top of page

MBI BEDENAT E NJË KALAJE LEGJENDË




MBI BEDENAT E NJË KALAJE LEGJENDË

Shënime

Kur ngjitesh në legjendën e legjendave shqiptare, në Legjendën e Murimit që nis në themelet Rozafës së Shkodrës për të zbritur truallit të moçëm shqiptar në Urën e Artës, kur mbyllesh mes mureve të trashë e dëgjon historinë, para të gjithave të hyjnë në shpirt e të mbeten në kujtesë këto vargje-legjendë...

Amanet-o popull ju la, Ku në mur, o t’më muroni, Sy’n e djathtë t’ma leni jashtë, Dor’n e djatht t’ma leni jashtë, Kamb’n e djatht t’ma leni jashtë, Gjin e djatht t’ma lini jashtë Se kam lan djalin e vogël. E kur te nisë të kjajë Me nja’n sy ta shikoj Me nja’n dorë ta limoj, Me nja’n kamb t’i tund djepin, Me nja’n gji t’i jap me pi, Gjini jem mu nguroftë, Kalaja qëndroftë. Djali jem u trimnoftë, U baftë mbret e mbretnoftë

POPULLI

Kush hynte, aty ndalej. Lexonte vargjet e popullit, lëmonte me dorë basorelievin, fotografohej... Nuk mund të mos i fusja në kujtesë disa mësues. As Dashin me të cilin isha ngjit bedenave nuk mund ta lija pa e “murosur” në arkivin tim fotografik udhëtimeve të gjata me Rilindësit e kohës sonë, mësuesit mërgimtarë. E fiksova bashkë me Galian, mësuesen e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë në Korinth, tash e kthyer në atdhe. Por nuk mund të humbja rastin që të mos i lutesha Dashit që edhe unë të jem dëshmitar i fiksuar. Nuk mund të humbja as zërat kumbues në atë labirint muresh e dhomëzash që më sillnin sa histori e aq legjenda...

* * * Kështjella e Rozafatit është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarësh. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilëve ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent. Historiani Tit Livi e quan "vendi më i fortë i labeatëve". Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj. Humanisti i shekullit XV, Marin Barleti, në veprën e tij, "Rrethimi i Shkodrës" tregon se, në gjuhën popullore ka kronika për dy vashat:  "Na patën rënë në dorë disa shkrime... Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa". Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër, u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret për çdo natë. Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënia e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë që t‘shoh birin t'em, krahun e djathtë qi t'a mbâj, gjinin e djathtë qi t'a ushqej, kâmben e djathtë qi m'e përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndodhet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.

* * *

Ishte një mbrëmje e bukur e 2 gushtit, mbrëmje që mbi bedenat e Kalasë së Rozafës fresku të ledhatonte trupin e shikimi në treqind e gjashtëdhjetë shkallë të rrëmbente. Fotografova Shkodrën nën këmbët e Kalasë, fiksova disa pamje magjepse të Drinasës, Drinit të Madh tek bashkohej me Bunën duke formuar pamjen e një lumi që bashkë me Bunën formonte një lumë-liqen që zgjerohej e zgjerohej me më të madhin liqen të Shqipërisë, Liqenin e Shkodrës. Aty, mbi bedenat e kalasë futa në pamjen magjepse Dashin me atë buzëqeshjen që nuk i rrëshqiste asnjëherë nga sytë... Nuk e dija se ajo do të ishte fotografia që do të më sillte më shumë mall...

Abdurahim Ashiku




49 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page