top of page

MBI LITERATURËN E RE SHQIPTARE




MBI LITERATURËN E RE SHQIPTARE

(1990-2018)

Dr Fatmir Terziu


Rënia e Murit të Berlinit dhe diktaturave komuniste në hapësirën e prekshme dhe të ndjeshme të vitit 1990-të rezultoi me një kthesë të madhe historike në Shqipëri, ashtu sikurse në vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë edhe pjesët teritoriale dhe gjeografike të shteteve dhe vendeve ku jetojnë historikisht shqiptarët në trevat e tyre etnike. Këtu nuk është vendi për të analizuar shkaqet dhe mekanizmat e këtij ndryshimi rrënjësor historik, edhe pse nuk është tashmë herët për të vlerësuar rezultatet dhe, përveç se për të përsëritur atë që thuhej nga analistët se vlerësimi i fryteve të kësaj pike dhe kthese historike do të varej nga ngjarjet që do të pasonin, më saktë nga përmbajtja që ne shqiptarët më së shumti do të mund të vendosim në të, në të ardhmen e shkrimit, konkurencës në “tregun” e tij të madh e të zgjeruar global, në të gjithë termin e letërsisë që nuk njeh në fakt arsye tjetër përveç asaj që e dallon atë që nga lindja.

“Faturat” e letrave (të letërsisë) kanë arsyet e veta në dislokacionet sociale, politike, ekonomike, psiko-sociale dhe kështu me radhë. Të gjithë arsyet që kanë ndodhur në Shqipëri që nga viti 1990-të, kanë krijuar një situatë të re socio-kulturore, e cila po zhvillohet duke zhvilluar në kahe të tjera dhe të pashkelura më parë edhe letërsinë shqiptare. Përplasja e monopolit ideologjik, për shembull, u bë parakusht për lirinë krijuese dhe pluralizmin konceptual artistik në fushën e kulturës. Kalimi në një ekonomi tregu e vuri financimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vlerave artistike në një pozitë të re.

Vitet dhe aritmetikat e tyre ndoshta nuk kanë ndonjë arsye të madhe në krijimtarinë e sotme letrare shqiptare, pasi ne mund të gjykojmë çdo gjë që ka ndodhur në literaturën e këtyre viteve, por vetë vitet kanë më shumë “kohë” në të cilët janë vetëformuar kushtet e zhvillimit të ardhshëm të letërsisë shqiptare kudo ku ajo tashmë zhvillohet. Por këto vite, flas për vitet e tranzicionit shqiptar në Shqipëri, dhe po aq dhe në pjesën tjetër shqiptare, pos problematikave të reja, janë ende një periudhë e mjaftueshme për të përshkruar disa tendenca zhvillimore dhe për të bërë njëfarë ndjenje të lëvizjes dhe ecurisë letrare. Jo vetëm për të përmendur domosdoshmërinë e vazhdueshme të vlerësimit dhe interpretimit të prodhimit letrar.

Situata e re social-kulturore, megjithatë, është munduar të krijojë dhe diçka që quhet “dukshmëri e fryrë” e letërsisë dhe që rezulton në vështirësi për të bërë qashtërsi (edhe një nivel informativ) të plotë të shpërndarjes kaotike të prodhimit letrar dhe fenomeneve të shumta dhe kontradiktore me trendet në procesin letrar, sidomos në ndryshimin e shpejtë të kodeve kulturore, normave dhe gjuhëve artistike dhe kritike, kritereve të vlerësimit e të tjera si këto.

Ndarjet politike në qarqet e shkrimtarëve dhe krijimi i disa grupimeve, më shumë palë në proces “politik” se sa krijues “artistik” të fjalës, organizata pos shkrim-tekstit, ndryshimet dinamike në botimin e librave, shpërndarjen e librave dhe revistave letrare, vëzhgimit të (sh)penguar të procesit letrar bashkëkohor, punën e pamjaftueshme dhe jo të plotë edhe të kritikës letrare si institucion i domosdoshëm letrar, ku lindin dhe zgjohen arsyet për vetë-vetëdije dhe reflektim, detyra kryesore e këtij institucioni që është për të interpretuar dhe vlerësuar librat e reja dhe proceset zhvillimore në literaturë..., e pra, nuk janë pak këto dhe mjaft të tjera, që e bëjnë arsyetorin e “dukshmërisë së fryrë”.

Nevoja për të kapërcyer këtë “dukshmëri të fryrë” të letërsisë bashkëkohore shqiptare ka bërë versionin e kundërt të asaj që bënin rrethet letrare dhe cingërrimat apo cicërimat e para të orëve letrare dhe kurseve të tilla apriori të deleguare propagande, ku tashmë të gjithë kanë një kokë, disa gishta dhe një mjet teknologjik, apo dhe një rrjet social dhe hopa, “o burra me urraaa” për të bërë të “dukshmen e fryrë”. “Gjuha dhe letërsia” e mbetur gjetkë, po aq ndoshta tek jo-arsyeja për të ndërmarrë një përpjekje, për të marrë pak jetë të jetës letrare dhe proceseve letrare të pas vitit 1990-të, është kthyer në ditët me aksione dhe vullnetarizma dhe pak a shumë disa sot, në linjën më aktive, mbesin apriori jashtë një skeme të harruar nga shteti dhe institucioni duke bërë më vete Kritikën Shqiptare, duke mbledhur mes vetes shkrimtarë të afirmuar dhe shkrimtarë fillestarë letrarë, që ndjekin me qasjen e tyre zhvillimin letrar. Në këtë frymë, me zell ftohen kritikët e ndryshëm letrar, qendrat universitare dhe institucionet akademike, qarqet dhe organizatat ku bashkëveprojnë autorë të ndryshëm për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi letërsinë shqiptare pas vitit 1990-të, sigurisht me liri të plotë të zgjedhjes së aspekteve që do të vënë dhe të marrin parasysh problemet e letërsisë, si dhe vlerësimet që do t’i japin prodhimit letrar.

Shumica e tyre natyrisht i janë përgjigjur kërkesës sonë tek “Fjala e Lirë” dhe kanë paraqitur për botim tekstet e tyre; disa nga të ftuarit dhe krijimet e tyre, si të miratuara në parim janë dhe mbeten si nisma, ku kanë shprehur mendimet se shteti dhe kultura shqiptare vazhdojnë ende të kenë paaftësinë e tyre për të përgatitur tekstet e duhura, ndërsa të tjerë mendojnë se thjesht nuk ka më arsye të jepet mendim nga burokratët e zyrave.

Ne kemi kërkuar që të ftohen krijuesit e kudondodhshëm shqiptarë për të marrë pjesë në një përgjigje tip sondazh dhe jo-sondazh të hapur për të dhënë, emrat më të rëndësishëm në letërsinë shqiptare pas vitit 1990-të në fusha të ndryshme të letërsisë: poezi, fikshën (roman, novelë, tregim të shkurtër, skicë), kritikë dhe ese, dramëapo dhe zhanre të tjera. Së bashku me artikujt e tyre, autorët e ftuar gjithashtu kanë synuar të përgjigjen dhe përgjigjet e tyre për studimin tim kanë ndikuar pak a shumë në dhe për një progres që duhet dhe kërkohet nga të gjithë.

Jo të gjitha këto përgjigje ndoshta kanë qenë të hapura dhe ndoshta po aq jo në përputhje me numrin e përcaktuar për fusha të ndryshme letrare (20 poetë, 10 romancierë, 5 dramaturgë, 10 kritikë letrarë, 10 tituj). Në përgjigjet e tyre në pyetësor fokusohet thelbi në disa autorë të cilët ata i konsiderojnë të jenë më të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore, të tjerët kanë përqendruar përgjigjen në vetëm atë që u shfaq pas vitit 1990-të, në pak emra të pas kësaj periudhe.

Unë nuk mendoj se në vetvete shuma e perspektivave të ndryshme jep një pasqyrë të literaturës së plotë, dhe vërtet as e pretendoj këtë, as nuk mendoj se është e mundur që një pamje e vetme përfaqësuese e proceseve që janë në lëvizje të vazhdueshme të bëj mrekulli, por ama shpresoj dhe vërtetoj se çdo lëvizje e bën një shkundje, e bën një zgjim, edhe kur bën dhe thellon “xhelozi”.

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page