top of page

Maximilian Demeter Peyfuss


Maximilian Demeter Peyfuss

Tre fakte historike si hyrje

“Lajmëtari pati folur me rrëmbim: “Vendi është malor dhe i volitshëm për ushqime, dhe municioni nuk i mungon. Fshatrat janë veçse të krishterë…Vetëm vendbanimi i fundit Voskopoja ka mbi 7000 shtëpi dhe është zgjedhur në krye. Ajo nuk kërkon kurrgjë tjetër veç tre flamujve perandorakë, dhe tri patentave mbrojtëse”… “Fjalë të thëna në Futak, më 22 korrik 1716. Falë madhësisë së saj Voskopoja ishte bërë që atëhere e famshme.”

Simon Shuteriqi (1883 - 1951), veprimtar i kulturës dhe i arsimit kombëtar shqiptar, Mësues i Popullit, në shkrimin e tij botuar në gazetën e Durrësit “Shekulli Ri”, të datës 27 janar 1929, mes tjerash thekonte se…“Vllehët nuk janë rumunë, por ata zbresin nga gjaku fisnik Latin të kryqëzuar përmes shekujve me gjak shqiptari; janë legjionet e Pavël Emilit që kanë sunduar më parë tokat e Ilirëve.”

“Në dimrin e vitit 1766/1767, u krijua ‘Rekrutimi i turqve dhe nënshtetasve turq, që jetonin këtu në Vjenë, për t'iu mundësuar organeve tatimore regjistrimin e tregtarëve që jetonin këtu…Në mesin e dymbëdhjetë voskopojarëve ndodhej edhe Andrea Tirka, ai që i dhuroi punimin në dru të Voskopojës, Manastirit të Shën Gjonit (Prodhomit). Le t'i hedhim një vështrim më të afërt detajeve të tij(Andreas): Ai ishte 52 vjeç, në janar 1767 dhe, jetonte në Fleischmarkt. …Andrea la vendlindjen e tij(Voskopojën) ku kishte një shtëpi dhe fermë, si dhe tre vëllezër, 33 vite më parë, d.m.th. në 1734, dhe erdhi në Austri me Graniz zu Caliphate1 të atëhershëm… po ka udhëtuar edhe në Hungari, Itali dhe Holand… Thuhet se ai… me shokun e tij Nicolla Risto importon nga Turqia fije të kuqe, shafran, lëkurë, dhe dyllë, me vlerë 70 mijë talera në vit. Ashtu si shumica e bashkëatdhetarëve të tij, ai dërgon para vetëm në Juglindje (Voskopojë)… Vetëm pak vite pas kryerjes së këtij Rekrutimi në Vjenë, fatkeqësia e goditi Voskopojën”…

Origjina familjare dhe veprimtaria shkencore e Maximilian Demeter Peyfuss

Andrea Tirka (Terka)2 nga Voskopoja është paraardhës i Teodor Demeter Tirka3 i cili pati për djalë Demeter Teodor Tirka. Edhe ky i fundit u bë me një djalë, po fatkeqësisht fare jetshkurtër, dhe tre vjaza prej të cilave njëra quhej Teodora Tirka, që u martua me piktorin e njohur austriak Karl Johan Peyfuss. Pra, Maximilian Demeter Peyfuss nga ana e nënës vinte nga një dinasti shqiptare-vllahofone e tregtarëve dhe bankierëve voskopojarë në Vjenë, kurse nga ana e të atit vinte nga një familje artistësh nga Austria e Poshtme. Maks Demeter Peyfuss4 ka bashkuar në emrin e tij të dyja familjet e origjinës; me emrin e mesëm stërgjyshin, bankierin Demeter Tirka; ndërsa me mbiemrin Peyfuss - gjyshin e vet - piktorin dhe akademikun Karl Johan Peyfuss. Kushdo që hedh sytë me kujdes në faqet e mureve të hollit të Gjykatës dhe Arkivit Shtetëror në Vjenë, mund të admirojë edhe veprën murale monumentale që tregon ceremoninë e përurimit të Institucionit nga perandori Franz Joseph. Ky i fundit, krahas vetes tij, përjetësoi edhe autorin e pikturës Carl Johann Peyfuss - gjyshin e Max Demeter Peyfuss.

Historiani i Evropës Juglindore Prof. Maximilian Demeter Peyfuss lindi më 2 gusht 1944 në Vjenë, dhe vdiq më 13 prill 2019. Pak kohë para se të ndronte jetë ai banonte në qytezën Maria Enzersdorf, ku stërgjyshi tij ndërtoi një godinë mbresëlënëse e cila shërben si muze i gjenezës shqiptaro-austriake të M.D.Peyfuss.

Maximilian(Max) Demeter Peyfuss ishte aktivist i Shoqatës Austri-Shqipëri, qysh në vitet 1970. Hyri atje si studet i Karl Trajmerit5, dhe zuri postin e arkëtarit. Aktiviteti i tij kulturor në shoqatë fillon me pjesëmarrjen në veprimtarinë e organizuara në Kosovë, në vitin 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Gjon Kastrioti - Skënderbeut. Mbas dy vitesh Maksi merr një ftesë për të vizituar Shqipërinë. Në shenjë mirënjohje ai i përgjigjet grishjes me botimin e disa artikujve në shtypin austriak, të cilat nuk u mirëpritën nga Tirana zyrtare. Kështu që raportet e tij me qeverinë e atëhershme shqiptare keqësohen deri në mesin e vitete 1980, kur me ndërmjetësimin e kryetarit të Akademisë Shkencave, Aleks Buda, i lejohet hyrja e vazhdueshme në Shqipëri.

Pas diplomimit në Bundesgymnasium, në qytetin Mödling, Max Demeter Peyfuss studio fillimisht shkencën e kimisë, për dy semestra; ndërkaq atij ju hapën sytë dhe ndjenjat për të studiuar të tjera shkencat që ishin: historia e Evropës Lindore; gjuhët ballkanike, gjermanistika, dhe gjinia e teatrit në Universitetin e Vjenës.

Menjëherë pas doktoraturës së tij, në 1971, Dr. M.D.Peyfuss punoi në ekipin botues të "Österreichische Osthefte" (Austrian Journal of the East), ku ai ishte kryeredaktor, për shumë vite, si pasardhës i Prof. Thorvi Eckhardt. Në atë që ishte atëherë revista kryesore austriake për Evropën Lindore, botuan shkrimet e tyre shumë shkencëtarë të njohur nga të katër anët e Evropës. "Österreichische Osthefte", sipas Prof. Arnold Suppan, dha një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin intelektual dhe kulturor të Luftës të Ftohtë, shumë përpara shuarjes së saj, "gjë që ishte padyshim synimi i Maks Demeter Peyfuss".

“Historiani, bibliofili, poligloti, dhe poeti Maximilian Demeter Peyfuss” u lidh me Institutin për Historinë e Evropës Lindore pranë Universitetit të Vjenës, qysh në vitin 1971. Mbas një kohe, Maks-i merr përsipër kryesimin e Institutit për Historin e Evropës Lindore pranë Universitetit të Vjenës.

Max Demeter mbante rregullisht pozicione mësimore në disa programe mësimore amerikane që nga viti 1974 e më tutje; pothuajse asnjë kontribut shkencor nuk mbeti në tavolinën kolegjiale pa kaluar në syrin e tij të hollësishëm; dhe, njohja e thellë e gjuhëve të Evropës Perëndimore e bindën Prof. Walter Leitsch6 që ta emëronte Maksin në vitin 1974 në Institutin për Historinë e Evropës Lindore. Kurse punën si asistent universitar në Institutin për Historinë e Evropës Lindore Maksi e nisi në vitin 1979.

Karriera e tij akademike filloi me disertacionin shembullor mbi historinë e Aromanëve(Vllehëve), me udhëheqës shkencor Pof. Walter Leitsch, që rezultoi në botimin me titullin "Çështja Aromane”. Ky ishte botimi i tij i parë modern, në gjermanisht, mbi këtë grup etnik/shoqëror kryesisht Ballkanik, që u pasua më pas me “ Lendlordët Aromanë në Banat rreth viteve 1800”; “Voskopoja dhe Viena. Marrëdhëniet Austri - Shqipëri në vitet 1800”; “Princi Mihailo Obrenovic, princesha Julie Grafin Hunyadi dhe Demeter Theodor Tirka”. Dhe një sërë shkrimesh të tjera shkencore historike të botuara nga revistat e akademive të shkencave të Austrusë, Hungarisë, Rumanisë, Greqisë, Gjermanisë, etj.

Krahas punës intensive mësimdhënëse universitare, Maximilian Peyfuss ishte edhe redaktor i serialit "Studia Austro-Polonica" që botohej në Krakov.

Ndërkohë, Maksi nuk rreshti së thelluari studimet për Evropën Juglindore, veçanërisht në Rumani dhe Shqipëri, dhe e përfundoi habilitimin e vet në vitin 1989 me një monografi mbi historinë e shkrimeve të dala nga Shtypshkronja e Voskopojës. Monografia për Shtypshkronjën e Voskopojës dhe nderimin e shenjtorëve në Kryedioqezën e Ohrit, e përkthyer edhe në shqip, përmban një analizë të hollësishme kritike të civilizimit voskopojar mbështetur ajo edhe në një bibliografi shteruese. Monografia është pa dyshim hulumtimi më i plotë ndërdisiplinor kushtuar shtypshkronjës së Voskopojës, dhe përgjithësisht historisë së këtij qyteti. Kush lexon me kujdes kontributet shkencore të M.D.Peyfuss kupton jo vetëm mospërputhjen e interpretimeve nacionaliste, disa më zhgënjyese se të tjerat, që nisen gjithmonë nga spekulimet etnogjenetike për aromanët, po, edhe vullnetin e keqtreguar nga aktorët shtetërore në Ballkan.

Në shtator 1989, Max Demeter Peyfuss udhëtoi me Prof. Arnold Suppan, në konferencën e madhe të Evropës Juglindore AIESEE, mbajtur në Sofje. Konflikti mbi pakicën e madhe turke në Bullgarinë juglindore sapo kishte arritur kulmin e vet, kështu që historianët turq anuluan pjesëmarrjen në konferencë. Peyfuss dhe Suppan nuk u shmangën, por shprehën publikisht dhe gjysmë privatisht, mikpritësve bullgarë, shqetësimin e tyre lidhur me politikat e udhëheqjes bullgare kundër minoriteteve. Pas përfundimit të konferencës, Peyfuss dhe Suppan u kthyen në Vjenë dhe shkruajtën një raport të përbashkët për “Austrian Journal of the East”. Pesë vite më vonë, në vigjilie të konferencës të radhës të AIESEE, në Selanik, Max Demeter Peyfuss regjistroi largimin (Fshesën Greke) ndaj shumë punëtorëve të paligjshëm shqiptarë.

Pasi u emërua Profesor i Jashtëzakonshëm Universitar i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, në vitin 1992((emërimin si Profesor Universitar e nisi në 1 janar të vitit 2000), M.D.Peyfuss dha jo vetëm leksione bazë dhe seminare, “që ishin jashtëzakonisht të ndjekura”, por ai u angazhua edhe në shpejtimin edhe përgatitjen e çvendosjes të Institutit të Historisë të Evropës Juglindore - nga terreni ku ndodhej që nga viti 1977 - në kampusin universitar të sapo projektuar në vendndodhjen e ish-Spitalit të Përgjithshëm të Vjetër të Vienës. Ky projekt jo vetëm e privoi atë nga ideja që kishte për ta përshtatur ndërtesën Stöckl, në Maria Enzesdorf, pronën e vet private, në dobi të bibliotekës në rritje të Institutit, por edhe e përfshiu në diskutime të mundimshme me universitete të ndryshme dhe përfaqësues të dekanatit…Nga ana tjetër Max Demeter Peyfuss, që vlerësohej shumë nga të gjithë anëtarët e Institutit, ia doli ta zgjidhte pozicionin e zyrës së vet, në godinën e re të Institutit, pa asnjë mosmarrëveshje. “Fakti që ai preferoi ta ketë kabinetin e punës pranë kuzhinës së vogël - shkruajnë kolegët e tij - mund të ketë lidhje me parapëlqimin që Maksi kishte për kafen turke, greke, apo aromane.”

Si një bibliofil i kompletuar, Max Peyfuss kishte një bibliotekë fantastike që përmbante shumë materiale të rralla mbi historinë e Evropës Juglindore dhe Lindore. Prirja e tij bibliofile e shtyu gjithashtu të sillte libra antikuar nga udhëtimet e tij të shumta në Ballkan. “Në vitin 1985”, shkruan M.D.Peyfuss, “unë arrita të gjej në bibliotekën e dioqezës ortodokse serbe Buda në ShënAndre pranë Budapestit një botim voskopojar, i njohur deri në atë kohë vetëm si titull, dhe, dhashë një përshkrim të tij. Ky ishte një botim i vitit 1750 (vepra XIX) i siguruar nga i famshmi Teodor A. Kavalioti. Një botim tjetër, që pandehej se ishte zhdukur (I), arrita ta zbuloj në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit”. Maksi tregon në shkrimet e tij se ka gjetur edhe të tjera libra e objekte antikuare; të cilat unë, për të mos u zgjatur, nuk po i përmend këtu. Ai siguroi edhe botime të reja, aktuale, për bibliotekën e Institutit, duke bërë kështu të mundur që tradita e nisur nga Josef Konstantin Jireček7, në vitin 1907, të vazhdonte me dinjitet.

“Krahas aftësive të tij shkencore të jashtëzakonshme, Max Demeter Peyfuss kishte edhe dhunti teknike (meqë ra fjala, ishte i vetmi koleg në Institut nga i cili mund të huazoje një çekiç e gozhda të ndryshme, dhe që shkëmbente dardha pa asnjë lloj arrogance.” Ai zotëronte aftësi të lakmueshme gjuhësore, dhe shpërfaqte një dell të rrallë poetik e letrar, gjë që i ndihmoi kolegët rumunë të bëheshin të famshëm në Perëndim me përkthimet e tij të panumërta nga rumanishtja. Ai përktheu edhe poezinë “Rrëfim” nga “Mesazhi inkurajues” i Petre Stoicës, që u lexua në skenën e Universitetit të Timishuarës, kur M.D.Peyfuss u nderua - Doktor Honoris Causa i Universitetit Perëndimor të Timishoarës, në vitin 2005.

Max Demeter Peyfuss ishte pjesë organike e kontingjentit të poetëve më të rinj austriakë. Shtëpia ku ai jetonte afër Vjenës, në Maria Enzersdorf, ishte e zhytur në atmosferën artistike që kishin krijuar gjyshi tij piktor, Carl J. Peyfuss, me akses në mjediset perandorake; dhe nga ana tjetër, gjyshja, e cila vinte nga një dinasti tregtarësh aromanë jashtëzakonisht të pasur. Po jo vetëm kaq, sepse, edhe bankieri Demeter Teodor Tirka, stërgjyshi i Max-it, kishte dhunti jo vetëm financiare e tregtare, po edhe poetike-letrare.....

Peyfuss udhëtoi shumë, duke kaluar disa herë Francën, Çekosllovakinë, Jugosllavinë, Greqinë, Bullgarinë, Turqinë dhe gjithë Lindjen e Afërt. Ai e vizitoi Shqipërinë, Voskopojën, jo vetëm një herë, i motivuar nga një pasion i madh për historinë, gjuhën, letërsinë, dhe qytetrimin e Voskopojës, vendlindjen e të parëve të vet, të cilën e njohu dhe e pershkruajti në një mënyrë vërtet madhore - për sot dhe të ardhmen. Veç kësaj, M.D.Peyfuss ka meritë të veçantë sepse përgatiti studime të shumta kushtuar fenomeneve kulturore dhe folklorike ballkanike.

Peyfuss shkruante një poezi të pjekur, paksa simbolike, në të cilën është e dukshme ndjenja e kohës, e shprehur përmes nocioneve të marra nga mitologjia greke. Gjuha e tij poetike është e ashpër, antiprozaike, herë-herë e zhveshur - po e mbushur me pastërti kristalore. Krahas poezive dhe eseve, ai krijon edhe prozë eksperimentale. Max-i mbeti bashkëpunëtor i përhershëm në revistat LITERATUR UND KRITIK; OSTERREICHHISCHE OSTHEFTE; dhe FORUM. Krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Për herë të parë punoi si redaktues, në vitin 1967, në përmbledhjen me titull VERSCHLILSSELT UND VERSIGELT; më pas botoi një seri poezish në vëllimin DICHTUNG AUS NIEDEROSTERREICH (1969).

Max-i e mbylli karrierën universitare në fund të qershorit 2003. Në këtë rast ai mbajti një leksion brilant që u kurorëzua pastaj, nga Instituti, me një festival folklorik Ballkanik të vërtetë.

Po e mbyll këtë punim për Maximilian Demeter Peyfuss me urimin që dikush të kujtohet e ta studiojë jetën dhe veprën e tij, përpara se ajo të përvetësohet tërësisht nga të huajt, - dhe me bindjen se asnjë shqiptar, në gjëndjen e sotme të përparimit tonë kombëtar, nuk e mendon veten si grek, serb, bullgar, rumun, malazez, turk … - etnia, gjuha, dhe historia e të cilëve janë të ndryshme nga e jona. Sigurisht që hamendësimi i “ndonjërit” se ka shqiptarë që e pëlqejnë veten si grekë, serbë, turq… është një anakronizëm. Provë e kësaj janë mërgimtarët shqiptarë të çdo kohe - që natyrshëm kanë mbajtur e mbajnë sjellje të civilizuara ndaj shteteve pritëse dhe nacionalizmës së tyre - të cilët mbeten mbrojtësit më të guximshëm të shqiptarizmës; ata, fëmijët, nipër e mbesa…thjesht të vazhdojnë të flasin dhe shkruajnë shqip, gjuhën e të parëve të tyre. Kjo vlen më tepër se çdo gjë tjetër. Nasho Bakalli.

P.S.

Shkrimi për M.D.Peyfuss bazohet edhe në konsideratat e kolegëve të tij: Prof.Dr. Arnold Suppan; Emeritus Prof. Andreas Kappeler; Prof. Mag. Dr. Christoph Augustynowicz; Prof.Mag. Dr. Marija Wakounig - të Univeristetit të Vienës.

1) Graniz zu Calaphate = nëpërmjet kufitit shtetror të Monarkisë Habsburge me atë Otomane.

2) Mitropoliti Ioakim Martinianos (1875-1955) me origjinë nga Voskopoja, në monografinë e tij ‘Voskopoja 1330 – 1930’, pasi e vizitoi atë në vitin 1905, argumenton se mbiemri Tirka - Terka i përket të njëjtin trung familjar.

3) T.D.Tirka geb.(lindur)1764, Osman.Reich(Perandoria)/Voskopoja, Albania; gest.(vdekur)1839, Vienna).

4) Megjithë leximet e shumta, nuk kam të dhëna për babain dhe nënën e Maximilian Demeter Peyfuss.

5) Karl Trajmer , doktor i filiologjisë dhe letërsisë së gjuhëve indo-evropiane; kryetari i parë i Shoqatës Austri-Shqipëri. Autor i “Nga deti në det - përralla follorike shqiptare”, 1976.

6) Prof. Walter Leitsch (1926 - 2010), anëtar i Akademisë të Shkencave të Austrisë dhe i Akademisë të Arteve të Bukura të Krakov, Poloni; lureat i Golden Doctoral Diploma nga Universiteti i Vienës.

7) Josef Konstantin Jireček, Austro-Hungarez-Czech historian, politikan, diplomat, dhe sllavist.

…………………………______________________________…………………………….

Pamje brendshme muzeut paraardhësve të M.D.Peyfuss

M.D.Peyfuss

M.D.Peyfuss

Selia e Universitetit të Vienës

Demeter Teodor Tirka

M.D.Peyfuss me bashkeshorten në oborin e shtëpisë tyre.

Stema e familjes fisnike Tirka

4 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page