shpirti luftarak dhe frymëzimi i saj.

-Ndiqini, pa mëshirë, vrajini, zini robër!

Ndërsa qendra u shprish, krahët e thesaliotëve ruanin rreshtimin dhe tërhiqeshin me rregull.

-Të hidhet në sulm Matua me thesprotët, të rrethojë krahun e majtë e t’i zerë rob.

Oficeri që mori porosinë e nisi kalin flakërimë.

-Nigeli me kalorinë të ndjekë të ikurit! Shihni se çpo bëhet me kaonët në krahun e djathtë!

Në këtë betejë Epirotët luftuan si luanë dhe armët e tyrte u mbuluan me lavdi:

Në krahun e majtë, Matua me thesprotët u përfshinë në luftë të egër, për jetë a vdekje. Tesaliotët që e kuptuan se po rrethoheshin dhe laku po ngushtohej, luftonin për jetën e tyre. Trimi Mato, shoi shumë jetë me shpatën e tij mizore, por në përpjekje me një azgan tesaliot atij iu thye shpata. Atëhere me shpejtësi rrufeje, e goditi në fytyrë me mburojë, sa ai nuk u mbajt dot më këmbë. Pastaj ai rrëmbeu një curr tërë thepa sa nuk e mbanin dot dy burra dhe e goditi me aq forcë një sulmues që u rrek ta vriste, sa atij ju coptuan eshtrat e kraharorit dhe i plasi gjaku nga goja dhe veshët. Ai rrëmbeu shpatën e oficerit që vrau dhe u dha dërmën mercenarëve maqedonas. Ndërkohë kundërshtari hapi një shteg dhe mori arratinë, vdekja i ndiqte pas.

Dardani Epikad me të vetët, u sul përpara si një shakullinë dhe i vuri armiqtë në ikje si era e vjeshtës gjethet e rrëzuara. Nga ndërhyrja e tij, vija e rendimit u rivendos dhe ushtria lëvizi përpara si një dallgë e vrullshme.

Nigeli i ri, fisnik e trim, u përball me kalorësinë dhe një pjesë të maqedonasve të ushtrisë së Dhimitrit. Ai e ngriti kalin kas përpjetë, vringëlloi shpatën dhe dha kushtrimin; ”Mbi ta, asnjë të gjallë”… këmbsoria s’e përballoi dot vrullin e goditjes së kalorësisë dhe mori arratinë, por një qindëshe e këmbësorisë thesaliote u rreshtua dhe e priti goditjen me ushta. Nigelit iu vra kali, u rrëzua përtokë dhe shembi gjurin. Thesalioti iu turr që t’a godiste me ushtë në gjoks, por Nigeli, i shklathët si ngjalë i dredhoi dhe i nguli shpatën thellë në bark. Thesalioti i ra përsipër dhe aty dha shpirt, por Nigeli nuk po ngrihej dot dhe u mbyt nga gjaku i kundërshtarit. Mbërriti Pirrua dhe i dha dorën për ta ngritur.

-Je plagosur?

- Jo, madhëri, është gjaku i armikut.

Rojtësit e tij i dhanë një kalë dhe ai me guxim të pacak, u turr përpara. Të parit kalorës maqedon që ngriti shpatën kundër tij, i dha një goditje në krah dhe dora u rrëzua përtokë bashkë me shpatën që mbante. I pushtuar nga ethet e luftës dhe i dehur nga fitorja, u turr me kalorësinë për t’i dhënë fund veprës së bukur dhe heroike të asj dite.

Në krahun e djathtë dukej një pështjellim njerëzish që jepnin e merrnin goditje. Për një çast, maqedonasit filluan të kishin epërsi. Pirrua dërgoi njerin nga oficerët të shihte se çfar bëhej me trupat kaone. Oficeri që u kthye pas pak kohe, i tha se gjeneral Brizeidi, kërkonte përforcime pasi kishte kapur karvanin maqedon, që sillte furnizime për ushtrinë.

-Thuaji gjeneralit ta lerë karvanin. Po fituam luftën kemi fituar edhe karvanin, po humbëm luftën, kujt I duhet karvani?!

Oficeri u ngut për të përcjellë porosinë.Me trupat e Brizeidit, u bashkuan edhe ato të komanduara nga Grabo. I shtynë maqedonasit, i thyen dhe i vunë përpara duke vrarë shumë syresh.

Aty nga mesdita, beteja pothuajse kishte përfunduar. Armiku ishte shpërndarë dhe tretue si kripa në ujë, duke lënë dëshmi të asj humbje të turpshme kufomat në fushën e luftës dhe pesë mijë robër. Në tendën e general Pantafkut u gjet thesari i ushtrisë, argjend , ar dhe pajisje të bukura bakri flakërues, legenë e kazanë për banjë, që dikur Leka i Madh i pat sjellë si trofe nga tenda e Darit. U kapën armë pa numër mburoja e përkrenare dhe kuaj lufte e mushkat e karvanit të furnizimit të ushtrisë. Në to u ngarkua plaçka e luiftës dhe u nis për Pasarone.

Humbjet nga ana e epirotëve ishin më të pakta, por ishin plagosur gjeneral Angjeli në gjoks nga një shigjetë dhe disa oficerë të tjerë. Nga trupi komandues ishin vrarë dy oficerë qindëshesh.

Pirrua edhe vetë i plagosur, u kujdes që Angjelit t’i hiqnin majën e shigjetës dhe i dha kurajë,por Angjeli buzëqeshi dhimbshëm:

-Madhëri, plagët e luftës janë stoli e luftëtarëve. Dhimbja na kujton sa afër e kemi vdekjen dhe sa duhet të luftojmë që ta gëzojmë jetën.

Robërve maqedonas u lanë kohë të varrosnin të vdekurit e tyre që të mos i hanin orlët. U hapën varre massive dhe fusha e luftës u pastrua nga kufomat. Robërit u deklaruan skllevër, që humbën qytetarinë dhe u nisën për në Antigone, për ndërtimin e qytetit që ende s’kishte përfunduar.

Ushtrisë iu la kohë për t’u çlodhur. U ndërtuan vigje për të mbartur të plagosurit rëndë, ndërsa kuajt e kapur iu dhanë të plagosurve të tjerë që s’mund të ecnin më këmbë. Ushtria e rreshtuar me rregull, mori rrugën e kthimit për në Epir, ndërsa në Akarnani, Etoli, Thesalinë veriore dhe tokat e pushtuara në kufirin grek dhe ato që përfshinin gjysmën e Maqedonisë, la garnizone të pajisur mirë dhe nëpunës e administrator për të mbajtur rregull dhe për të mbledhur taksat e ersoforës, që ishte taksa e veçantë e vendeve të pushtuara, me të cilat mbushej thesari I shtetit dhe pasurohej Epiri.

* * *

Jehona e fitores së epirotëve të prirë nga mbreti Pirro, u përhap gjerësisht në Maqedoni, Thesali dhe gjithë Greqinë. Ushtarët dhe oficerët komandues të ushtrisë maqedonase, në vend që të ndjenin urrejtje për ato që u punoi dhe humbjen e turpshme që u shkaktoi, përkundrazi ndjen një adhurim të vetvetishëm për ‘të. Për trimërinë dhe burrërinë e pashoqe, guximin për t’iu përgjigjur karshillëkut fodull të gjeneralëve kundërshtarë, aftësinë për të rreshtuar trupat dhe sulmin e vrullshëm e të papërmbajtshëm të luftëtarëve që komandonte.

Maqedonia pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, jo vetëm që humbi atë që ishte fituar me armë e me gjak, por asnjë nga mbretërit pasardhës, nuk u shqua për trimëri, dituri dhe aftësi në të drejtuarit e punëve të shtetit. Luftërat e paprera që bëheshin në tokat e tyre, shkretuan shtetin dhe varfëruan popullin. Thesaret e lindjes që s’kishin të llogaritur, humbën e s’dihej ku shkuan. Maqedonia binte herë në sundimin e njerit dhe herë në një sundimin e një mbreti tjetër të huaj.

Gjeneralët dhe mbretërit e tanishëm që e kishin idhull të tyre Lekën, bëheshin qesharakë, përpiqeshin ti ngjaninm nga paraqitja, sjellja dhe mënyra e qëndrimit të tij. Visheshin si ai, duke mbajtur pas një shpurë me ruajtës të veshur me salltanet, duke anuar pak qafën majtas dhe duke përdorur në të folur zë të lartë e të fortë.

Por atyre u mungonte trimëria dhe shumëçka nga cilsitë e Lekës së lavdishëm.

Maqedonasit që e panë nga afër Pirron, nuk e lëshonin nga goja. U dukej sikur te Pirrua shihnimn fytyrën, shpejtësinë dhe lëvizjet e vrullshme e të shkathëta të Lekës. Për ‘ta ai ishte një shëmbëlltyrë dhe një pasqyrë e trimërisë, guximit dhe heroizmit, që tregonte Leka nëpër luftëra. Trimëria e tij u bë mit.

* * *

Ushtria fitimtare u mblodh në fushë të Eurimenit.Trupat u rreshtuan për të nderuar mbretin. Pirrua kaluar, kaloi para trupave, pastaj mbajti me fre vrulltazi kalin, i cili u ngrit arithi dhe hingëlliu si për t’iu përgjigjur kërkesës së kalorësit.

-Ushtarë, oficerë e gjeneralë trima, u përshendes!

Zëri megjithse i fuqishëm, kishte nuance mallëngjimi që dukej në dridhjen e lehtë.

-Rroftë mbreti Pirro Shqiponja e Epirit! Qe përgjigja e mijëra zërave që jehoi deri lart në malet kundruall.

Ishte hera e parë që e quanuin “Shq1iponjë”. U befasua, por edhe u miklua dhe etja e tij për lavdi, mori një pjesëz të vogël të asj që donte të arrinte. Mendoj për një grimë përgjigjen që duhej t’u jepte:

-Nëse unë jam shqiponja, ju jeni krtahët e mi. E si të mos jem shqiponjë, kur ngrihem aq lart me armët tuaja, që janë posi krahë të shpejta! Ne e fituam këtë luftë sepse ju treguat trimëri të pashoqe. Ne luftuam për nderin tonë dhe në mbrojtje të trojeve epirote, që Dhimitri fodull u turr t’I plaçkiste si të ishin vend pa zot. Mori atë që i takonte. Beteja të tjera na presin dhe përsëri do të dalim fitimtarë!

Pastaj ai përshëndeti secilin nga gjeneralët dhe oficerët, lavdëroi ushtarët thesprotë për qëndresën dhe guximin e treguar,kaonët që I dhanë dërmën dhe vunë përpara qëndrën e ushtrisë maqedonase,molosët për heroizmin dhe vetnohimin, kalorësinë që ndoqi dhe dërrmoi lulen e ushtrisë armike, përmendi emër për emër ushtarëtqë kishin kryer vepra trimërie.

Fjala e tij u prit me brohoritje duke e cilsuar sërish”Shqiponjë” të Epirit”.

Dha porosi që plaçka e luftës të ndahej me drejtësi dhe sipas meritave, pjesa e të rënëve tu jepej familjeve të tyre. Për vete dhe thesarin e shtetit mbajti pak gjë.

Tiranë 2010.

Vazhdon

0 views

Shkrimet e fundit